1.5 C
Prizren
E premte, 7 Shkurt, 2025

Korrupsioni po e rrënon Republikën

L ufta kundër krimit dhe korrupsionit po vendnumëron në shtetin e Kosovës, ndërsa shumica e analistëve politikë për këtë mosveprim bëjnë përgjegjës strukturat e larta politike qeveritare, të lidhura me strukturat kriminale, që po vetë-amnistohen nga ndëshkimi për shkak të korrupsionit, viktimë e të cilit është qytetari. Dihet mirëfilli që sa më shumë korrupsion që po ndodh në Kosovë, aq më pak qytetarët marrin shërbimet e nevojshme dhe cilësore, sepse paratë që duhet të rishpërndahen për qytetarët përfundojnë në xhepat e pushtetarëve. Për këtë shkak është krejt e kotë me këtë klasë politike të arrihen integrimet evropiane, pikërisht për shkak të këtij pushteti korruptiv në të dyja nivelet, si dhe gjyqësorit joefikas. Sipas analistit politik, Ali Hertica, korrupsioni në shoqërinë kosovare është mjaftë i thellë.

“Derisa nuk ka aspak ndëshkim të dorës së zgjatur, që e mbjellin, kultivon dhe është bashkëpjesëmarrëse në krim dhe korrupsion, me të drejtë mund të konkludojmë se aty janë të involvuar vetë pushtetarët, prandaj edhe ata po vetë-amnistohen, duke mos vepruar kundër këtij fenomeni kancerogjen për të ardhmen e shtetit dhe zhvillimin”, potencoi ai.

Korruptimi, i zakonshëm

Sipas Herticës, ky fenomen mund të luftohet vetëm përmes një presioni më të madh të opinionit publik dhe shoqërisë civile mbi institucionet e sundimit të ligjit. “Ne si shoqëri kosovare mund ta luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar të nivelit të lartë politik, vetëm duke kërkuar nga drejtësia kapjen e kokave të ‘peshqve të mëdhenj’, pasi konsideroj që ‘peshk i madh’ është çdonjëri që është i korruptuar dhe ka krijuar pasuri marramendëse, që në zhargonin popullor e themi pasurim brenda nate, një kohe shumë të shkurtër, dhe kjo ka ardhur vetëm si rezultat kur individët e tillë kanë qenë të aftër me rrjetet kriminale që kanë menaxhuar rrjedhat financiare në shtet”, tha Ali Hertica. Edhe prof. Riza Smaka thotë se është fakt që korrupsioni në vendin tonë është galopant dhe nuk luftohet as minimalisht nga institucionet përkatëse.

“Për të qenë e keqja edhe më e madhe, në opinionin publik mbase është krijuar një perceptim se korrupsioni është aq i rëndomtë, saqë pa aplikime të formave të caktuara të tij nuk mund të kryhet asnjë farë pune zyrtare. Nëse do të vijonte kjo praktikë, mund të krijohet një klimë politike koekzistente me korrupsionin, madje një trajtë e koekzistencës paqësore tok me korrupsionin”, u shpreh ai. “Nuk ka farë dyshim se defekti qëndron te klasa politike qeveritare, e cila nuk ka as vullnet politik, as kapacitete funksionale për ta luftuar korrupsionin. Ndryshe, parakushti themelore për liberalizimin e vizave në vendin tonë realisht nuk është “demarkacioni” i sponsorizuar nga Qeveria, por demarkacioni bilateralisht i akorduar nga Kosova dhe Mali i Zi , në një anë, si dhe eliminimi i korrupsionit, i cili nga shkaqet e thëna vështirë që do të luftohej e të mos flitet për eliminimin e tij”, tha Smaka për “Kosova Sot

 

 

Më Shumë

Lajmet e Fundit