5.2 C
Prizren
E martë, 4 Shkurt, 2025

Fitnete Rexha, bylbyli i çdo behari

E kush nuk ishte ai që nuk hapte radion para se të nisej për në punë pa dëgjuar këngët e saj? Për të marrë shkas nga ai zë, e mezipritur orën 5 të mëngjesit në Radio Tirana? Zëri i bylbylit të Shqipërisë së mesme ishte gjithnjë i pari në sfondin e artë të muzikës popullore, duke vazhduar më pas me Nahile Hoxhën, Xhevdet Hafizin, etj.

E kujt ia priste mendja që më 1933, vajza e Babë Rexhë Delisë, heroit të popullit, do të vinte në jetë e mandej do të kurorëzohej si një prej mbretëreshave të këngës popullore? Familja e saj krutane prej brezash do të ruante traditën e muzikës popullore, duke zgjuar kështu dëshirën për të kënduar tek vajza e vogël e shtëpisë.

Fitnetja do të ishte vetëm 15 vjeçe kur do të nderohej me çmim të parë në koncertin e parë që mori pjesë, duke interpretuar disa këngë popullore të Shqipërisë së mesme në vitin 1951. Ishte kjo kohë, në fakt, nga ku krijoi dhe repertorin e saj më këngë si: ‘’Po knon gjeli pika-pika’’, ‘’Kënga e unazës’’, ‘’Qenke veshur me të bardha’’, etj…

Besnike prej më shumë se 45 vitesh e këngës shqipe, duke regjistruar rreth 200 këngë dhe u përfshirë në mijëra shfaqje e koncerte. Në kuadër të ansambleve kombëtare, këndoi në 44 shtete, duke shkelur Moskën si fillim në vitin 1957, e shumë vende të Evropës dhe duke u adhurua më së shumti me këngën “Ç’u dëshirum me të pa”. Gjatë një interviste për këngën popullore shqiptare, kohëve të fundit, ajo është shprehur:

‘’E dua shumë këngën popullore shqiptare të të gjitha trevave dhe të gjithë këngëtarët i dua shumë, e këngëtarët e rinj më dhimbsen. Kur shoh se te ata askush nuk i drejton rreth drejtkëndimit të këngës shqipe, siç u veprua me ne brezin e parë të kësaj muzike. Unë them se ka pak tendeca për “huazime” në veshje e stilizimin e këngëtarëve dhe këngëve. Por do të thoja, këto janë shumë të vogla, që nuk duhet të jenë fare, se nuk është edhe e nevojshme pët të qenë. Edhe ne artistët e njohur nuk lindëm të tillë, por me ndihmën e të tjerëve, me përvojën e pasionin që na karakterizoi, ruajtëm të pastër traditën e muzikës popullore shqiptare, u bëmë të njohur, të dashur dhe të dëgjuar me këngën popullore të të gjitha trevave, ashtu siç ato buronin. Unë mendoj se të gjithë duhet të nisen nga talenti, interpretimi në skenat ku edhe vetë vlerësuesi më i madh, që është populli ynë muzikëdashës dhe i respektueshëm, të mësojnë më mirë si të këndosh dhe se si të kesh suksese.’’

Kjo grua i këndoi dashurisë një jetë të tërë. E, në fakt, folklori popullor shqiptar është tejet i pasur me këngë dhe poezi kushtuar kësaj ndjenje. Fitnete Rexha ta sillte aq pranë, aq bukur, bashkë me zërin e saj dhe fjalën e poetit : “Dashuria si rrufe ç’më goditi mu në kokë, nuk kom gjuhë që t’ju rrëfej, oh ç’më ka gjet mu mer shokë”, “Rreth e qark lule të kuqe karajfilat oh në saksi, s’të ka kush moj buzë bërbuqe sikur unë s’të don njeri’” apo “Mun aty more natën e, ku celin zymbylat vetë, aman aman aman e, ku celin zymbylat vetë, bojshin hije bojshin hije mor për dy vetë” këngë kjo ndër më të bukurat e saj. 

Profesor Zadeja ka thënë se sa herë të degjohet kënga popullore e Shqipërisë së Mesme, gjithmonë do të kujtohet këngëtarja Fitnete Rexha. Ndërsa Kompozitori dhe bashkëpunëtori i saj shumëvjeçar, Tish Daija, është shprehur për BBC-në se Fitnete Rexha ishte reformatore e muzikës së Shqipërisë së Mesme:

Vlerësimi im për Fitnete Rexhën si këngëtare e këngës së Shqipërisë të Mesme është maksimal. Ajo është shembulli i përkryer se si mund të dashurohet kënga popullore.”


Sipas tij, ajo pastroi këngën e Shqipërisë së Mesme nga influencat e muzikës orientale.

Por jeta e saj u rrokullis mbi vështirësi të shumta. Nuk ishte aq e lehtë. Fitnetja do të jetonte me shumë pak. Vetëm 6000 lekë të vjetra rrogë, duke mbajtur gjallë frymën e një familje të tërë dhe duke mos bërë kurrë kompromis me Artin. Duke sakrifikuar kështu, ajo ushqehej prej këngës, gëzimi i së cilës preku çdo cep të Shqipërisë për të falur gjithë dashurinë nëpërmjet zërit unik nga katundet e varfra tek podiumet e akullta nëpër qyteza minatorësh, e deri në reparte të tëra ushtarakësh. Veshur gjithnjë me fustan basme, prej të cilit këpucët e rrjepura i vjetëroheshin çdo vit këmbëve. Por liria e saj në të jetuar i kalonte kufijtë e kohës. Ishte një grua ndryshe! Një grua që u ngulit në kujtesën e popullit përtej dritës së tingullit.

Demokracia do e gjente të lodhur dhe shëndeti i saj do t’i përkeqësohej. Ajo ndërroi jetë në moshën 70-vjeçare. Ishte 14 gusht 2003 kur kënga e bylbylit do të ndërpritej tokës, për të kënduar qiejve.

Fitnete Rexha kujtohet me mjaft nostalgji, duke bërë që këngët e saj të mbeten thesare në muzikën popullore shqiptare. Artistë të këtyre niveleve duhen kujtuar e respektuar, ndaj përgjegjësia kryesore bie mbi instancat përkatëse. Nismë kjo që duhet zgjuar!

Sot nga ne, nesër urojmë nga shteti. /Konica.al/

Më Shumë

Bashkimi fiton dominueshëm derbin prizrenas ndaj Junior 06

Bashkimi fitoi derbin e qytetit ndaj Junior 06 Moni Bau me rezultat 67:105 (18:30, 12:29, 16:27, 21:19) në javën e 13-të të Superliga Femrat. Çereku...

Policia shqiptoi 1742 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1742 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Mallkim nëne

Lajmet e Fundit