18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Dashuria, si krijuese dhe ekuilibruese e jetës

2600Përderisa si mundësi e zgjidhjes së problemeve jetësore për të arritur deri te vetëdisiplina, si proces i pjekjes, në pjesën e parë të titulluar “Disiplina”, e ku janë shkoqitur katër teknika themelore: shtyrja e të kënaqurit, marrja e përgjegjësive, përkushtimi ndaj së vërtetës ose realitetit dhe balancimi; pjesa e dytë (“Dashuria”) e librit të psikologut dhe psikoterapeutit të njohur amerikan M. Scott Peck, “Rruga që rrallë ndiqet”, (e përktheu: Zenun Rexhepi), i kushtohet evolucionit shpirtëror, i cili arrihet përmes dashurisë së vërtetë si përvojë afatgjate e rritjes së personalitetit vetjak. Më konkretisht, përkitazi me këtë, autori mendon se dashuria është dëshira që veten ta zgjerojmë, për të ndihmuar zhvillimin për pjekurinë e zhvillimit tonë dhe të huaj shpirtëror. Por, kjo nuk mund të realizohet pa dashurinë ndaj vetes dhe pa dashurinë ndaj të tjerëve, sepse t’i duash njerëzit do të thotë ta duash veten, respektivisht nuk është e mundur t’i duam të tjerët nëse nuk e duam vetveten. Këtë koncepcion psikologjik M. Scott Peck e shpjegon nëpërmjet nocioneve të dëshirës, vullnetit dhe aksionit.

Duke e parë dashurinë si proces aktiv, si gjendje të përsosmërisë dhe të realizimit të vetvetes, psikologu dhe psikoterapeuti i përmendur preferon edhe rikuperimin e saj, sepse, do të thoshte ai, nuk mund të jemi burim i fuqisë, në qoftë se po atë fuqi nuk e ushqejmë vazhdimisht. Në vazhdën e evoluimit të përmendur (të dashurisë) do të mund të shtohej se bazë e bashkëshortësisë së shëndoshë, mbi të cilën do të kultivohej dashuria e vërtetë, do të ishte pranimi i individualitetit vetjak dhe i ndasive, apo thënë më mirë, dallimeve.

Identifikimi i njeriut me botën, ndërkaq bëhet sa më tepër që zhduken kufijtë e egos sonë, me ç’rast gjithnjë e më tepër e përjetojmë ekstazën e ngjashme me atë të dashurimit. Me këtë gjendje shpirtërore ndërlidhen përvoja seksuale e orgazma, kur për një çast njeriu harron kush është dhe e humb ndjenjën për kohën e hapësirën. Megjithëkëtë, dashuria është rezultat i lirisë së zgjedhjes: “Dy njerëz duhen atëherë kur janë të aftë të jetojnë njëri pa tjetrin, por kanë vendosur të jetojnë së bashku”, (fq. 89) dhe se bashkëshortësi të mirë mund të ketë vetëm midis dy njerëzve të fuqishëm dhe të pavarur, konstaton psikoterapeuti i shquar. Sipas tij, dashuria duhet të shfaqet përmes konfrontimit, njësoj, si edhe përmes miratimit të kujdesshëm. Ndërkaq, për ta mësuar dhe kuptuar shkallë-shkallshmërinë e lartimit të kësaj dashurie, ai shprehet: Duhet të mësohet se mosdhënia në momentin e duhur është më pozitive se dhënia në momentin e gabuar dhe se nxitja e pavarësisë është dashuri më e madhe se kujdesja për njerëzit, të cilët do të mund të kujdeseshin fare mirë për veten (nënvizimi im).

Ashtu sikur vlera që e krijon vlerën edhe dashuria e meriton dashurinë, ndërkaq rol parësor në këtë proces doemos kanë mënyra e dëgjimit dhe uniteti i folësit dhe i marrësit, sepse uniteti i atij që flet dhe i atij që dëgjon do të na rrisë neve dhe përherë do të rezultojë me më shumë dituri. Ndërkaq, dëgjimi i vërtetë dhe përqendrimi absolut në raport me individin tjetër, përherë janë manifestim i dashurisë. Meqë puna është dashuri, esenca e jo dashurisë është përtacia, prandaj “akti i dashurisë – begatimi i vetvetes – kërkon aksion kundër përtacisë, (punë), ose rezistencë të shkaktuar nga frika, (guxim)”, (fq. 120). Çmimi i investimit të energjisë janë dhembja dhe vuajtja, precizon në diskursin e tij analitik autori dhe më tej vazhdon: Nëse transformoheni dhe zhvilloheni në çfarëdo drejtimi, dhembja dhe gëzimi do të jenë dhurata për ju. Doemos duhet pasur të qartë se dashuria ndaj vetvetes siguron motiv për ndërrime të tilla të mëdha. Prandaj, “vetëm kur njeriu kërcen në individualitetin total, në pavarësinë psikologjike dhe individualitetin unik, ai është i lirë të ndjekë rrugët më të larta të rritjes shpirtërore dhe të shfaqë dashuri me dimensionet e saj më të gjera”, (fq. 129).

Tutje dijetari i këtij lëmi specifik, në kontekst të çështjes së dashurisë, në analizat e tij shqyrton rrezikun nga angazhimi, rrezikun nga ballafaqimi, për dashurinë si gjende e disiplinuar, sepse vetëdisiplina është dashuri e transformuar në aksion dhe se gjithkush që dashuron me të vërtetë sillet me vetëdisiplinë.

“Edhe pse vetë akti i zhvillimit të pjekurisë shpirtërore të tjetërkujt ndikon në zhvillimin e pjekurisë sonë, karakteristikë kryesore e dashurisë së vërtetë është ajo se përherë ndihmohet dhe ruhet diferenca midis vetes dhe tjetrit”, (fq. 150).

Përvoja, që sjell autori bashkë me artikulimin elokuent të dijes brilante për çështjen e përmendur, mundëson që lexuesi i përqendruar në këtë libër ta përjetojë kënaqësinë e tekstit, që mund të ilustrohet edhe me përfundimet sa interesante po aq edhe të rëndësishme për qeniet njerëzore, si në shembullin vijues: Shëndeti i individit varet nga shëndeti i shoqërisë; shëndeti i shoqërisë varet nga shëndeti i individëve dhe se, sa më shumë që e nxisim zhvillimin shpirtëror te të tjerët, ne zhvillohemi shpirtërisht.

Do të më pëlqente që këtë tekst ta përmbyllja me një poezi antologjike e me elemente fantastike; një poezi interesante për strukturën tekstore (poetike), për shpërfaqjen e dijes, sensibilitetit e mesazhit, në fokus të së cilës është dashuria (universale) si esencë e jetës. Autori

në libër nuk përmendet:
Fëmijët tuaj nuk janë fëmijët tuaj.
Ata janë djem dhe vajza të jetës që gjakon vetveten.
Ata arrijnë, por jo përmes jush.
Po edhe pse janë me ju, juve nuk ju përkasin.
Ofronju dashuri, po jo edhe mendimet tuaja,
sepse ata i kanë ato të vetat.
Mund t’i mbani në shtëpi trupat e tyre,
por jo edhe shpirtrat e tyre,
sepse ata banojnë në shtëpinë e së nesërmes,
në të cilën ju nuk mund të arrini as në ëndrra.
Mund të provoni të jeni si ata,
Por mos kërkoni që ata të jenë si ju,
Sepse jeta nuk ecën prapa, e as nuk rri në vend.
Ju jeni harqe prej të cilave fëmijët tuaj,
Si shigjeta të gjalla hidhen në ardhmëri.
Shenjëtari sheh shenjën në rrugicën e amshueshmërisë,
Dhe Ai juve ju lakon me Fuqinë e vet,
Me qëllim që shigjeta e tij të fluturojë shpejt dhe larg.
Lakimi juaj në dorën e shenjëtarit le të jetë gëzim,
Sepse, sado që ai e do shigjetën që fluturon,
Ai e do harkun që është stabil.
Me vargjet e kësaj poezie, Scott Peck në librin e tij, “Rruga që rrallë ndiqet”, në mënyrën më shembullore e ilustron koncepcionin filozofik të dashurisë, si gjendje shpirtërore dhe vetëdijen për të, si krijuese dhe ekuilibruese e jetës njerëzore/Ragip Sylaj,KultPlus.com

Më Shumë

Vdes në QKUK një infermiere nga Malisheva – e njëjta ishte shtatzënë

Një grua e moshës rreth 32 vjeçare, nga komuna e Malishevës, ka ndërruar jetë sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi që e...

Sonte hapet panairi i librit “Prizreni 2024”

Në Prizren sonte hapet panairi i librit “Prizreni 2024”. Në panairin e sivjetmë do të marrin pjesë shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut...

Lajmet e Fundit