18.9 C
Prizren
E enjte, 17 Korrik, 2025

Stabilitet dhe reforma për vitet e ardhshme

BURIM RAMADANI

Elita politike në Kosovë ka provuar modele të ndryshme të ndërtimit të institucioneve. Tash po e provon edhe modelin e ri: koalicionet e mëdha parazgjedhore. Do të ketë ndikim pozitiv për afat të gjatë në profilizimin e skenës politike në Kosovë.
Kosova duhet të hyjë në stabilitet institucional dhe reforma pas 11 qershorit. Dhe, më shumë se tash nuk e besoj që ka qenë e mundshme në modelet e mëhershme të ndërtimit të institucioneve.

Elita politike ka provuar apo edhe eksperimentuar modele të ndryshme të ndërtimit të institucioneve.

Gjatë viteve 2001-2004 është provuar modeli i gjithëpërfshirjes. Atë kohë, në qeverisje ishin të gjitha partitë parlamentare, duke ndërtuar kështu një fazë lehëtuese të fillimit të mësimeve mbi demokracinë dhe jetën parlamentare demokratike. Sigurisht se modeli i tillë nuk duhet të përsëritet, megjithëse në atë kohë dhe ato rrethana kishte ndihmuar në tejkalimin e ndasive të thella që ekzistonin.

Gjatë viteve 2004-2007 u provua për herë të parë funksionimi i jetës parlamentare pozitë-opozitë. Një opozitë e fortë siç ishte PDK-ja dhe një qeveri midis LDK-së dhe AAK-së. Ajo që ndodhi në këtë periudhë ishte modeli i ruajtjes së konsensusit në çështjet nacionale, duke u krijuar edhe Ekipi i Unitetit dhe mekanizmat tjerë përcjellës.

Gjatë viteve 2008-2010 u provua një model tjetër: krijimi i koalicionit të madh, duke lënë opozitën e vogël dhe të pa ndikim. Si konsekuencë, stabiliteti institucional ishte krijuar, porse gjuha dhe retorika politike pozitë-opozitë ishte kthyer në një nivel shumë më të ashpër.

Gjatë viteve 2011-2014 u provua diçka edhe më jofunksionale: qeveria kishte më pak deputetë shqiptarë se që kishte opozita, porse deputetët minoritarë përcaktuan fatin e qëndrueshmërisë së qeverisë. Si e tillë, qeveria nuk përfaqësonte legjitimitetin e shumicës derisa opozita ishte e fortë dhe përfaqësuese.

Gjatë periudhës qershor – nëntor 2014 u provua ndërtimi i institucioneve në bazë të qëndrimeve paszgjedhore të partive parlamentarem sipas parimit të shumicës parlamentare paszgjedhore. Kjo u pasua me një bllokadë institucionale gjashtëmujore, kryesisht si konsekuencë e interpretimit të Kushtetutës mbi procedurat dhe jo mbi përmbajtjen e shumicës parlamentare.

Në vitet 2014-2017 u provua edhe njëherë modeli i viteve 2008-2010. Sërish, koalicioni i madh dhe opozita e vogël. Porse, në këtë provim të sërishëm, situata nuk ishte e njëjtë me të kaluarën dhe kështu opozita ishte dukshëm më e ashpër edhe në veprime. Këtu u përfshinë edhe metodat joparlamentare. Si i tillë, ky ritestim i modelit të koalicionit të madh doli të jetë krejtësisht i padobishëm.

Tashmë, elita politike është në një model të ri. Model që nuk ishte provuar më parë. Ky është modeli i koalicioneve të mëdha parazgjedhore. Kështu, ky model që po provohet edhe mund të del i suksesshëm në ndërtimin e institucioneve stabile dhe agjendave reformuese në tërësi.

Ky model mund të jetë me efekte pozitive në afat të gjatë. Në profilizimin e skenës politike në Kosovë, pavarësisht se ende nuk kemi arritur në nivelin e debatit plotësisht programor dhe ideologjik. Kjo kryesisht për shkak se Kosova edhe më tutje është në gjende emergjente në shumicën e fushave të qeverisjes.

Sidoqoftë, janë të paktën dy dimensione të domosdoshme për qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës në periudhën e ardhshme katër vjeçare.

Së pari, duhet të krijohet stabilitet institucional dhe kjo përfshin domosdoshmërisht edhe përpjekjet maksimale për ndërtimin e konsensusit të gjerë apo gjithpërfshirës për çështjet e interesit nacional.

Së dyti, qeverisja e re duhet të fokusohet në agjendë reformuese, qoftë të politikave, qoftë të aspektit organizativ e struktoror të institucioneve publike.

Më Shumë

Rrihen mes vete tre persona në Suharekë, dërgohen në mbajtje

Tre persona janë rrahur mes vete ku njëri nga ta ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar në tretman mjekësor. Sipas raportit 24 orësh...

Arianit Nushi i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren

Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren dhe njëkohësisht kandidat për kryetar të Komunës, Driton Selmanaj, ka prezantuar sot aderimin e Arianit Nushit në...

Lajmet e Fundit