14.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Afrim Kasolli largohet nga Lëvizja Vetëvendosje

Afrim KasolliKur kësaj legjislature i kanë mbetur vetëm edhe pak minuta për të përfunduar mandatin e saj, një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka braktisur këtë parti. Ai përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur për dorëheqjen e parevokueshme nga anëtarësia në Lëvizjen Vetëvendosje.

Përmes një letre, në disa pika, ai ka treguar arsyet, pse po e merr këtë vendim. Ndër të tjera thotë se arsye është drejtimi absolutist antidemokratik i kësaj lëvizje.

Më poshtë lexoni të plotë letrën e deputetit Kasolli:

Nga dita e sotme (datë 08.05.2014) jap dorëheqje të parevokueshme nga anëtarësia me Lëvizjen Vetëvendosje! Ky vendim, ashtu sikurse është thënë disa here, është marrë shumë më herët nga ana ime. Realisht, qe një kohë, veprimtaria ime në këtë formacion politik ka qenë krejtësisht sipërfaqësore, për të mos thënë nuk ka ekzistuar fare. Por, pasi nuk kam dashur ta sfidoj funksionimin e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, ky vendim bëhet publik pikërisht tani kur struktura ekzistuese e Kuvendit të Republikës së Kosovës, po numëron çastet e saj të fundit. Kjo sjellje besoj se është pjesë e korrektësisë minimale politike.

Bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje! e kam filluar si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e besimit të ndërsjellë për domosdoshmërinë e demokratizimit të shoqërisë kosovare. Para më shumë se tri vitesh Lëvizja Vetëvendsoje u bë pjesë e garës zgjedhore, duke dhënë shpresë që në Kosovë do të ngritet një alternativë e mirëfilltë politike, e mishëruar krejtësisht me shqetësimet e kësaj shoqërie. Por sot, pas kaq vitesh, duket që kjo as nuk mund të vetdemokratizohet, e lëre më të prodhojë demokraci edhe për shoqërinë tonë. Përgjithësisht, kam vendosur të tërhiqem nga ky formacion politik për arsyet në vijim;

1 Drejtimi absolutist antidemokratik i kësaj lëvizjeje duket se është sfidë e pakapërcyeshme për të. Vetëvendosje mbetet i vetmi formacion politik në Kosovë që ruan te institucionalizuar të ashtuquajturin komision displinor, një instancë organizative kjo që ka për qëllim të korrigjojë “sjelljet devijante” të anëtarsisë vullnetare. E në të vërtetë qëllimi i këtij mekanizmi displinor të pushtetit është trysja e vullnetit të lirë dhe individual të anëtarëve të Lëvizjes. Madje edhe prononcimi mediatik i anëtarëve të kësaj partie është i kushtëzuar paraprakisht nga miratimi i shokëve partiakë (Komitetit për Media). Askush më mirë se sa vet mediat nuk e njohin këtë atmosferë, ku fillimisht kërkoni përgjigje nga dy-tre persona, që më vonë u adresojnë tek figurat politike. Gjithë kjo atmosferë nuk duket se i kontribuon mendimit kritik, por përkundrazi kultivimit të dogmave, tashmë pjesë e shpirtit të kësaj lëvizjeje.

2 Po ashtu, asnjë instancë tjetër organizative nuk e kam vërejtur të jetë e pavarur nga diktati qendror. Ajo që Vetevendosje e quan demokraci e drejtepërdrejtë, përbrenda saj është një emër tjetër politikisht për emërimin e drejteperdrejtë. Meqë lista e evidencave është shumë e gjatë, lidhur me këtë çështje po ju rikujtoj vetëm fasadën pseudozgjedhore në zgjedhjet e fundit të kësaj partie, që në çdo qendër u zhvilluan pa kundërkanditatë, me ç’rast kandidatët fitues nominoheshin me 98 për qind të votave. Këto forma te organizimit të brendshëm politik duket se qëndrojnë larg standardeve demokratike, për më tepër ato përbëjnë një model varrmihës për demokracinë. Mos të harrojmë këtu edhe të ashtuquajturin proces të ristrukturimit që nuk është asgjë më shumë se sa një proces i persekutimit politik. Pavarësisht faktit se dikush në aspektin retorik mund të argumentojë ndryshe. Kështu, një formacion që nuk e zhvillon demorkacinë brenda vetes, midis strukturave te saj, e ka të pamundur ta eksportojë atë nëpër institucione publike.

3 Mungesa drastike e transparencës e diferencimi klanor në këtë Lëvizje është segment tjetër që e bën thujase të pamundur funksionimin demokratik të këtij subjekti. Fuqizimi i vazhdueshëm i njerëzve me profil te dyshimtë, për të mos thënë inkriminues, është fenomen në ngritje në Vetëvendosje. Emërimi i njerëzve totalisht jokompetent profesionalisht, jomeritorë organizativisht, vetëm e vetëm sepse manifestojnë besnikëri absolute ndaj kupolës drejtuese të Lëvizjes, nuk besoj se është modeli i duhur që shoqëria kosvare ka nevojë ta ndjekë. Për më tepër, emërimi i drejtorëve për të cilët ekzistojnë dyshime edhe për shpërdorim fondesh, e disa të tjerëve që Lëvizja Vetëvendsoje ua konteston edhe ekzistencën, janë shembull paradigmatik i joprofesionalizmit dhe imoralitetit politik.

4 Pushtimi i Komunës së Prishtinës prej militantëve dhe familjarëve të kësaj Lëvizjeje, qoftë edhe nën emrin e “kontratës mbi vepër”, flet qartë për një aparaturë të gjerë partiake, që ka nevojë urgjente të akomodohet institucionalisht e për të shfrytëzuar mekanzimat shtetërorë vetëm si trampolinë për interesa partiake. Të mos flasim këtu edhe për shumë dyshime në emrin e donacioneve që shumë aktivistë varfnjakë i deponojnë si donacione personale. Mjafton që kushdo që lexon me vëmendje raportet e finacimet dhe ato të dorëzuara pranë KQZ-së, të gjykojë vetë se sa mund të jenë ato pasqyra reale. Asnjë organizim modern serioz demokratik nuk mund të kërkojë më shumë se gjysmën e të ardhurave të deputetëve të saj, për të paguar dorë pas dore, në mënyrë informale, militantë e agjentë informativë partiakë. Janë këto rrjete që mbajnë nën kontroll, e diskreditojnë këdo që mendon ndryshe nga preferencat partiake. Politika e kësollojtë militante nuk ka ç’t’i japë asnjë vendi në botë. E, Vetëvendosje! sakaq është e zhytur thellë dhe fort në këto rrjedha. Pothuaj pa shpresë për t’u bërë ndonjëherë ndryshe.

5 Logjika izolacioniste dhe refuzimi i vazhdueshëm për të qenë pjesë e bashëkpunimit me faktorët politikë ndërkomëbtarë, është shenjë serioze e papërgjesisë politike. Strukturat drejtuese vazhdimisht kanë kundërshtuar komunikimin e rregullt me qendrat serioze diplomatike në Kosovë. Unë dhe disa të tjerë kemi besuar që, megjithatë, ky është një qëndrim i përkohshëm, qasje që gradualisht do të korrigjohet. Por lidershipi i Vetëvendsojes me kryeneçësi vazhdon të mendojë se ky bashkëpunim është servilizëm politik, madje rrënoka edhe vetë idenë e sovranitetit. E në të vërtetë është saktësisht e kundërta, sepse pikërisht ky bashkëpunim ka obliguar bashkësinë ndërkombëtare të intervenojë për të shpëtuar popullin e Kosvës nga katastrofa humanitare dhe për të rezultuar më në fund me realizmin e të drejtës për “vetëvendosje zhdëmtuese” për popullin e Kosovës. Ka edhe dicka në këtë drejtim: në alternativën qeverisëse të kësaj Lëvizjeje, besoni apo jo, është planifikuar rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Ky formulim nuk ka lidhje me NATO-n e ushtrive profesionale, e as me vlerat e Perëndimit. Kjo më tepër është vetëm nostalgji enveriste, shkrimet e të cilit i kam gjetur shpeshherë në hapësirat e këtij formacioni.

6 Personalisht mbaj përgjegjësinë e plotë të deputetit për secilin ligj të votuar, për secilin diskutim të mbajtur. Por, në anën tjetër besoj fuqimisht që një Lëvizje diplomatikisht e ekskomunikuar, nuk mund të bëjë asgjë për të materializuar çfarëdo interesi vital kombëtar. Kurse lidershipi i kësaj partie duhet të mbajë vetë përgjegjësinë për këtë izolacion dhe jo ta adresojë atë gjetkë.

7 Në këtë kontekst, konsideroj se brenda kësaj atmosfere është krejtësisht i pamundur ushtrimi i çfarëdo roli konstruktiv në përputhje me idealet demokratike. Ndaj edhe kam vendosur që sot të tërhiqem nga kjo Lëvizje. Por, para se të merreni me interpretime të gjithëfarshme që do t’i servojnë komitetet e këtij subjekti, ju ftoj të reflektoni racionalisht dhe objektivisht mbi elementet e përmendura. Në fund fare dua të sqaroj se nuk do të kandidoj në listën e asnjë formacioni politik në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen shumë shpejt sepse kjo do të ishte sikurse mesimet morale te njerezve pambulese.

8 Andaj në këtë situatë, më mbetet ta drejtoj kontributin tim publik në dimensionin profesional.

Ju faleminderit për bashkëpunim

I juaji,

Afrim Kasolli

Më Shumë

Rreth 60 aksidente trafiku për 24 orë

Brenda 24 orëve në Kosovë u shënuan 59 aksidente trafiku. Kështu bën me dije raporti i policisë. Po ashtu u regjistruan 24 aksidente me të lënduar...

Kolona 200 metra e pritje deri në 40 minuta, gjendja nëpër pikëkalimet kufitare

Qendra Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka treguar gjendjen nëpër pikëkalimet kufitare, këtë mëngjes. Në pikën kufitare Dheu i Bardhë, pritjet për të hyrë në...

Lajmet e Fundit