11.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Bota e Flonja Kodhelit

flonja-300x199Një artiste që po i vjen Shqipërisë, ndërsa Shqipëria i afrohet 20 vjet pas largimit…Si një histori dashurie e destinuar

Gjithçka nisi rastësisht. Po ndiqte një emision në një televizion shqiptar ku flitej për personazhet shqiptare në kinematografinë botërore, ku i ftuar ishte një mik i saj aktor, Arben Bajraktaraj.

Në studio me të ishin edhe Iris Elezi, skenaristja dhe regjisorja e filmit “Bota” dhe Sabina Kodra, producentja, të cilat folën për një projekt që e tërhoqi. Vendosa t’i shkruaja Irisit. Më pas, e lexova sinopsin e filmit në ëebsite-in e Berlinale Talent Campus ku ishte zgjedhur një në 10 skenaret më të mirë.

Kur lexova skenarin e filmit më vonë, ndjeva një nevojë urgjente për të qenë pjesë e tij, me çfarëdo roli, qoftë edhe një episodik. Dhe ftesën e Irisit për të marrë pjesë në audicione e kam pritur me shumë emocione.”- thotë Flonja Kodheli.

Nuk po niste vetëm një rrugëtim profesional duke vendosur rroba e fletë skenari në valixhe, por edhe një personal, bagazhet e të cilit, emocionet brenda Flonjës, ishin më lëmsh sesa çdo valixhe e rrëmujshme.

“Kisha dhjetë vjet pa ardhur në Shqipëri dhe nuk di t’i përshkruaj emocionet. Njihja shumë pak njerëz, Tirana ishte pothuajse e ndryshuar, të tjerët m’i vinin në dukje gjurmët që kishte lënë tek unë kjo kohë larg Shqipërisë… Janë ca emocione që i kam ende të freskëta e ndoshta vetëm pasi të largohem nga këtu do arrij t’i analizoj…”

Edhe herën e parë, Flonja, vajza e aktores dhe këngëtares Justina Aliaj dhe mjeshtrit të dekorit të Kinostudios, Pjerin Kodhelit, erdhi në Shqipëri 10 vjet pasi ishte larguar drejt Brukselit bashkë me familjen.

“Gjatë atyre viteve më dukej sikur kisha harruar diçka në Tiranë. Nuk e gjeja dot çfarë ishte. Vetëm kur hipa në avion dhe dëgjova pasagjerët të flisnin shqip, e kuptova. Nuk mund të them që kur vij këtu, me ndryshimet që gjej, ndihem si në shtëpi, por është si një dashuri pa kushte, një marrëdhënie e fortë emocionale që nuk e kërcënon asgjë.”

10 vjet më parë erdhi bashkë me një ekip belg për të realizuar një dokumentar, që nuk u realizua ndonjëherë, por me pretekstin e tij, Flonja zbuloi një pjesë të historisë së saj familjare, për të cilën vetëm kishte dëgjuar.

“Isha rritur duke dëgjuar të më thoshin sa artiste e talentuar ishte nana ime, por unë nuk e kuptoja çfarë donin të thoshin. Ajo këndonte në shtëpi gjithë kohës, por nuk e kisha parë asnjëherë në televizor ku shikonim artistet e tjera. Nana ishte një nga këngëtaret e penalizuara pas Festivalit të 11-të dhe këngët e saj nuk jepeshin më. Në shtëpinë tonë vinin shpesh artistë, por në ato raste, a më thoshin të ikja në dhomën tjetër ndërsa kur isha e pranishme thoshin vetëm që nana “nuk kishte pasur fat”. Vetë prindërit nuk flisnin për këtë gjë dhe unë e mora vesh çfarë kishte ndodhur, pasi ikëm.”

Kur erdhi në Tiranë, Flonja kërkoi në arkivat e RTSH-së festivalet ku kishte marrë pjesë Justina Aliaj dhe vetëm atëherë njohu artisten e skenës te mamaja e saj. “Kanë qenë ca ndjesi që nuk mund t’i përshkruaj.” Ca vjet më vonë, ishte radha e Flonjës t’u prezantonte prindërve një anë të panjohur artistike, atë të aktores, që kishte qenë gjithmonë, por tani po fitonte përmasa skenike.

Flonja në të vërtetë si profesion të parë ka pianon. Pasi studioi te “Kongresi i Përmetit” deri në vitin 1993, kur ata u larguan, vijoi për 6 vjet studimet në Conservatoir Royal de Musique de Mons dhe pastaj nisi të punonte si pianiste profesioniste dhe pedagoge pianoje. Gjatë këtyre viteve ama, tingujt e pianos shpesh shoqëroheshin me një zë të brendshëm që e thërriste drejt aktrimit.

“Fillova të shkoj në workshop-e që zhvilloheshin në Bruksel, ku interpretonim e mësonim si të silleshim para kamerave. Nuk u thosha gjë prindërve. E dija që nuk do u dukej ide e mirë”. Megjithatë marrëdhënia me kinemanë nuk mund të vazhdonte si e paligjshme, aq më tepër që Flonja nuk ishte duke tradhtuar muzikën me aktrimin. “Artistikisht asgjë nuk kishte ndryshuar. Unë kisha zhvilluar sensibilitetin me muzikën dhe duke aktruar desha vetëm t’i vija fjalët”.

Kështu, pas disa vitesh punë si pianiste profesioniste, vendosi të shkojë në Paris për një shkollë teatri! “Po ç’pate moj nan?” do i thoshte Justina. “E kuptoj shumë mirë ngurrimin e tyre. Në atë kohë unë kisha ndërtuar një rrugë të sigurt si pianiste dhe kjo zgjedhje dukej si një çmenduri adoleshentesh.”Shkolla e teatrit në Paris, nga ana tjetër, nuk ishte aspak e lehtë. Shumë gjëra duhet t’i mësonte nga e para, ndër të tjera duhej të shprehte gjendjet nëpërmjet trupit që deri në atë kohë, përballë pianos, ishte mësuar të qëndronte pjesërisht i palëvizshëm dhe pse muzika do vazhdonte të ishte, dhe në skenën e teatrit, një aleate. “Njëherë, një nga pedagogët më pyeti me çfarë isha marrë më parë dhe kur i tregova për muzikën, më tha që e kishte dalluar te puna ime shumë nuanca muzikore”.

Pas përfundimit të shkollës, Flonja ka punuar si asistente e profesores së saj për ndërtimin e mizanskenave, etapë e cila e ka ndihmuar shumë profesionalisht dhe ndërkohë ka realizuar rolet e saj në filma të ndryshëm, si ata të huaj “Otages”, “Mareke, Mareke”, “Hors le murs”, ku ka kompozuar edhe një pjesë të muzikës, apo “Amsterdam Express” që përfundoi para “Botës” edhe pse nisi si projekt pas tij.

“Gjatë kohës që isha në Tiranë për audicionet e filmit “Bota”, mësova edhe për një film të regjisorit Fatmir Koçi, “Amsterdam Express” dhe pas audicionit, regjisori më besoi rolin e Martës”.

Kështu projektet e saj në Shqipëri kanë ardhur zinxhir. Përveç këtyre dy filmave, është angazhuar edhe në teatër, si asistent/regjisore e dramës “Radio Iliria”, me skenar të Iris dhe Erand Sojlit, kolegu i saj në filmin “Bota”. Ishte pikërisht ai që i propozoi të bashkëpunonin, pas njohjes në sheshxhirim.

“Ky film më ka lënë gjurmë për shumë arsye. Një nga ato është njohja me aktorët shqiptar të brezit të ri Alban Ukaj, Erand Sojli, Rina Narazani, Amos Zaharia, Tristan Halilaj, Guljem Kotori dhe normalisht Fioralba Kryemadhi. Nga ana tjetër ka qenë privilegj të luaja me Luca Lionello-n, Artur Gorishtin, Guljem Radojën e Tinka Kurtin. Unë jam rritur me filmat e Tinkës dhe nuk më besohej që po interpretoja përballë saj. Përveç kënaqësisë profesionale, ky film më ktheu edhe ndjesinë e të qenit mbesë, që më kishte munguar. U miqësuam dhe me banorët e fshatit Adriatik, ku unë shkova një javë para fillimit të xhirimeve për t’u mësuar me atmosferën e izoluar dhe banorët na ndihmuan shumë.” Ndërsa këto ndodhën gjatë xhirimeve, tani “Bota” po i jep emocione të tjera si produkt i mëvetësishëm. Herën e parë, në të vërtetë, kur u ul përballë ekranit në Festivalin e Filmit në Çeki “Karlovy Vary”, ku “Bota” u vlerësua me çmim, nuk pa asgjë prej emocioneve. Vetëm në Tiranë, në premierën e “Millenium”-it arriti ta shijonte, ndërsa ndante me Artur Gorishtin emocionet e herës së tij të parë përballë filmit. “Në Çeki isha shumë e emocionuar për të parë rolin dhe si kisha interpretuar në shqip sepse kam gjithmonë shqetësimin mos më del ndonjë tingull i gjuhës franceze. Ndërsa në Tiranë, hyra me Artur Gorishtin në sallë, meqë ai nuk e kishte parë asnjëherë filmin e përfunduar dhe e rrethuar edhe me publikun tonë, u ndjeva shumë mirë, dhe pse sigurisht plot me emocione. Atë mbrëmje zbulova pjesë të panjohura për mua, skena të aktorëve të tjerë që nuk i kisha parë dhe vetëm atëherë e kam shijuar, ka qenë një përvojë e mrekullueshme…”.

Marrë nga revistaclass.al

Më Shumë

Plagoset një person afër Xhamisë në Dragash – Policia arreston të dyshuarin dhe jep detaje

Një person është plagosur në qendër të qytetit të Dragashit. Rasti ka ndodhur afër Xhamisë në këtë qytet të Kosovës. I dyshuari është identifikuar nga Policia...

Do festonin 23-vjetorin! Vanessa Bryant ndan një foto të rrallë me Koben, zbulon dhuratën e tij!

Kobe Bryant mund të ketë ndërruar jetë, por legjenda e NBA dhe Los Angeles Lakers vazhdon të jetë gjithmonë e pranishme në mendimet e...

Lajmet e Fundit