25.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Ambasadori norvegjez: UÇK nuk do të dalë para gjyqit

Jan BraathuAmbasadori norvegjez në Kosovë, Jan Braathu, në një intervistë për RTK-në, tha se Gjykata Speciale, nuk duhet të shihet si gjyq kundër UÇK-së. Ai e ka vlerësuar mjaft të ndjeshme për Kosovën procesin e themelimit të Gjykatës Speciale për krimet e luftës. Miratimin e saj nga Parlamenti i Kosovës e ka vlerësuar si opsionin më pak të dhimbshëm.

Për vazhdimin e ulëseve të rezervuara, ambasadori Braathu tha se mund të jetë vendim i mençur, por ato duhet të përfundojnë dikur. ” Sot komunitetet jo shumicë kanë 26 ulëse, por kjo është një diçka që s’mund të vazhdojë përgjithmonë” tha ambasadori norvegjez. Ambasadori gjithashtu ka folur edhe për mandatin e EULEX-it, të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi, integrimet evropiane, sundimin e ligjit etj. Intervista do të transmetohet të shtunën në RTK1 dhe RTK3, në ora 21:40.

RTK: Së fundi në Kosovë ka qenë një temë shumë e nxehtë, çështja e themelimit të gjykatës speciale për krimet e luftës. Cili është vlerësimi juaj për këto zhvillime ?

Ambasadori Braathu: Mendoj se ka qenë një votë shumë e vështirë për të gjithë parlamentarët, shumë e vështirë për kryeministrin dhe qeverinë. Mendoj se nuk ka pas shumë opsione dhe se në fund vota ka qenë opsioni më i mirë për Kosovën.

RTK: Vetëm disa javë para votimit, dukej sikur askush nuk e dëshironte këtë gjykatë dhe se ajo nuk duhej të ekzistonte, mirëpo në Kuvend patem 89 vota pro. Çka ndodhi sipas jush?

Ambasadori Braathu: Mendoj se parlamentarët gjatë këtyre tri javeve e kuptuan çështjen pak më mirë, e kuptuan edhe më mirë se cilat janë opsionet dhe mundësitë, pasi njëra nga opsionet ka qenë që të ndodh dicka në OKB. Këtë të fundit, shumica e parlamentarëve e konsideronin si opsionin më të keq. Unë e kuptoj se është një temë mjaftë e vështirë dhe shumë e ndjeshme, por besoj se ky ka qenë opsioni më pak i dhimbshëm i mundshëm për Kosovën.

RTK: Ka pasur shumë debat për atë se cfarë mund të sjellë kjo gjykatë për Kosovën. Si do të ndikojë kjo për imazhin e Kosovës ?

Ambasadori Braathu: E vërtetë është kjo. Mirëpo nëse nuk merremi me këtë cështje do të jetë edhe më e dëmshme për Kosovën. Kur Kosova të tregojë gatishmëri për t’u marrë me këto çështje, ky do të jetë opsioni më i mirë. Gjykata jep një rast për ti nxjerrë të dhënat në tavolinë, të kërkohen përgjigjet e tyre dhe nëse mund të gjenden përgjigjet, do të ishte shumë mire, sepse do të tregonte gatishmërinë e Kosovës për tu ballafaquar edhe me këto tema.

RTK: Kishte një ndjenjë në Kosovë se Serbia nuk ka paguar ende për ate cfarë ka bërë këtu ndaj popullatës dhe ky ka qenë problemi kryesor se a duhet të lejohet një gjykatë e tillë. Po zbulohen shumë vendvarrime në Serbi me mbetje të të vdekurve shqiptarë dhe kjo është një cështje shumë e ndjeshme në Kosovë, kur flasim për themelimin e një gjykate për krimet e kryera nga shqiptarët ?

Ambasadori Braathu: Nuk duhet të shihet ky si një gjyq kundër UÇK-së. Gjykata do të merret me krimet e bëra nga individët, ajo nuk e sjellë UÇK-në para gjyqit. Disa prej të dyshuarëve mund të kenë qenë pjestarë të UÇK-së, por kjo nuk do të thotë se po gjykohet UCK-ja, dhe kështu duhet të kuptohet. Sa i përket Serbisë, mendojë se ka shumë krime të cilat nuk janë adresuar si duhet dhe kjo është një gjë që duhet të bëhet. Mendoj se Qeveria e Kosovës duhet ti shqyrtojë dhe ti hetojë rastet, për tu ballfaquar me këto krime.

RTK: Ka edhe një temë tjetër të diskutueshme, ardhmëria e misonit të EULEX-it në Kosovë. Pse duhet të zgjatet prezenca e këtij misioni ?

Ambasadori Braathu: Mendoj se EULEX-i mund të kontribuojë në sistemin gjyqësor të Kosovës edhe më tej. Nëse i shohim anketat e opinionit publik e shohim se qytetarët pak a shumë i besojnë EULEX-it. A mund të ketë bërë më shumë eulex-i, me siguri. Por une e di se kanë punuar mjaftë shumë dhe kanë mjaft raste të cilat janë përgatitur.

Mendoj se ky mision mund ti ndihmoj Kosovës për tu marrë me këto raste pasi disa prej tyre janë shumë të vështira për ti gjykuar nga prokurorët dhe gjykatësit kosovarë, pasi ata mund të vihen në presion të madh nga opinioni kështu që ndonjëherë duhet të merret ndihma nga jashtë.

Vit pas viti, përgjegjësisa e sistemit gjyqësor në Kosovë është duke u rritur. Çka është duke ndodhur tani me EULEX-in, ata janë duke i transferuar më shumë përgjegjësi sistemit gjyqësor të Kosovës, gjyqtarë e prokurorëve dhe ata janë duke bashkëpunuar mjaftë mire dhe kështu duhet të vazhdohet.

RTK: Flasim për dialogun e Kosovës me Serbinë në Bruksel. Sa përparim konsideroni se është bërë që nga marrëveshja në letër, deri në zbatimin e saj në terren ?

Ambasadori Braathu: Zbatimi është çelësi kryesor, marrëveshja në letër është një hap i mirë, një hap i parë, por natyrisht jo të gjitha marrëveshjet mund të jenë të rëndësisme nëse implementimi i tyre ngec. Ka pasur disa hapa të mirë drejt zbatimit, kemi levizje të ngadaltë por kjo edhe është pritur. Kemi disa gjëra shumë të vështira sa i përket policisë në veri, mendoj se megjithatë ka pasur një hap pozitiv, policia e Kosovës tani janë në tërë territorin e vendit, jo si më parë.

Ka pasur një shkarkim të strukturave serbe të policisë, ka disa vështirësi por është duke levizur përpara. Një gjë që nuk është kryer ende, është mbrojta civile. Negociatat janë duke vazhduar në këtë drejtim sikur edhe për gjykatat në veri, pra jemi duke shkuar përpara.

Për herë të parë institucionet e Kosovës janë duke u themeluar edhe në veriun e vendit dhe kjo është hera e parë që 15 vjet. Vitin e kaluar zgjedhjet u mbajtën edhe në veri, sipas legjislacionit kosovar, gjegjësisht ligjit për zgjedhjet.

RTK: Kur flasim për ardhmërinë e dialogut, me një qeveri të re në Serbi a do të jetë një situatë më e lehtë më Aleksandër Vuçiqin. Ai ka qenë pjesë e dialogut por nuk është njejtë të jesh zv.kryeministër dhe kryeministër. Ne të gjithë e dimë kush ka qenë Vuçiqi gjatë kohës së Millosheviqit!???

Ambasadori Braathu:
Duhet të presim dhe të shohim, për momentin duhet të besojmë në atë cfarë thuhet. Tani si kryeministër i një qeverie e cila e ka shumicën e qartë, nuk ka arsyetim për moszbatim të marrëveshjeve. Tani do të testohet dhe do te shohim. Arsyeja kryesore e dilaogut në Bruksel është se integrimi i komunitetit serb në Kosovë. Ende nuk e shohim këtë sa duhet. Udhëheqësit lokal serb në Kosovë, haptazi thonë se nuk e njohin shtetin e Kosovës.

Ata kanë probleme me simbole e gjëra të ngjajshme, mirëpo kur jam në veri me qytetarë të zakonshëm, flas me fermerë, ata kanë një pikpamje krejt tjetër. Ata janë të lodhur dhe të merzitur nga manipulimet dhe njerëzit të cilët mund të quhen edhe kriminiel, të cilët përfitojnë për vetveten. Kam qenë në Zubin Potok javën e kaluar, kam takuar disa biznesmen, të cilët i kanë regjistruar bizneset sipas rregullave dhe ligjeve të Kosovës, që më jep të kuptoj se dicka atje është duke ndodhur. Ata e kuptojnë se ekzistonë një realitet i ri edhe pse nuk e pëlqejnë, por gradualisht gjërat do të ecin.

RTK: Të flasim për kërkesën e komuniteteve, ulëset e rezervuara. A mendoni se partitë shqiptare të shumicës duhet të jenë zemërgjerë karshi komuniteteve, pasi as kushtetuata nuk njeh më vende të rezervuara ?

Ambasadori Braathu: Jo kushtetuta nuk e thotë, ka patur vetm dy mandate ato tani janë kryer…

RTK:Frika është se nëse bëjmë diçka kundër kushtetutës, kjo atëherë mund të ndodh edhe për çështje të tjera?

Ambasadori Braathu: Kjo nuk është çështje e lehtë për tu ballfaquar. Në vitin 2012, pas fundit të pavarësisë së mbikqyrur, janë bërë disa lehtësime nga ana e Qeverisë dhe politianëve karshi komuniteteve. Nuk janë vetëm serbët që e duan këtë,(vazhdimin e ulëseve të rezervuara) janë të gjitha komunitetet.

Mendoj se 20 nga 120 ulëset e Kuvendit, do të jenë të garantuara për të gjitha komunitetet jo shumicë, do të ishte një cak i mirëfillt. Por të inkurajohet edhe një mandat për ulëset e rezervuara, mund të jetë e menqur, por në fund të fundit kjo duhet të përfundoj dikur, pasi për momentin është një ofertë e mirë me ulëset e garantuara, kurse ulëset e rezervuara i ofrojnë më shumë se 20. Sot komunitetet jo shumicë kanë 26 ulëse, është një dicka që s’mund të vazhdojë përgjithmonë.

RTK: Të flasim për integrimet evropiane, gjegjësisht procesin e liberalizimit të vizave. I shihni rendet e qytetarëve para ambasadave të ndryshme cdo ditë ?

Ambasadori Braathu: Ne japim 85-90 % të aplikacioneve për viza, nuk i shoh vizat si pengesë por të bëhemi real, është fyese që gjithmonë t’ju kërkohen tërë këto dokumente para ndërkombëtareve dhe ti thoni dua të vizitojë shtetin tuaj ose të afërmit tuaj atje dhe të trajtoheni sikur po bëni dicka. Sikur jeni kriminel. E kuptoj që njerëzit e shohin këtë si fyerje. Une do të dëshiroja që të kemi liberalizim të vizave dhe do ta arrijmë këtë. Kosova është duke punuar që ta përmirësoj sistemin e saj që udhëtimi pa viza të zbatohet sa më shpejtë.

RTK: Ambasador, korrupsioni është një fjalë që dëgjohet shumë në Kosovë dhe ka shumë akuza të vazhdueshme edhe ndërmjet institucioneve e partive politike. Si e vlerësoni ju luftën kundër korrupsionit në Kosovë ?

Ambasadori Braathu: Ka korrupsion në Kosovë, këtë të gjithë e dimë. Por mund të them se ka korrupsion edhe në çdo shtet tjetër. Kjo nuk e bënë pozitën tuaj me te lehtë, por mendoj se Kosova është në rrugën e duhur, janë duke u ndërrmarë masa. Nëse keni prokurorë e gjyqtarë që janë të pavarur dhe serioz, do të arrihet sukses. Pra sektori i drejtësisë është më i rëndësishmi. Njerëzit duhet të mendojnë se nëse paguajnë për të zënë një vend pune, apo për tu futur në universitet, po bëjnë korrupsion, po futen në këtë krim të dyja palët edhe ata që kërkojnë edhe ata që japin, të gjithë marrin pjesë në korrupsion.

Më Shumë

E rrahën një person dhe e futën me forcë në veturë, arrestohen katër burra në Prizren

Katër burra janë arrestuar në Prizren pasi që të njëjtit pas një zënke e kanë sulmuar fizikisht një person. Sipas policisë, të dyshuarit e kanë...

Jose Mourinho kërkohet nga skuadra e Arabisë Saudite Al-Qadsiah

Jose Mourinho është shfaqur si objektiv i skuadrës saudite të Al-Qadsiah. Ish-trajneri i Chelsea dhe Manchester United është gati të rikthehet në menaxhim pasi u...

Lajmet e Fundit