14.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Vetëvendosje! për Prizrenin, kundër dy doktorëve të krimit e të korrupsionit

vv ne qendren sportiveLëvizja Vetëvendosje! mbajti të shtunën tubimin e madh në Prizren. Kandidati për kryetar të Komunës, Arbër Rexhaj, tha se Prizreni, nga të bëmat e këtij pushtetit, ka reputacionin më të keq në tërë Republikën e Kosovës.

“Ne nuk duhet ta durojmë këtë gjendje. Ne duhet ta ndryshojmë atë, duke sjellë barazi për të gjithë qytetarët, zhvillim ekonomik e përkujdesje institucionale për grupe që kanë nevojë për mbështetje, mbështetje kjo që nuk po e gjejnë dot tek udhëheqja e korruptuar e Komunës”, tha Rexhaj.

Ai pasi shpalosi Alternativën Qeverisëse të Vetëvendosjes për këtë komunë, tha se qytetarët e Prizrenit në këto zgjedhje i kanë tri opsione. “Opsioni i parë – t’i zgjedhin ata që janë sot në pushtet, ata që komunën e kanë shndërruar në një mekanizëm privat, në shërbim të interesave të grupit të tyre të interesit, ata që i kanë dy zyra pune, një në komunë dhe tjetrën në sallën e gjyqit; Opsioni i dytë – t’i zgjedhin ata që ishin më herët në pushtet. Ata që janë shterur dhe nuk mund më të nxjerrin asgjë të re, andaj edhe e riciklojnë veten. Ata të cilët e filluan degradimin e fshatit turistik ‘Prevalla’, që hoqën kalldrëmin e Shatërvanit, duke i shitur një pjesë dhe tjetrën duke e hedhur si të palyer; Dhe opsioni i tretë – ta zgjedhin Alternativën e VV-së për Prizrenin që është zgjidhja për këtë Komunë, që do të bëjë ndryshime rrënjësore, që do t’ia kthejë dinjitetin këtij qyteti. Përmes kësaj alternative ne do t’ia kthejmë qeverisjen sovranit”.

Kandidatja për Kuvendin Komunal, Alisa Hasani, ndërkaq foli për problemet me të cilat ballafaqohen të rejat dhe të rinjtë e Prizrenit.

“Prizreni, që mëton të njihet si qendër e kulturës, ka nevojë ta kthej kulturën në jetë të përditshme, e jo në ngjarje që mbulohet për një javë, një herë në vit. Po ashtu, nga kjo kornizë e ngushtë kulturore, është përjashtuar fshati tërësisht. VETËVENDOSJE! synon hapjen e tri qendrave socio-kulturore në shërbim të fshatit. Prizreni, me këtë udhëheqje, në mungesë të alternativës dhe stimulimit të politikave rinore, i ka bërë të rejat dhe rinjtë të shpërngulën nga ky qytet, duke e bërë kështu Prizrenin qytet që ndonjëherë vizitohet, por nuk jetohet”, theksoi ajo.

I pranishëm në këtë tubim ishte edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

“Në Prizren u ngjiz kombi modern shqiptar, dhe se Prizreni është i pamundshëm dhe i paimagjinueshëm pa Lidhjen e Ymer Prizrenit dhe të Abdyl Frashërit.Kur ka lidhë besën Prizreni, e gjithë shqiptaria është ngritur në këmbë. Sot kemi nevojë për një besëlidhje të re, mes qytetarëve të Prizrenit, për një zotim për ta sjellë ndryshimin e madh. Dhe nëpërmjet këtij ndryshimi, për t’i dhënë fund njëherë e mirë korrupsionit e keqpërdorimeve, krimit të organizuar e prapambeturish ekonomike”, tha Konjufca, duke shtuar se ndryshimi i madh do të fillonte me Prizrenin, për të përfunduar në Prishtinë, pra do të fillonte me Komunën, e do të përfundonte me Qeverinë. Qendra e qytetit, që gjithmonë ka qenë krenaria dhe identiteti urban i Prizrenit, është shndërruar në geto përmes Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit. Lidhur me këtë, Konjufca tha se me VETËVENDOSJE!-n në krye të Komunës, Prizrenit do t’i kthehet lavdia, dinjiteti dhe krenaria.

Kryetari i Vetëvendosje!-s, Albin Kurti, tha ndërkaq se shumica e udhëheqjes së Komunës së Prizrenit, sot është nën hetime, ose me aktakuzë të ngritur. “Le të mos e presim fundin e procesit gjyqësor, por le t’ua shqiptojmë verdiktin e qytetarëve të Prizrenit më 3 nëntor. Le t’i zhveshim nga pushteti mbi Komunën, para se këta njerëz të korruptuar t’i veshin teshat e të burgosurve”, tha Kurti.

Prizreni është një qytet që vizitohet më së shumti nga turistët e jashtëm. Objekti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kalaja e Prizrenit, Ura e Gurit, Shatërvani, Xhamia e Sinan Pashës, Kishat e Manastiret ortodokse, përfshijnë trashëgiminë kulturore e historike që shtrihet në të dyja anët e brigjeve të Lumbardhit, i cili e sjellë freskinë e natyrës aktuale në historinë e gjallë dhe të lashtë të Prizrenit.

“Mirëpo, që të gjitha këto janë dëmtuar shumë e po rrezikohen po zhduken. Sepse kemi zjarre të qëllimshme nëpër shtëpi të vjetra, për ndërtime të egra që kanë ngulfatur qytetin. Sepse kemi ndërtime të larta të shëmtuara si ai pranë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Sepse deri të Lumbardhi, i cili për shkak të ujërave të zeza, mbeturinave të shumta, e ujit të paktë që i vidhet sipër, nuk ka mbetur as lum e as i bardhë”.

Kurti foli edhe lidhur me ardhjen e sotme të Daçiqit në Kosovë, në koordinim me Thaçin. “Para disa muajve, kryeministri i Serbisë Daçiq, ky fëmijë politik e nxënës i devotshëm i Millosheviqit, erdhi në Prizren dhe piu ujë në shatërvan. Sot në mëngjes, i njëjti ka hyrë sërish në Kosovë, gjithçka në marrëveshje me Kryeministrin e Kosovës, i cili nuk po merr vesh dhe po i jep ujë Serbisë në Kosovë. Pa e hequr Thaçin nga pushteti, nuk hiqet Daçiqi nga Kosova”. Kurti mes të tjerave tha se me Lëvizjen Vetëvendosje!, nuk do të ketë më pavarësi pa sovranitet, as ekonomi pa prodhim, dhe as institucione pa ligj, sepse është Vetëvendosje ! ajo që me Alternativën e saj do t’ia kthejë tokën bujkut, fabrikën punëtorit, pushkën ushtarit, librin nxënësit e kulturën qytetit.
Në fund të fjalës së tij, ai u bëri thirrje qytetarëve të Prizrenit, që të votojnë pasivisht më 3 nëntor. “Për Vetvëndosje!-n, për Arbër Rexhajn, për numrin 61, për Prizrenin, e kundër këtyre dy doktorëve të krimit dhe korrupsionit”, tha Kurti.

Në fund të këtij tubimi, bartësi i listës së Lëvizjes Vetëvendosje! në këtë Komunë, Artan Abrashi, prezantoi me radhë të gjithë kandidatët për Kuvendin Komunal, duke iu bërë thirrje qytetarëve të Prizrenit që ta votojnë Vetëvendosje!-n, ta votojnë Arbër Rexhajn, ta votojnë këtë listë të kandidatëve, sepse këta janë aktivistët që bashkë me qytetarët e Prizrenit do ta bëjnë ndryshimin e madh në këtë Komunë./PrizrenPress.com/

 

Më Shumë

Vdes një grua në Rahovec, u rrëzua nga një lartësi 1.5 metra

Një grua nga Rahoveci është dërguar pa shenja jete dje në emergjencë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërkohë sipas familjarëve viktima është...

Avdyli: Bashkësia ndërkombëtare po e kupton sa mashtrues është Vuçiqi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Haxhi Avdyli, në Info Magazine, thotë se Bashkësia Ndërkombëtare po e kupton sa mashtrues është presidenti serb Aleksander Vuçiq. Deputeti...

Lajmet e Fundit