11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

“Altera” në Prizren, shtëpia e librit të shqiptarëve

Një librari e re mbase në çdo rast do të përbënte lajm në një kohë kur ato janë ende të rralla në qytetet tona, në disa sosh dhe të munguara krejt, por “Altera” e Prizrenit është shumë më tepër se një librari e zakonshme, jo vetëm nga përmasat gjigante prej më shumë se dy mijë metrash katrorë, në dy kate, si asnjë tjetër në hapësirën shqiptare.

Ndodhet në një lagje të re të Prizrenit, në rrugën “Tirana” dhe ka 43 punonjës. Ajo është njëherësh edhe bibliotekë, me njëqind vende për lexim e studim. Ata që nuk kanë mundësi ta blejnë librin, e lexojnë aty. Ka vetëm dy vite e gjysmë që është hapur, nga shkurti i vitit 2019, dhe ka arritur në 10 mijë tituj librash, ku veç prurjeve të botimeve të sotme, ardhur nga të gjitha qytetet ku ka shqiptarë, janë tërhequr nga depot e Prishtinës botimet e vjetra të “Rilindjes”, apo nga Tirana, kolanat e autorëve të traditës me krijimtari të zgjedhur, si Naim Frashëri etj.

“Kemi vuajtur për libra shqip ne këndej, prandaj jemi të etur për to”, thonë menaxhuesit e kësaj qendre të re mbarëkombëtare të librit. Tek “Altera” bëhen edhe promovime librash, duke u ofruar mjediset falas, por dhe shtypen libra, pasi ajo ka shtypshkronjën e saj. Shkurt, një shtëpi libri e kompletuar, ku i merr të gjitha shërbimet që kanë të bëjnë me librin. Mjafton ta porosisësh librin online dhe ajo ta sjell në shtëpi në kohën më të shkurtër. Nuk është mbyllur libraria as në kohën e pandemisë. Është në radhë të parë një qendër për nxënësit dhe studentët, të cilët janë të pranishëm këtu, deri në dyqind veta në ditë, përfshi dhe jo pak nga fshati. Leximi këtu është falas. Vetëm në korrik – gusht gjendën vende të lira në sallat e leximit, pasi studentët janë me pushime.

Ndër lexuesit, ditën kur ne u ndodhem aty, ishte dhe një vajzë e vogël, që pasi kishte lexuar 10-15 faqe të një libri për fëmijë në anglisht, e mori atë dhe shkoi te banaku që ta paguante, pasi donte ta kishte të vetin.

Në mjediset e librarisë u takuam me dy ortakët e saj, Ismet Shemsedini dhe Hasan Gygollaj, të vendosur për ta çuar më përpara nismën e tyre të çmuar. Dihet se libri nuk ka sot një treg të qëndrueshëm, ndaj ata katin e parë të librarisë e kanë të mbushur më kancelari kryesisht shkollore dhe është pak a shumë kjo që e mban në “këmbë” katin e dytë, që është krejtësisht librari. “Përveç nesh, asnjë cent nuk është financuar nga askush”, të thonë ata. Ka nisur herët kjo punë, pasi Ismeti ka administruar tri librari në Prizren që nga viti 1989. Thotë se në fillimet, para 30 e ca vitesh, ka ndikuar në sipërmarrjen e tij të librit dhe i ati, profesor Zahadini, që ka qenë drejtor i Arsimit i Prizrenit dhe rektor i Universitetit.

Altera” është dita-ditës në kërkim të vetes, duke e pasuruar përvojën me evente të reja. Kështu, në tetor, është parashikuar të zhvillohet një panair libri disaditor me rreth 50 botues dhe shkrimtarë nga mbarë hapësira shqiptare, duke u rreshtuar në këtë anë me Tiranën, Ulqinin, Prishtinën etj. Prizreni, qytet i rëndësishëm historik e kulturor, me rreth 150 mijë banorë, s’kishte si të mos jepte shembullin edhe sa i përket librit. Kjo është pa dyshim libraria më e madhe në trojet shqiptare dhe të zotët e saj synojnë që të ngrenë dhe tri të tilla në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup. Kur dëgjon këtë, përnjëherësh në mendje të vijnë ministritë e Kulturës në Shqipëri dhe Kosovë, që nisma të tilla lipset t’i mbështesin fort, por dhe donacionet e ndryshme dhe biznesi.

Superlibraria e Prizrenit nuk është i vetmi model sa i përket librit dhe sfidës ndaj bingove, lotove e lojërave të tjera të fatit, që kanë qenë trendi i këtij tranzicioni të vështirë, duke e nxjerrë librin thuajse jashtë loje. Bashkia e Tiranës, vitet e fundit, krahas shkollave, ka rikonstruktuar edhe disa biblioteka të lagjeve të kryeqytetit, që mbajnë emrat: “Musine Kokalari”, Misto Treska, “Moikom Zeqo” etj., duke ofruar mundësi leximi për nxënësit, studentët, të moshuarit etj. Ndërkohë që ka disa qytete që nuk kanë librari, edhe pse kanë shkrimtarë e botohen libra me vlerë prej tyre. Na ka qëlluar që kur vemi në qytete të periferisë, t’i kërkojmë në shtëpitë e autorëve monografitë për zona të ndryshme, individë të shquar, monumente të rralla natyrore a historike. Po turistët që vijnë njëherë e mbase s’kthehen më, ku do t’i gjejnë guidat lokale e rajonale? Nuk themi se kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e bashkive, komunave apo zyrave të tjera kulturore, në Shqipëri, Kosovë etj., por institucionet shtetërore nuk mund të jenë dorëjashtë sa i përket promovimit kulturor përmes botimeve kësisoj.

Post scriptum: Duke marrë shkas nga ajo vogëlushja që pamë të blinte një libër për moshën e saj tek “Altera”, për ta pasur në bibliotekën e saj familjare, ia vlen të ndalemi në një fakt. Takojmë vazhdimisht prindër të preokupuar për t’iu gjetur libra për lexim fëmijëve të tyre, sidomos gjatë verës. Venë në biblioteka, pyesin ata që janë më pranë librit se si e qysh mund t’i gjejnë librat e çfarë duhet të lexojnë fëmijët. Boll mirë kjo gjë, por ka një problem të “vogël” këtu.

Fëmijët e mirëkuptojnë interesimin e prindërve dhe në këtë anë, si për çdo gjë tjetër, por a i shohin dhe vetë ata me libra në dorë!? Një libër në dorën e prindit do të ishte leksioni më i mirë pedagogjik e psikologjik i prindit para fëmijës së tij. Por dhe krijimi i një këndi të vogël të “Altera”- s, “Adrioni”-t, “Artini”-t etj. në çdo shtëpi. Na duhet ta kthejmë këtë traditë që e kemi pasur dikur, libraritë familjare. Aq më tepër sot që jo pak qytetarë kanë shtëpi të bollshme. Ndërkohë, që libri nuk është gjithkund i “huaj”. Nëse në një qytet si Kukësi nuk ka librari, në resorte të tij sheh libra të zgjedhur nëpër rafte, ashtu si dhe në ato të Prizrenit, Grykës së Rugovës etj. Shtëpia e librit nuk ka pse të jetë vetëm “Altera”, por edhe shtëpia e secilit prej nesh./NDUE DEDAJ

Më Shumë

Policia në Prizren realizon 47 urdhëresa gjyqësore për vepra penale

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren shpalli rezultatin e realizimit tw urdhërave gjyqësore për periudhën kohore 15 prill - 19 prill 2024. "Gjatë kësaj periudhe,...

“Krizë” për Vjosa Osmanin: Veç 1 mijë e 168 euro në bankë

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë. Në mesin e personave zyrtarë që kanë deklaruar pasurinë janë edhe krerët e...

Lajmet e Fundit