6.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Besa e Pashtrikut paska qenë gënjeshtër

Besim Muhadri

Në vitin 2011 pata filluar një projekt për të shkruar një libër për aktivitetin e Fondit “Vendlindja thërret” në SHBA, që ishte iniciativë e zotit Shefki Mexhuani, njërit nga themeluesit e këtij fondi, përkatësisht drejtor ekzekutiv i këtij Fondi, por që për shkaqe kohe dhe të tjera ende nuk është finalizuar ende. Në verën e atij viti (2011) pata bërë disa intervista me themelues dhe aktivistë të këtij fondi, por edhe me ushtarë të batalionit “Atllantiku” në mënyrë që të kompletoja librin, i cili është ende në proces të shkrimit. Në mesin e atyre që pata intervistuar në atë kohë, kishte edhe ushtarë të cilët sot jetojnë në Nju Jork dhe shtete të tjerë të SHBA-së, mirëpo edhe me ushtarë të këtij batalioni të cilët sot jetojnë qoftë në Kosovë, apo në vise të tjera ku jetojnë shqiptarët. Në mesin e atyre që kisha intervistuar (kuptohet përmes postës elektronike) ishte edhe Fatmir Fejzullahu – Mjaku, një intervistë që në atë kohë më pat lënë përshtypje dhe e pata fiksuar si të tillë. Unë nuk e njihja Fatmirin, mirëpo për realizimin e disa intervistave e para autorizuar Adrian Grajçevcin, i njohur me nofkën “Gjyshi”, i cili jeton dhe vepron në Nju Jork, ndërsa gjatë kohës së luftës në Kosovë kishte qenë pjesë e Batalionit “Atlantiku” dhe pjesë e komandës së batalionit. Adrianit ia pata dhënë pyetësorin, të cilin e pat shpërndarë tek ushtarët e Batalionit.

Meqë ka kohë që nuk jam marrë me projektin për “Fondin Vendlindja thërret”, gjatë këtij muaj (janar 2016) ju ktheva për ta lexuar materialin e mbledhur dhe prapë u ndala tek intervista me ish ushtarin e Batalionit, Fatmir Fejzullahu – Mjaku. Dhe, duke menduar që të gjeja informacione më të thella në internet për këtë njeri, intervista me të cilin më kishte lënë për të kuptuar shumë gjëra, hasa në një lajm të dhimbshëm, që tregonte se ai kishte vdekur më 14 tetor 2015. Dhe ja çka shkruante, në mes tjerash, në këtë lajm të Klan Kosovës dhe të të gjitha portaleve shqip: “Ish-bashkëluftëtari i komandantit legjendar Adem Jashari, ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë. Përkundër se Mjaku pak njihet, me dëshirën e tij kjo, ai ishte edhe në mesin e 52 personave të parë që i mbaruan stërvitjet ushtarake në Shqipëri, bashkë me Adem Jasharin.

Më pas Mjaku ka shërbyer edhe në njësitin shqiptaro-amerikan Atlantiku, në Koshare.

Ushtarak, roker dhe njeri i shkencës, pas përfundimit të luftës Mjaku, jo si shumë të tjerë, nuk u bë pjesë e strukturave politike, por vazhdoi punën e tij si njeri i dijes, duke kontribuar në profesionin e tij – profesor.
Për babanë e dy fëmijëve, nuk u organizua kurrfarë ceremonie nga institucionet e Kosovës, për t’iu falënderuar për kontributin e madh dhënë për çlirimin e Kosovës”.

Pas leximit të këtij lajmi u preka shumë. Më erdhi shumë keq që nuk kisha arritur ta kontaktoja edhe pas kësaj interviste. Prandaj, për të përkujtuar punën dhe veprën e këtij luftëtari dhe intelektuali, po e botoj në tërësi intervistën të cilën e pata siguruar në verën e vitit 2011.
Në pyetjet e mia se kush ishte Fatmiri, cili ishte aktiviteti i tij dhe të tjera, ai më përgjigjej fillimisht kështu, sa për të dhënë një portret të shkurtër për veten: “Gazetarët e CBS News ma dhanë një kamerë profesionale gazetare të cilën ia dhash Florim Lajçit”.

Kush është Fatmir Fejzullahu, a mund të na jepni një letërnjoftim të shkurtër?

Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Quhem Fatmir Shukri Fejzulla (Mjaku). Kam lindur më 27. 08. 1954 në Shkup, ndërsa në SHBA kam shkuar më 1997. Kam jetuar në Manhattan, New York, ndërsa pas përfundimit të luftës kam vendosur të qëndroj në vendlindjen time në Shkup dhe t’i përkushtohem profesionit tim të mësuesit. Jetoj në Shkup (më shkruante atëherë Fatmir Fejzullahu- Mjaku, tash i ndjerë).

Kur jeni aktivizuar në Batalionin “Atlantiku”?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Më 1999.

Kur shkuat në Shqipëri me Batalionin?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Më duket aty nga fillimi i Prillit (kam harruar saktësisht se kur).

Keni një fotografi të ushtarit?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Vetëm po të kenë shokët e batalionit, se unë nuk kam pasur aparat apo kamera.

A ju kujtohen momentet e para të zbritjes në tokën shqiptare me rastin e shkuarjes me Batalionin “Atlantiku” nga SHBA-ja dhe cilat ishin përjetimet tuaja (përshkruani me pak fjalë ato përjetime?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Po, që nga aeroporti Rinas e deri në fund të qëndrimit në malin Pashtrik. Prej Rinasit ikëm për në Durrës, ku tek restoranti “Drenica”, aktivistët e logjistikës së UÇK-së na e shtruan një drekë. Menjëherë vluan gazetarët nga mbarë bota, ndër to edhe më prestigjiozet amerikane, angleze, franceze, spanjolle, turke dhe shumë të tjerë, të cilët nëpërmjet të pyetjeve të tyre, e regjistruan entuziazmin dhe vendosmërinë e fuqishme të vullnetarëve të Amerikës, për t’u dalë zot trojeve të tyre etnike. Meqë unë isha atë kohë zëvendëskomandant i admiralit, z. Skënder Doçi, veteran i Marinës shqiptare, me mbi 40 vjet shërbim, m’u afruan gazetarët e CBS News dhe ma dhanë një kamerë profesionale gazetare e m’u lutën që unë me vullnetarët të mbajmë një ditar vizual dhe sapo të kishim regjistruar ndonjë material përmbajtës në kohën kur do të futeshim në betejë ballë për ballë, t’ua dërgonim këto regjistrime nëpërmjet të ushtarëve, të cilët do ta kishin për detyrë me orar të na sjellin pajisje dhe ushqim. Unë e pranova kamaren dhe e autorizova Florim Lajçin të xhirojë, se e pashë që kjo punë i shkon për dore. Mirëpo, nga shkaku i mosnjohjes të së kaluarës time dhe nga injoranca primitive e disave nga logjistika e batalionit, të bartur me ide se unë mbase do të kisha qenë ndonjë spiun serbi, a ku e di unë çka, shprehën një pakënaqësi dhe nxitën midis shumë vullnetarëve dyshime dhe urrejtje ndaj meje. Këta nuk e dinin se unë kisha dosje të pasur atdhedashurie. Ata pse e njihnin njëri-tjetrin mendonin se vetëm ata po flijohen për Kosovë, e për mua nuk e dinin se sa zhavorr atdhedashurie ua kam shtruar deri sa ata të rriten, të bëhen synet, të piqen dhe t’i marrin pushkët dhe të luftojnë krah për krah me mua. Megjithatë në fund të luftës u joshën pikërisht edhe me dëshmitë e shumta nga ajo kamerë. Të tjerat ua rrëfejnë vullnetarët e tjerë./epoka e re/

Më Shumë

Pse e sulmoi Irani Izraelin?

Ben Blushi Sulmi i Iranit kundër Izraelit do të mbahet mend si një ngjarje në të cilën ai që sulmon ka më shumë frikë se...

Moti sot me temperatura deri në 30 gradë Celsius

Instituti Hidrometerologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të ketë mot kryesisht me diell. Sipas njoftimit të këtij instituti,...

Lajmet e Fundit