13.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Kadare: Kritika, Bilal Xhaferi më goditi politikisht

IsmailKadare6-30Një tempull, më pak se gjithçka, e duron baltën. Ndaj e kam thënë e përsëritur dhe prapë do ta përsëris, se në tempullin e letërsisë hyhet vetëm me dashuri”. Ismail Kadare e mbyll me këtë mesazh, rrëfimin e tij të gjatë dhënë Aida Tucit në librin “Një enigmë me disa të panjohura. Rreth dosjes Bilal Xhaferi”, shtëpia botuese “ONUFRI”. Libri hedh dritë mbi përplasjen Xhaferi-Kadare, duke sjellë dëshmi nga bashkëkohësit, dokumente arkivore dhe një bisedë me vetë shkrimtarin. Gjithçka nisi me një diskutim të Xhaferit (kundër romanit “Dasma” të I.K.) në prill të 1968-ës, në Klubin e Shkrimtarëve. “‘Dasma’ e Kadaresë (sipas B. Xhaferit) s’është gjë tjetër veçse rryma e Golfstrimit, që përshkon tej e tej oqeanin Atlantik, çka nënkupton frymën e huaj në realizmin tonë socialist”. Pse-të e kritikës së para katër dekadave, marrin përgjigje sot, përmes rrëfimeve të njëpasnjëshme të pjesëmarrësve në mbledhje, që përpos kujtimeve japin edhe një portret psikologjik të Xhaferit, miqësitë e tij, disa shënime mbi familjen dhe më pas arsyet e ikjes, disa dëshmi nga punonjësit e kufirit, nëse ai u arratis apo u ndihmua të arratisej. Në fund, vetë Kadare flet për njohjen me të, habinë që i shkaktoi kritika, dëmin që mund t’i sillte në atë kohë e jo vetëm. Më pas, shkrimtari ndalet tek letërsia shqipe, raportet (mbase zilitë) mes shkrimtarëve, marrëdhënia e këtyre të fundit me (pu)shtetin, rasti unik i Lasgushit, ndalet tek raporti i tij me Adem Demaçin, Ibrahim Rugovën, Sabri Hamitin etj., përgjatë një bisede ku zbërthehen disa enigma. Libri po prezantohet në panairin e Prishtinës, ndërsa të hënën është në libraritë e Tiranës.

Për ju thuhet zakonisht se jeni i ashpër dhe e keni vështirë të kërkoni ndjesë…
E kam dëgjuar këtë. Por kjo s’më bën ndonjë përshtypje. Dhe nuk është aspak shfaqje mendjemadhësie, siç mund të duket në vështrim të parë. Bën pjesë në atë që mund të quhet gjendje, kushtëzim i shkrimtarit. Lasgush Poradeci përdorte midis miqve të vet një shprehje në dukje të zakonshme: “ne jemi anëtarë të artit”. Në rastin e tij shprehja merrte kuptimin e saj të plotë. Ishte ngushëllimi i tij i vetëm në jetën që ia kishte kthyer krahët qysh në gjallje.

Shkrimtari nuk njeh tjetër gjykim, juri, përfillje apo shpërfillje, veç atyre të artit. Ai i bindet mbretërisë së tij, ligjeve të saj dhe të racës së vet. Gjykimi i kohës dhe gjykimi i popullit nuk janë e njëjta gjë. Kjo e fundit shpesh ngatërrohet me gjykimin e popullsisë. Popullsia nuk është populli, por një pjesë e tij. Lidhur me kërkimin e ndjesës, ajo që mund të cilësohet si natyrë e ashpër ose e butë, nuk përbën kurrfarë pengese. Për një qasje edhe më të rrokshme, në jetën e përditshme, mund t’ju kujtoj se së paku disa herë kam kërkuar ndjesë publike. Për t’ju përmendur dy rastet e fundit, i pari ka lidhje me Ibrahim Rugovën, mikun tim të hershëm, me të cilin u ftohëm për arsye parimore që dihen, dhe më pas u pajtuam, e theksoj, për meritë të tij dhe jo timen. Rasti i dytë me Adem Demaçin, prapë mik i hershëm, të ftohur përsëri për arsye që dihen, me të cilin, besoj se përsëri jemi miq. Shprehjen “arsye parimore” nuk e përmend për të përligjur gjuhën time të papërshtatshme. Kam kërkuar ndjesë pikërisht për këtë të fundit. Pavarësisht arsyeve të acarimit, ashpërsia e gjuhës ishte e palejueshme me të dy. Për Demaçin, për shembull, si të mos mjaftonin fjalët e hidhura se gjithçka kohët e fundit po e bënte gabim, shtoja se edhe burgun (atë burgim të famshëm, siç e dinin të gjithë) e kishte bërë, me sa dukej, jo për Shqipërinë, por për marksizëm-leninizmin! Tingëllonte cinike t’i prekje këtij njeriu gjënë më të shenjtë, burgimin 28-vjeçar. Asgjë nuk e përligjte këtë, madje as bindja ime se paragjykimi i Demaçit ndaj Perëndimit, mund të pengonte ndërhyrjen e NATO-s në Ballkan. Ende sot ruaj rezervat e mia lidhur me atë çka mendon ai për Perëndimin. E sidomos kam qenë e jam krejtësisht kundër për vlerësimin e Hoxhës, por kjo s’ka lidhje me incidentin e atëhershëm. Dhe tani do t’ju tregoj diçka kurioze. Vite më parë, kur e lashë Shqipërinë, Demaçi botoi një letër të hapur kundër meje. Mund të them se, duke qenë letra më e pamëshirshme që kam marrë ndonjëherë, ishte njëkohësisht më e bukura. Ishte një përzierje e rrallë e ashpërsisë, e kujës së burrit, e sinqeritetit, keqkuptimit dhe dëshpërimit madhështor. Më quante fare natyrshëm tradhtar të Shqipërisë, që i kisha kthyer krahët asaj, që do të pendohesha pa dyshim, por do të ishte vonë, sepse Shqipëria s’do të kishte nevojë për mua, kurse unë s’do të bëja dot pa të etj., etj. I kthehej prapë tradhtisë sime, bashkë me pyetjen, si e kisha bërë këtë tmerr, unë, vëllai i tij, që në terrin e burgut e kisha ndihmuar të ishte i lirë, kurse tani, me këmbët e mia, isha futur vetë në burg. Dhe ky burg ishte Franca, me vilat e saj, që ishin, sipas tij, më të këqija se çdo burg, për mua atdhemohuesin etj., etj. Gjëja më kurioze e kësaj letre ishte ndjesia që shkaktoi tek unë. Për asnjë çast nuk ndjeva më të voglin zemërim për akuzat, furinë e tyre, parashikimin fatal të së ardhmes sime. Në vend të tyre, m’u krijua një gjendje dehjeje shpirtërore. Ende sot nuk e kam të qartë shpjegimin. Ishte dramaciteti i sinqeritetit të tij, ishte ndoshta siguria ime se në fajësimet e tij s’kishte asgjë të vërtetë, ishte ndoshta tjetër gjë, që kishte lidhje me artin (më saktë, me atë që njihej si misteri i tragjedisë, kur ajo çka ndodhte në skenë, sado e zymtë të qe, ty të tërhiqte). Një ose dy vite më pas, në një mjedis, si të zgjedhur enkas për “happy end”, në Operën e Parisit, ndodhi takimi ynë. Ishte “ai”. Kur vështrimet na u ndeshën dhe kur e kuptoi se s’kishte tek unë asnjë gjurmë mërie, u afrua gati me vrull dhe natyrshëm u përqafuam, pa thënë asgjë.

PIPA, TREBESHINA, XHAFERI
Në “Ftesë në studio”, në pjesën ku flisni për Arshi Pipën, keni përmendur dy shkrimtarë të tjerë, me iniciale: K. Trebeshinën dhe B. Xhaferin. Nuk jeni aspak i butë me ta.
…Më duket se kam shfaqur mendimin se shkrimtarët, si askush tjetër, mund të jenë të padrejtë, për të mos thënë mizorë. Kjo është e natyrshme përderisa ata bëjnë pjesë në llojin e sunduesve dhe, si të tillë, do të vuajnë nga po ato që cilësohen si “cen (deformim) i profesionit”. Nga dy njerëzit e tjerë të përmendur prej jush, për njërin, Xhaferin, do të kemi rast të vazhdojmë bisedën, kurse për tjetrin, nuk jam unë që e kam akuzuar si ish-oficer i Sigurimit, e aq më pak si vrasës i llojit më të shëmtuar të vrasësve, pabesisht, me plumb pas koke. Kjo është një e vërtetë publike e pakundërshtueshme prej askujt, as prej atij vetë. Në asnjë letërsi të botës së qytetëruar nuk ka të tillë. Në qoftë se Shqipëria do të ngulë këmbë që të mbrojë autorë të tillë, kjo s’është më çështje letërsie. Është më shumë. Dhe më tmerr.

A mund të thoni diçka për anën e paqartë të asaj që ndodhi midis jush dhe Arshi Pipës? Thatë se nuk iu besuat veshëve kur dëgjuat sulmin e tij?

Pjesërisht po. Asnjëherë plotësisht. Në fund të vitit 1989 e fillim të vitit 1990, regjimi, ndonëse hiqej si i fortë, ishte në panik. Logjika e panikut shtynte në veprime të ngutshme, shpesh kundërthënëse. Dërgimi i emisarëve në diasporën shqiptare ishte një prej tyre. Qëllimi: përçarja e intelektualëve të njohur, sidomos moslejimi i krijimit të një fryme bashkuese midis atyre që ndodheshin jashtë dhe të tjerëve, brenda vendit. Në vend të saj, synohej mbjellja e mosbesimit, grindjes. Për këtë komunistët ishin mjeshtra.

Të dërguarit e R. Alisë e të Sigurimit ia behën befas në Perëndim, te shtëpia e Martin Camajt, e Arshi Pipës, e dhjetëra të tjerëve, për t’iu mbushur mendjen se fajet që gjërat shkonin keq në Shqipëri, e sidomos për mospranimin e liberalizmit e të pluralizmit, i kishin intelektualët.
Për ta bërë sa më të njohur këtë ide, në gusht u zhvillua mbledhja e famshme me intelektualët e kryeqytetit. Besoj se në krejt historinë e komunizmit botëror, është mbledhja e vetme, pas përfundimit të së cilës u trumbetua se: Shqipëria komuniste, partia, donin ta liberalizonin regjimin, por ç’e do, pengonin intelektualët, në radhë të parë shkrimtarët.
… Aq në mënyrë djallëzore u mbajt gjallë shpifja, saqë lajmet televizive (madje edhe sot e kësaj dite) nuk e tregonin asnjëherë nga afër tribunën e mitingut të kryeqytetit, në mënyrë që telespektatorët të mos shikonin se shkrimtari i përfolur, jo vetëm nuk kishte folur në atë miting, por nuk kishte qenë fare.
… A kishte disidencë në letërsinë shqipe? Në qoftë se nuk kishte, siç është mendimi i përgjithshëm, atëherë përse?

Letërsia shqipe nuk ka bërë ndonjë pakt me askënd që qenia e saj të kushtëzohet kryesisht nga disidenca ose mosdisidenca. Kurrsesi jo! S’është ndonjë teprim të thuhet se shqyrtimi i fatit të letërsisë shqipe në diktaturën më të egër staliniste në Europë, ngjan me atmosferën e një ceremonie të tillë. Terrori, përgjimi, burgjet, dënimi ritual i shkrimtarëve të çojnë te ky krahasim. Ndërkaq, pavarësisht nga kjo, është theksuar përherë dhe sapo është përsëritur në këtë bisedë se letërsia përgjigjet vetë për gabimet e saj. Në këtë kah, asaj mund t’i kërkohet çdo sqarim, por sqarimi me shkrimtarët shqiptarë nuk mund të fillojë me pyetjen: pse s’u bëtë ju disidentë, shoqëruar me një lehtësi fyese, ose me nëntekstin: pse s’u burgosët, pse s’u torturuat ose pse s’vdiqët pak atje në Shqipëri, në mënyrë që ne këndej të bënim pak sehir, duke dëgjuar lajmet, në orën tetë të mbrëmjes?
* * *
Po i kujtoj emrat kryesorë të këtij grupi, pa mëtuar aspak të jem shterues: Spasse, Xoxa, Marko, Shuteriqi, Agolli, Qiriazi, Kadare, Arapi, Xhuvani, Siliqi, Jakova, Andoni, Koreshi, Blushi, Lera, Çela, Laço, Prifti, gjer te Rreshpja, K. Dushi, N. Gjetja, Xh. Spahiu e K. Kosta. Vërtet mund të besohet se janë këta që ia kanë zgjatur jetën tiranisë në Shqipëri, dhe jo qindra xhelatët, projektuesit e tmerreve e doktrinarët e krimit? Nuk është e rastit që akuza vjen sidomos nga pinjollët e nomenklaturës, klanit të madh të krimit… Në 45 vjetët më të errët të letrave shqipe, shkrimtarët që përmenda më lart, ky grup të vetmuarish, më të vetmuarit e dheut, arritën t’i japin vetes dhe krejt njerëzimit jo 45 faqe, por, së paku, po e përsëris këtë fjalë, së paku, 1000 faqe të klasit më të lartë, atë që quhet nivel botëror.
Ndoshta në mosvlerësimin ‘en bloc’ të asaj kohe luan rol edhe problemi i biografisë së shkrimtarëve. Në një periudhë kaq të gjatë disa shkrimtarë kanë pasur raporte të ndërlikuara me shtetin.
Së pari, do të thosha se ky nuk është vetëm problem shqiptar, por botëror, sidomos i ish-botës komuniste. Për fatin e mirë të saj, kjo botë, me hapjen e arkivave të fshehta e ka zgjidhur ngërçin. Ne, siç u tha, s’e kemi bërë. Atëherë, ç’na mbetet të bëjmë? Të themi, mirë ç’na bëhet! është pak. Nyja, ndërlikimi pushtet-shkrimtar (artist), është një lëngatë ngjitëse, që asnjë kohë s’e shmang dot. Shikoni liderët tanë të tranzicionit. Shqipëria është ende me rrecka e ata e kanë mendjen te lavdia. Njëri bërtet: prapa më vjen historia! Tjetri ia ka vënë syrin Skënderbeut! E Zoti e di ç’na pret më pas.

LASGUSH PORADECI
Lidhur me raportet shkrimtar-diktator përmendët disa shembuj të huaj. A mund të themi se te ne ka qenë i njëjti fenomen?
Poeti më i madh i vendit dhe një nga më të mëdhenjtë e kësaj pjese të Europës, Lasgush Poradeci, ishte 48 vjeç. Kishte gjithçka tjetër për përhiroren (aureolën) e poetit: Studimet shumëvjeçare në Austri, një lloj prarimi elitar, dy-tri histori dashurie, fejesën me një nxënëse të Institutit “Nëna Mbretëreshë” dhe, kryesorja, një fantaksje, që me pak mirëdashje mund të quhej krisje prej poeti e më pak keqdashje, çmenduri. Ishte kjo e fundit që, me sa dukej, e shpëtoi. Sunduesit shqiptar do t’i jetë dukur jo fort i rrezikshëm. Mbetej vetëm Lasgush Poradeci, poeti me hije princi, që e kishte shpallur veten “zog i qiejve”, aq i mënjanuar nga jeta, saqë dukej se do të mjaftonte vetëm një shkelm për ta kthyer prapë atje, midis yjsh, që në të vërtetë ishin dhe titujt e dy veprave kryesore të tij, “Vallja e yjeve” dhe “Ylli i zemrës”.

I papërsëritshëm në asgjë, u duk se edhe zgjidhjen e çështjes së tij e gjeti vetë. E përjashtoi veten nga gjithçka, duke ia bërë të qartë paktin tiranit të ri. Ai pakt përmblidhej në dy fjalë: “zëre se s’jam!”. Kështu ai shestoi atë që u quajt vdekja e tij për së gjalli. Për dyzet vjet nuk do të ndihej askund. Ai e dinte këtë mjeshtëri, ndoshta të vetmen, pas artit. Në kohën e mbretërisë kishte lidhur një pakt të ngjashëm me mbretin Zog. Thelbi ishte i thjeshtë: ti je zog në tokë, unë në qiej. Secili në punë të vet. Si ai që i jep plumbin e fundit viktimës së rrëzuar, për t’u bindur për vdekjen e tij, regjimi shqiptar sajoi një kinse devizë, një maksimë, një klishe: poet i mirë, por njeri i keq! Për Lasgushin, pëshpërima më e përhapur ishte kinse çmenduria e tij. Kjo ishte edhe më e lehtë për t’u besuar, për shkak të sjelljeve të tij tepër të çuditshme. Por s’ishte kjo që e dëmtonte, madje bënte të kundërtën. Kurse shpifjet ishin të shëmtuara si për rrallë-kënd. Përveç egocentrik, e bënin mosmirënjohës, shpirtkazmë me gruan, shpërfillës e cinik të pashoq. Kështu vazhdonte kjo histori, gjersa një ditë, poeti, që prej kohësh pritej të ikte më në fund nga kjo botë, me fjalë të tjera, të vdiste, brenda vdekjes, siç thuhej, dha një shenjë. S’ishte as vjershë kundër shtetit, as mahi a testament, por tjetër gjë: kishte rënë në dashuri. Ishte mbi 80 vjeç kur ndodhi kjo. Tirani ndërkaq nuk kishte mbushur as 70, dhe dihej se prej kohësh u kishte lënë lamtumirën grave. E kishte marrë vesh vallë? Dhe si e kishte kuptuar? Si sfidë të poetit, si humbje të bastit me të? “Për dashurinë,/ Që shemb një burrë…”…

T’i kthehemi edhe një herë bisedës sonë për A. Pipën dhe B. Xhaferin
Janë dy dosje që s’kanë të bëjnë fare me njëra-tjetrën. Njëra prej tyre, ajo e B. Xhaferit, si një sajesë e pistë, siç u tha, nuk mund të bëjë pjesë në kronikën e asnjë kulture dhe, që të jem i sinqertë, s’kam ndonjë dëshirë ta kujtoj. Ndërkaq, ndërlikimi me Arshi Pipën, duke qenë i një natyre krejtësisht tjetër, e ka në vetvete edhe peshën dhe dinjitetin e atyre incidenteve që, edhe pse të rënda, janë pjesë e natyrshme e kalendarit të letërsisë. Epilogu i saj e jep fare qartë çka thashë më lart. Arshi Pipa, ashtu siç pritej, erdhi në Shqipëri fill pas rënies së komunizmit. Ishte e kuptueshme që kthimi në atdhe i njërit prej antikomunistëve më të shquar, përveç kërshërisë, do të zgjonte ndjesi të ndryshme, acarim te disa, ngazëllim te të tjerët. Bota letrare kishte një arsye më shumë për të gjitha këto. Me përjashtim të një ndjese fare të tërthortë nga ana ime (thjeshtimi i fyerjeve kundër tij në botimin frëngjisht të “Ftesë në studio”), keqkuptimi midis nesh, i shpallur, për fat të keq, publikisht, gjendej në një pikë të vdekur. Arshi Pipa u prit me nderime në Shqipëri. Në disa nga takimet e tij me publikun u këndua himni kombëtar. Gazetat i kërkonin me etje intervistat e tij. Bota letrare nga ana e saj, kishte padurim për mendimet e tij për artin, e sidomos për incidentin midis nesh. Detraktorët e mi fërkonin duart. Ishte koha e përshtatshme që ai, “i kthyeri”, sipas dokeve të letërsisë (këngët e mungesës e të kthimit), të merrte hakun. Nuk ndodhesha në Shqipëri, çka, ndoshta, e bënte më të volitshme gjithçka. Por “të kthyerit” qëllon që shkaktojnë zhgënjim te pritësit.

Kur iu bë pyetja e drejtpërdrejtë, u shpreh pak a shumë se midis nesh kishte ndodhur diçka vetjake dhe se ai nuk do të donte ta përmendte atë… Kur erdhi puna se cili studim do të shoqëronte si parathënie “Kronikë në gur”, pa asnjë mëdyshje u kërkova botuesve, shqiptarit dhe francezit, parathënien e dikurshme të Arshi Pipës. Kërkesën ia bëra gjithashtu botuesit anglez, i cili vazhdonte ta botonte “Kronikë në gur” me përkthimin e A. Pipës, por pa parathënien, madje pa emrin e përkthyesit. Kështu, me shumë vonesë, teksti i tij u bashkua, më në fund, me parathënien, asaj që kishte qenë në zanafillë të së keqes. Ky bashkim ngjante vërtet si një zgjidhje simbolike e asaj.
(Për Xhaferin)
E vërteta është se në atë sallë nuk ndodhi gjë tjetër veçse një goditje politike. Dhe në raste goditjesh të tilla nuk ka vend për naivitet e as barazim faji. Ka dy kolegë përballë (ndryshe nga ç’mund të përfytyrohet, Xhaferi ka qenë më i madh në moshë), njëri prej të cilëve kërkon të rrëzojë tjetrin politikisht. Goditja e tij ishte e pamoralshme dhe e pabesë, tipike në atë kohë, nga ato që të çonin drejt rënies e ndoshta drejt burgut. Shkurt, njëri nga kolegët, e fajësoi tjetrin për “dekadentizëm” dhe “nxirje të realitetit”. Kolegu (përndryshe kolosi tjetër) nuk u përgjigj. Ky ishte thelbi i ngjarjes. Të tjerat: ndërhyrja e zyrtarit komunist, për t’i thënë se nuk do të na mësosh ti, bir i një hoxhe të dënuar, si të mbrojmë realizmin socialist nga dekadentizmi, është rrjedhojë e absurdit të mëparshëm. Dalja kokulur nga salla gjithashtu, e më pas mënjanimi, kapërcimi i kufirit, përfundimi në SHBA, ku jetoi i lirë rreth 18 vjet, pa dëshmuar pothuajse asgjë serioze për ferrin nga shpëtoi, e kanë rrënjën tek ai akt fillestar. E di që do të pyesni se si e prita akuzën e tij. Po ju përgjigjem shkurt: me përçmim. S’ishte vetëm çështje mosmirënjohjeje, bënte pjesë në palcën e së keqes së një tiranie. Qysh në çastin që ai foli për “dekadentizmin” tim, për asnjë grimcë kohe nuk kam pasur as më të voglin mendim pozitiv për të. E kam dëgjuar krejtësisht i befasuar, kam thënë me vete: ç’mosmirënjohës! Mund të gjente një tjetër mënyrë për të ndrequr biografinë etj. Pastaj s’kam folur asnjë fjalë, qoftë në mbledhje, qoftë pas saj. Vjersha ishte thjesht një pamflet vulgar, ku përmblidheshin shpifje dhe akuza të njohura: ndihmës i diktatorit, i përkëdheluri i regjimit e i fatit, bredhës pas fustanesh vajzash ruse e kështu me radhë. Kurse shënimi “Të kritikoje I. K. ishte njëlloj si të kritikoje Enver Hoxhën”, ishte edhe më i mjerë. Kaq e domosdoshme ka qenë goditja e “tjetrit”, kaq çliruese, shpëtuese, emancipuese? Vërtet I. K. paskësh qenë fatkeqësia e letërsisë shqipe? Prishësi, bllokuesi i saj? Këto pyetje janë bërë me siguri, por kori i kundërt ka qenë shurdhues. Thuhej se të godisje I. Kadarenë ishte aq e pamundur sa të godisje Enver Hoxhën. Në qoftë se këto fjalë janë shkruar vërtet prej tij, siç ngulet këmbë e që unë s’e kam besuar, ky njeri, përveçse mashtrues, ka vuajtur nga deliri i madhështisë. Një hero, që atje te Klubi i Shkrimtarëve (te rrapi në Mashkullorë), paska goditur diktatorin!
SABRI HAMITI
I vetmi që ka shfaqur mosbesim ka qenë akademiku nga Kosova, S. Hamiti, ngaqë, sipas tij, fjalët e B. Xhaferit nuk janë të botuara asgjëkund!
Sa për akademikun që përmendni, së pari po shpjegoj mungesën e nderimit tim për akademikë të tillë. Ngaqë ka qenë dhe vazhdon të jetë për gati dyzet vite rresht poet dhe prozator i Kosovës, më saktë një poet dhe një prozator i rëndomtë i Kosovës, ky njeri ka të drejtë të japë mendime sikurse çdo letrar tjetër, çdo lexues e çdo studiues. Ndërkaq, ka një prag që ky lloj letrari nuk mund ta kalojë: të harrojë statusin e tij modest në letërsi dhe të kthehet befas në një “arbitër të elegancës”, siç quheshin dikur sistematizuesit, kanonizuesit e letërsisë dhe përcaktuesit e hierarkisë së vlerave. Ai s’ka tagër për një gjë të tillë, ngaqë statusi i tij modest në letërsi nuk e lejon në asnjë rast shkeljen e ligjit numër një të artit: kriterin e vlerave. Sundimi i mediokritetit shpallet kur shkrimtari i rëndomtë, bashkë me rolin e arbitrit, merr atë të përjashtuesit nga letërsia të shkrimtarëve më të shquar, pra më të rëndësishëm se ai vetë. S’kam dëshirë të zgjatem për personazhin që u përmend këtu. Sidomos për akuzat e kolegëve të tij për plagjiaturë, më e rënda që mund t’i bëhet një akademiku. Pa përmendur nivelin e mjerueshëm të stilit të S. Hamitit…

*Pjesë nga libri, botohet me lejen e botuesit

Dritëroi: Si e mbaj mend kritikën e Bilalit për Kadarenë
Çfarë ndodhte në Lidhjen e Shkrimtarëve, ditën kur bëhej diskutimi i romanit “Dasma” të Kadaresë? Ju keni qenë në atë mbledhje, apo jo?
Unë atëherë isha gazetar te “Zëri i Popullit” dhe kisha shkuar për të dëgjuar diskutimin, me idenë se do të bëja një shkrim në gazetë. I pari u ngrit dhe foli Llazar Siliqi, pati dhe diskutime të tjera. Gjatë diskutimeve foli dhe Bilal Xhaferi, i cili tha, ndër të tjera, se romani ishte skematik dhe kundër zakoneve e traditave tona. Diskutimi i Bilalit u prit keq nga salla, sidomos nga ata që ishin në presidium. Bilalit filluan t’i përmendnin biografinë. Ismail Kadare nuk foli fare në atë mbledhje. Zakonisht në atë kohë ai nuk u jepte përgjigje njerëzve që i mohonin gjithçka. Kurse në këtë rast nuk foli, se nuk kishte dhe as ndonjë mëri përpara me Bilalin. Unë nuk shkrova te “Zëri i Popullit” asgjë për atë diskutim, sepse nuk më pëlqeu si shkoi. Qoftë Bilali që foli ashtu, sepse e hodhi poshtë fare librin, qoftë ata që iu kundërvunë. Atë libër disa e quanin si manifest për klasën punëtore. Kështu që atje mori një drejtim tjetër mbledhja, ndaj ika dhe nuk ndenja deri në fund, sepse nuk kisha ç’të shkruaja. Mbaj mend se pas asaj që ndodhi dolëm bashkë me Bilalin në bulevard. Nuk e di ishte vjeshtë apo pranverë, por di që në bulevard kishte disa pemë që ndërronin gjethet në atë periudhë dhe ai, teksa ecte, u binte me këmbë gjetheve. Ishte shumë i dëshpëruar. “Hë mo se kështu e kanë, – i them, – u shpejtove pak, por lëre çfarë ndodhi, se ti shkruan mirë.” Pas disa kohësh morëm vesh se ai ishte arratisur. Libri më pas iu ndalua. Mua më pëlqenin tregimet dhe vjershat e tij. Ai ishte njeri me talent dhe të vjen keq që humbi ashtu. Me sa kuptoj ishte një njeri që duhej të ishte i lidhur me vendin. Ka shkrimtarë të tillë që jashtë vendit nuk shkruajnë dot. Të tjerë, p.sh. si Kadare, shkruajnë njësoj, si në vendin e tyre, dhe jashtë. Kjo ndodh sepse Kadare ka bërë jetë shkrimtari. Mund të thuash që, shkrimtari i vetëm që ka bërë jetë shkrimtari të vërtetë është Kadare. Ai ka jetuar me profesionin e shkrimtarit, ndërsa të tjerët p.sh., punonin diku dhe ndërkohë shkruanin. Ndaj Kadare ka krijimtari më shumë se të gjithë, sepse bënte jetën e shkrimtarit.
…Ka vërtet diçka që ju e mbani ende për vete në gjithë këtë histori, diçka që do ta zbardhte përfundimisht enigmën?
Përveç këtyre që sapo ju thashë, nuk ka asgjë tjetër në kujtimet e mia për Bilal Xhaferin. Në kujtimet me Bilalin, përveç këtij episodi që kam treguar, nuk kam asgjë tjetër për të rrëfyer, asnjë të fshehtë nuk kam në lidhje me këtë.
…Zoti Agolli, ju si e morët vesh se Bilal Xhaferi kishte përfunduar në Amerikë pas arratisë?
Ne e morëm vesh si gjithë të tjerët, nga ta dinim tjetër?! Ndoshta ndonjë më ka thënë në atë kohë që është në Amerikë Bilal Xhaferi dhe mund t’i kem thënë tezes së tij, por nuk është se unë kisha ndonjë lidhje me të dhe duhej ta dija. Nuk e mbaj mend këtë episod që thotë Tasim Besho, por besoj diçka e tillë do të ketë qenë, gjithmonë, nëse ka ndodhur vërtet. (Tiranë, nëntor 2013).

Më Shumë

SBASHK-ende pa vendim për grevë në shtator

 Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës e Kulturës, ende nuk është në një mendje, nëse nga shtatori do të ketë grevë në arsim. Kreu i...

Dokumentari për Bekim Fehmiun, në Sarajevo Film Festival

  Filmi dokumentar “Bekim Fehmiu”, me regji nga Valmir Tertini dhe produksion të shtëpisë kinematografike “Cinemania”, financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, mban premierën boshnjake...

Lajmet e Fundit