Nga Ndriçim Kulla
Çdo shkrimtar që kuturis të bëhet një botëpushtues ka një dhunti të veçantë. Dhuntia e këtij lloji e Kadaresë e ka origjinën te pasioni i tij për fotografinë, për kinemanë. Kadare na ka bërë të ditur se ai në rini ëndërronte të bëhej kineast, një pasion ky që e ngacmonte deri vonë, aq sa titulli i parë i romanit “Hija”, që ka ngjyrime biografike, është “Kronikë e një kineasti të dështuar”. Dhe ky roman është shkruar kur Kadareja po arrinte në të pesëdhjetat. Nga pasioni për fotografinë dhe kinemanë Kadaresë i ka mbetur dhuntia për të bërë përshkrime të viseve, peizazheve etj., në një mënyrë të tillë që të krijohet përshtypja sikur para syve të tu shfaqet fotografia e vendit apo peizazhit në fjalë. Madje shpesh përshkrimet e Kadaresë janë të tilla që të krijojnë përshtypjen sikur je duke e parë në film vendin apo peizazhin që po na përshkruan autori. Me këtë dhunti të veçantë të shkruari, Kadareja ka mundur të vendosë “garnizonet” e tij të qëndrueshme në hapësirat e pushtuara gjeografike anembanë botës. Harta e këtyre “garnizoneve” që na shfaqen herë në trajtën e poezisë, herë në atë të prozës, herë midis vjershave dhe poemave, herë midis romaneve, novelave, apo tregimeve, herë midis reportazheve apo intervistave, është me të vërtetë globale. Shpesh nëpër reportazhe ka përshkrime qytetesh, peizazhesh dhe visesh, që do të nderonin një roman të rëndësishëm, por që kanë fatin të keq të mbeten si të thuash në hije, në krahasim me pjesën tjetër të veprës së shkrimtarit. Në vitin 1990, në librin “Ftesë në studio” Kadare bëri si të thuash një bilanc të pushtimeve të tij gjeografike si shkrimtar, ku ndër të tjera thotë:
“Shënime në formë inventari. Projekt për një gid”
Gjeografia. Hapësira tepër e shtrirë. Në tri kontinente. Plus zona hyjnore në qiell dhe nën tokë. Rrafshnalta, stepa, alpe me borë të përjetshme sa dhe vargmale, shkëmbinjtë gjysmë të zbardhur të të cilëve ngjajnë me dasmorë të ngrirë. Dy shkretëtira, ajo e mongolëve dhe e Saharasë. Krahinat e Kra-krasë, ose zonat e shkombëtarizuara. Tokat e Hallallit (të bekuara prej shtetit). Tokat e Harramit (nën terror). Bjeshkët e Namuna. Lugjet e Zeza. Fermat moderne. Fusha hungareze me baltë dhe në dimër.
Që nga koha kur shkrimtari bëri këtë bilanc të “pushtimeve” të tij, kanë kaluar 23 vjet, dhe harta e “pushtimeve” të tij është zgjeruar akoma më tepër gjatë kësaj kohe. Tanimë mund të thuhet me siguri se kemi të bëjmë me një shkrimtar botëpushtues, në kuptimin letrar të kësaj fjale. Natyrisht që kur flitet për një shkrimtar botëpushtues, nuk ka kuptim që të përmenden shtete të veçantë që deri tani nuk bëjnë pjesë në gjeografinë e veprës së tij. Ashtu si kur thuhet se Aleksandri i Madh u nis nga Maqedonia dhe arriti deri në Indi, apo se Napoleoni u nis nga Parisi dhe arriti në Moskë, këto marshime madhështore nuk cenohen nga fakti se këta të dy nuk paskan ndaluar në aq apo kaq qytete gjatë rrugëtimit të tyre.
Në rastin e një vepre aq të gjerë, si ajo e Kadaresë, ku ka aq shumë gjëra që e joshin lexuesin, nuk mund të mos ndodhë ai fenomen që ndodh shpesh me gurët e çmuar. Kështu, është një gjë t’i shohësh disa lloj gurësh të çmuar, të hedhur grumbull, së bashku me shumë të tjerë, dhe tjetër gjë është t’i shohësh të ekspozuar, më vete. E njëjta gjë ndodh me përshkrimet e viseve, peizazheve, qyteteve në veprën e Kadaresë. Këto përshkrime shkëlqejnë më tepër si të thuash, nëse ekspozohen të veçuar, të evidentuar dhe të pajisur me foto ilustruese të përzgjedhura në mënyrë të tillë që të përputhen me ato imazhe që shkrimtari ka dashur të prodhojë në imagjinatën e lexuesit. Nga ky këndvështrim, ky album mund të shërbejë fare mirë si një guidë turistike e një lloji krejt të veçantë, si një manual që do t’u shërbejë letrarëve të rinj, për të mësuar mjeshtërinë e të shkruarit, por mund të gjejë një përdorim edhe më të gjerë, duke shpresuar se do t’u hyjë në punë nxënësve dhe studentëve për të njohur më mirë Shqipërinë dhe botën, sipas përshkrimeve të një dore mjeshtërore të klasit më të lartë.
Në këndvështrimin artistik, synimi kryesor i këtij studimi mbetet që të evidentojë një dhunti të veçantë të Kadaresë në krahasim me shkrimtarët e tjerë të mëdhenj, aftësinë e tij për të bërë përshkrime të llojit fotografik dhe kinematografik të viseve, peizazheve, qyteteve, deri edhe ndërtesave të veçanta. Kur nisa punën për të gjetur fragmentet e përshkrimeve që më nevojiteshin për këtë studim, kisha mendimin se ato do t’i gjeja më shumë në prozën e Kadaresë se në poezinë e tij. Është krijuar një përshtypje për veprën e Kadaresë se proza e tij është shumë më e rëndësishme se poezia e tij. Në përgjithësi kjo është e vërtetë, dhe vetë Kadareja e ka pohuar disa herë këtë gjë në mënyra të ndryshme, por në rastin e përshkrimeve për të cilat kam folur më lart, guxoj të them se nuk është tamam kështu. Nga këndvështrimi i tyre, poezia fiton një peshë në raport me prozën, që përndryshe nuk e ka, kuptohet pa humbur proza asgjë nga pesha e saj. Në një poemë të hershme, që është “Buzëqeshje mbi botë”, gjendet ky fragment ku përshkruhet bota në disa vargje të kursyera, në një mënyrë të figurshme, që dëshmon ndoshta më mirë se çdo gjë, për dhuntinë e veçantë të Kadaresë, për të qenë një shkrimtar botëpushtues:
Si çobenjtë tanë kur mbajnë në qafë
Një dele të bardhë që e çojnë në vathë,
Ashtu mbaj në qafë
Një shall plot figura:
Qafën time kanë shaluar
Qytete dhe ura…
Atlasi mitologjik e mban botën mbi shpinë dhe e vuan këtë gjë. Kadareja e merr botën dhe e hedh në qafën e tij, siç bariu një dele të bardhë, të bindur, dhe kjo gjë i shkakton një buzëqeshje. A mund të shfaqet më qartë dhuntia e shkrimtarit botëpushtues? Dukej se me këtë poemë, të shkruar në 1962, pra në kohën kur shkrimtari po niste të shkruante korpusin e madh në prozë të veprës së tij, me të cilin do të bëhej vërtet botëpushtues, ai bënte ato që sipas kujtimeve të gruas së tij, Helenës, i quante ushtrime stili.
Sot, një gjysmë shekulli pasi shkrimtari e mori botën dhe e hodhi si një dele në qafën e tij, mund ta përshkruajmë këtë botë të përshkruar prej tij në atë që mund të quhet Atlasi “Kadare”, dhe që është një lloj i veçantë Atlasi gjeografik i botës së përshkruar nga Kadare. Një atlas i tillë do të mund të ndërtohej me përshkrimet gjeografike që gjenden në veprën e Ismail Kadaresë. Kuptohet se ka shumë mënyra sipas të cilave mund të ndërtohet një Atlas. Por në përgjithësi, në atlaset gjeografike ka një rregull që renditja e hartave të shteteve bëhet sipas kontinenteve të cilëve ata iu përkasin. Për Atlasin “Kadare” unë do të pëlqeja që ai të mos ndahej sipas kontinenteve të njohura, apo sipas hemisferave në të cilat është i ndarë globi, por të ndahej në dy pjesë. Në atë pjesë të botës, që mund ta quajmë në vende që autori i ka njohur dhe shkelur duke qëndruar gjatë në to, dhe në atë pjesë të botës ku Kadare nuk ka shkelur kurrë, por që megjithatë e ka përshkruar gjerësisht në librat e tij.
Megjithatë, lexuesi i cili njihet me përshkrimet gjeografike të Kadaresë, nëpërmjet librave të tij, pa e ditur se cilët nga vendet që përshkruan shkrimtari i ka shkelur me këmbë dhe i ka shëtitur gjerë e gjatë para se t’i përshkruajë, në qoftë se ky lexues është njohës i këtyre viseve, e ka të vështirë ta dallojë se shkrimtari nuk i ka shkelur të gjitha viset që përshkruan në librat e tij.
Një gjë e tillë e ngjashme ka ndodhur edhe me romanin e parë të Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, një pjesë e ngjarjeve të të cilit zhvillohen në Itali, një vend ky të cilin shkrimtari në kohën që e shkroi romanin nuk e kishte vizituar ende.
Një vend ku shkrimtari nuk ka qenë kurrë gjatë jetës së tij, Arabia Saudite, ka hyrë në gjeografinë e veprës së tij me një përshkrim shumë të ndjerë të Saharasë, që vlen aq sa një libër i tërë mbi një udhëtim në këtë shkretëtirë gjigante. Kadare shkruan për këtë në librin “Autobiografia e popullit tim në vargje”:
Ishte një natë e errët, fund tetori. Aeroplani ynë kishte dy-tri orë që ishte ngritur nga aeroporti i Karaçit dhe i duheshin akoma dy-tri orë për t’u ulur në aeroportin më të afërt, atë të Kajros. Dhjetë kilometra poshtë nesh, e ftohtë, e vdekur, nën një hënë si prej kauçuku, shtrihej shkretëtira arabike. S’ kishte gjë më të pikëlluar se ajo zbrazëti rëre, sipër së cilës pasqyrimi i hënës zhvendosej ngadalë si një sy pa jetë.
Prej këtij udhëtimi ka lindur edhe një poezi e mrekullueshme, me titullin “Sahara”, për të cilën duket e pamundur që të jetë shkruar nga një njeri i cili nuk e ka shkelur kurrë me këmbë këtë shkretëtirë:
Perandori e madhe e tharë,
Dikur pjellore, plot blerim.
Po ç’ dhimbje ke provuar vallë,
Kur parandjeve shterpësinë?
Por ajo që të bën veçanërisht mbresë në librat e Kadaresë është përshkrimi që ai i bën asaj pjese të botës të cilën e ka vizituar, e ka njohur pak a shumë. Si një ligj i pashkruar, përshkrimet gjeografike në veprën e shkrimtarit pasojnë udhëtimet dhe zhvendosjet e tij në qytete dhe vise të reja në Shqipëri dhe në botë. Kështu, në veprën e tij është në radhë të parë bota shqiptare ajo që shfaqet, duke nisur që nga vendlindja e tij, Gjirokastra. Shumë shkrimtarë të mëdhenj, pas fillimeve të tyre letrare, i largohen temës së vendlindjes në veprën e tyre i shmangen përshkrimit të gjerë të vendlindjes. Me Kadarenë ndodh ndryshe. Vendlindja ka qenë një temë konstante e veprës së tij. Ai i rikthehet vazhdimisht asaj në romane tregime, poezi. Nëse do të bëhej një studim i veçantë për vendin që zë qyteti apo fshati i lindjes në gjeografinë e veprës së shkrimtarëve të mëdhenj, dhe posaçërisht për përshkrimet që ata i kanë bërë qytetit apo fshatit të tyre të lindjes, shumë pak prej tyre do të konkurronin me këtë përshkrim që Kadare i ka bërë qytetit të tij të lindjes, Gjirokastrës:
Ky ishte një qytet i çuditshëm, që dukej sikur kishte dalë në luginë papritur një natë dimri si një qenie prehistorike dhe, duke u kacavjerrur me mundime të mëdha i ishte qepur faqes së malit. Gjithçka në këtë qytet ishte e vjetër dhe e gurtë, duke filluar nga rrugët dhe çezmat e gjer te çatitë e shtëpive të tij të mëdha, shekullore, që ishin të mbuluara me pllaka guri ngjyrë gri, të cilat u ngjanin luspave gjigante. Ishte e vështirë të besoje, se nën ato koraca të forta gjëllonte dhe përtërihej mishi i butë i jetës.
Në qoftë se një qytet kaq i jashtëzakonshëm dhe i çuditshëm do të nxirrte një shkrimtar të madh, ai nuk mund të ishte veçse një shkrimtar i jashtëzakonshëm dhe i çuditshëm si Kadare, të cilin fati e çoi papritur që në fëmijërinë e hershme në shtegun e pjerrët të një diktature të tillë të ashpër nga ato që rrallë i ka parë njerëzimi në historinë e tij. Diktatori që e kishte projektuar dhe ndërtuar këtë diktaturë ishte një bashkëqytetar i tij, Enver Hoxha. I stërvitur në qytetin e tij të pjerrët, Kadare mësoi të orientohet dhe të mbijetojë në shtigjet djallëzorë të kësaj diktature ku rruga e lavdisë mund të të çonte në një labirint ku mund të humbisje dhe të përfundoje në greminë, ashtu si Sokaku i të Marrëve, rruga e fëmijërisë dhe e rinisë së hershme të shkrimtarit dhe diktatorit për të cilën rrugë shkrimtari shkruan:
Rruga e Varoshit ngjitej përpjetë me mundim, kurse nga e djathta e saj zbriste furishëm rruga e Gjobekut, e cila pasi i largohej shtëpisë me fibër të murgeshave italiane, sikur kjo të kishte murtajën, vinte e përplasej me rrugën e Varoshit dhe nga përplasja të dyja ishin shtrembëruar. Më tutje, Sokaku i të Marrëve, i verbër e kokëfortë, i sulej rrugës naziqe të gjimnazit, por kjo në çastin e fundit i bënte bisht goditjes dinakërisht duke u mënjanuar pak.
Pastaj shfaqet gjerësisht edhe qyteti i parë i madh europian që shkrimtari vizitoi dhe njohu mirë, Moska, por edhe Bashkimi Sovjetik në përgjithësi, që ishte vendi i parë i huaj që vizitoi shkrimtari dhe ku jetoi për një kohë relativisht të gjatë. Që shumë herët në gjeografinë e veprës së shkrimtarit shfaqet edhe Skandinavia, por jo Suedia e Çmimit “Nobel”, por dy vendet fqinje me të Finlanda dhe Danimarka. Që në 1962 kur ishte vetëm 26 vjeç shkrimtari pati mundësi të vizitonte Finlandën dhe Danimarkën dhe me këtë rast shkroi disa poezi si dhe një poemë, mbi mbresat e këtij udhëtimi. Suedinë as që guxoi ta përmendë, se me sa duket e kuptonte që regjimi komunist do të mprihte vëmendjen ndaj tij duke thënë: Po Suedia nga na doli, ti nuk ishe atje, apo mos ndoshta ëndërron për atë, Çmimin Nobel?
Helsinki dhe Kopenhageni janë dy qytetet e para perëndimore që vizitoi shkrimtari dhe jo rastësisht për to shkroi vetëm si poet dhe si gazetar. Këto qytete nuk zunë vend në gjeografinë e prozës letrare të Kadaresë. Ndoshta kontakti i parë aq i dëshiruar me Perëndimin nuk mund të shprehej veçse me gjuhën e poezisë, ndërsa reportazhi gazetaresk ishte thjesht një detyrim që ai e kishte për të justifikuar vizitën e tij në këto vende, me rastin e një kongresi ndërkombëtar rinie.
Në Danimarkë, shkrimtari do të kthehej përsëri rreth dhjetë vite më dhe këtë herë ai do të kishte rastin që të pasuronte gjeografinë e veprës së tij edhe me kështjellën daneze ku Shekspiri vendosi ngjarjet e tragjedisë “Hamleti” për të cilën Kadareja na ka lënë një përshkrim mahnitës:
Në qoftë se udhëton nëpër Danimarkë, ke apo s’ke lidhje me letërsinë, ideja e fantazmës mbretërore të ndjek herë pas here. Në çantë (atë e kisha hequr tani nga tryeza dhe e kisha flakur mbi karrige) kisha disa shënime për kështjellën Kronsborg, apo kështjella e Hamletit siç e quajnë gjithë bota. Ishte një kënaqësi e vërtetë ta vizitoje Elsinorin në një ditë vjeshte. Në qytetin e vogël ndihej sundimi i princit të pikëlluar.
Më pas gjeografia e veprës së tij pasurohet duke u shfaqur në të Kina, Vietnami, SHBA, Gjermania, Spanja. SHBA shfaqet në poezi dhe në prozë, madje çuditërisht më shumë se çdo vend tjetër në përpjesëtim me kohën që ka qëndruar atje. Nuk mund të mungonin në gjeografinë e veprës së shkrimtarit vendet fqinje me Shqipërinë, Italia dhe Greqia. Parisi dhe Franca, ndonëse shkrimtari i ka njohur dhe shëtitur mirë, dhe ka kaluar tanimë një kohë të gjatë duke jetuar atje, shfaqen çuditërisht më pak se do të mendohej në veprën e tij letrare. Në fakt, vetëm ngjarjet e një romani të Kadaresë, atij “Hija” zhvillohen kryesisht në Paris. Gjeografia e veprës së Kadaresë kalon përmasat e planetit dhe takohet me astronominë, duke shkuar deri thellë në hapësirën kozmike. Që herët te shkrimtari shfaqet ajo prirje për t’i parë gjërat e kësaj botë në një këndvështrim kozmik.
“Llora”
Qëndrova përpara globit
Ballin e nxehta mbështeta
Mbi rrudhat e meridianëve.
Do të desha të pija me globin,
Të endeshim të dy të dehur,
Ai mes kozmosit
Unë rruginave të Tiranës.