Pushteti letrar, pavarësisht figurave shqiptare globale të letërsisë, është një nga mekanizmat më të pashqitshëm shoqërorë në shoqëritë e vuajtura. Mbahet gjallë në zonën e deluzioneve, e tërë letërsia është një deluzion, dhe shprehet nga politika e deri tek fëmijët në shkolla. Mirëpo dy dekada më pas ka një neveri në të qenit i nënshtruar ndaj një mekanizmi të huqur shumë kohë pasi që ai nuk ekziston në realitet, siç është letërsia e qiejve komunistë të Shqipërisë. Dhe është edhe më e neveritshme kur e njëjta shtrihet dhe kaplon edhe qiellin kosovar, edhe më shtrëngueshëm dhe më besueshëm se në vetë Shqipërinë. Por do të provoj të krahasoj këto dy qiej, këtë të vetmin qiell të vuajtur.
Bazuar në përvojën disavjeçare në universin letrar të hapësirave shqiptare, nuk besoj se mund të ketë një përpjekje më të kotë dhe më frustuese se të prezantosh një libër kosovar për audiencën e Shqipërisë. Por kjo do të tingëllonte në një ankesë naive po të mos krahasohej me konsumin letrar kosovar:
Që nga hapja e kufijve shqiptaro – shqiptar nuk ka javë, muaj apo vit e dekadë që Kosova letrare nuk ka qenë totalisht e nënshtruar ndaj çfarëdo dukurie, të çmendur apo serioze, që ka ardhur nga Shqipëria letrare.
Merr cilëndo listë të librave më të shitur, lexuar, konsumuar, dhe të rrallë shumë të rrallë janë librat kosovar e edhe ata botëror që arrijnë të gjenden në këto lista, janë gjithherë librat nga Shqipëria që nuk kanë konkurrencë.
Mundësia për të marrë pjesë në qarkullimin letrar kosovar, qoftë të jesh kosovar, shqiptar nga Maqedonia apo Mali i Zi ka vetëm një rrugë: të vish në Kosovë përmes Shqipërisë, të filtrohesh në “opinionin” e Shqipërisë, nëse ai ekziston, nëse ai ka një vetëdije apo një sistem vlerash. Me një fjalë duhet të botohesh diku në Shqipëri për të qenë i pranueshëm në Kosovë.
Mund të merrem për një letrar të dështuar, apo edhe e tërë Kosova për një letërsi të dështuar, të tejkaluar apo edhe të parëndësishme, për shkak të këtyre shembujve të cekur më lart, ka vend edhe për konstatime të këtij lloji, ka vend edhe për çoroditë që mbijnë përfund shkrimeve si komente, etj. Por kur krahason konsumin e letërsisë botërore me atë të letërsisë së Shqipërisë brenda Kosovës, shfaqet deluzioni – në thellim e sipër – i kosovarëve për “arritjen” e letërsisë së Shqipërisë.
Letërsia e Shqipërisë padyshim ka kulminacionet dhe dështimet e saj si çdo letërsi ballkanike, por në Kosovë ajo arrin gjendje shenjtërie që nuk guxon të preket as dyshohet. Ndërsa në anën tjetër, letërsia kosovare mbetet një “masturbim lokal”, apo vetëm masturbim. Qoftë edhe sistemet e vendosura të Shqipërisë ruajnë një trajtim shumë të kujdesshëm ndaj letërsisë kosovare, pranojnë vetëm ata që janë pjesë e pushtetit letrar kosovar. Sigurisht këtu e ka fajin më të madh dogma komuniste që kishte përjashtuar çdo gjë kosovare, prej gjuhës e deri tek përpjekjet kulmore letrare, por ajo që më shumë dhemb është mjaftueshmëria e Shqipërisë brenda botës së saj pa e përfillur, qoftë për tragjedinë e saj, përpjekjen kosovare. Përpjekja kosovare (letërsia e saj) është tërësisht e huaj dhe ndoshta edhe më e panevojshme se le të themi letërsia sllovake apo letoneze për një lexues të zakonshëm të Shqipërisë.
Maestro jashtë traumës nga bota e re
Këtu duhet të ketë një çorodi derisa – hapja – e trumbetuar për çdo takim ndërmjet axhustatorëve e deri tek kryeministrat e këtyre shteteve është duke ndodhur. Sa lexues të zakonshëm, të edukuar dhe qoftë akademikë të institucioneve kanë dëgjuar për Musa Ramadanin, shkrimtar kosovar në të shtatëdhjetat e tij, që ia ka kushtuar një pjesë të mirë të veprave të tij çështjes shqiptare në Ballkan. Shkrimtar që ka trajtuar brenda veprave të tij çështje që sot janë kult për të riun e cilitdo vend. Shkrimtar i cili ka ballafaquar depresionin me artin dhe në veprën e tij, kur në Shqipëri flitej për “qiellin socialist”, dhe shkrimtar i cili ka njohur Nirvanën si filozofi e fenomen të arritshëm në të shtatëdhjetat e shekullit të kaluar, derisa sot i riu duke pas dëgjuar këtë fjalë mendon se ka zbuluar një Amerikë të re.
Libri ‘Rrëfimet e Maestros’ përjetëson një realitet të panjohur jo vetëm nga qytetari i Shqipërisë, por dhe ai i Kosovës, së paku për atë të lindur prej viteve nëntëdhjetë e këtej. Nga ky libër del qartë se Kosova ka qenë në përballje të drejtpërdrejtë me dy universe letrare, gjatë tërë gjysmës së dytë të shekullit 20: universin letrar të ish Jugosllavisë dhe atë botëror, nuk ka pasur asnjë kufizim të konsumit dhe interesave letrare në Kosovë derisa ato nuk kanë kërcënuar “mirëqenien” jugosllave. Kjo duhet të jetë pikënisja e interesimit letrar për cilindo lexues, qoftë letonez, sllovak apo të Shqipërisë.
Shkrimtari Musa Ramadani ka qenë bartësi kryesor i të gjitha këtyre hapjeve, përballjeve dhe negocimit të pozitës së shqiptarit brenda shtjellimeve globale. Vepra e këtij shkrimtari është një nga këto përpjekje të shqiptares në rendin post “luftë e ftohtë” të globit. Në veprën e këtij shkrimtari shtjellohet depresioni modern i njeriut i zhveshur nga mbrojtja e traditës dhe shpjegimeve, p.sh. përmbledhje me poezi “Neurosis”; dialogohet shpirtërisht me veprat më të mëdha të letërsisë, p.sh. romani ‘Autoprocesioni’ i këtij autori me fajin Kafkian; penetrohet thellë në mekanizmat e qeniesimit shqiptar të fshirë nga komunizmi jugosllav, për të zbuluar, ruajtur dhe siguruar një vazhdimësi shqiptare, vepra ‘Ligatina’ e këtij autori; aty me guximin më të madh skalitet dhembja e njeriut të thyer shpirtërisht nga katrahura e sistemit komunist jugosllav me guximin intelektual dhe krijues të mësuar nga mjeshtrit e letërsisë botërore; aty shtjellohen, eksperimentohen dhe krijohen veprat e para strukturaliste, poststrukturaliste dhe postmoderne të letërsisë shqipe.
Libri “Rrëfimet e Maestros”, që vjen si një përplotësim i tërë kësaj vepre dhe asaj të gjeneratës së guximshme dhe kulmore të shkrimtarëve kosovarë, shpërfaq mirëqenien jugosllave në strukturë të pandashme me dhunën që e ka krijuar/mbajtur atë. Bëhet e prekshme rrjedha reale e një jete shqiptare që ka mbetur e mbyllur në traumën e saj. Kjo traumë vjen si rezultat i dy fenomeneve globale dhe gjithëshqiptare: 1. Hapjes – totale – të botës shqiptare ndaj çfarëdo ndikimi dhe rryme, qoftë i orkestruar në qendrat lindore apo perëndimore, apo i buruar nga akthi i përhumbjes së njeriut; 2. Përshpejtimit të botës dhe rritjes së pandjeshmërisë së po të njëjtës ndaj njeriut, ndaj përpjekjes së tij.
Puna e durueshme dhe papërsëritshëm humane, e autorit të librit ‘Rrëfimet e Meastros’, Agron Gashit, liron këtë botë të izoluar nga ky traumatizim duke mundësuar rrëfimet tërësisht të thjeshta dhe pa më të voglin egoizëm të maestros Ramadani. Dhe këto rrëfime vijnë si fije që na japim një kuptim rreth asaj që po ndodh, na japin një strehë në këtë krizë globale. Është një jetë e tërë me të gjitha anët e errëta dhe të ndritura të Kosovës shqiptare.
Kalojnë brenda këtij libri edhe emra të rëndësishëm të historisë komuniste kosovare që kanë gulfatur çfarëdo përpjekje të kësaj gjenerate në emër të interesave jugosllave, serbe e komuniste. Por ka dhe hapësira tërësisht të pabesueshme për qytetarin e sotëm, janë shtresa të thellimit në shtresimet globale nga një perspektivë e guximshme dhe e përgjegjshme.
Në të vërtetë një gjë që shquan tërë krijimtarinë e kësaj gjenerate dhe këtij shkrimtari, si në përjetimet si në katrahurat dhe krijimet e tij, tyre, është përgjegjësia ndaj vazhdimësisë së jetës dhe botës, dhe me këtë ndaj të porsaardhurit dhe të atyre që ende do të vijnë. Ky libër është dialog i këtij shkrimtari me çdonjërin prej nesh për filmat e La Nouvelle Vague francez nga perspektiva e momentit të lindjes së tyre; me Kafkën dhe Sadek Hidajatin derisa po zbuloheshin në tërë botën; me këngën dhe muzikën të cilën sot e këndojnë të gjithë në festivale pa e ditur si është shtjelluar nëpër kohë. Maestro Ramadani e bartë lexuesin e sotëm nëpër fenomenet më të mëdha kulturore të globit, të lindjes dhe perëndimit, derisa ato kanë lindur.
Maestro rilidh në pyetjet përplot durim të autorit Gashi, tërë universin kosovar të kulturës duke rikujtuar njerëz të harruar nga vetë kosovarët. Maestro rishfaq konfliktet meskine dhe të rrezikshme të pushtetarëve shqiptar në Kosovë dhe ish-Jugosllavi ndaj përpjekjes së këtyre autorëve. Katrahurat e Ramadanit në botimin e veprave të tij: izolimi disa vjeçar i tyre, ndalimi, censura dhe shënjimi i tij nga sistemi, janë disa nga episodet që e krijojnë anën e errët të këtij sistemi në të cilin është shtrirë një përpjekje tërësisht humane dhe me vlerë të pamohueshme të kësaj gjenerate. Pastaj zhdukja dhe dorëzimi i njerëzve të rëndësishëm nëpër kthesat e sistemit.
Por ndër të gjitha filtrimet e sistemit ish Jugosllav të këtij autori ka qenë përpjekja e tij për të krijuar një lidhje me botën, për të gjetur një vend të shqiptares në botë dhe për më shumë për të shtjelluar shqiptaren brenda konstelacioneve kulturore të ngritura dhe ringritura nga shndërrimi i raporteve të forcave globale. Befasia e pushtetarëve letrar dhe kulturor përballë veprave të tij – në një rast i ishte kërkuar edhe përpilimi i një fjalorthi në fund të veprës së tij për të evituar “keqkuptimet”, që nuk ishin gjë tjetër përpos fjalë të negocimit të së resë globale me shqiptaren. Këto fjalë kanë qenë njëlloj shpërthimi tej izolimit sistemor komunist jugosllav për të arritur qiellin , qiejt, ashtu siç janë në të vërtetën universale dhe në të vërtetën e dinamikave njerëzore. Libri “Rrëfimet e maestros” përmban edhe fakte dhe dosje të këtyre përpjekjeve të këtij shkrimtari, është arkiv i kësaj përpjekje për të evidentuar tërë atë që është bërë në Kosovë,është jetë të cilën qytetari i “vetëmjaftuar” i Shqipërisë nuk mund ta imagjinojë.
Diskutim i pushtetit letrar të Shqipërisë
Në hapjen e kufijve shqiptaro-shqiptar, derisa si i ri tentoja të kuptoja pse jemi të ndryshëm, kishte ndodhur një skandal që më ka mbetur i pashlyeshëm në kujtesën time: derisa shkrimtari i njohur latino-amerikan Ernesto Sabato ishte ftuar për t’u nderuar, nuk kishte pasur asnjë vepër të tij të përkthyer në shqip, në Shqipëri, derisa Kosova kishte të përkthyer kryeveprën e tij novelën “Tuneli”. I ishte thënë se do të bëhej çmos të gjendej një përthyes dhe të fillonte përkthimi i tij në shqip, ndërsa unë në moshën 17 vjeçare tanimë e kisha lexuar një roman të tij në shqip.
Vetëmjaftueshmëria e Shqipërisë ndaj Kosovës është sigurisht ende nën dhunimin e qiejve komunistë, e paçliruar dhe e verbër, por ka një logjikë që të mohon kur njeriu bën përpjekje si kjo imja: nëse unë ndjej një afri, qoftë të motivuar qoftë ekzotike, ndaj letërsisë së Shqipërisë, ku është kërkesa e natyrshme nga Shqipëria për të më njohur mua? Ndoshta kjo vetëmjaftueshmëri është mekanizëm mbrojtës ndaj përballjes me një të vërtetë të farkëtuar për të shndërruar dhembjen e të qenit shqiptar, por në zbrazëtinë e botës, kam mësuar, njeriu kërkon të njohë.
Asgjë sot nuk mund të vë në dyshim pavarësinë qeniesuese të qendrës së Prishtinës dhe Tiranës ndaj njëra-tjetrës, mendoj të pamotivuara nga dramat që i kanë përjetuar – në aktualen. Dhe mu kjo duhet të hapë rrugë për interesin e njohjes së njëri-tjetrit.
Me qenë se ka filluar shkëmbimi kulturor, muzika gjithnjë më influencuese kosovare ndaj masave të të rinjve të Shqipërisë, dhe në anën tjetër nënshtrimi i shikuesit kosovar ndaj iluzionit të televizuar të Shqipërisë, kjo mund të përkufizohet si e varur nga motivimi material, por ka edhe një motiv këtu, të fshehtë dhe si vazhdimësi e nënshtrimit ndaj ndikimeve: pushteti, shumë shpesh i imagjinuar, i pushtetarëve të letërsisë ndaj lexuesve të zakonshëm.
Në momentet e para të pasluftës në Kosovë, ishin institucionet e shkencave shoqërore (asaj që tani po quhet humane) që pësuan dhunimet më të tmerrshme, dhe që po vazhdojnë edhe më tutje. Duke pasur njëlloj përparësie në mësimin (lexo: bartjen) e dogmave dhe miteve tek të rinjtë, ato janë parë dhe ende shihen si bunkerët e forcave pushtetare politike.
Në anën tjetër, derisa po tentoja të bëja publikimin tim të parë letrar në Shqipëri, shokët më kishin këshilluar të zgjedhja mirë median, sepse prej saj varej perceptimi im në këtë vend, kisha mësuar se ka media por dhe media kundër Kadaresë. Institucionet, qoftë të vjetrat dhe të rejat të mbira nga projektet e huaja dhe të përpjekjeve vetanake, vazhdojnë punën e tyre me të vetmin qëllim: përhapjes së pushtetit të tyre në më shumë votues dhe më pak lexues.
Është i pamohueshëm rezultati i dezintegrimit të forcës shqiptare nga rrymat globale, së paku që prej përhapjes së modernizmit qoftë të pamotivuara nga ndonjë politikë por si lëvizje natyre dhe frike të injorancës etj. Është i pareduktueshëm njeriu shqiptar në këtë zonë të njerëzimit të quajtur Ballkan. Por i dezintegruar ai shfuqizon çfarëdo burimi të kësaj përvoje, ai mbetet i nënshtrueshëm. Sistemet dhe projektet aktuale globale ndaj Ballkanit doemos i përfshijnë edhe shqiptarët në këto projektime, por shkëmbimi është diçka e natyrshme dhe e pandalshme në këtë botë të projektuar. Është, besoj fuqishëm, gjëja më e natyrshme që derisa mua më intereson përvoja e Shqipërisë, t’i interesojë përvoja kosovare një vdekatari të zakonshëm në Shqipëri, derisa tërësisht të zhveshur nga rrymat globale besojmë iluzione tërësisht të çoroditura të dala nga akthi global.