Autori: Nazmi Berisha
Me një gjuhë dhe stil të ndryshim vetëm nga forma, por jo edhe nga përmbajtja, presidenti serb ka inicuar thirrjen e tij për dialog ndërserb për definimin përfundimtar të qështjes së Kosovës.
Një inkursion mediatik edhepse i drejtohet opinionit serb, jehonën ia drejton opinionit ndërkombëtar, tashmë ku ai është akomoduar si një udhëheqës pragmatik , i pashmangshëm për ruajtjën e stabilitetit ballkanik, si bashkëbisedues dhe bashkëvendosës.
Pavarësisht që ideja e Vucicit në shikim të parë jep përshtypjen si një përpjekje e daljes nga konflikti i ngrirë me një ridefinim të raporteve serbo shqiptare, për vrojtuesit e vëmendshëm të politikës serbe thirrja e Vucicit nuk është tjetër veqëse një ripaketim serb i aspiratave të vjetra serbe që nga koha e Milloshevicit i cili e shihte zgjidhjen ne formimin e dhomës së kombeve në Parlamentin e Kosovës, për të kaluar tek ideja e Boris Tadicit mbi “sovranitetin e ndarë”. “Ne nuk përzihemi në qështjet e shqiptarëve, por as ata në qështjet tona”, ide e materializuar më vonë me Planin e Ahtisarit, deri te idetë permanente të Vucicit “atë që kemi humbur nuk mund ta rikthejmë, por edhe atë që posedojmë nuk e japim”, duke e ilustruar me kushtetutën serbe që nuk mund të zbatohet në Shtime, por as ajo e Kosovës në Leposavic.
Hedhja në ajër e balonëve të paqes nuk aspiron vetëm pastrimin biografik të Vucicit nga e kaluara ultra nacionaliste, ajo për më tepër synon konzervimin e situatës aktuale në terren me implememtimin e asociacionit serb, për të krijuar një bazë për avancimin e mëtejshëm të tij, në lojën e tij mes lindjes dhe perëndimit, ku përfundimisht para hyrjes në BE ai do bëjë ndarjen përfundimtare nga lindja por jo pa një kundërshpërblim në Kosovë për të zbutur kundërshtitë e nacionalistëve në shtetin serb.
Ndërsa në Serbi opnioni serb lektyrën e Vucicit e lexojnë sipas interesave të tyre politike, duke e parë si përpjekje për të ndarë përgjegjësinë (Branislav Lecic, Partia demokratike), si manipulim nga Dushan Janjic, deri si budallëk nga Shesheli, apo përpjekje për legjitimimin e pavarësisë së Kosovës nga Lëvizja Dveri.
Nga institucionet e Kosovës si rëndom heshtin duke pritur reagimin ndërkombëtar për ta përshëndetur më pas burrërisht. Një përshëndetje të ngrohtë ka marrë nga kryeministri shqiptar Edi Rama, duke e parë atë si dritëdalje nga tuneli i errët. Ishte kjo vetëm një “batutë” që opinioni shqiptar si rëndom sipas Edi Ramës nuk ka ditur ta lexojë, apo vetëm një kalkulim politik, që synon fitimin e përkrahjes ndërkombëtare për qeverinë e re në pritje, mbetet ta mësojmë më vonë,
Për shqiptarët nxjerrja e kokës të “strucit” serb nga rëra nuk mund të shihet veq si një përpjekje serbe për në dritëdalje duke na lënë ne në errësirën e përjetshme të tunelit.