9.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Artan Shabani: Njohja ime me Edi Ramën, që në Institutin e Arteve

75376I qetë, i qeshur, plot energji dhe ide të pafundme! Ky është Artan Shabani, piktor nga profesioni, e prej pak ditësh në krye të Galerisë Kombëtare të Arteve. Ana profesionale le të mbetet tagër i kritikëve, pyetja që shtrohet sot për të është: a do të dijë ta menaxhojë ai Galerinë Kombëtare? Idetë nuk i mungojë. Tashmë, ai i ka hedhur ca prej tyre në letër. Një Galeri Kombëtare që merr shembull “Moma Museum” në New York ose si “Pompidu” e Parisit, ky është synim i tij. Në intervistën e vet për “Gazeta Shqiptare”, Shabani tregon punët e para që dëshiron të bëjë dhe rrugëtimin nga fëmijëria drejt detyrës së tanishme.

Keni marrë detyrën në krye të Galerisë Kombëtare prej pak ditësh. Çfarë mendoni se mund të ndryshoni në këtë institucion?
Si çdo strukturë e kulturës, mendoj se është e domosdoshme të shihet mënyra se si duhet rivitalizuar, për t’i dhënë oksigjen të freskët e të ri, në mënyrë që të shtohet në maksimum prania e artdashësit shqiptar dhe atij të huaj, siç janë turistët.

Si mund ta bëni këtë?
Duke kuruar në mënyrë të veçantë marketingun muzeal, duke njohur pikat e forta e të dobëta të galerisë, duke njohur e testuar publikun dhe kërkesat e tyre: çfarë duan ata që të ndryshojë këtu, çfarë duan të shohin të re, ndryshe nga ajo që kanë parë deri tani.
Galeria ka disa fonde me vepra të mbledhura këtu ndër vite.

A është menduar që këto fonde të risillen para artdashësve për ata që nuk e njohin atë art dhe autorët që s’janë më?
Është një ndër pikat kyçe të këndvështrimit tim, mënyra se si veprat e fondeve të galerisë (me mijëra) të jenë të pasqyruara për artdashësin. Veprat janë bërë që të shihen, të jenë të prekshme. Në mënyrë graduale, sepse nuk mund t’i nxjerrim të gjitha në bllok, pasi nuk ka hapësira, fondet do të nxirren nga aty ku janë. Jo të gjitha janë në gjendje të mirë, megjithatë publiku nuk do të përballet me ajër misteri mbi artin e vet. Ato vepra që janë të restauruara, do të jenë të ekspozuara dhe pse jo, një pjesë e tyre mund të shëtisë në muzeume botërore, mund të krijohen binjakëzime mes Galerisë Kombëtare dhe muzeumeve serioze. Këto do të bëhen me konsultime të vazhdueshme me Ministrinë e Kulturës.
Ju keni një eksperiencë të madhe ekspozimi në disa galeri e muze të rëndësishme të kulturës në Europë.

Cilin prej tyre do të merrni si shembull për Galerinë Kombëtare?
Ne si institucion do të kemi si model tonin disa prej tyre. Me modesti e përulje, këtë punë që kemi filluar do ta çojmë deri në fund. Puna kërkon pasion, dashuri e seriozitet, por kërkon që edhe të jesh i azhornuar me çfarë ndodh me skenarin botëror të artit që të jemi në të njëjtat përmasa. Do të aplikojmë eksperiencën e mbledhur ndër vite, duke pasur si shembuj: “Moma Museum” në New York, qendrën “Pompidu” në Paris, galerinë e artit modern në Torino, kështjellën e Rivolit, muzeumet e Venecias, apo ngjarjet e kulturës në Pragë.

Kur u prezantuat, kryeministri Rama premtoi reformë rrënjësore në art. Sa do iu ndihmojë ai juve, meqenëse vini nga e njëjta ‘familje’ e artit?
Më lejoni që ta falenderoj kryeministrin për vitalitetin që ai ka, për vëmendjen, për vizionin që ka zoti Rama kundrejt të gjitha strukturave të shoqërisë shqiptare. Ai vjen nga kultura dhe kjo është e dukshme, por jo nga shqiptarët. Është një model ndërkombëtar, pasi Edi Rama di të shikojë përtej dhe kjo është ndjeshmëria e një njeriu me përmasa europiane, përmasa qytetare dhe përmasa kulturore individuale. Brenda anatomisë së tij, Edi Rama ka një estetikë për sa i përket urbanizimit, peizazhit dhe asaj që stonon në natyrë; asaj që krijon kërcitje. Rama, për mendimin tim, është fat i madh dhe mbështetje. Kjo, jo vetëm shqiptarët dhe emigrantët që duan të kthehen në Shqipëri për të gjetur një situatë normale. Që të bësh një vend normal, është një punë që na përket të gjithëve ne. Është mbështetje morale e madhe, jo vetëm për kulturën, por edhe për institucionet, për t’i kthyer këtij vendi dinjitetin që meriton. Vendin e bëjnë njerëzit, transformimin jemi ne që mund ta shëmtojmë, kërcënojmë ose shpëtojmë.

Ju, prej sa kohësh e njihni kryeministrin Rama, që nga koha e Institutit së Arteve?
Kam vite që e njoh dhe ndjek metamorfozën e ndryshimit, ndiej figurën e politikanit artist, si rast unik dhe ndryshimet e dukshme në procesin e imazhit të vendit dhe elegancën e tij unike, kam bindjen dhe entuziazmin tim që kjo do perceptohet në shoqërinë shqiptare e cila e besoi totalisht, e votoi dhe përditë teston ndryshimin rrënjësor.

Sa ka ndryshuar Rama që nga koha e Akademisë e deri tani?
Në fakt këtë përgjigje e ka të qartë çdo shqiptar që ka jetuar në Shqipëri. Për mua që kam jetuar shumë vite – mbi 23 vjet jashtë Shqipërisë – e kam vizionin mbi këtë figurë me një respekt të veçantë, pasi e kam ndjekur në distancë, por e kam kuptuar shumë mirë vizionin e tij europian. Çdo njeri ka metamorfozën e vet që është produkt i eksperiencës së akumuluar dhe të jetuar. Unë, për herë të fundit e kam takuar kryeministrin gjatë prezantimit që m’u bë para pak ditësh. Isha shumë i emocionuar dhe kjo është shumë njerëzore. Në ato momente kryeministri Rama më ka dhënë besim dhe unë dua t’ia kthej 100-fish me përkushtimin tim ndaj detyrës që më është caktuar, është një përgjegjësi e madhe të cilën unë e përjetoj me shumë seriozitet.

Si ka qenë rrugëtimi i Artan Shabanit nga Akademia e Arteve deri më sot?
Po e nis që më herët, në fillore, ku unë mësoja violonçel e më vonë studiova për pikturë. Në vitet 1990 jam larguar nga Shqipëria për në Itali, ku jetova shumë kohë. Ka qenë një ikje normale, pa sens tragjik, kam ikur me pasaportë në një varkë në nëntor të vitit 1991. Ishte largim mëse normal në një kohë anormale. Kam qenë në Pulia si fillim, ku aplikova edhe talentin tim dhe pata ekspozitat e para. Më pas shkova në Trentino, në San Remo dhe më vonë u stacionova në Torino, që është kryeqytet i kulturës dhe i aristokracisë italiane
.
Kam jetuar edhe në Nicë, në jug të Francës, ku kam bërë rreth 40 ekspozita në pjesën e principatës së Montekarlos. Së fundmi atje ekspozova për 9 muaj “Imazhe të Shqipërisë”, ku portretizova figurën shqiptare. Kam ekspozuar edhe në Kanë, në Paris, Spanjë, Finlandë, Pragë, Athinë, Prishtinë, Stamboll, etj., etj. Në Bienalen e Pragës financova pavijonin shqiptar dhe kosovar, ku bëra bashkë për herë të parë artistët tanë. Nuk kërkova asgjë nga Shqipëria e Kosova, doja vetëm të bëja bashkë artistët kombëtarë. Një ndër projektet e para të GKA është një ekspozitë e artistëve historikë shqiptarë në galerinë e Prishtinës.

Cilat janë gjërat më të para që do bëni në GKA?
Çdo institucion kur shihet me sy të freskët vëren nevojën për të bërë diçka tjetër. Sigurisht, paraardhësi im ka bërë më të mirën e mundshme, por unë e shoh me një tjetër këndvështrim.

Do filloj nga pjesa e ndriçimit të jashtëm. Po punoj për të siguruar një sponsorizim nga një studio arkitekture italo-shqiptare për një ndriçim profesional që të shkëlqejë fasadën. Do rishihet struktura e galerisë dhe do të propozojmë një degë të marketingut muzeal, pasi kjo galeri ka shumë nevojë të gjenerojë ekonomi. Kjo duhet bërë që GKA të jetë autonome e të mos ketë nevojë që për çdo gjë të trokasë në dyer të tjera. Me një strategji të zgjuar, do të krijojmë mundësi për të thithur fonde nga donatorët, artistët e dashamirësit e artit. Duhen krijuar binjakëzime që galeria të bëhet e njohur edhe jashtë./bw/

Më Shumë

Promovohet libri “Fotografitë që pavdekësuan Prizrenin”

Libri " Fotografitë që pavdekësuan Prizrenin" i autorit Salajdin Krasniqi u promovua mbrëmë në Prizren . Libri është vlerësuar lartë. Redaktori Dr. Nexhat Çoçaj tha se...

Ambasada britanike në Beograd e informuar për arrestimin e Sadik Durakut

Ambasada e Britanisë së Madhe në Beograd është e informuar për arrestimin në Serbi të shtetasit të saj Sadik Duraku, me origjinë nga Kosova. Siç...

Lajmet e Fundit