7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Akademikët shqiptarë: Gjuha, lëndë më vete në shkolla e universitete

fjaloriGjendja e gjuhës sot, e asaj letrare ka mbledhur akademikët në një takim ku të gjithë, sytë i kanë hedhur për të gjetur fajtorin tek shkolla, media, librat e më gjerë.

Çështjet e sintaksës në standard si edhe raporti i shqipes standarde me shkollën kanë qenë dy nga pikat kryesore për të cilat është diskutuar në mbledhjen e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.

Ajo u mbajt në datën 20 qershor, nën drejtimin e akademikëve Jani Thomai e Rexhep Ismajli (bashkëkryetarë) dhe me pjesëmarrjen e anëtarëve të Këshillit: Akademikët Kolec Topalli e Gjovalin Shkurtaj dhe profesorët Mehmet Çeliku, Seit Mansaku, Shezai Rrokaj, Shefkije Islamaj, Enver Hysa, Isa Bajçinca, Imri Badallaj, Abdullah Zymberi, Bardh Rugova e Rrahman Paçarizi.

Sipas një njoftimi për mediat nga Akademia e Shkencave, për të dy çështjet u paraqitën parashtresa të hartuara nga grupet përkatëse të punës, në Tiranë e në Prishtinë, në të cilat jepeshin vëzhgimet për gjendjen dhe propozimet për përmirësime të mëtejshme në përdorimin e zbatimin e shqipes standarde.

Sa i takon çështjes të sintaksës në shqipen standarde, referuan kryetarët e grupeve të punës: Prof.dr.Seit Mansaku (Tiranë) dhe ligjërues i lartë Isa Bajçinca (Prishtinë).

Sipas ASHSH-së, rritja e komunikimit ndërshqiptar, përzierjet e popullsisë së qyteteve për shkak të shtegtimeve të banorëve të zonave rurale drejt qyteteve, sidomos drejt kryeqyteteve a qyteteve të mëdha, vënia në qarkullim të lirë e veprave të një letërsie të panjohur më parë, kanë sjellë një pasurim e gjallërim të mjeteve të reja sintaksore nga dialektet dhe nga vepra të shkrimtarëve të panjohur sa duhet, duke bërë që prurjet nga brumi i shqipes të kenë burim a mbizotërim dialektor.

Nga ana tjetër, hapja e gjuhës, e kulturës, e letërsisë dhe e shkencës ndaj gjuhëve e kulturave të vendeve të tjera kanë sjellë modernizim të saj, si edhe struktura të papajtueshme me shqipen.
Qortime mbi sintaksën.

Akademia e Shkencave jep edhe disa shprehje përdorimi siç janë ato me paskajoren e dytë, si: dëshiroj për të punuar, filloi për të përgatitur, ka vendosur për të shkuar etj.; në vend të tyre këshillohen ndërtimet me mënyrën lidhore: dëshiroj të punoj, filloi të përgatiste, ka vendosur të shkojë etj si edhe ndërtime të tilla, si: përpiqet me qëllim për të fituar (me qëllim për të ndryshuar) etj.; në vend të tyre këshillohen ose paskajorja: përpiqet për të fituar (për të ndryshuar), ose lidhorja: përpiqet të fitojë (të ndryshojë) etj.

Akademia vëren se pas foljeve dua, dëshiroj, urdhëroj, kërkoj, propozoj, vendos etj. përdoret lidhëza ftilluese që, ndaj ndërtime të tilla, si: kanë vendosur se hetimet të vijojnë; ka kërkuar se të ndalet ky proces; propozoi se Kuvendi të miratojë një vendim etj., nuk janë në pajtim me normën sintaksore.

Duke u përqendruar tek gabimet e medias, Këshilli Ndërakademik në mbledhjen e tij, ka arritur në përdorimin se shumë gabime sintaksore bëhen në përdorimin e përemrave pronorë, vetorë e pyetës, në përdorimin e trajtave të shkurtra përemërore etj. Sipas specialistëve, duhet të shkruajmë e të themi: populli ynë, jo populli jonë; djemtë tanë, jo djemtë tonë; djali yt, jo djali jot; vajzës sime, vajzës sonë, jo vajzës time, vajzës tonë; vajzës sate, jo vajzës tënde; ne shqiptarët, jo neve shqiptarët; cili student, jo kush student.

Po ashtu duhet shkruar u tha atyre, u foli studentëve, u bëri thirrje të gjithëve, jo i tha atyre, i foli studentëve, i bëri thirrje të gjithëve, siç po përdoren gabimisht sot.

Sipas akademikëve, një imitim i huaj, i panevojshëm e që duhet mënjanuar, është edhe klisheja dhe jo vetëm, që ka filluar të përdoret shpesh kohët e fundit në fraza të tilla, si: ne sot folëm për mirëqenien e të përndjekurve e të papunëve dhe jo vetëm. Ndër përfundimet e tjera të akademikëve rendisim: thuhet tre djem/tri vajza dhe jo tre vajza e të trija jo të treja; përemri kush përdoret vetëm për frymorë, ndërsa cili, edhe për jofrymorë, etj.
Shqipja dhe shkolla.

Shqipja standarde dhe shkolla qe tema për të cilën referuan kryetarët e grupeve të punës: Prof.dr. Mehmet Çeliku e prof.dr. Shezai Rrokaj (Tiranë) dhe prof. dr. Imri Badallaj e prof. dr. Bardh Rugova (Prishtinë).

Mbasi vlerësuan shtrirjen e përdorimin e shqipes standarde në dokumentacionin shkollor, nga nxënësit e mësuesit si faktor themelor i ngritjes cilësore të arsimit, akademikët e cilësuan shqipen si lëndë themelore në shkollë me detyrë të dyfishtë.

Kur erdhi puna tek problemet që ka shqipja në shkollë, Këshilli Ndërakademik, renditi disa: Shmangia e normës në përdorimin e gjuhës së shkruar e të folur nga nxënësit, varfëria e të shprehurit në të shkruar e në të folur, varfëria në njohjen e përdorimin e strukturave gramatikore-sintaksore e të mjeteve stilistike etj. Akademikët dalin hapur kundër rrudhjes së mësimit të gjuhës në ciklin nëntëvjeçar dhe sidomos me shtrirjen e kufizuar të lëndës së gjuhës në shkollën e mesme, duke arritur në përfundimin se ka nivel të ulët të përgatitjes së mësuesve të gjuhës e të edukatorëve, se ata dalin me përgatitje të dobët në fakultetet e mësuesisë, se ka mësues gjuhe që kualifikohen në mënyrë informale dhe se shqipja nuk shihet si lëndë me rëndësi kombëtare.

Propozime e vendime
Pas diskutimeve të shumta për problematikat e shkollës sa i takon gjuhës shqipe, Këshilli propozon: Meqë cikli nëntëvjeçar nuk po arrin dot t’ua mësojë mirë nxënësve të gjitha nënsistemet e shqipes standarde, si në të shkruar ashtu edhe në të folur, propozohet që gjuha shqipe në planin mësimor të shkollës së mesme të jetë lëndë e veçantë gjatë tri viteve, e ndarë nga letërsia, dhe të jepet provim pjekurie në përfundim të shkollimit parauniversitar, me program e tekste të reja.

Ndërsa i duhet dhënë përparësi zotërimit të standardit, bashkë me leximin duhet t’u jepet rëndësi e veçantë leximit të letërsisë artistike dhe punëve me shkrim, hartimeve e diktimeve.

Sipas Akademikëve, planet e programet në fakultetet e mësuesisë, përfshirë ato të gjuhëve të huaja e fakultetet që përgatisin edukatorë për institucionet parashkollore, si dhe në fakultetet e gazetarisë, ka nevojë të rishikohen, duke u dhënë shtrirje më të gjerë lëndëve kryesore të gjuhës së sotme, si leksikologjia, morfologjia, sintaksa.

Mendohet që përvetësimi i drejtshkrimit duhet të përfundojë në shkollimin parauniversitar. U propozua që lënda “Kulturë Gjuhe” të përfshihet në programet e universiteteve, në radhë të parë në fakultetet e mësuesisë, të gazetarisë, të gjuhëve të huaja, të arteve, të drejtësisë, të mjekësisë etj., me synimin e zotërimit sa më të mirë të normës.

Një kërkesë më rëndësi ka të bëjë ajo që do iu drejtohet institucioneve mësimore sa i takon rritjes së orëve mësimore për lëndën e gjuhës në ciklet nëntëvjeçare; reduktimin e normës mësimore për mësuesit e gjuhës; mësimin e gjuhës shqipe në ciklet parauniversitare; trajnimin e mësuesve të gjuhës në kurse periodike katërvjeçare dhe hartimin e teksteve për fëmijët e emigrantëve sipas një politike në ndihmë të emigracionit; ai që do të bëhet mësimdhënës i lëndës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe në nivelet e ulëta e të mesme nuk mund të jetë askush që nuk ka, së paku, 180 kredite (ECTS) të lëndëve profesionale sipas planprogrameve të shkollave përkatëse, etj.

Akademia ka arritur në përfundimin se Albanologjia, me shqipen në veçanti, duhet të jetë përparësi e investimeve shkencore të qeverive përkatëse.

“Duhet të ngrihet departament i veçantë për gjuhën shqipe (përdorimet, terminologjitë, përshtatjet me standardet evropiane, ku po synojmë të integrohemi) në kuadër të ekzekutivit (mbase brenda Ministrive të Arsimit a të Kulturës)”,-theksohet në njoftim. E në fund, por jo për nga rëndësia, Akademikët vërejnë se në shkolla t’i kushtohet vëmendje diversitetit kulturor e begatisë dialektore të shqipes, në mënyrë që të mos krijohet hapësirë për stigmatizim të cilitdo varieteti. të shqipes.

Më Shumë

Mërgimtari nga Suhareka vdes në aksident tragjik në Itali

Haris Shala është 25-vjeçari shqiptar që humbi jetën një ditë më parë në një aksident tragjik në Itali. I riu shqiptar, babai i një vajze...

Sonte El Clasico — mund të përcaktohet titulli i kampionit

La Liga, një nga ligat më atraktive në futbollin evropian, vjen sonte me ndeshjen më të madh të këtij sezoni. Dy rivalët e përbetuar, Real...

Lajmet e Fundit