E ndërtuar në kodër, vend nga i cili duket qyteti i Prizrenit, duket sikur ndonjë pikturë e kohës. Kjo, është një nga monumentet e trashëgimisë, simbol, që tregon identitetin tonë kulturore, që mbetët një nga vendet më atraktive për vizitorët e shumtë nga e gjithë bota. .
Kjo është Kalaja e Prizrenit e cila tërheq vizitorë edhe nga jashtë vendit.
“ Jam vërtetë i befasuar me Prizrenin dhe Kosovën me historinë dhe duhet të vazhdohet të ruhet dhe përcillet për brezat”, thotë për RTK-në, një vizitor gjerman.
“Në pëlqen muzeu, më pëlqen kultura dhe ka shumë ndërtesa që janë dëmtuar nga konflikti me Serbinë, por është punuar që të jenë stabile edhe në këtë kohë, prandaj jam I befasuar për të mirë”, thotë ai për RTK.
Pozicioni topografik i Kalasë së Prizrenit, dominues mbi qytetin, peizazhi natyror mjaft tërheqës dhe konfigurimi arkitektonik i menduar mjaft mirë, e bëjnë këtë objekt me vlera të padiskutueshme arkeologjike, historike dhe për turizmin kulturor.
Kalaja është e vendosur në pjesën lindore të qytetit mbi një kodër me formë konike, me lartësi 525 metra mbi nivelin e detit.
Muret fortifikuese ndjekin izohipset e terrenit duke rrethuar një sipërfaqe rreth 1.5 hektarë në trajtë përafërsisht vezake me zgjatje veri-jug.
Arkeologu Shafi Gashi thotë se gjatë periudhave të ndryshme, në këtë lokalitet u bënë hulumtime nga të cilat u konstatua se kishte gjurmë banimi dhe gjetje të ndryshme.
“Por nga viti 2009 e deri më sot, puna e vazhdueshme ka bërë që kjo Kala të marrë formën e saj dhe të shndërrohet në top atraksion për turistët”, thotë Gashi për RTK.
Një pjesë tejet e veçantë është edhe muzeu në të cilën janë të ekspozuara, eksponate që pasqyrojnë historinë mijëra vjeçare të kësaj treve, ku secila prej vitrinave ka një narracion në gjuhën shqipe dhe atë angleze.
Mirëpo për arkeologun, çështja e sigurisë është shqetësim në vete.
Kalaja edhe pse ka marrë formën e saj pothuajse të plotë, mungesa e financave po e vështirëson punën.
Është hartuar një plan menaxhues në bashkëpunim mes Ministrinë e Kulturës dhe CHwB-së , i cili përfshinë kujdesin në baza ditore, qoftë në organizimin e ngjarjeve të ndryshme, dhënien e shërbimeve për vizitor, mirëmbajtjen, pra çdo gjë që e bënë funksionim më të lehtë në Kala.
Sali Shoshi nga CHwB, thotë që ky plan është aprovuar dhe se vetëm pritet kur MKRS do të fillojë me zbatimin.
Aktivitetet në komunën e Prizrenit janë të shumta ku secili aktivitet edhe promovon trashëgiminë që ka kjo komunë në posedim.
E nga kalaja, është vendi perfekt ku mund të shihni pamjen e plotë të qytetit, mësoni për historinë apo edhe të shikoni lindjen apo perëndimin e diellit.