5.4 C
Prizren
E hënë, 2 Dhjetor, 2024

Musine Kokalari, emblema e disidencës shqiptare

MusineKokalariPër Musine Kokalarin është folur e shkruar shumë këto vite. Edhe këtë gusht, në 30-vjetorin e shuarjes së saj, pati një ritual përkujtimor, duhet thënë rutinë, kur mund të ishte një ceremoni me të tjera përmasa e jo me tridhjetë vetë në sallën e Ministrisë së Kulturës, sa ç’mblidhen kur promovon vjershat një letrare e re. Për më tepër, shkruan “Shqip”, krahas gjërave me vlerë rreth saj, vijon të thuhet tek-tuk dhe ndonjë pasaktësi, ku për ta goditur regjimin e djeshëm sa më në asht, i vishen atij dhe ca “flluska” të këqijash që nuk kanë ndonjë peshë dhe nuk bindin askënd. Sikur të mos mjaftonte odiseja politike që hoqi në kurriz kjo figurë emblematike e elitës shqiptare të shekullit XX. Ndodh njëfarësoj si dikur më heronjtë partizanë, që iu mbushej biografia me hollësira “domethënëse”, kur ata kishin bërë më të madhen, kishin dhënë jetën për lirinë. Musineja kishte sakrifikuar gjithçka për lirinë e ndërgjegjes, kësisoj asgjë nuk shton në figurën e saj të martirizuar për së gjalli “fakti” se demek në ditën e vdekjes ajo i kishte pasur duart të lidhura me tela me gjemba (!?) çka është e pavërtetë. Por qëllimi ynë nuk është të ngjallim ndonjë debat të panevojshëm, thjesht na intereson të shkruhet e vërteta rreth shkrimtares dhe politikanes dhe jo teprimet, që në thelb i bëjnë dëm historisë. Kodet e qytetit mirditor me Musinenë.

Shqiptarët tashmë e njohin historinë e saj tronditëse, pa droje do të hynte në librin e disidencës së krejt Lindjes komuniste, ku shëmbëlltyra e saj mbase do të ishte më e përkryera për një memorial me simbolikën e rezistencës gjatë Luftës së Ftohtë. E doktoruar në Itali për letërsi, shkrimtare e parë shqiptare, idealiste e kulluar, që donte ta bënte politikën socialdemokrate jo sipas ideologjisë komuniste, një divë e iluminizmit dhe mirësisë njerëzore. Dihet se si u soll regjimi i kaluar me këtë kategori intelektuale të dorës së parë, që, kur nuk e asgjësoi fizikisht, e kalbi nëpër burgje e internime për gjithë jetën. Por përtej regjimit ka pasur dhe një qëndrim qytetar, ndryshe nga ai i zyrave të shtetit. Është e njohur tashmë se Musineja dhe Rrësheni, qyteti ku ajo qëndroi në internim për 22 vite, e kishin një gjuhë të fshehtë mes tyre, sado memece në dukje. Njerëzit e qytetit, që asokohe nuk ishin vetëm mirditorë, nuk e tanonin në punë, rrugë, kinema, bibliotekë, ashtu si ajo nuk i “provokonte” me agjitacion e propagandë kundër pushtetit. Ajo agjitonte sa mundej vetëm për kulturimin dhe emancipimin e njerëzve që e rrethonin, pa qenë ndonjë misionare. Kuptohet që Komiteti i Partisë dhe Sigurimi i Shtetit ishin vigjilentë ndaj çdo lëvizjeje të saj në 24 orë, kontrollonin gjer ç’libra lexonte dhe ç’filma shihte. Por nuk mbahet mend ndonjë përplasje funksionari shtetëror me Musinenë, çka është domethënëse. Ishte në të vërtetë personaliteti i saj tejet rrezatues që e kishte fashitur nga sytë e tyre pamjen e saj “armike”, aq sa të mos e urrenin e stigmatizonin. Ishte po ashtu dhe natyra e fisme mirditore kundrejt të ardhurve, cilët do të ishin ata, ndoshta dhe nga statusi i mikut. Shkurt, kishte një marrëveshje të pashkruar, të heshtur, të dyanshme. Ajo si e internuar nuk mund të shkonte në shtëpitë e tyre dhe as ata në shtëpinë e saj, pos rasteve sporadike, pasi kjo ishte e ndaluar nga regjimi, ama njerëzorja shtrihej përtej këtij kontakti gjysmë të munguar. Kjo soj etike ka funksionuar dhe me të internuarit e tjerë në Rrëshen, që nuk kanë qenë të paktë dhe të mos kërkojmë më shumë nga ajo kohë!

Musineja ishte një zonjë që dinte ta gjente vendin dhe fjalën, të shmangte incidentet e mundshme me regjimin. Kishte për zemër sidomos fëmijët, por sillej me ta me takt e elegancë, pa u shkrirë mes tyre si ndonjë masovike. Këshillonte të rinjtë për leximin e librave a shikimin e filmave, pa u shtyrë në opinione. Po ashtu ajo u fliste grave, sidomos atyre që i psikologjiste se e mirëkuptonin. Ajo nuk e bënte këtë për të fituar ndonjë pozitë favorizuese, pasi e dinte se ishte e pamundur, por thjesht nga edukata dhe formimi solid që kishte. Sidoqoftë mëkati ndaj saj ishte. Siç kishte fëmijë që nënat e tyre i çonin në shtëpinë e Musinesë me një copë bukë misri, ashtu ndodhte që dikush t’i thoshte vajzës së vet se ajo gruaja është një “shtrigë”, vetëm që vogëlushja të mos e adhuronte “armiken e popullit”. Sidomos në punë, në ndërtim, ajo ishte e kursyer në fjalë, se aty popullata ishte më heterogjene dhe mundësia e provokimit për një armike të klasës ishte më e madhe. Vetë Musineja në ditarin e saj nuk ka shkruar asgjë të rezervuar për njerëzit e qytetit, të cilët më e pakta nuk donin t’i bënin keq. Asnjë akuzë, dënim a ridënim aty, asnjë dëshmitar kundër saj. Asgjë e kësaj natyre. Dhe nuk qëndruan pak bashkë Rrësheni dhe Musineja, por rreth një çerekshekulli, nga shkelja për herë të parë aty pas daljes nga burgu e deri në shuarjen e saj në vitet ‘80. Ndonëse gruaja e paepur rronte në një banesë që notonte mes ujërave të ndenjura dhe mizerjes.

Rrëshen, që u rrite në krahët e mi…

Ky është një varg poezie i Musinesë. Por dhe fati i saj fort i bjerrë. Kur zonja e internuar vajti aty, qyteti nuk ishte as 15-vjeçar. Musineja e ndërtoi me duart e veta. Ajo dinte gjithçka që lidhej me ata njerëz dhe ata dinin gjithçka që lidhej me të, kush më shumë e kush më pak, pasi ishte një pëllëmbë vend e një grusht njerëz. Informacioni i marrë nga ata në veçanti dhe i përmbledhur nga ne në këtë shkrim, ndërton njëfarësoj përditshmërinë e saj, që ishte dhe përvitshmëria, apo gjithëkohësia e saj e privuar. Rronte e vetme, në një dhomë të amortizuar, në një shtëpi përdhese në moçalishte, bashkë me dy-tri familje të tjera të persekutuara. Për të hyrë në atë banesë të mjerë duhej të vije dy-tre tulla dhe ndonjë dërrasë që të mos binte këmba në ujë. Aty ishte shtrati i saj dhe një raft rrobash, pak libra dhe një dorë revistash në gjuhë të huaj që vazhdonin t’i vinin nga jashtë. Punonte në ndërtimin e pallateve, përziente llaç për ustallarët gollobordas, ngrinte qytetin që nuk i jepte një strehë për të futur kokën. Kishte dhe ndonjë grua tjetër si ajo e persekutuar që gjithashtu përziente llaç dhe ngrinte tulla mbi krahë. Musineja shihte si regjimi kafshonte të vetët dhe një ditë pranë saj do të punonte punëtore dhe e bija e ish-ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballaku me të shoqin, një profesor i nderuar universiteti. Kjo ishte paraditja e mundimshme sizifiane saj, kurse pasditja ishte “mondane”. Vishej me shije të hollë si ato zonjat e rënda, shkonte në kinema, bibliotekë dhe sidomos nuk harronte kurrë atë xhiron e saj të famshme, nga qyteti deri në periferi tek Ura e Fanit, sa shpesh identifikohej me atë xhiro. Nxënësve u thuhej se ajo ishte Emira Velo e romanit “Para Agimit” të Shevqet Musarajt. Si dhe paraqitej rregullisht në sportelin e Degës së Brendshme. Jeta asaj nuk i afronte asgjë bujare, megjithatë ajo kishte arritur të mbijetonte, të ishte një personazh në sytë e qytetit, mund të harroheshin të gjithë një ditë, por jo Musineja. Njerëzit nuk e dinin biografinë e saj me hollësi, nuk dinin sidomos se ajo kishte qenë shkrimtare, por as ajo nuk e tregonte këtë anë. As që kishte pyetur ndonjëherë nëse në bibliotekën e atij qyteti ishte ndonjë nga librat e saj, çka do të kishte shkaktuar befasi te vendësit, por ajo ishte një bibliotekë me fond të ri të pasluftës, ndërsa librat e saj ishin botuar më parë. Është Rrësheni që e rindërton biografinë e disidentes antikomuniste, si dhe ditari i saj. Rrësheni, me praninë dhe mungesën, me dëgjesën dhe me heshtjen e tij, është i vetmi dëshmitar i vdekjes së Musinesë, ashtu si dhe i jetës së saj për njëzet e dy vjet, ndaj nuk mund të shpërfillet ai në këtë histori.

Musinesë i bën nder vetëm e vërteta

Mikja më e ngushtë e saj ishte vetmia. Vetmia e një gruaje të bukur plot ndjesi njerëzore. Pas gjithë atij kalvari të mundimshëm, duke bërë bilancin e trishtë të jetës së saj, Musineja shkruante si nga fundi i dëshpërimit: “Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Ndoshta do të ishte më mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund dhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike”. Dhe prapë ajo do të kthehej mes sokakëve të saj e pavdekshme. Do të linte porosi që sendet që gjendeshin në valixhen e saj prej druri të dërgoheshin në muzeun e Gjirokastrës. Gjithsesi, asaj i mjafton qëndresa e vet morale e pazakontë, për afro një gjysmëshekulli, ndaj nuk e kupton pse duhet t’i vishet diçka që nuk kanë ngjarë me të. Në Wikipedia shkruhet: “Musineja vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit. Kur e zhvarrosën vite më vonë, u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba”. Nuk kishte arsye as mosarsye të ndodhte një gjë e tillë. Në historinë e njerëzimit, në asnjë popull nuk ka ndodhur që i vdekuri të lidhet as për çështje besëtytnish. Nuk bëhet më tragjike jeta e Musinesë duke shtuar diçka monstruoze për të. Asnjëri nga varrmihësit e paktë nuk dëshmon për “pranga” në duart e saj të kryqëzuara mbi gjoks. Përkundrazi, ata e kundërshtojnë fort këtë si një sajesë. Musinenë zyrtarisht e ka varrosur Komunalja, por kanë qenë komshinjtë e saj, njerëz të persekutuar si ajo, që e kanë kryer atë varrim. Ndaj nuk është drejtë që figura të tilla të shoqërohen sot nga legjendat urbane. Të vërtetës i duhet vetëm ajo që ka ndodhur dhe jo shtesat a dënesat. Se ka ngjarë kështu kemi sot një histori të gjymtuar. Ky është problemi. Besojmë se biografët e Kokalarit do të peshojnë çdo të dhënë rreth figurës së saj, larg qasjes ideologjike të asaj kohe. Agim Haruni, fqinji më i afërt i saj, njëherësh njeriu që ka organizuar varrimin deklaron sot e gjithë ditën: “Nuk është e vërtetë që në duart e Musinesë ka pasur tela me gjemba për së vdekuri!” Është tjetër gjë të thuhet se si do të duhej të ishte varrimi i saj, por kjo do të dilte jashtë realitetit të asaj kohe. A mund të kërkohej sadopak vëmendje mortore për këtë zonjë të madhe, kur në atë kohë regjimi varroste ish-Kryeministrin e vet legjendar me një grusht njerëz, pa asnjë protokoll?!
P.S.: Akti i vdekjes e ka të shënuar emrin e vendlindjes së Musinesë në Turqi, Andona (?), kur dihet që është Adana, që besohet të jetë një gabim teknik i Gjendjes Civile të viteve ’60, kur Kokalari pati ardhur për herë të parë në Rrëshen. Musineja vdiq me 13 gusht 1983 në këtë qytet dhe jo me 14, siç del në ndonjë botim, çka paraqitet dhe në certifikatën përkatëse.

Më Shumë

“Kapitullon” Ballkani, Drita fiton derbin në Suharekë dhe shkëputet ndjeshëm

Skuadra gjilanase Drita ka arritur të që t’ia marrë pikët e plota skuadrës së Ballkanit në terren të vet. Djelmoshat e drejtuar nga Zekirja Ramadani,...

KH Rahoveci mposht ekipin rumun Minaur Baia Mare, por nuk mjafton për t’u kualifikuar tutje

KH Rahoveci ka shënuar fitore në Rumani ndaj skuadrës me shumë përvojë CS Minaur Baia Mare, por nuk ka arritur dot ta sigurojë kualifikimin...

Patatja e Bosforit

Lajmet e Fundit