5.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Bariu i Popullit dhe ligjërimet e tij

NoliAlfred Uçi

Fan S.Noli është një figurë e shumanshme letrare e poetike, burrë i madh shteti e politikan i shquar atdhetar, dijetar dhe historian, përkthyes e poliglot, prijës popullor e kreu i Kishës Autoqefale të Kombit shqiptar, që ka lënë pas një kontribut të jashtëzakonshëm në trashëgiminë kulturore kombëtare, që mban emrin e tij të Fanolizmës dhe që rron e gjallë, duke ushqyer përparimin e të ardhmen e ndritur të Shqipërisë, edhe të shqiptarëve kudo ku jetojnë e nderojnë Atdheun e shtrenjtë. Pjesë e pandarë e organike e Fanolizmës janë Fjala e tij shqipe dhe ligjërimet e tij të famshme, të paharrueshme, që kanë pushtuar dhe pushtojnë mendjen e zemrat e dëgjuesve shqiptarë me ide të larta përparimtare, që kanë bukurinë e hijet e Bariut të gjithë popullit. Fan Noli ka futur në to një përmbajtje tejet interesante me figura, motive, shakara e anekdota groteske, gjithë lezet, por edhe me finesë, ironi e humor, satirë e sarkazma të shkëlqyera. Ligjërimet e tij, me çfarëdolloj teme, janë në nivelin e ligjëratave klasike të Antikitetit greko- romak, përmbushin plotësisht kërkesat normative, që i theksonte në kohën e vet, Ciceroni, mjeshtri i shquar i gojëtarisë romake: “Mëria, delikatesa, urrejtja, mëshira, tmerri, shpresa, neveria, gëzimi, hidhërimi, entuziazmi, revolta, të gjitha këto duhet të jenë nën pushtetin e oratorit.

Ai duhet të dijë të prekë e të ngjallë secilin prej këtyre ndjenjave”. Në këtë mes mjeti i sprovuar i ligjërimeve të Nolit është edhe grotesku, ndonëse i përfshirë në një mënyrë të re në mendimin e tij modern; s’ka në to aroma të skaduara e anakronike, të ezauruara e të bëra bajat. Tek ligjëratat mbizotërojnë shqetësimet për fatet e vendit, për të ardhmen e tij, urrejtja e përqeshja e kundërshtarëve të lirisë e përparimit të Atdheut. Gjuha shqipe e mrekullueshme, stili i thjeshtë në parashtrimin e problemeve më të thella që shqetësojnë opinionin e masave, me imazhe e ngarkesë poetike origjinale ekspresive, me patos dhe erudicion, ligjëratat e tij kanë qenë e do të mbeten gjithmonë frymëzuese për çdo atdhetar. Që në ligjëratën e parë, të mbajtur para shoqërisë “Malli i Mëmëdheut” në Amerikë, shkëlqejnë figurat groteske, që përçojnë frymën kombëtare:”Qamë, lebetitëm, ulëritëm ndër kisha e xhami, por kurrën e kurrës na u përgjigjën muret e thatë, atje vetëm korbat, galat dhe kukumjaçkat dinë t’ia thonë. Kujt i luteshim atje?I luteshim atij që kurrë do mos na e kthente fjalën. Po krahëve tona, vetes sonë, trimërisë sonë, shpatës dhe kordhës sonë, kurrë s’iu lutëm… Shqipërinë e lamë në varr të harrimit, thika e palla na u mykën ndër myllet e huaja”.

Në përputhje me veçoritë tematike Fan Noli sajon figura krejt origjinale, të përshtatshme e të kuptueshme: “Të mos e bëjmë rrojtjen tonë gur varri, por ta bëjmë statujë përmbi të cilën të vihet kurorë e vdekjes”. Situatat që kalon demokracia e brishtë parlamentare e ditëve të sotme, duket sikur përsërit vetveten në ligjërimet e Fan Nolit të viteve të para të dekadës së dytë të shek.XX, të cilat i përqeshte me stilin e tij të mprehtë ironik: “Shpresat tona sa venë e fishken, se mali i mbarsur i kabineteve tona të forta, ndofta i influencuar nga syri i lig i pakicës kundërshtare heterodokse dhe heretike të papenguar, dështoi me një buçitje dhe refuzoi të na japë të paktën miun proverbial”. Dhe më tej, në frymën popullore, në ligjëratat e tij në Parlament, Noli jep cilësimin e Kabinetit, duke i vënë nofkën, që s’harrohet tashmë kurrë, të “kabinetit të pykave”: “Se ca janë pyka nga dituria e ca janë pyka nga vlerat civile. Dhe është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e dallkaukë. Ideali i tyre nuk është të organizojnë shtetin, se as vetë s’dinë të organizojnë, as organizatorët nuk do t’i lënë të lirë. Ideali i tyre është të mbajnë kolltukët me çfarëdo çmim. Mjetet e tyre për të arrirë këtë ideal janë druri e ryshfeti”. Në majën e oratorisë mjeshtërore të Fan Nolit qëndron, padyshim, fjalimi i tij historik në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve. Ndonjë keqdashës, që s’nguron t’i kthejë përmbys ngjarjet historike, ka guxuar ta quajë “të gabuar” e “të dëmshme” për interesat kombëtare këtë ligjëratë të Nolit, se kinse paska penguar Lidhjen e Kombeve, të atyre që e kullandrisnin atë në dobi të interesave imperialiste (të na falë lexuesi për epitetin e vjetër, që s’është i vjetruar vetëm për atë kohë), paska penguar dëshirën e padurimin e saj për ta ndihmuar Shqipërinë. Por edhe vlera politike e ligjëratës së Fan Nolit në këtë “mexhilis” nuk do të kuptohej, po të mos harrojmë se ajo ka qenë një paralajmërim i mençëm i një burri të urtë e largpamës,(i bindur jo vetëm se ata që kullandrisnin Lidhjen e kishin copëtuar Shqipërinë), për fundin e palavdishëm të Lidhjes së Kombeve.

Lidhja e Kombeve

Këtë fund kishte parasysh Noli kur u drejtohej delegatëve në stil grotesk me përqeshje për fjalët “paqedashëse”, që përcillnin përgatitjet e luftës. Pyetjes se ç’kishte bërë Lidhja e Kombeve për paqen gjatë pesë vjetëve të ekzistencës së saj, Noli i përgjigjej me shprehjen e famshme groteske të Shekspirit: ”Fjalë! Fjalë! Fjalë!’, “domethënë erë e asgjë më tepër”, së cilës Noli i shton nga shqipja:”Flluskë sapuni!”. Në një prerje groteske e vendos veprimtarinë e Lidhjes Dhespoti shqiptar:”Këto çështje për çarmatim e paqe iu dhanë për shqyrtim një Komisioni, i cili do t’ia kalojë një nënkomisioni, i cili do t’ia parashtrojë konkluzionet e tij një konferencë, që do të mblidhet së shpejti, dhe kjo konferencë do t’ia dërgojë përsëri këto çështje një komisioni, pastaj një nënkomisioni, i cili do t’ia referojë komisionit, i cili do t’i dërgojë një raport konferencës. Konferenca do të votojë njëzëri një rezolutë dhe kjo e fundit do t’i jepet për shqyrtim Këshillit të Lidhjes së Kombeve. Këshilli, nga ana e tij, do t’ia kalojë këtë rezolutë Asamblesë së ardhshme të Lidhjes, e cila do t’i drejtojë njëzëri një lutje Zotit të plotfuqishëm, atje lart në qiell. Dhe kur këto çështje të kenë bërë këtë cikël poetik zvarritjesh e kundërzvarritjesh, raportesh e kundëraportesh dhe mendimesh konsultative, atëherë ato do t’i dërgohen së fundi, sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, i cili do t’i mbyllë me kyç mirë e mirë dhe do t’i varrosë në dosjet e vdekura të Sekretariatit, ku do të mbahen brez pas brezi…Kjo histori do të mbarojë siç mbarojnë flluskat e sapunit!”. Flluska sapuni quan me të drejtë Noli edhe premtimet e Lidhjes së Kombeve për t’i dhënë Shqipërisë një hua sado të vogël qoftë. Në gjithë historinë e publicistikës shqiptare vlerat më të shquara e më të qëndrueshme kanë qenë krijuar kryesisht, kur është përdorur brenda saj stili letrar grotesk. Kjo prirje nuk duhet të ketë qenë e rastit. Ne duam ta hamendësojmë për shkaqe të rëndësishme, që kanë përcaktuar këtë dukuri. Mendojmë se rrjedhat e jetës shoqërore e sidomos politike të Shqipërisë në gjysmën e parë të shek.XX kanë përfshirë probleme e procese tejet dramatike, kriza e kthesa të rënda, që patën prekur themelet e ekzistencës e të jetës kombëtare, kundërthënie për të qarë e për të qeshur, mbushur me onçobonço shqipo, si edhe ca të tillë spanjollë që i paraqit Servantesi në romanin e tij, të përkthyer nga Fan Noli.

Noli paraqet panoramën e lezetshme të Ministrisë së Jashtme

“ Rroftë Ahmet Zogu, rroftë, Shakaxhiu i përparimit, Brez pas brezi u kujtoftë, Si stërnipi i Nastradinit”. Në ligjëratën e famshme “Shakaxhiu i përparimit” në stil grotesk F. Noli nxjerr në pah plagët e rënda sociale të regjimit zogollian, të cilin e karakterizon si regjimin e pesë anarkive: anarkisë fetare, anarkisë sociale, anarkisë morale, anarkisë patriotike dhe anarkisë së idealeve: “Këtu idealet e errëta, të shtrembra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharasë përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante e të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve, po për të zënë vendin e këtyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i shqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë”. Se s’i mjaftonin këto pesë, po “shakaxhiu i përparimit” shtoi edhe dy të tjera, thotë Noli: Anarkinë shtetërore dhe anarkinë ekonomiko-financiare, duke e ruajtur arkën e zbrazur të shtetit se mos bie ndonjë mi në të e thyhen kokën. Dhe për ta plotësuar pasqyrën e shtetit zogollian, Noli e quan edhe ‘“shtet” të “ministrive të gafave”. Në një stil, që bashkon Servantesin me Rablenë, Noli paraqet për konkretizim panoramën e lezetshme të Ministrisë së Jashtme: “Pashë që kopshti i Ministrisë së Punëve të Jashtme është tharë krejt.

Atje më parë lulëzonin qepë, kastravecë dhe kunguj, atje pulkat dhe zogat klloçitnin dhe bënin vezë taze, të cilat depozitoheshin me kujdes në dollapët e Ministrisë, ku ruhen arkivat e shtetit. Tani vura re me hidhërim që qepët e kastravecët ishin tharë, dhe ahime! Ishin ç’dukur dhe kungujt që na kujtonin kokët simpatike të ministrave tanë”. Për ta mbyllur me një kulm figuracionin grotesk, Noli kujton historinë që ka rrëfyer Herodoti për atë athiniotin që kapi një anije perse me dorën e djathtë dhe s’e lëshonte gjersa ia prenë, atëherë e kapi me dorën e mëngjër, ia prenë dhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa i prenë kokën. “Sikur të ngjallej Herodoti”,-shton Noli, “Përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se trimi legjendar i lashtësisë greke. Që t’i shqitësh këta tanët nga kolltuku, duhet t’u presësh jo vetëm duart e kokën, por edhe këmbët e trupin”. Karakterizimi satirik i përsosur artistikisht, të tmerron kur kujton atë përbindësh që e pat zënë për fyti shoqërinë shqiptare dhe ia mbyt të ardhmen: “Mydiri i Pashiçit, Zogolli sygjarpër, zemërvrer, gjakkalbur, shpirtshitur, Esati i dytë, që çjerr, copëton e thëthin kufomën e Shqipërisë me egërsinë e një mostre të përrenjve të Afrikës, së bashku me shtetarët dallkaukë, rajenj, laro dhe zaptie. Kështu ka zënë rrënjë shteti me kusarët në zyrat më të larta:Kusarë lart, kusarë poshtë, kusarë kudo. Dhe puna do të vazhdojë kështu, sa kohë qëndron në fuqi Ahmet Zogu, i cili nuk mund të çlirohet nga bashibozukët… Tani, a mund të rronjë Shqipëria si çiflig ministrash kusarë dhe si fushë plaçkitjeje hajdutësh të maleve?”. Kaq bukur i realizon këta tipa, saqë kjo të kujton mjeshtërinë e autorit të lashtësisë greke të veprës “Karakteret”, por Noli e nxjerr nga një realitet social e politik tjetër, nga realiteti konkret shqiptar, ndonëse shumë gjëra përsëriten në historinë e njerëzimit.

Noli ka krijuar vlera të shquara në publicistikë

Shqyrtimi e diskutimi i tyre kërkonte një stil të fuqishëm ekspresiv, që të prekte e të zgjonte nga gjumi letargjik gjithë atë masë pasive, të përgjumur, indiferente, interesat e së cilës ishin në lojë, ndonëse për këtë ajo s’ishte plotësisht e vetëdijshme. Prandaj, letrarët shqiptarë si Konica e Fishta, Fan Noli, Nonda Bulka dhe Migjeni etj,. i kushtuan një vend të gjerë në krijimtarinë e tyre letrare publicistike dhe përdorën si të parapëlqyer një stil ekspresiv, zgjues ndërgjegjeje shoqërore e kombëtare. Nga ana tjetër, letërsia e mirëfilltë artistike te ne nuk kish arritur një shtrirje aq të gjerë, nuk binte nën ndikimin e saj një masë shumë e madhe lexuesish (qoftë edhe për shkak të analfabetizmit) dhe nuk zotëronte vlera aq të shquara sa të mund të trajtoheshin mjeshtërisht e artistikisht problemet, krizat e kontradiktat e bashkëkohësisë kombëtare, prandaj, ndoshta, brenda saj zuri një vend të rëndësishëm, e armatosur me një stil të groteskut ekspresiv. Kjo prirje spikat edhe në krijimtarinë letrare të Fan Nolit. Ashtu si Konica e Fishta, edhe Fan Noli ka krijuar vlera të shquara në publicistikën e tij të gjerë. Në radhë të parë spikatin ata artikuj publicistikë të Nolit, që trajtonin realitetin e atëhershëm shoqëror të Shqipërisë. Fan Noli vinte re shumë dukuri të mirëfillta groteske në të, duke filluar nga maja e piramidës shtetërore, për të cilat shkruante se përbëheshin nga “një çetë e hurit dhe e litarit”, prej tradhtarësh, kusarësh, kriminelësh, tiranësh e bashibozukësh, domethënë qeniesh të tmerrshme groteske. Noli i klasifikon sipas llojit në kategori të ndryshme, duke nxjerrë në pah tiparet e tyre të shëmtuara. Në qendër të goditjeve demaskuese satirike Noli vendos kreun e regjimit, vetë Presidentin, që vetshpallet “Mbret i shqiptarëve”. Ndryshe nga Konica, që e vendos atë nën goditjet e satirës groteske vetëm kur “Naltmadhëria e tij” braktisi Mbretërinë, duke e lënë në duart e pushtuesve të huaj fashistë, Noli e damkos në çdo hap të karrierës së tij dhe zbulon me kohë se ç’fatkeqësi kolosale përbënte Zogu për vendin e të ardhmen e këtij.

Ai stigmatizon atë skort servilësh e kusarësh, që i hapnin rrugën një Salepboze (nofka groteske e sajuar nga Konica), “Napoleonit të gjirizeve”, të ngjitej drejt fronit mbretëror; le të fillojmë së pari me anën qesharake:”Një pronar kabareje në Bukuresht, që ishte në krye të një turme njerëzish famëkëqij, banditë të vjetër, spiunësh,vrasësish me pagë, intrigantësh me pagë, e cila quhej Asamble Kushtetuese, i ofron kurorën mbretërore një hajduti të quajtur Ahmet Zogu, i cili ka shkruar përpara me vrasje, është pasuruar me vjedhje dhe është ngritur në pushtet me anë të tradhtisë. Ky hajdut emëron si Kryeministër të tij një batakçi e një kriminel, Koço Kotën”. Noli e quan gjithë këtë një farsë e një operetë monarkike, që luhet në Europë m’u në shek.XX dhe që fshihte tragjedinë tonë kombëtare. Forca ekspresive e fjalës noliane spikat sidomos kur përdoret për ta portretizuar Salep Sulltanin:”Historia s’ka parë një mbret aq të madh sa Salepboza, i kurorëzuar me hudhra e sa Napoleoni i gjirizeve. Pra, të gjithë janë të shtrënguar t’i falen statujës së tij prej hallve”. Për ta nxjerrë në pah fytyrën e vërtetë të Zogut, Noli kujton anekdotën për Tir Ulenshpigelin, që e quan “Nastradin Gjerman”. Dhe rrëfen, si shumë rrëfime të këndshme nga “Don Kishoti”: “Ky morri përsipër të zugrafiste muret e kështjellës së një konti, por duke mos qenë mjeshtër në këtë punë, sajoi një lodër groteske, paralajmëroi soditësit e pikturave të përfunduara se veç ata që s’do të ishin doçër, do të mund t’i shikonin e t’i pëlqenin veprat e tij. Kështu, miqtë e Kontit, kur hynë në kështjellë, filluan të lëvdonin pikturat nga frika se mos quheshin doçër dhe vetëm një shërbëtore, që më kot u përpoq të shijonte pikturat, bërtiti: “Ndjesë pastë nëna ime, më ka bërë doçe se unë nuk shoh asgjë”. Kështu, vazhdon Noli, e mori përsipër Zogu ta zbukurojë Shqipërinë, duke i mbushur mendjen Parlamentit me profkat e tij, por pak kohë u deshën për të kuptuar se puna doli fyçkë dhe “shakaja” u kuptua nga të gjithë. Dhe ngaqë Zogun Noli e akuzon për një “shaka” kolosale e groteske, që bën mbi kurriz të Shqipërisë, i thurë vargjet satirike në stil të parodisë groteske, që s’harrohen kurrë.

Prerjet groteske noliane janë të dobishme edhe në ditët tona

Kundërvënia midis idealistëve dhe frikacakëve nga Noli realizohet në një prerje stilistike groteske, për të qeshur e për të qarë: “Të mençurit baresën dhe mejtohen me të rendur bashkë me çape të rregulluara pas algjebrës së ftohtë për mbi fushën e shtruar. A sikur lindë ata që të martohen me rehatinë dhe të vdesin në plaf të butë?! Unë i quaj frikacakë ata njerëz, që nuk kanë mjeshtërinë e madhe të lozin valle majë tërkuzës, i quaj njerëz, të cilët lindën me këmbë ariu dhe me mendje viçi, mentë të cilat nuk janë elastike që të përhapen e të përmblidhen pas kohës. Të marrët rendin breg për bregu, shkëmb për shkëmbi. Mund të thyejnë kokën herë-herë.” Nga shpifarakët e gojëndyrët Noli krijon zanatin e “ndyrologjisë”, sepse vetëm nga dy artikuj të një gazete, thotë ai, “zumë: 3 spurdhjakë, një sharlatan, një të turpshëm, tre lëpushka, katër tradhtarë, 3 shaj, gjashtë të ndyrë, dy levere, pesë të poshtër, një shpirtzi, 15 gjarpërinj, 3 gjarpërinj helmues të ndyrë, tre këlyshë të ndyrë, një nepërkë, një përçollak, 2 gjarpërinj të helmuar, tre gjuhëza me helm, 24 kuçedra, një i pështymë të kuçedrës, gjithë këlyshët e kuçedrës, gjithë mostrat e Apokalipsit dhe, më në fund, një çomage në kokë dhe një të shtypur të kokës… Në këtë katalog duhen shtuar dhe Juda që tradhtoi Tënzot, Azefi, Artingu dhe vera e Ajadros… Neve e goditim me histori dhe ai na përgjigjet me mitologji dhe gjarpologji… Duhet ta provoni me argumente dhe jo me sharje dhe gëlbaza, o çomagjia xhonturke”. Do të i kishte patur zili Servantesi rrëfimet e Peshkopit dhe do ta kishte shkruar edhe një vëllim për shtegtimet e “donkishotizmit” drejt Mbretërisë së shqiponjave. Por kjo prerje groteske noliane do t’ishte e dobishme edhe për ditët tona, kur mjaft politikanë e publicistë kanë vetëm një arsenal nga marrin armët, nga “ndyrologjia” e re, nga gjarpërologjia. Aktuale tingëllojnë dhe goditjet satirike të Nolit kundër grindjeve e hakmarrjes shqiptare: “Shumë herë në ca shtëpira, shëkon të servirin sofrën pa thikë, pa pirua e pa pjata, se këto vegla kaq të padëmshme bëhen armë të rrezikshme ndër duart e shqiptarëve të egërsuar për t‘i nxjerrë sytë njëri tjetrit”, na thotë shkrimtari.

Po përse zgjatemi me shkrimet e Fan Nolit? Jo vetëm se janë modele të mrekullueshme rrëfimi të po atij niveli si ato që na rrëfen edhe Servantesi, por edhe se më mirë do të kuptohet edhe platforma politiko-sociale e “fanolizmës”, për të cilën do të kujtohemi në kapitullin tjetër më thellë e më seriozisht, për të qeshur e për të qarë. Ashtu si Konica, edhe Fan Noli herë pas here bën klasifikime të atyre qenieve njerëzore, që ai i konceptonte si qenie groteske për nga veset e tyre të shëmtuara, të këqija, qesharake e komike, të tmerrshme e të llahtarshme. Kështu, në artikullin “Gurakuqi,Vinjau dhe Unë”(1925) brenda vathës së politikanëve pseudonacionalistë Noli zbulon katër tipa groteskë:1) Proteikët, stërnipër të kulluar të Proteut mitologjik,që ndërrojnë fytyrën sipas kohës e nevojës dhe që hyjnë në çdo kallëp; 2) Emigrantikët, që s’kanë fytyrë të shkoqur e që s’hyjnë në asnjë kallëp; 3) Divinët, që s’dalin dot nga kallëpi i fesë së tyre, ashtu siç e kanë kuptuar denbabaden; 4) Konstruktivët liberalë e konservatorët…Të parët janë komikë; të dytët tragjikomikë; të tretët patetikë; të fundmit tragjikë”. Të gjithë këta Noli i quan “Sizifë modernë” të Ferrit shqiptar, që nisën të ngjitin në majë të malit gurin e rrokullisur të Independencës me një tenacitet titanësh dhe pastaj po aty zihen e përçahen dhe venë në krye antikombëtarin Ahmet Zogun, ashtu siç patën vepruar kur zgjodhën edhe Esat Toptanin. Dhe Peshkopi ynë konkludon në mënyrë paradoksale, por ironike: “Jam në një mendje me ata që besojnë se Ahmet Zogolli është i vetmi njeri që mund ta shpëtojë Shqipërinë nga gjithë belatë. Ai do ta shpëtojë vërtet, duke e copëtuar e duke e kallur në varr njëherë e mirë”. Një specie tjetër groteske Noli pat quajtur edhe ata që luajnë lojën e “paanësisë”, ndonëse fshehin lojën e anësisë. Po në këtë kategori fut asi edhe ithtarët e pajtimit midis ujkut e bariut, duke i quajtur ironikisht “shenjtorë të pajtimit”.

Pas tyre vijnë edhe ata që dinë ta dredhin e shkojnë nga fryn era: “Nga fryn era? Nuk bën nga fryn era, po nga është udha e vërtetë; nuk nga është udha e hapur, po nga duhet hapur. Nuk nga është fushë, po nga janë malet. Kështu flet shqiponja, mbreti i qiellit”. Prandaj Don Kishotin Noli e ka quajtur edhe idealist. Noli tallet edhe me ata, që e quanin veten “Krerë” (moderne- Vipa), por që interesoheshin vetëm të pasuroheshin: “S’ka krerë në Misir. Ka vetëm xhepa dhe qese të kyçura mirë, dhe të cilat kanë gjithmonë një shkak logjik që të mos hapen”. Noli sulmonte edhe ata shqiptarë, që gjithë shpresat për ta shpëtuar Shqipërinë i kishin tek të huajt, gjersa t’u mbetej vendi “pa kokë, pa këmbë, pa krahë…Kur të na e bëjnë lakër vendin, atëherë do të na vijnë mendtë”. Ai i ftonte bashkëkombësit të luftonin vetë e të sakrifikonin për atdheun. Dhe përsëri edhe këtë këshillë e mbështet me një anekdotë groteske: “Të mos bëhemi si ai që u mërzit së rrojturi dhe vate të mbytej, po tha:Po rri të nxjerr çorapet mos më lagen”. Nuk mendojmë që mbytet kombi, por shikojmë mos i lagen çorapet”. Noli kujton edhe anekdotën tjetër për ata që nuk u vinin kujdes fjalëve e paralajmërimeve të mençura të tij: “Zëri im qe, si i atij në shkretëtirë. Mjaft fjetëm”, u thosha. “Ke të drejtë”, më thoshin, dhe ktheheshin nga ana tjetër e mbuloheshin me dy jorganë… Atëherë fjalët e mia të ngrirat, sa pa arrirë në veshët e të nxehtëve, shkrinin”. Përballë retorikës salepjane të hosanave për “Sulltanin e ndritur” dhe teorizimeve abstrakte kinse intelektualo-elitare, Fan Noli vendos një panoramë rrëqethëse të realitetit, të ravizuar me një gjuhë ekspresive artistike, me tonalitet grotesk popullor, por të kuptueshme e prekëse për cilindo lexues:“Ironi tragjike; qani e qeshni, po kjo është e vërteta!”. Dhe vazhdon në rubrikën “Andej-këtej”shpalosja e kësaj tabloje: “Shqipëria është një trup i shoshitur prej sëmundjesh kronike, i qesëndisur me plagë, me xhumba dhe me stigmatë (njolla), shenjat e përleshjeve për vdekje. Rreth saj janë mbledhur heqimët levantinë dhe bëjnë konsulta diabolike”. “Le t’ia lemë kohës, ajo i shëron të gjitha”, thotë fatalisti.”Jo, le t’i këndojmë një tropar e le t’i varrim një hajmali”, llomotit fetishisti. “Aspak, le ta spërkatim me ujë të pafolur”, bërtet magjistar. “Jo, po le t’i japim një sherbet me pak afjon”, murmurit sheqerxhiu. “Më ndjeni”, ndërhyn bostanxhiu, “duhet t’i vëmë një qepë mi çdo plagë, një hudhër mbi çdo xhumbë dhe një piperkë mbi çdo shenjë”. Përkundrazi, duhet ta rrahim me kopaçe gjersa të ikin djajtë nga trupi”, ulërin jeniçeri”. “Nuk merremi dot vesh, unë, pra, propozoj të thërrasim një specialist evropian”,përsëriti myzeviri. “Tamam, le t’ia ngarkojmë këtë barrë sulltan Salepit të na sjellë nga Roma jo një, po me duzina specialistë, ata pastaj e dinë, ç’ilaç duhet.. Dhe kështu merr fund puna…”, përfundon dallkauku. Sigurisht, na tërheqin vëmendjen diskutimet që zhvilloheshin në fund të viteve 1920-‘30 mbi të ardhmen e shoqërisë shqiptare, kur sajoheshin edhe receta shpëtimi, që sot mund të duken tejet “të mençura” dhe sidomos “intelektualisht të habitshme” e të çmuara edhe për sot.

Don Kishoti i Nolit

Shpesh ato fshehin të vërtetën e atyre kohëve, që aq qartë e patën dhënë fanolistët e vërtetë, dhe nga disa prej këtyre recetave bie edhe përgjegjësia për vargun e ngjarjeve tragjike, që filluan nga fundi i kësaj periudhe dhe që në këtë ose atë mënyrë ndihen edhe sot e kësaj dite, kur diskutojmë siç u stërdiskutua për “identitetin tonë”, duke harruar platformën e Rilindjes Kombëtare, edhe duke rrëmihur për të provuar se jemi “kafe turke-espreso”. Porosia e tij ishte ajo e Sokratit: “Njih vetveten!”, formulë për të cilën interesohej edhe Kalorësi i Fytyrës së Vrerosur, Don Kishoti i Nolit. Pas kësaj tabloje groteske do të kuptohet edhe më mirë përse ia përqasi realitetit të atëhershëm shqiptar Peshkop Noli romanin “Don Kishoti”, duke lënë një mesazh të gjallë, edhe për sot e gjatë zvarritjes sonë për të arritur atë që pat ëndërruar prej kohësh Ai. Kjo na duhet jo vetëm kur arsyetojmë për të kaluarën tonë, por edhe për të sotmen e të ardhmen tonë. Një shkollë, që s’ka për t’u vjetruar kurrë, ka për të qenë stili grotesk i Fan Nolit për gjithë talentet, që do të punojnë në arrën e letrave shqipe; abece-në e stilit grotesk do ta mësojnë nëpërmjet kësaj enciklopedie të groteskut. “Don Kishotin e duam se në fytyrën e tij bëhet qesharak e grotesk kllasi i urryer i bejlurçinave, se Don Kishoti është tallja më e bukur që godet në tërë botën kundër reaksionarëve mendjengushtë, që nuk shohin realitetin dhe që duan ta kthejnë rrotën e historisë prapa, shkurt, e duam Don Kishotin se na bën të qeshim në kurriz të bejlurçinave. Don Kishotin e kini kudo”, na paralajmëron Fan Noli gjenial.

Më Shumë

Koha për spektakël në gjysmëfinale

Në fundjavë fillojnë ndeshjet gjysmëfinale të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë, ku pritet një spektakël i basketbollit. Në gjysmëfinale do të ndeshen katër skuadrat që...

Interi, kampion i Italisë — ylli i dytë vjen me fitoren në derbi

Interi është zyrtarisht kampioni i Italisë në futboll për sezonin 2023-2024. Zikaltërit, ashtu siç edhe e kishin paralajmëruar dhe ëndërruar më herët arritën të sigurojnë...

Lajmet e Fundit