11.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Gruaja arabe përmes rrëfimit të një princeshe

JeanSasson-Princesha“Perëndimorët janë magjepsur gjithnjë nga historitë e orientit, sidomos ato kalorsiake; poemat arabe, sheikët, shkretëtira dhe etja, kuajt arabë dhe gamilet, dhe oazet e brukëve”- ishte mënyra, se si Lorenci i Arabisë (Thomas Edward Lawrence, oficeri anglez që udhëhoqi revoltat arabe gjatë Luftës I Botërore), la të nënkuptohej, se sa romantik ishte në kohën e tij, perceptimi i perëndimit (por jo vetëm i Perëndimit) mbi botën arabe, dhe se sa pak e njihnin atë. Edhe sot, dimë pak, por rrallëkush mund të tregohet indiferent në sallat tranzite të aeroporteve ose qendrat tregtare, kur para nesh kalon një familje e stërmadhe arabësh, meshkujsh të veshur me sari-t elegantë, të ndjekur nga bashkëshortet e tyre të mbuluara e që kundërmojnë një aromë shumë të veçantë parfumi, dhe nga fëmijët e shumtë, frute të disa martesave njëra pas tjetrës. Megjithëse intriguese, është pak e vështirë në këndvështrimin tonë, të kuptojmë botën e tyre, poligaminë dhe se çfarë përbën thelbin e kësaj bashkëjetese? Një gjë është e sigurt: për t’i pranuar kulturat e tjera, duhet t’i njohësh ato më parë. Dhe një nga botimet i cili hap një dritare në marrëdhëniet brenda familjes arabe, është pikërisht libri “Princesha; një histori e vërtetë pas perçes” i autores amerikane Jean Sasson, botuar pak kohë më parë nga OMBRA GVG.

A është vërtet një bashkëjetesë?

Autorja pretendon se subjekti i romanit, bazohet mbi shënimet autobiografike të një princeshe saudite, pinjolle e familjes mbretërore e Al Saudëve, pasardhës të Abdul Aziz-it, për të cilin, nuk mungon adhurimi nga të dyja palët (nga protagonistja por edhe autorja). Sulltana, kështu quhet princesha, rrëfen historinë e saj që nga lindja deri në vitet ’90, në një familje tepër të pasur saudite. Që në vogëli, ajo ndjehet e fyer nga padrejtësia me të cilën trajtohen femrat në familje, ku lindja e pasardhësve meshkuj bëhet qëllimi kryesor në jetë, dhe si e tillë, edhe një makth i vërtetë për nënat, të cilat, përmes pjellës së tyre, sigurojnë pozicionin e tyre në familje, të vetmen mënyrë të mbijetesës. Sulltana, demoralizohet nga fati i motrës së saj më të madhe, të cilës i ati ia dha për grua të tretë, një burri të moshuar dhe abuzues fizikisht. Ndërkohë, prej njerëzve të pakët që hynin e dilnin në dhomat e grave, ajo mundi të dëgjonte histori të tmerrshme abuzimi dhe brutaliteti ndaj grave, kryesisht të miturave, dhe sidomos ndaj femrave të huaja të cilat punësoheshin për të shërbyer në pronat arabe. Zhgënjimi më i madh i Sulltanës, erdhi kur zbuloi se këto histori, ndodhnin në një farë mënyrë edhe brenda mureve të shtëpisë së saj, prej të atit e të vëllait, apo secilitdo mashkull, në duart e të cilit paraja dhe gjinia, kthehej në mjet arrogance. Ndryshe nga femrat tjera të familjes, Sulltana ishte e përgatitur për rezistencë; sjellja e saj problematike, shihej me frikë prej të tjerëve. Por, për çudi, ajo duket se i kishte “mprehur kthetrat” pa qenë nevoja, pasi ndryshe nga e motra, Sara, Sulltanën, fati e puqi me një djalë të ri e të shkolluar në Perëndim, Kerimin e pashëm dhe mendjehapur, të cilin ajo e dashuroi menjëherë. Sulltanës do t’i duhej kohë, të kuptonte, se realiteti në të vërtetë ishte ndryshe, dhe ajo nuk bënte më një përjashtim, deri kur ajo bën një hap shumë të rrezikshëm, të paimagjinueshëm, për të mos iu nënshtruar atij realiteti.

Megjithëse i shkruar thjesht, me një stil publicistik, i gjithë romani është shumë prekës, madje revoltues. Mund të them se duket si një version arab i “Sikur të isha djalë”, që analizon në mënyrë bindëse dramën psikologjike të femrave të cilat nuk kanë asnjë të drejtë zgjedhjeje, asnjë pushtet mbi fatin e tyre, diçka që as luksi marramendës (si në rastin e princeshës), nuk ua zëvendëson dot.

Kultura islame apo kultura arabe?

Siç e dimë, në Arabi, është ligji Islamik ose Sheriati, që kontrollon të gjithë aspektet e jetës së përditshme: politikën, ekonominë, biznesin, ligjin, marrëdhëniet gjinore dhe të gjitha marrëdhëniet sociale. Por në roman, gjejmë një adaptim hipokrit dhe të njëanshëm të Islamit, duke filluar nga përdorimi dhe tregtimi i paligjshëm i pijeve alkoolike, në përdorimin e dhunës ndaj njerëzve të pambrojtur, lidhjet jashtëmartesore, abuzimin seksual, nga ana e meshkujve, dhe sidomos në familjet në pushtet. Pra, ligji nuk ishte e njëjtë për të gjithë. Dhe këtu, fillon edhe ndarja e kulturës islame nga ajo arabe. Ka një moment, ku Sulltana shprehet se “është e padrejtë që për këtë pozitë të ulët që kanë gratë në shoqërinë tonë, t’i vihet faji fesë myslimane. Është e vërtetë që në Kuran, thuhet se gratë janë të dorës së dytë në krahasim me burrat, ashtu sikurse dhe Bibla autorizon burrat që të jenë udhëheqësit e grave, por profeti Muhamed ka predikuar vetëm butësi e drejtësi ndaj atyre të seksit tim. Meshkujt që erdhën pas profetit Muhamed, në vend që të ndiqnin shembullin e fjalët e tij, parapëlqyen të ndjekin zakonet dhe traditat e shekujve të errësirës. Profeti ka thënë: “Zoti e sjelltë në parajsë atë që lind vajzë po nuk e varros të gjallë, nuk e urren e nuk i do më shumë djemtë se vajzat.””

Dhe në një episod tjetër, situata bëhet groteske, gjatë një debati nëse kishte ardhur koha që gratë të ngisnin makinën (siç veprohej në Kuvajt), pasi në Kuran, (sipas meshkujve) nuk ka asnjë frazë që e mbështet këtë mundësi. Përshtatja e ligjit Islamik në kohët moderne, shfaqet si një sfidë, e cila gjithashtu kontrollet nga supremacia mashkullore.

Disa mënyra të leximit të librit

E ndodhur dëshmitare në një akt të tmerrshëm ndëshkimi, mbytjeje me gurë të një vajze 13 vjeçare, princeshës, infermierja angleze i kërkon të ndërhyjë për ta ndaluar këtë dhunë, duke përdorur pushtetin e saj, si e familjes mbretërore. Sulltana nuk mundet. Asnjë grua në Arabi nuk do të mundej, pavarësisht pozitës së saj. Por këto pozita pafuqie, siç del në roman, nganjëherë përjetësohen edhe nga vetë gratë, të cilat pa e kuptuar, kthehen në viktimizuese, në përcjellëse strikte të traditës, kur është fjala për të mbrojtur pozitat e tyre karshi meshkujve: bashkëshortëve dhe djemve. Një rast i tillë është vjehrra e Sulltanës, e cila e mënjanuar nga i shoqi për një grua më të re, kërkon të posedojë të birin, duke spekuluar pikërisht me të njëjtat metoda fanatike, të cilat, e shndërruan atë vetë, në një viktimë, madje e transformuan si njeri. Dhe, duhet shtuar edhe fakti, që edhe vetë Sulltana, zgjidhjen e gjen brenda statusit të saj social: arratisja e saj bashkë me fëmijët, më shumë se refuzim i plotë i realitetit, ishte më tepër një formë shantazhi, i cili nuk do të ishte i mundur, pa llogaritë e majme bankare në emër të saj dhe fëmijëve.

Por, familja që del si një nga pikat e dobëta të kulturës arabe në atë që konstatuam më lart, nga ana tjetër, shfaqet si një nga pikat e forta të saj. Familjet e mëdha me dy tri breza, mbrojtja dhe përgjegjësia e të cilave bie mbi meshkujt, respekti midis brezave, mospërfolja e problemeve të familjes në publik, bujaria, të para veçmas, krijojnë një lloj simpatie te lexuesi.

Dhe nga takimi me gratë beduine, autorja e librit, amerikane, kujton “keqardhjen” e tyre për të, si një grua që ishte e “detyruar” të endej nëpër botë , pa mbrojtjen dhe udhëheqjen e një burri: “Haram”- shfaqën ato keqardhje për amerikanen, duke i rënë krahëve. Autorja e interpreton këtë si një maskë për të fshehur keqardhjen e tyre për veten, por a është një interpretim i tillë, i njëjti për çdo grua në botë? Le të kujtojmë një nga tezat e post- feminizmit, sipas të cilës, pasi gratë garantuan një lloj barazie, ato tani po kërkojnë në mënyrë të vazhdueshme për një burrë, i cili t’i japë vlerë gjithçkaje. Pra, perceptimi është disi më i komplikuar mbi atë që një grua do të donte në kohën tonë.

A ka ekzistuar princesha?

Duke qenë për disa jave rresht numri 1 bestseller, në New York Times, ku libër ka provokuar mjaft interes, debate, por edhe përplasje ligjore. Autorja dhe botuesi, i janë nënshtruar një procesi ligjor mbi vërtetësinë e ditarit të princeshës, një gjyq, të cilin ata e fituan, dhe pas këtij libri, Sasson, “Princeshën” e vazhdoi në trilogji. Por, edhe nëse libri është i gjithë një fiksion, dhe princesha vetë një personazh i trilluar, të cilën autorja mund ta ketë zgjedhur për ta bërë më intime dhe të besueshme historinë, kjo gjë nuk e ul aspak vlerën e librit, pasi romani sugjeron një realitet të cilin autorja e njeh mirë, gjatë qëndrimit saj për vite me radhë, në Riad, ku shërbente me të shoqin në një spital dhe nga ku kishte mbante kontakte të vazhdueshme me vendasit.

Romani cilësohet si feminist, dhe padyshim që është i tillë. Por përtej feminizmit, lexuesi kërkon një shpjegim, një “pse”. Një sy i ftohtë, arrin të bëjë një analizë të rrethanave-social ekonomike, që favorizojnë një formë dominimi të një pale mbi tjetrën, të një shtrese mbi tjetrën, një gjinie mbi tjetrën, deri në shkallën absolute. Princesha ia jep vetë përgjigjen, në njëfarë mënyre, në një nga episodet e romanit, kur shkoi në Egjipt dhe u pikëllua nga varfëria e thellë rreth e rrotull, por që brenda kësaj dukurie, tek egjiptianët, ajo dalloi “energjinë jetësore”. “Qeveria jonë u ka krijuar mirëqenie të gjithë sauditëve. Si pasojë e kësaj, në vendin tim mungon në mënyrë absolute ajo shkëndijë jetësore, që gjenerohet nga dëshira për të përmirësuar gjendjen materiale. Është ky shkaku, që unë nuk kam shumë shpresa që faqet e historisë do të kthehen ndonjëherë në Arabinë Saudite./Mapoonline/

(Mbi librin “Princesha”, të Jean Sasson, botuar nga OMBRA GVG)

Më Shumë

Policia shqipton mbi një mijë e 300 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1351 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

“Pata bashkëbisedim të ngrohtë”, Abidixhiku viziton fshatin Bellanicë të Malishevës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, vizitoi fshatin Bellanicë të Malishevës, ku u prit në shtepinë e familjes Kafexholli. Në një postim...

Lajmet e Fundit