18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Debllokada?

ShkelzenMaliqiShkruan: SHKËLZEN MALIQI

Kështu siç po synohet këto tri ditë me këmbëngulësi, se a është e drejta në anën e PDK-së, si fituese e zgjedhjeve, apo në anën e opozitës, si një faktor i bashkuar, që ta bëjë qeverinë, ne në të vërtetë po detyrohemi që të konsiderojmë vetëm një kompromis pothuajse ekskluzivisht inatçor të ambicieve lideriste të Ramush Haradinajt, Isa Mustafës, Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit dhe Albin Kurtit. Mendoj se Kosova nuk duhet të jetë peng i asnjërit prej tyre
Opozita ka drejtë që të krijojë qeverinë e re nëse mandatari i parë, Hashim Thaçi, nuk arrin ta mbledhë kuotën e nevojshme të votave në Kuvend, minimum 61, kurse Ramush Haradinaj, pas tij, arrin që të sigurojë 61 ose më shumë votues në Kuvend. Megjithatë, marrëveshja e krerëve të LDK, AAK dhe Nismës, në trajtën e saj aktuale, është vetëm pretenduese, sepse këto tri parti do t’i kenë 48 ulëse në Kuvend (LDK 31, AAK 11, Nisma 6), kështu që u duhen edhe 13 të tjera për bërë mazhorancën e re qeveritare.

Nga ana tjetër,po kështu është e qartë se Thaçi assesi nuk mund ta bëjë Qeverinë nëse Haradinaj, Mustafa dhe Limaj këmbëngulin në marrëveshjen e tyre.“Misionin e ri” i ka të sigurta vetëm 36 ulëse në Kuvend dhe nuk ekziston as mundësia teorike që t’i shtohen 24 ulëse tjera për ta bërë Thaçin me mazhorancë. Kjo do të thotë se edhe me përkrahjen e të gjitha subjekteve minoritare, që i kanë20 ulëse të garantuara, Misioni i ri do të arrinte kuotën prej 56 ulëseve. Kjo është më e lartë se ajo e koalicionit të treshës LDK-AAK-Nisma (48 ulëse), por e pamjaftueshme për mazhorancë qeveritare.

Faktori kyç i të gjitha llogaribërjeve për qeverinë e re, aktualisht është Lëvizja Vetëvendosje, e cila i ka 16 ulëse në Kuvend. Këto 16 vota e bëjnë diferencën vendimtare para se mandatarët e parashikuar, Thaçi dhe Haradinaj, të fillojnë konsultat për qeveri. Vetëvendosja është subjekti i cili me thirrjen e saj që votat e opozitës të bashkohen kundër Thaçit, hapi rrugën për marrëveshjen e tri partive që synojnë përmbysjen e Thaçit. Me Votat e VV si “Koalicioni i shpresës”, siç u quajt, do të arrinte kuotën prej 64 ulëseve, gjë që zgjidh të gjitha dilemat. Haradinaj pos kësaj, do të mund të ftonte në edhe partitë minoritare, për ta zvogëluar fuqinë e PDK-së mbi opozitën.

Kjo strategji e bllokimit të Thaçit, të cilit po i anulohet përparësia e të bërit i pari negociatat me partitë tjera, megjithatë nuk është pa probleme dhe sfida. Stabiliteti dhe cilësia e qeverisë së re nuk qëndron vetëm te numrat, por edhe në disa faktorë të tjerë. Dobësia e parë e kësaj formule është te varësia e madhe e kësaj qeverie përmbysëse nga Lëvizja Vetëvendosje. Është e vërtetë se Albin Kurti e ka përkrahur opsionin dhe i premton 16 votat mbështetës të kësaj partie qeverisë së Haradinajt, por VV nuk e sheh vetën si subjekt që merr edhe përgjegjësinë për të udhëhequr me vendin. VV heziton të futet në Qeveri, do ta përkrahte nga jashtë.

Për më shumë, VV i ka vënë disa kushte koalicionit anti-Hashim Thaçi, që Haradinajt si kryeministër do t’ia lidhin bukur shumë hapësirën manovruese në politikëbërje, duke i kthyer mbrapsht disa probleme që Qeveria e Thaçit, e përkrahur pothuajse pa rezerva nga Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj, praktikisht i ka lënë të zgjidhura, e që VV nuk i pëlqen. Kërkesa e parë është ajo e ndërprerjes së dialogut me Serbinë. Ky vendim nuk do të ishte thjesht një ndryshim sovran i kursit në raport me Serbinë dhe serbët, por edhe një ndryshim tejet sfidues në raportet me bashkësinë ndërkombëtare, para së gjithash me fuqitë e mëdha botërore që e kanë sponsorizuar pavarësinë e Kosovës dhe përmes dialogut përpiqen që të përshpejtojnë kyçjen e plotë të shtetit të Kosovës në familjen e shteteve sovrane.

Pasojat direkte të ndërprerjes të dialogut me Serbinë forcohen edhe me një kërkesë tjetër të VV, e cila Qeverisë Haradinaj ia parashtron detyrën që ta anulojë marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave serbe, që e ka garantuar qeveria e Thaçit, (gjithnjë e mbështetur nga Haradinaj dhe Mustafa!). Falë kësaj marrëveshjeje në zgjedhjet lokale dhe tani në këto nacionale, kemi pas një proces të qetë dhe të participimit në numrat e konsiderueshëm të serbëve në veri dhe gjetiu, si hap i rëndësishëm i integrimit të tyre në shtetin e Kosovës. Nëse ata do të preheshin në besë dhe nuk do t’u lejohej krijimi i asociacionit të komunave të tyre, është gati qind për qind e sigurt se do të kthehen situatat e konfliktualitetit të mëhershëm dhe një krizë e re, sidomos në Veri.

A e duam këtë? Dhe a do ta kishte qeveria e re e Kosovës përkrahjen për një politikë të tillë anuluese të dialogut nga fuqitë aleate?

Një kërkesë tjetër kushtëzuese për qeverinë e Haradinajt është ajo e ndërprerjes së procesit të privatizimit të firmave të mëdha si Trepça, PTK-ja etj., që është pjesë e programit të VV, por jo edhe e Haradinajt dhe Mustafës.

Sidoqoftë, përkrahja e premtuar me kushtëzime e Vetëvendosjes nuk është lajm i mirë për aspiratën e Haradinajt që të bëhet kryeministër i fuqishëm. Edhe nëse në fazën e konsultave dhe të votimit të koalicionit qeverisës Haradinaj do të kishte përkrahjen e VV, ai më vonë mund të mos e kishte komoditetin e udhëheqjes së politikave të pavarura, por do të duhej të konsultohej dhe t’i nënshtrohej vazhdimisht ideve dhe interesave të Albin Kurtit, për të mos rrezikuar rrëzimin e Qeverisë së tij. Sa stabile do të ishte qeveria Haradinajnë rrethanat e tilla?

Kuptohet, Haradinaj do të preferonte që Vetëvendosjen ta ketë si pjesë të Qeverisë me të gjitha përgjegjësitë e realizimit të një programi të përbashkët. Por, a ka gjasa që të hartohet një program i harmonizuar, kur dihet se sa larg janë qëllimet e Albin Kurti, nga njëra anë, nga ato të liderëve të koalicionit anti-Thaçi, nga ana tjetër.

Por, ekziston mundësia që Albin Kurti të heqë dorë nga kushtëzimet e Qeverisë Haradinaj, duke ndryshuar ose suspenduar përkohësisht, pjesët më të rëndësishme të programit të VV. A është reale që të pritet kjo? Vështirë se po. Dhe edhe nëse do të ndodhte, nuk do të kalonte pa debate dhe çarje brenda vetë këtij subjekti, sepse krahu besnik i idealeve themeltare të Vetëvendosjes do të ndiheshin të tradhtuar…

Një moment tjetër që mund të ndikojë shumë në zgjidhjen e enigmës se çfarë qeveria do ta ketë Kosova pas disa javësh, ose edhe muajsh, duhet kërkuar tek interesat dhe reagimet e faktorit ndërkombëtar. Fillimisht, reagimet e Uashingtonit dhe Brukselit nuk e kanë dramatizuar aspak procesin. Deklaruan qetë se po presin që vetë kosovarët të gjejnë zgjidhjet demokratike.

Është e vërtetë se procesi i ka procedurat e përcaktuara kushtetuese, të cilat duhet respektuar. Të gjitha partitë që kanë kapacitete qeveribërëse duhet të reflektojnë përparësitë dhe mangësitë e kësaj apo asaj formule për krijimin e qeverisë me qëllimin që ajo të jetë sa më stabile dhe më premtuese për ardhmërinë e Kosovës. Te kjo, nuk është se ndërkombëtarët bëjnë dallimin e prerë se cilët liderë të partive janë të pastër dhe demokratë të vërtetë dhe cilët kanë njolla të pafalshme të korrupsionit dhe krimit. Atyre u interesojnë pragmatikisht kapacitetet shtetndërtuese dhe avancimi i demokracisë si dhe garantimi i bashkëpunimit për realizimin e objektivave që çojnë drejt stabilitetit dhe sigurisë më të madhe në rajon.

Nëse Vetëvendosja ende e pareformuar do të bëhej faktor udhëheqës dhe determinues të politikave të Qeverisë së re, vështirë se Kosova do të kishte përkrahjen që e ka pas dhe ende e ka nga SHBA-të dhe BE-ja.

Partitë që po rreshtohen në një konfigurim të bllokadës, duhet edhe një herë të reflektojnë – deri sa ende nuk janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve, – mundësitë alternative të përfundimit të procesit zgjedhor.

Ekzistojnë edhe opsionet tjera që çojnë drejt krijimit të qeverive më pak problematike dhe më stabile.

Kështu siç po synohet këto tre ditë me këmbëngulësi, se a është e drejta në anën e PDK-së, si fituese e zgjedhjeve, apo në anën e opozitës, si një faktor i bashkuar, që ta bëjë qeverinë, ne në të vërtetë po detyrohemi që të konsiderojmë vetëm një kompromis pothuajse ekskluzivisht inatçor të ambicieve lideriste të Ramush Haradinajt, Isa Mustafës, Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit dhe Albin Kurtit. Mendoj se Kosova nuk duhet të jetë peng i asnjërit prej tyre./express/

Më Shumë

Lajmet e Fundit