16.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Buja: I kemi licencuar 22,353 mësimdhënës

Buja ne BrukselMinistri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, po qëndron në vizitë zyrtare në Bruksel, ku sot ka marrë pjesë në takimin ministror i Ballkanit Perëndimor për Arsim dhe Trajnim.

Buja, gjatë fjalimit të tij, foli për të arriturat në fushën e arsimit, ku përmendi arsimin gjithëpërfshirës, hartimin e kurrikulës së re për arsimin parauniversitar, e cila është duke u pilotuar në 10 shkolla dhe nga viti i ardhshëm planifikohet pilotimi edhe në 124 shkolla tjera.

“Me qëllim të zbatimit të suksesshëm të kurrikulës ne kemi filluar programet e zhvillimit profesional për mësimdhënësit në shërbim dhe atyre në parashërbim, ku si hap fillestar kemi zhvilluar dokumentin e profilit të mësimdhënësit me kompetencat dhe shkathtësitë kyçe për implementimin e kurrikulës së re”, tha ministri Buja, ndërsa theksoi se sa i përket zhvillimit profesional të mësimdhënësve janë marrë një varg masash dhe janë përkrahur shumë programe, si dhe është aprovuar korniza ligjore që ka të bëjë me kushtet dhe standardet për licencim dhe gradim të mësimdhënësve, për akreditim të ofruesve të programeve të trajnimit në shërbim, për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve, etj.

“Kemi arritur një sërë rezultatesh në terren, respektivisht deri tani kemi licencuar 22,353 mësimdhënës, dhe me mbështetje të Komisionit Europian (IPA) kemi akredituar 143 programe për zhvillim të mësimdhënësve në shërbim, të cilat ofrohen nga organizata vendore dhe ndërkombëtare. Sistemi i vlerësimit të performancës aktualisht pilotohet në 40 shkolla dhe më tutje në vitin në vijim planifikojmë ta shtrijmë në 10 përqind të shkollave”, theksoi ministri Buja, ndërsa tha se MAShT po ashtu ka marrë një sërë veprimesh lidhur me zhvillimin profesional të mësimdhënësve edhe para shërbimit dhe në mes tjerash përmendi reformimin e Fakultetit të Edukimit.

Gjithashtu, Buja theksoi, së bashku me Universitetin e Prishtinës dhe me mbështetje të Komisionit Evropian jemi në përgatitje të hapjes së Institutit për Hulumtim dhe Zhvillim Profesional të Mësimdhënësve, i cili do të ketë fokus avancimin e programit të zhvillimit profesional para shërbimit, si dhe do të mund të ofrojë programe të ndryshme në shërbim.

Gjatë fjalimit të tij, ministri Buja u ndal edhe te sfidat e reformës në fushën e zhvillimit profesional të mësimdhënësve, të cilat përfshijnë edhe rekomandimet nga raporti për Kosovën, siç janë: Përgatitja e mësimdhënësve në nivelin e arsimit dhe aftësimit profesional, Themelimi i Institutit për Hulumtim dhe Zhvillim Profesional të Mësimdhënësve, Përgatitja e kuadrove akademike në Fakultetin e Edukimit për të fuqizuar komponentin e zhvillimit profesional të mësimdhënësve para shërbimit si në arsimin e përgjithshëm ashtu edhe në arsimin dhe aftësimin profesional.

Në drejtim të përmbushjes së këtyre rekomandimeve, Buja theksoi se MAShT tashmë ka filluar t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për zbatimin e tyre. Sa i përket rekomandimit të parë, ai tha se, MAShT ka hartuar programet studimore në Fakultetin e Edukimit, të cilat janë në proces të akreditimit, në mesin e të cilave, hyjnë edhe disa programe për arsim dhe aftësim profesional.

Ndërsa, sa i përket rekomandimit të dytë, ministri Buja tha se, MAShT në bashkëpunim me Komisionin Evropian ka përkrahur hartimin dhe aprovimin e planit strategjik për themelimin dhe funksionalizimin e Institutit për Hulumtim dhe Zhvillim Profesional të Mësimdhënësve.

Universiteti i Prishtinës, respektivisht Fakulteti i Edukimit, theksoi ministri Buja, në përmbushje të rekomandimit të tretë, ka filluar këtë bashkëpunimin me disa universitete evropiane, bashkëpunim ky i cili përkrahet nga Programi Tempus, që mbështet edhe angazhimin e stafit akademik nga universitetet partnere.

“Ne, gjithashtu jemi të gatshëm për ofrimin e praktikave të mira dhe ndarjen e përvojave tona me ju, në mënyrë që të avancojmë sistemet tona të arsimit dhe ekselencës në arsim’, tha në fund ministri Buja.

Gjatë dy ditëve të kësaj konference, do të diskutohet për mësimdhënien në shekullin 21, edukimin dhe trajnimin e mësimdhënësve në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perësndimor lidhur me AAP dhe tema të tjera me rëndësi për këtë sektor të arsimit.

Ndërsa ministrat e Arsimit, do të raportojnë edhe për progresin e dy viteve dhe do të paraqesin rekomandimet kombëtare.

Po ashtu, gjatë dy ditëve sa do të zgjasë konferenca, do të diskutohet edhe për aktivitetet që do të realizohen në të ardhmen në kuadër të Platformës. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

Koha për spektakël në gjysmëfinale

Në fundjavë fillojnë ndeshjet gjysmëfinale të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë, ku pritet një spektakël i basketbollit. Në gjysmëfinale do të ndeshen katër skuadrat që...

Universiteti “Ukshin Hoti” arrin marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Karamanoglu Mehmetbey nga Turqia

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Universiteti Karamano?lu Mehmetbey nga Turqia, sot kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi. Siç bëhet e ditur sipas njoftimit, marrëveshja është...

Lajmet e Fundit