5.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Fushatë pa risi, e njëjtë sikurse në vitin 2009

Afishet e partiveNjohësit e proceseve zgjedhore, Mazllum Baraliu dhe Blerim Burjani, kanë vlerësuar se fushata zgjedhore e partive politike për zgjedhjet e 3 nëntorit nuk ka ndonjë dallim esencial nga fushatat e kaluara elektorale.

Fillimi i fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit nga njohësit e proceseve zgjedhore është vlerësuar e qetë, tolerante dhe civilizuese. Por ajo çfarë i ka rënë në sy njohësit të proceseve zgjedhore, Mazllum Baraliut, është mungesa e risive të partive politike për zhvillimin e komunave. Ai ka thënë për “Epokën e re” se fushata e këtyre zgjedhjeve nuk dallon shumë nga ajo e vitit 2009. “Nuk jam duke e parë ndonjë defekt të cilin do ta veçoja. Por, ajo çfarë dua të them është se fushata zgjedhore për zgjedhjet e 3 nëntorit është vazhdimësi e fushatave nga zgjedhjet e kaluara. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh, përpos premtimeve të shumta të pastudiuara dhe analizuara mirë. Po shihet se partitë politike dhe kandidatët për kryetarë komunash nuk kanë ndonjë program të caktuar përpos premtimeve megalomane”, ka deklaruar Baraliu.

Në këtë kontekst, Baraliu është shfaqur kritik edhe ndaj mungesës së programeve bindëse të partive politike për komunat. Sipas tij, fushata zgjedhore është duke i ngjasuar më shumë mitingjeve politike sesa garave për alternativa qeverisëse komunale. “Këtyre ditëve nuk jam duke parë ndonjë program bindës nga partitë politike, i cili do t’i bindte qytetarët të votojnë këtë apo atë subjekt politik. Më shumë jam duke parë mitingje të pasura politike. Të gjithë duhet ta kenë të qartë se fushata zgjedhore nuk është vetëm miting politik, por respekt dhe ofertë konkrete për qytetarët. Partitë dhe kandidatët që garojnë për këto zgjedhje duhet të jenë më të përgatitur dhe më të përkushtuar gjatë paraqitjes para qytetarëve”, ka thënë Baraliu, duke shtuar se partitë politike dhe kandidatët e tyre për zgjedhjet lokale janë duke u sjellë në mënyrë civilizuese dhe demokratike. “Fushata do ta ketë intensitetin dhe do ta arrijë kulmin gjatë ditëve në vijim. Natyrisht kah fundi kjo fushatë do të intensifikohet. Me intensifikimin e saj do të ketë ndonjë fërkim në mes të partive politike në kuptimin verbal. Por, ajo çfarë mund të them është se në ditët e para fushata është shumë e qetë, tolerante dhe civilizuese. Me fjalë të tjera, fushata po duket dinjitoze, ashtu siç e parashohin rregullat. Uroj që kështu të jetë deri në fund!”, është shprehur Baraliu.

Burjani: Kandidatët për kryetarë të komunave, pa vizion

Edhe njohësi tjetër i proceseve zgjedhore, Blerim Burjani, e ka vlerësuar të qetë dhe tolerante fillimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. “Tani për tani është mirë, por me kalimin e kohës mund të ketë ashpërsim të fjalorit në mes të oponentëve politikë. Kodi i mirësjelljes është duke u respektuar nga të gjithë. Nuk po shohim ndonjë fyerje të madhe në mes të kandidatëve dhe partive politike. Pres që fushata të intensifikohet dhe ashpërsohet në dhjetëditëshin e fundit”, ka thënë Burjani.

Burjani ka thënë për “Epokën e re” se kandidatët për kryetarë komunash deri më tani nuk janë duke paraqitur ndonjë zhvillim të qartë se si duhet të zhvillohet komuna. “Jam duke u munduar të bëj dallime në mes të kësaj fushate dhe asaj të vitit 2009. Në këtë drejtim mund të them se fotografia është e njëjtë, nuk ka kurrfarë dallimi. Ajo çfarë vërehet në këtë fushatë është mungesa e vizionit të kandidatëve për kryetarë të komunave. Ata po shihet se nuk kanë kurrfarë vizoni se kah duhet të shkojë komuna në katër vjetët e ardhshëm. Niveli i edukimit të kandidatëve për kryetarë të komunave nuk është i duhur. Disa prej tyre pranojnë se nuk janë fare për atë punë”, ka deklaruar Burjani.

Ai ka thënë se është duke u krijuar përshtypja se kandidatët për kryetarë të komunave dinë vetëm ta shpenzojnë buxhetin e komunës, por assesi ta rrisin atë nëse vijnë në pushtet. “Kandidatët për kryetarë të komunave më shumë janë duke folur për shërbimet që duhet t’i ofrojë komuna sesa si duhet të zhvillohet komuna në aspektin ekonomik. Është duke u krijuar përshtypja se komuna funksionon vetëm për ofrimin e shërbimeve, jo për zhvillim ekonomik lokal. Po ashtu, çfarë të bie në sy këtyre ditëve është se kandidatët për kryetarë të komunave dinë se si duhet të shpenzohet buxheti i komunave, por jo edhe si të mbushet dhe rritet”, ka theksuar Bujani, duke shtuar se në këto zgjedhje më shumë janë duke premtuar liderët sesa kandidatët për kryetarë të komunash. “Nuk jam duke parë ndonjë premtim të madh, përpos asfaltimit të rrugëve. Asgjë konkrete nuk jam duke parë. Jam i interesuar të shoh premtime konkrete për zhvillimin ekonomik të komunave”, ka deklaruar Burjani.

Më Shumë

Ballkani fiton dhe e konsolidon pozitën e parë në tabelë

Ballkani e ka konsoliduar udhëheqjen e tabelës së Superligës së Kosovës në futboll, duke bërë dy pikë më shumë se sa Drita dhe pesë...

Lumbardhi dhe Kaderi shkojnë ta shohin Vedat Muriqin në stërvitje të Mallorcas

Çifti Lumbardh Salihu dhe Kader Kicaj prej disa ditësh ndodhen në Spanjë. Përveç kohës së mirë që po kalojnë së bashku, ata janë përfshirë edhe...

Lajmet e Fundit