17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Ai nuk bëri asnjë nga këto…

Blendi FevziuShkruan: Blendi Fevziu

Do tallej me statuset patetike në Faceboook; do qeshte me zë me ata që i nisnin postimet standarte me “miku im”; do bënte shaka me miqtë që shtohen kur s’je më dhe që s’jane aq miq në të gjallë; do kënaqej, por edhe do ta thumbonte Patozin që në fjalimin e lamtumires nuk ishte me vdekjen aq ironik sa do të donte të ishte vetë; do i lexonte me zë të lartë dhe gurgullimë lajmet idiote që media botoi për të, plot kontradiktë e kunderthënie; do i ngucte gazetarët per marrinë e rradhës; do ju shkelte syrin protagonistëve që shtyheshin për të zëne rreshtin e pare ne ceremoni dhe s’ka dyshim, do thoshte për veten një nga ato frazat plot autoironi që e dallonin aq shumë…!

Por Sokol Olldashi nuk bëri dot asnjë nga këto! Edhe pse jam i bindur se nëse do të zgjohej nga ky jerm qe na kaplloi këto 48 orë do të sillej pikërisht kështu. Por ai nuk mund të ngrihet më, nuk do të shfaqet me buzëqeshjen ironike, dorën në xhep dhe cigaren e dredhur qe tymoste në asnjë prej kafeneve të zhurmshme dhe parazitare të Tiranës; nuk do të bëje shaka, nuk do të perballet në studiot televizive, nuk do të diskutojë në parlament dhe as do të shoqëroje rralle rralle ndonje mbremje miqsh me kitarë. Ai s’është më dhe ne duhet të mësohemi me këtë. Siç mesohesh me cdo gjë te dhimbshme, që asnjë fuqi në këtë bote nuk e kthen dot më mbrapsht!

Sot, kur ai s’dëgjon më, sot kur s’ka mundesi të beje shaka me veten, eshte mundesia më e mirë për t’i thënë pak fjalë për të.

Sokol Olldashi lindi si trashëgimtar i një familjeje të lidhur fort me regjimin komunist; gjyshi i tij ishte një prej funksionarëve të lartë të cilët, siç ndodhi rëndom në atë kohë, u bënë viktima të sistemit që kishin ngritur vetë. Dashnor Mamaqi u burgos dhe ndërroi jetë në një prej burgjeve të ngritura nga Enver Hoxha.

Drama politike e familjes u kthye edhe në një dramë familjare; ajo nuk e la të kishte një familje të bashkuar, e degdisi në zona të thella internimi, por ai arriti të ngrihet mbi të. Fëmijëria e vështirë nuk e transfomoi dhe siç ndodh me adoleshëntët që kanë një fyrmëzim të brendshëm që ngrihet mbi rrethanat dhe mbi pashpjegimin e tyre, ai besoi gjithnjë që e ardhmja e tij dhe ajo e vendit ku jetonte do të ishte më e mirë. Në vitet e koshiencës së tij politike ai ishte një kritik dhe kundërshtar i vendosur i regjimit komunist dhe izolimit; nuk pati asnjëherë nostalgjinë e holluar të viktimave të Hoxhës që thellë thellë e shihnin dënimin e tyre si një gabim ose keqkuptim. Ai e trajtoi gjithnjë si një regjim kriminal dhe kjo ishte filozofia që e shoqëroi në jetë, deri atë mbrëmje me shi, kur timoni i makinës nuk vijoi dot ta çonte në rrugën që kish nisur. Ishte një i djathtë i vërtetë; e ruante këtë bindje dhe e dinte përse kishte këtë pozicion dhe këtë besi në jetë. Për fatin tonë të keq, nuk janë shumë ata që e dinë se përse kanë një ideologji të përcaktuar mirë në jetë!

Rrethanat në kohë të ndryshme më kanë lejuar ta njoh mirë, edhe kur për shumë gjëra nuk isha dakort me të. Siç ndodh me vendet e vogla, ku të gjithë njihen prej vitesh, Prindërit e tij dhe prindërit e mij ishin shokë shkolle në vitet ’60 – të; ai erdhi në shkollë atë vit që unë mbarova dhe frekuentonim ende të njëjtat ambiente të ndezura studentore të Tiranës; vajza ime dhe djemtë e tij janë sot prap në një shkollë.

E ritakova pas shumë vitesh një natë shkurti të 1991, kur bashkë me një grup maturantësh të Gjimnazit të Durrësit kërkonte të hynte në grevën e Urisë së Studentëve për heqjen e emrit Enver Hoxha Universitetit të Tiranës. Nuk e lanë të hynte, por karriera e tij politike nisi aty.

Militant i PD në Durrës, komisioner i saj në të parat votime të lira në historinë e Shqipërisë, themelues i Forumit Rinor të PD, gazetar ndërkohë që vijonte studimet, Kryeredaktor gazete dhe televizioni, më pas, Kryetar i Forumir rinor, deputet, Ministër, kandidat për Kryetar Partie…

20 vitet e jetës së tij aktive, nga mosha 20 vjeçare e këtej, një dekadë ja kushtoi gazetarisë dhe një tjetër politikës. Karriera politike ishte brilante; e pabesueshme për shumë, e kuptueshme për të tjerë. Ata që kanë njohur dhe shoqëruar ranzicionin shqiptar. 29 vjeçar hyri në Parlament, 33 vjeçar ishte Ministër i brendshëm; 41 vjeç, në atë moshë kur politika fillon dhe merr drejtim, shpalosi ambiciet për kryetar i PD. Nëse zoti s’do ta kish thirrur në mbretërinë e tij, me siguri karriera e Olldashit do kish pasur kulme të tjera. Kushedi ç‘surpriza kish ruajtur për ne në këtë botë… Mbrëmjen e së mërkurës, gati besova se nguti për të arritur gjithçka, kaq i ri, ishte edhe një frikë se jeta që s’ishte treguar aq bujare me të që në lindje, do pendohej për mundësitë që i kish ofruar këto dy dekada. Dhe ndodhi vërtet kështu. E ndërpreu në mes projektin e tij, e mori lart, duke e lënë të djathtën shqiptare, me një zë të vërtetë, më pak…

Politika shqiptare i ngurtëson protagonistët e saj; e zbeh anën njerëzore, thekson e nxjerr në pah agresivitetin, ironinë, akuzën, sfidën dhe përballjen me kundërshtarin deri në kufijtë e të palejuarës. Ka qenë kështu për shumë arsye dhe Olldashi nuk i shpëtoi kësaj. E mendonin të rreptë, të ashpër, agresiv. Tej tundimit prej një sfidanti të lindur; tej talentit për batutë dhe ironi, pak njerëz e dinin që ai ishte një njeri i pasionuar pas muzikës, kitarës dhe këngëve italiane; pikturës; një gjimnazist që kish shkruajtur poezi dhe që thellë thellë në pak momente, dilte nga prozaika e përditshmërisë për të folur për libra dhe autorë. Ishte një prej atyre që shihte përtej jetës së rëndomtë që ofrojnë kafenetë dhe “elitat” e Tiranës, një prej atyre që do t’i mungojë kësaj jete rutinore gjithsesi…

Olldashi iku nga kjo jetë. Nuk e dinte që do të ikte kaq shpejt. Edhe pse Borhesi thotë se njeriu: “s’di asgjë në këtë botë, kur s’di as ditën e vdekjes së tij”!

Do tallej me statuset patetike në Faceboook; do qeshte me zë me ata që i nisnin postimet standarte me “miku im”; do bënte shaka me miqtë që shtohen kur s’je më dhe që s’jane aq miq në të gjallë; do kënaqej, por edhe do ta thumbonte Patozin që në fjalimin e lamtumires nuk ishte me vdekjen aq ironik sa do të donte të ishte vetë; do i lexonte me zë të lartë dhe gurgullimë lajmet idiote që media botoi për të, plot kontradiktë e kunderthënie; do i ngucte gazetarët per marrinë e rradhës; do ju shkelte syrin protagonistëve që shtyheshin për të zëne rreshtin e pare ne ceremoni dhe s’ka dyshim, do thoshte për veten një nga ato frazat plot autoironi që e dallonin aq shumë…!

Por ai s’bën dot më asnjë nga këto, ai s’është më dhe duke cituar një thënie të vjetër të Ekzyperisë, dhimbja kthehet veç në një frazë: e paç rrugën lart, të lehtë o mik.

Më Shumë

Arrestohen dy femra, sulmuan një të mitur dhe dy zyrtarë policorë në Prizren

Dy femra janë arrestuar të martën në Prizren, pasi që kishin sulmuar fizikisht një të mitur dhe më pas kishin penguar dhe sulmuar fizikisht...

Policia në Prizren realizon 47 urdhëresa gjyqësore për vepra penale

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren shpalli rezultatin e realizimit tw urdhërave gjyqësore për periudhën kohore 15 prill - 19 prill 2024. "Gjatë kësaj periudhe,...

Lajmet e Fundit