3.8 C
Prizren
E martë, 27 Shkurt, 2024

Hasi-krahina e ndarë në dy shtete dhe e mbetur në varfëri

Krahina etno-gjeografike e Hasit, e quajtur ndryshe edhe si Hasi i Thatë, shtrihet rreth malit të Pashtrikut. Kufizohet me lumenjtë Drini i Bardhë e Ereniku dhe ndodhet mes krahinave të Malësisë së Gjakovës dhe Lumës. Në mes të krahinës ngrihet madhështor mali i Pashtrikut.

Krahina e Hasit është zonë e banuar shumë herët. Hasjanët janë pasardhës të fisit ilir të pirustëve. Janë zbuluar shpella të banuara, tuma ilire, kulla të vjetra, kështjella mesjetare, duke përfshirë edhe kështjellën e Lekë Dukagjinit. Emri Has përmendet për herë të parë në një dokument të vitit 1570.

Në Lidhjen Shqiptare të Prizerenit Hasi mori pjesë me shumë përfaqësues e luftëtarë të shquar. Hasjanët janë shquar sidomos në aksionin kryengritës në Gjakovë, më 6 shtator 1878, kur u rrethua dhe u vra Mehmet Ali Pasha. Ata luftuam e morën pjesë edhe në luftën për mbrojtjen e Plavës e Gucisë, në Lidhjen e Pejës etj.

Fati i keq e deshi që njësia apo krahina gjeografike dhe etnografike e Hasit të ndahet padrejtësisht në vitin 1913 në dy pjesë të barabarta; njëra pjesë mbeti brenda kufirit të shtetit shqiptar dhe pjesa tjetër iu dha shtetit fqinj grabitqar, Serbo-Jugosllavisë. Ndarja nuk ishte vetëm izolim i Hasit, por edhe ndarje ekonomike, kulturore, shpirtërore, etnografike.

Në vitin 1921 Kruma është shpallur qendër e Prefekturës së Kosovës (Drinit), që përfshinte Hasin, Lumën dhe Malësinë e Gjakovës. Aty ka filluar Revolucioni i Qershorit, kur forcat e komanduara nga Bajram Curri, më 25 maj 1924, pushtuan komandën e xhandarmërisë dhe prefekturën në Krumë, pastaj kaluan në Lumë, Lurë, Dibër, Mat dhe hynë, më 10 qershor 1924, si fitimtarë në Tiranë. Pas rënies së Revolucionit, në dhjetor 1924, regjimi zogist iu hakmor popullit të Hasit; vari në litar në Krumë dy dhe burgosi 40 kryengritës, si dhe e hoqi Prefekturën nga Kruma, duke e vendosur në Bicaj të Lumës e më vonë në Kukës.

Tërë krahina e Hasit ka gjithsej 745 km2 dhe rreth 55 mijë banorë. Në pjesën e Hasit në Shqipëri kanë mbetur 374 km2 me 17 mijë banorë dhe, në anën tjetër të kufirit, kanë mbetur 371 km2 me rreth 40 mijë banorë. Rrethi i Hasit, me 30 fshatra dhe një qytezë, është njëri ndër 36 rrethet dhe njëra ndër 61 bashkitë e R. së Shqipërisë. Ndërsa fshatrat e Hasit në R. e Kosovës nuk kanë mundur ta formojnë një qendër të veten administrative, por kanë hyrë në përbërje të komunave Prizeren e Gjakovë. Të kujtojmë se tërë Hasi, në të dy anët e kufirit, është rajoni më i pazhvilluar, me pak tokë bujqësore dhe me pak pasuri ujore. Mirëpo, hasjanët janë punëtorë të vyeshëm dhe kryesisht janë marrë e merren edhe sot me mjeshtërinë e bukëpjekësit, të shpërndarë gjithandej Kosovës dhe në shumë shtete të rajonit.

Hasi identifikohet me kulturën, traditat dhe zakonet e veçanta, me të folmen lokale, me veshjet karakteristike, me këngët dhe vallet popullore. Kostumi unik i grave të Hasit në Kosovë është autentike, origjinale dhe artistike, e ndryshme nga veshjet në zonat tjera.
Edhe pse Hasi është krahinë me shtim të lartë natyror, për shkak të kushteve të rënda të jetesës, të mungesës së investimeve dhe të shpërnguljeve të mëdha, numri i popullsisë viteve të fundit ka rënie drastike, duke lënë fshatra dhe zona të tëra të pabanuara apo me shumë pak banorë.
Që nga viti 1916 në Has (brenda kufirit) u krijua qendra administrative e Krumës me 32 fshatra, ndërsa Hasi (tej kufirit) me 38 fshatra nuk arriti të krijojë një qendër të veten, por fshatrat e tij i përkasin dy komunave të mëdha; Gjakovës (22 fshatra) dhe Prizerenit (16 fshatra).

Relievi i krahinës së Hasit është kryesisht kodrinor – malor, me kontraste të mëdha. Ndodhet në lartësinë mbidetare prej 268 m (liqeni i Fierzës) deri 1989 m (maja e Pashtrikut). Kjo krahinë përbëhet nga sipërfaqe pyjore, sipërfaqe të zhveshura, sipërfaqe të punuara, kullota e livadhe dhe sipërfaqe urbane. Në brendësi të krahinës nuk ka lumenj, por ka një rrjet përrenjsh, që kryesisht furnizohen nga reshjet e shiut dhe të borës. Pas çlirimit e deri në vitin 1990 në Has është ndërtuar një rrjet kanalesh ujitëse dhe janë krijuar 24 rezervuare që ujitnin rreth 23 për qind e tokës bujqësore. Pas viteve ‘90-ta sistemi i ujitjes është dëmtuar dhe tash nuk funksionon. Hasi ka pak tokë të punueshme, por ka kushte e mundësi për zhvillimin e blegtorisë, pylltarisë, pemëtarisë e turizmit.
Rrethi i Hasit është i pasur me minerale, veçanërisht me mineralin e kromit, me mineralin e bakrit dhe me mineralin e ferro-nikelit. Deri në vitet 90-ta kanë punuar disa miniera të vogla dhe fabrika e pasurimit të bakrit në Golaj, ku kanë punuar mbi 3000 punëtorë.

Në Has ka mundësi të zhvillimit të turizmit ujor, kulturor, gastronomik etj. Në zonë ndodhen 30 monumente të mbrojtura natyrore, duke përfshirë edhe “Vorrin e mirë” në majën e Pashtrikut, ku zhvillohet pelegrinazh. Në malin e Pashtrikut gjenden disa shpella karstike ende të pa hulumtuara. Pastaj janë burimet e gurrat, pishat shekullore etj.
Hasi ka klimë të përzier mesdhetare dhe kontinentale. Reshjet atmosferike në këtë pjesë të Atdheut janë më të pakta se mesatarja e vendit. Qysh në vitin 1969 në Krumë ishte ngritur stacioni meteorologjik, që merrej me matjen dhe studimin e temperaturës në atmosferë dhe në thellësi të tokës.
Hasin e bashkon me Kosovën tradita, e folmja lokale, zakonet e doket. Kjo krahinë, e lidhur ngushtë me Kosovën, e ka përkrahur, e ka ndihmuar dhe e ka mbështetur luftën çlirimtare të UÇK-së, veçanërisht me furnizim me armë e municion, si dhe me përgatitje e pjesëmarrje të luftëtarëve në luftën çlirimtare. Gjithashtu, Hasi (R. e Shqipërisë) ishte një strehë e të dëbuarve nga forcat serbe gjatë luftës çlirimtare në vitin 1999. Nga Hasi (R. e Shqipërisë) për lirinë e Kosovës kanë rënë 14 dëshmorë, ndërsa nga Hasi (R. e Kosovës) kanë rënë 52 dëshmorë. Gjatë pranverës së vitit 1999 Hasi kishte më shumë popullsi të dëbuar nga Kosova se sa popullsi vendore. Mbi 20 mijë kosovarë janë strehuar nëpër familjet hasjane dhe një pjesë e vogël në strehimoret kolektive.
Në Has kanë lindur apo kanë jetuar e vepruar, kanë gjetur strehë e mikpritje luftëtarë të shumtë kombëtarë. Disa kronistë, studiues e historianë e tregojnë Hasin si vendin e origjinës së Kastriotëve. Nga treva e Hasit janë Pal Hasi, Pjetër Bogdani, Pjetër Mazreku, Shtjefën Gjeçovi etj. Bajram Curri ka jetuar e vepruar edhe në Has, kur kishte ndikuar të formohej Prefektura e Kosovës, me seli në Krumë, prefekt i të cilës ishte sekretari i Bajram Currit, Tahir Zajmi, nga Gjakova. Pas vetëvrasjes së tribunit Bajram Curri, populli i Hasit e barti trupin e tij nga Dragobia dhe e varrosi me nderime të larta në Krumë.

Në vitin 1922 Bajram Curri i kishte kërkuar Ministrisë së Arsimit të hapte shkolla në Has e Lumë dhe atë është hapur shkolla e parë në Krumë. Një vit më vonë në Krumë është krijuar shoqëria arsimore “Shkëlzeni”, e cila luftonte analfabetizmin dhe përhapte arsimin, kulturën dhe historinë kombëtare. Në internatin “Kosova” të Krumës mësuan shumë të rinj nga Gjakova, Malësia e Gjakovës, Luma e Hasi. Në Zym mbahen “Takimet e Gjeçovit” ndërsa në Gjonaj organizohet festivali “Hasi jehon”.

Hasi, për të tjerët, përherë ishte Has i ndarë, i thatë, i largët, i varfër… Edhe sot Hasi është një Has i thatë e i varfër, një Has i shpërnguljeve të mëdha, një Has i qetësisë dhe i njerëzve të paktë. Hasi është Has i ëndrrave, ku djemtë adoleshentë ëndërrojnë si të ikin një ditë rrugëve të pafund për të mbërri Londrën e largët.

Më Shumë

Gjendet një mjet i pashpërthyer në Malishevë

Një burrë ka raportuar në polici se derisa ishte duke punuar në fushë, kishte hapur në një mjet të dyshimtë, të pashpërthyer.   Rasti ka ndodhur...

Prizren/ Aktakuzë për shitblerje të narkotikëve

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit G.I., i cili gjendet në paraburgim për shkak të...

Lajmet e Fundit