11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Më 1 dhjetor balotazhi

Zgjedhje-kosove-logoKryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka konfirmuar se balotazhi për 24 komunat tjera do të mbahet më 1 dhjetor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbrëmjen e së hënës ka shpallur rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit për 24 komuna të vendit, por jo edhe për katër komunat në veri të Mitrovicës.

Më 1 dhjetor garën në balotazh do ta vazhdojnë: Prishtina, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Klina, Kamenica, Mitrovica, Lipjani, Novobërda, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prizreni, Shtërpca, Suhareka, Ferizaj, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Graçanica, Parteshi, Ranillug dhe Kllokoti. Dhjetë komunat fituese në rundin e parë janë: Deçani, Skenderaj, Gllogoci, Podujeva, Shtimja, Kaçaniku, Hani i Elezit, Fushë-Kosova, Istogu dhe Mamusha.

Në bazë të rezultatit preliminar për asambletë komunale, PDK-ja ka fituar shumicën e komunave, duke dalë e para në 13 komuna, e dyta në 6 komuna, e treta në 9 komuna. LDK-ja për asamble komunale ka dalë e para në 11 komuna, e dyta në 10 komuna dhe e treta në 6 komuna. Ndërsa AAK-LDD prin në 3 komuna, e dyta në 7 komuna, e treta në 8 komuna. Vetëvendosje! është e dyta vetëm në Prishtinë dhe e treta në dy komuna, kurse AKR-ja është e dyta në një komunë dhe e treta në një komunë tjetër.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, gjatë publikimit të rezultateve për kryetarë komunash dhe asamble komunale ka thënë se ende nuk ka rezultate se cila parti ka fituar në nivel vendi. Ajo e ka vlerësuar të suksesshëm procesin zgjedhor, duke thënë se Kosova e ka kaluar provimin e demokracisë. “Shteti i Kosovës të dielën ka dëshmuar se di të organizojë zgjedhje të mira, të lira dhe demokratike. Natyrisht, duke përjashtuar parregullsinë në një qendër të votimit në Mitrovicën e veriut. I tërë procesi zgjedhor është për t’u përshëndetur dhe deri më tani askush nuk ka dalë ta kontestojë ditën e djeshme dhe të raportojë për ndonjë manipulim të votave apo diçka të tillë. Ky fakt na gëzon dhe jam shumë optimiste se rezultatet do të jenë të pranueshme për të gjithë”, ka deklaruar Daka, shkruan Epoka e re.

Sa i përket Qendrës së Votimit “Shen Sava”, në veri të vendit, ku të dielën ka pasur incidente, Daka ka thënë se fillimisht materiali zgjedhor do të vlerësohet, verifikohet, numërohet, pastaj KQZ-ja do të dalë me një vlerësim. Në këtë kontekst, ajo ka thënë se roli i OSBE-së nuk ka dështuar në veri. “OSBE-ja ka pasur rol lehtësues në veri, nuk ka pasur rol të sigurisë. Nuk ka dështuar OSBE-ja në veri sepse janë katër komuna në veri dhe vetëm në një qendër është ndërprerë votimi për shkak të sulmit të bërë nga bandat në veri. Institucionet e sigurisë e kanë për obligimin ofrimin e sigurisë. Materiali zgjedhor nga veriu ka ardhur në QNR dhe pas procedurave do të dalim me një informatë se cilat komuna janë dëmtuar. Ne kemi informacione se në tri komuna ka dëmtim të materialit zgjedhor”, ka deklaruar Daka.

Më Shumë

Kuvendi i Prizrenit bart mbi 2 milionë euro në projekte për vitin 2024

Kuvendi i Prizrenit ka miratuar sot bartjen e mjeteve të të hyrave vetanake të rritura nga ato të planifikuara për vitin e kaluar. Shuma e...

Hilë Mosi, poeti dhe luftëtari i çlirimit të trojeve shqiptare

Hilë Mosi lindi me 22 Prill 1885 në Shkodër dhe vdiq në shkurt 1933 në Tiranë, biri i Mark Mosit, qe ndër atdhetarët më...

Lajmet e Fundit