18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Ali Pasha, një roman anglez për atë që sfidoi Napoleonin

ali pashaJashimi po lexonte romanin më të fundit botuar në Paris, një rrëfim aspak i besueshëm mbi jetën e Ali Pashait të Janinës, të cilin ia kishte huajtur Valideja, mikja e tij e vjetër dhe gjyshja e sulltanit të ri. Tema e kishte befasuar krejt. Jashimi zhbironte shpesh të dhëna nga jeta parisiene. E dinte se të lexoje librin mbi Ali Pashanë, ishte si të këqyrje nëpër vrimën e një çelësi, por pa mundur të shikoje gjë, përveçse një syri që të përgjonte nga ana tjetër…” Ky që flet, është shkrimtari britanik Jason Goodwin.

Ali Pashë Tepelena, një nga figurat më kontraverse të historisë së Shqipërisë, vijon të jetë frymëzim për shkrimtarët e huaj. Historiani dhe shkrimtari i njohur Jason Goodwin, e ka marrë sërish figurën e këtij shqiptari, për ta vendosur në librin e tij të tretë pjesë e triologjisë thriller me personazh kryesor detektivin Osman Jashim. Libri “Portreti i Belinit”, sapo ka dalë në treg nga Shtëpia Botuese “Saras”, dhe na çon në një udhëtim të jashtëzakonshëm thellë në histori. “Aventurat e detektivit Jashim këtë herë shpërngulen nga Stambolli në një tjetër kryeqendër të rëndësishme të shekullit të XIX, Venecia. Detyra e Jashimit është të gjejë vendndodhjen e një pikture realizuar nga piktori i njohur italian Gentile Belini, një portret që ai ia ka bërë Mehmet Pushtuesit. Në këtë rrugëtim sa thriller aq edhe historik, Godwin na jep një leksion të jashtë-zakonshëm historie, duke zbuluar të vërtetat e nëndheshme që mbajnë lidhur vendet.

Libri është një përballje e Lindjes me Perëndimin, për të kuptuar se këto dy botë e dy kultura do të jenë gjithnjë kultura iluminuese për njëra-tjetrën”, thotë redaktorja e librit Alda Bardhyli. Sipas saj, ajo çfarë e bën grishës botimin e këtij libri në shqip, është fakti se një personazh i famshëm i historisë sonë, udhëton gjatë gjithë kohës me personazhin kryesor. Ai është Ali Pasha. “Gjurmët e Ali Pashës ndjehen ende sa herë flitet për perandorinë otomane pas viteve 1800. Në ‘Portreti i Belinit’ Ali Pasha vjen si një figurë frymëzuese me jetën e tij për një detektiv osman, por edhe për nënën e Sulltan Mahmutit të II, Validenë. Dhurata që ajo zgjedh ti bëjë Jashimit për kontributin e tij të denjë për sulltanin, është një libër biografik i shkruar nga shkrimtari i njohur Aleksandër Duma për Ali Pashën. Ky libër e shoqëron Jashimin në Venecia, dhe është guida më e mirë që ai mund të kishte për t’i shkuar deri në fund misionit të tij”, kujton Bardhyli.

Ali Pasha ka qenë një nga figurat më interesante për rezistencën që bëri në shekullin e XIX. Aleksandër Duma ishte i tërhequr nga kjo figurë dhe diplomacia e tij, sa i kushtoi atij jo vetëm biografinë që shkëmbehej si dhuratë në Perandorinë Otomane, por shkroi dhe Konti i Monte Kristos, i pasionuar pas kësaj figure. Dumas e bazoi historinë e tij në ngjarjet e Ali Pashës dhe së bijës së tij, duke pasur parasysh poemën e hershme të Bajronit, “Don Zhuani”, ku i riu Don Zhuan është në prag të vdekjes pasi anija e tij mbytet, por Don Zhuani shpëtohet nga një vajzë shumë e bukur me emrin Haide. Sigurisht, çdokush në Europë, duke përfshirë edhe Dumas dinte mbi takimin e Bajronit me Ali Pashë Tepelenën, dhe mbi miqësinë e vazhdueshme mes tyre, por edhe për antagonizmin e madh të Bajronit ndaj turqve. Ky takim dhe poemat e shkruara më pas nga pena e Bajronit, kanë krijuar një valë shokuese në të gjithë Europën dhe kanë revolucionarizuar letërsinë europiane.

Madje, edhe poetët e mëdhenj gjermanë si Gëte, kanë thënë se Bajroni ishte i vetmi pasardhës i vërtetë i tij. Ishte vizita e Bajronit tek Ali Pasha në Shqipëri, ajo që krijoi gjithë atë revolucion. Ja cila ishte arsyeja pse u frymëzua Dumas të shkruante mbi Ali Pashën. Pashai i Janinës, ka pasur një karakter të veçantë, përderisa Duma e më vonë dhe Viktor Hygo kanë shkruar libra mbi jetën e tij. Aleksandër Dumas përzien në mënyrë tepër kurioze Ali Pashën me dramën e romanit të tij të famshëm, Konti i Monte – Kristos. Duhet patjetër që Pashai i Janinës të ketë luajtur një rol tepër të madh që dy poetët më të mëdhenj si edhe romancieri më i madh i kohës të jenë impresionuar nga kjo figurë e egër.

Tek “Portreti i Belinit”, Valideja e quan atë një politikan të zotin, dhe një njeri me një energji të jashtë-zakonshme që ka sfiduar dhe Napoleonin…. “Aq sa është një roman letrar dhe trillim historik, aq edhe një mister. Hetimi i shpie këta detektivë mendjemprehtë, guximtarë dhe tërheqës në Venecia, ku lexuesit fatlumë përjetojnë një periudhë të magjishme të historisë së Venecias”, shkruan Usa Today. Fabula e “Portreti i Belinit” kërkon të hedhë dritë edhe mbi gjenezën e portretit. Belini shkoi në Stamboll në vitin 1479 me ftesë të Sulltanit dhe la gjurmë të jashtëzakonshme në Pallatin e Sulltanit, të cilat dukeshin me aq dritë sa ai i kërkoi ti bënte një portret, për të mbetur i pavdekshëm./BW/

Më Shumë

Zjarr në Suharekë, digjet një sipërfaqe prej rreth 10 hektarësh

Si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer për shkaqe ende të panjohura është djegur një sipërfaqe prej rreth 10 hektarë me pemishte, vreshta...

Në qytetin e Prizrenit dhe zonat periferike vazhdon dezinsektimi

Pasditen e djeshme, procesi i dezinsektimit në qytetin e Prizrenit dhe zonat periferike vazhdoi sipas planit, ka bërë të ditur Komuna e Prizrenit. "Dezinsektimi, që...

Moti sot me diell

Lajmet e Fundit