10.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

E errëta e piktorit Tahir Emra

piktoriRrugëtimi i artit të pikturës në Kosovë nga një prej emrave më të njohur të tij, Tahir Emrës. Në 75-vjetorin e artistit, Akademia e Shkencave të Kosovës boton një monografi të hartuar nga piktori Kujtim Buza, ndërsa gazeta “Shqip” sjell një vështrim.Gruaja e ulur në kolltuk ka veshur një fustan të gjatë të zi, ndërsa vështrimin e ka humbur tej. Dhoma në të cilën ajo ndodhet është krejtësisht e errët dhe është vetëm drita që vjen përtej dritares ajo që dallon siluetën e saj në dhomë. “Në kolltuk”, kështu e ka titulluar Tahir Emra tablonë e realizuar më vitin 1965. Në Kosovën e pritjeve të gjata, piktori i ri në atë kohë dashuron të errëtën. Fytyra e pritjes duket dhe në portretin e një modeleje që ai ka vizatuar në vitin 1958. Në vitin 1972, “Sharraxhiu” në pikturën e tij nuk mund t’i ketë ngjyrë tjetër rrobat, përveçse të zeza. Kjo është ngjyra që Emra ka zgjedhur për të shprehur shtypjen dhe persekutimin e gjatë që i bëhet intelektualëve në një vend, i cili ende nuk ia zgjedhur raportet me historinë. Kur në vitet 1960 ai udhëtoi drejt Beogradit për të studiuar për pikturë, i kërkonte me ngulm ngjyrat në tablotë e tij. Imazhet e femrave që kërkonte të hidhte në tablo nuk mund të ishin të lumtur. As personazhet që ai zgjidhte për t’i sjellë në portret në atelienë e studentëve. Kosova ishte gjithnjë brenda tij, dhe merrte formë në ngjyrat që ai hidhte në telajo. Profesori i njohur i artit serb Nedelko Gvozdenovi, do të shihte tek pikturat e të riut shqiptar mendimin. Një pikturë nuk mund të jetë e bukur nëse nuk ka mendim. Raportin mes ngjyrave dhe vetvetes është një raport gati-gati intim, që gjen zbërthim vetëm në telajo. Por pas kthimit në Kosovë në vitin 1967, kur nisi punë si profesor në Katedrën e Arteve Figurative në Prishtinë, duke u bërë ndër të parët ligjërues të shkollës së pikturës, ai përpiqej të deshifronte gjithçka tek studentët. Atë kohë në Katedër jepnin mësim prof. Muslim Mulliqi, prof. Gjelosh Gjokaj, prof. Svetomir Arsiq dhe prof. Hilmija Qatoviq.

Tahir Emra ishte shqiptari i tretë i “Treshes së artë” siç quhej atëherë, e cila nxori kuadra të para, dhe e cila zhvilloi dhe afirmoi artet figurative të Kosovës në përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare. Më 1974, zgjidhet Docent për vizatim dhe pikturë në Akademinë e porsathemeluar të Arteve Figurative të Universitetit të Prishtinës. Ka qenë docenti dhe prodekani i parë shqiptar i Akademisë së Arteve Figurative, pastaj shef katedre në dy mandate etj. Emra i përket atij brezi artistësh, emri i të cilit lidhet ngushtë me historinë e pikturës në Kosovë. Vetëm pak kohë më parë Akademia e Shkencave të Kosovës, prezantoi monografinë kushtuar jetës së tij nga piktori i njohur Kujtim Buza, me rastin e 75-vjetorit të lindjes së Tahir Emrës. Përtej aktiviteteve që kjo akademi mbajti, ajo çfarë mbetet është kjo monografi, e cila të shpalos fletë pas flete jetën e një pasionanti të madh të artit, dhe një njeriu që diti të shihte përmes së zezës. “Në Kosovë shkonim si mësues dhe ktheheshim si nxënës. Nxënës të mësimit patriotik, por edhe kulturor e profesional. Mbanim ligjërata për traditat e artit tonë kombëtar, hapnim ekspozita dhe zhvilloheshin tubime edhe pse mbi kokë rëndonte mugëtira e pushtimit në njërin krah dhe kallëpet standarde burokratike në anën tjetër. Takoheshim me intelektualë të shquar të të gjitha fushave: të shkencës, të letërsisë, të artit, akademikë dhe profesorë, artistë dhe pedagogë të kualifikuar dhe me eksperiencë. Tahir Emra renditej në mesin e tyre. E njoha qysh në vitin 1972 me rastin e hapjes së të parës ekspozitë të artit që vinte nga Tirana në Prishtinë. Burrë fisnik, piktor i veçantë dhe një ndër themeluesit e shkollës së lartë të arteve figurative. Bisedonte lirshëm pa marrë parasysh rrethanat e asaj kohe. Ai dhe të tjerë kanë luajtur rol të rëndësishëm në emancipimin e shoqërisë kosovare si dhe afrimin ndërmjet dy pjesëve të trungut të ndarë padrejtësisht. Miqësia ndërmjet nesh, sikundër thotë edhe Tahiri “mbeti e përhershme, e përjetshme”, kujton Buza. Me vështrimin e një artisti që e njeh mirë pikturën, ai bën një rrugëtim në artin e Emrës, që në vizatimet e tij të para me laps e thëngjill (1955-1959) kur ishte nxënës i shkollës së artit në Pejë.

“Duke marrë lëndën nga kontaktet direkte, nga ngjarjet përreth, përmes emocionesh figurative ai risillte në jetë gjithçka që seleksiononte dhe e intrigonte me formën, lëvizjen, shkapërdredhjen groteske që veç talentit dhe virtuozitetit plot fantazi shprehte pjesë nga biografia e tij”, thotë Buza. Ndërtimi grafik me pikturat bardhezi përbën themelin e pikturës së Tahir Emrës. Zhvillimet në Kosovë kanë qenë pjesë e pashmangshme e artit të tij. Vizatimi në letër “Fortuna” mbledh kruspull një figurë që mezi përcaktohet dhe duket sikur fundoset në atë blozë, në mëshirën e fatit. Vizat e lakuara mbi një të bardhë që xhiron në hapësira të paditura ngrihet mbi “gropën e errët” si një shtëllungë rrotulluese tornadoje. Të njëjtin emocion të krijon dhe vizatimi “Pa titull”. Por dy vizatimet “Masakra I”, “Masakra II” nuk janë më një peizazh sado fantastik dhe i trazuar qoftë ai, por dy punime me përmasa humane të cilat e ngrenë artistin në piedestalin e një mjeshtri me nivel profesional, e që me virtuozitetin e tij, konturon, pikturon me të errëta, thekson në penelin e tij atë çfarë pa e përjetoi në ato ditë tragjike. Tahir Emra në pikturat e tij është i ndjeshëm, por dhe i pamëshirshëm ndaj dhunës dhe mizorisë. Por ai nuk është aq i butë dhe lirik, kur ia dikton motivi dhe gjendja e tij shpirtërore, shpërthen në vizatime tragjike dhe shumë prekëse. Ai ka forcë të kalojë nga butësia e mështeknave në humnerat e peizazheve plot stuhi, plot eleganca figurash që pozojnë në britma, thirrje e vaje. Seria e vizatimeve të Tahir Emrës përbën një opus të veçantë në krijimtarinë e tij e përmbledhur me kujdes do kishte përmasat e një cikli me vlera në vazhdë të traditës me “kapriço” të mjeshtërve të njohur. Në vitet 1964-1965 ai solli në pikturë silueta dyqanesh me pak dritë të përthyer, të përhime si afreske.

Pas viteve ‘80 ai kalon në një pikturë mbështetur në natyrë, interpretuar me një lojë ngjyrash të papritura. Në vazhdën e këtyre peizazheve qëndrojnë edhe “Natyrat e qeta” konceptuar në sfonde të qarta apo me ngjyra të mbyllura që lëvizin dhe ndërthuren me intonacione shumë të pëlqyeshme. Interesante është dhe cikli i pikturave të tij “Rekuiem për të zhdukurit” (2001) ku re të errëta mbulojnë të vërtetën. Ai pikturon mjegullën mashtruese që ende mashtron. Lufta ka lënë gjurmë tek artisti, i cili ditët më të vështira të saj i kaloi në atelienë e tij, në mbrojtje të veprës dhe vazhdimin më tej të procesit krijues. Sensi i ngjyrës së piktorit Emra i kontribuon bukurisë së imazheve të tij. Kjo është diçka që nuk mund të mësohet. Është diçka e lindur dhe ka të bëjë me klimën dhe traditat folklorike të Kosovës. Çdo njeri duhet të fillojë nga diku, thoshte Pikaso. Emra fillon prej botës ku është rritur dhe mundohet të na tregojë gjërat që i ka përjetuar dhe i ka parë.

Më Shumë

Lajmet e Fundit