13.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Krasniqi: Jam krejtësisht i pafajshëm, më vjen turp që jetojë në këtë kohë

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka dalë para Gjykatës Speciale në seancën dëgjimore pas dorëzimit të aktakuzës së re, me ndryshime, të cilën Zyra e Prokurorit të Specializuar, e ka dorëzuar në gjykatë më 29 prill.

Krasniqi është deklaruar i pafajshëm, ndërsa ka pasur një fjalim të gjatë kur gjykatësi Nicolas Guillou e ka pyetur nëse e ka marrë aktakuzën e re dhe nëse i ka lexuar akuzat.

“I nderuari gjyqtar, zonja dhe zotërinj të të gjitha segmenteve të drejtësisë që jeni të thirrur të mbroni dhe të bëni drejtësi, kërkoj që të më kuptoni drejt. Gjatë gjithë jetës sime kam qenë njeri me integritet më mënyrën më të qartë në raport me më të fortin, por për më të dobëtin kurrë nuk kam shfaqur as shenja egërsie e as përbuzje, veç dhembshurisë njerëzore. Padrejtësisë, sado e rrezikshme të ishte dhe është edhe sot, nuk i jam përgjigjur me heshtje asnjëherë”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi duke kritikuar gjyqtarët dhe prokurorët në Hagë, ka thënë se si guxojnë të ngrehin aktakuzë në bazë të gënjeshtrave të Serbisë.

“Sot po i them disa fjalë. Mbase jam gabim, por kurrë nuk kisha besuar po të mos ishte ky rast se juristë të shkulluar në vendet me demokraci liberale, me traditë, që pretendojnë se punojnë në një sistem të drejtësisë kredibile, për të bërë drejtësi standarde, guxojnë të ngrehin një akuzë që mbështetet vetëm e vetëm mbi bazën e gënjeshtrave të Serbisë dhe e cila cenon rëndë lirinë, jetën e të drejtën e individit, e madje e godet në palcë të kurrizit të drejtën e një populli për liri e shtetndërtim me një padrejtësi të madhe. Mua më vjen turp që po jetoj në këtë kohë të këtij lloj homosapiensi që me kaq lehtësi ua shkatërron jetën njerëzve dhe familjeve që guxuan të luftojnë për jetën në liri, për demokracinë e pavarësinë”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se kriminelët serbë nuk është duke i gjykuar askush.

“Në atë kohë nuk besoj në botë ka pasur një regjim të tillë kriminal e gjenocidal sa e si ishte regjimi i Millosheviqit, të cilit nuk po i mungon as qimja e flokut. Luftërat dhe padrejtësitë nuk janë vepra të të virtytshme, por kjo e fundit nuk vlen për luftërat për jetë, për liri e për çlirim. Unë z. gjyqtar, e kam lexuar dokumentet, aktakuzën, edhe këtë shtesën e fundit, dhe mund të them me bindje të plotë se e kam të vështirë ta kuptojë edhe aktakuzën e parë, edhe vazhdimin, pasi jam i bindur se vepra të tilla kurrë nuk kam kryer në jetën time. Prandaj deklarohem krejtësisht i pafajshëm. Dhe natyrisht kërkojmë që gjyqi të shpejtohet dhe të mos na mbani kaq gjatë në paraburgim”, ka thënë Krasniqi.

Më Shumë

“Një çift nuk martohet për m’u nda”- Blero dhe Afrona përloten gjatë intervistës

Është publikuar një promo më e gjatë e podcast-it të Blero Muharremit me Afrona Dikën. Në një minutë, kuptohet se është fjala për një intervistë...

Policia shqipton mbi 1 mijë e 300 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1391 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Ylli në finale

Lajmet e Fundit