7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Ksamili, nga fshati i Enverit në qytezën që vetëmenaxhohet

ksamilThuhet se ishte vizita e ish-Kryeministrit të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, në vitin 1960, që i hapi rrugë ndërtimit të rrugës në Butrint e njëkohësisht ngacmoi Enver Hoxhën, udhëheqësin shqiptar, që Ksamilit e kodrat përqark pushtuar nga shkurre e bimësi të egër, t’i jepte jetë. Në vitin 1966 ai vendosi që vendi të banohej dhe kodrat të ktheheshin në tarraca agrumesh e ullinjsh. Kështu nisi historia e formimit të këtij fshati, por që sot ka formën e një qyteze të ngrohtë, buzë Jonit.

Ruajtja
Nuk e di se çfarë ka ndodhur me Sarandën, se si është katandisur në një pazëll masivesh betoni, të cilat bllokojnë edhe çdo kontakt me detin, por sa del nga zallamahia e skeleteve gjigantë që vazhdojnë sërish të ngrihen, shpëton. Në anë është liqeni Butrintit e vetëm pak kilometra më pas shfaqet Ksamili. Djathtas rrugës, plantacione ullinjsh duket sikur s’kanë kufi me bregun shkëmbor dhe përballë shfaqen ndërtesat e para. Në Ksamil ka frymëmarrje. Nuk ka ndërtime të larta mbi 4 kate dhe vilat e ndërtuara nga banorët janë më së shumti strehat verore për pushuesit e shumtë. Situata e gjetur në vitin 2012, ku aksioni për prishjen e mbi 250 ndërtimeve pa leje la si trashëgim pamjen e trishtë të një fshati të madh nën rrënoja, tashmë është zhdukur. Të ruash një perlë të natyrës nga etja e biznesmenëve për ta betonizuar është një meritë e madhe dhe Ksamili ia ka dalë. Besnik Abedini, kryetari i Komunës Ksamil tregon se nuk ka qenë shumë e lehtë të mbahet nën kontroll ndërtimi pa fre. “Patëm një problematikë që u shfaq haptas në vitin 2010, por mes një aksioni të Inspektoratit të Ndërtimit në atë kohë u shembën rreth 250 objekte pa leje. Që nga ai moment ne kemi qenë të vendosur të mos lejojmë betonizimin e Ksamilit dhe arritëm që gjendjen ta mbajmë nën kontroll”, thotë kryetari, i cili prej 4 vitesh është në krye të komunës, që në fakt përngjan më shumë me një qytezë, e cila ia del vetë për zot gjithçkaje.

Vizitorët e parë

Edhe pse është fillimsezoni, autobusë me targa Serbie dhe Maqedonie kanë filluar eksplorimin e Ksamilit, i cili është gati të përballojë fluksin që çdo vit e shtohet. “Numri i turistëve nga 20 korriku në 25 gusht e çon Ksamilin nga 10 mijë në mbi 35 mijë banorë rezidentë. Për këtë sezon krahasuar me vjet numri i shtretërve është 13.500 nga 11 mijë që ishte. E sigurisht, çdo vit ne kemi progres shërbimi përderisa çdo vit ka rritje kërkesash”, sqaron kryetari Besnik Abedini. Në fakt, çmimet janë normale në Ksamil, ndryshe nga çmenduritë e tjera që dëgjojmë në jug, si për shembull një kile domate 6 mijë lekë. E krahas kësaj, pushuesit kanë ujë dhe energji elektrike 24 orë. Komuna ia del vetë në të shumtën e rasteve për të asfaltuar ndonjë rrugë a sistemuar ndonjë plazh, sepse investimet e shtetit kanë munguar. “Po të krahasojmë projektet që kemi paraqitur me investimet që na janë dhënë, thuajse kanë qenë minimale, ose për të thënë fare. Të gjitha investimet i kryejmë me paratë e komunës, si hapjen e rrugëve dytësore, menaxhimin e plazheve, ambientet për pushuesit. Ndërkaq, kemi një qendër të re kulturore në hyrje të Ksamilit, si dhe një kënd lojërash, i cili nga inaktiv që ishte prej vitesh, sot është një nga veprat më të spikatura që i shërben komunitetit”, thotë Besnik Abedini, kryetari i komunës. Por sigurisht që Ksamili ka nevojë edhe për mbështetje nga qeveria qendrore. “Ksamilit i duhet vijimi i shëtitores, pasi një pjesë është bërë, i duhet lidhja e të gjitha lagjeve me detin, pra rikonstruksioni sepse rrugët janë, si dhe një qendër e unifikuar, projekte të cilat kam shpresë se do të gjejnë zgjidhje”, shton Abedini.

Herët në Ksamil

Banorët e parë të Ksamilit, pas vendimit të Enver Hoxhës më 1966 u sollën nga Ndërmarrjet Bujqësore të rrethit të Korçës, mes tyre edhe aksionistë nga rrethe të tjera që u vendosën aty. Vite më vonë nisi popullimi dhe prej zonave të tjera, kryesisht Kukësit, Tepelenës, Përmetit… Dikur kanë qenë vetëm 4 pallate dhe ajo zonë sot quhet te “4 pallatet” e 12 të tjera në lagjen poshtë. Një kinoteatër, turizmi dhe qendrat e brigadave. Gëzim Daci është kuksian dhe një ndër banorët e parë të Ksamilit post-socializëm. Në vitin 1991, duke përfituar nga lëvizja e lirë, ai u zhvendos me familjen në Ksamil për të punuar në Ndërmarrjen Bujqësore, punë të cilën e bëri deri në vitin 1994. “Do të doja të kishim ardhur më herët në Ksamil, por nuk ishte e thjeshtë para viteve ’90. Ne punonim në Ndërmarrjen Bujqësore, e cila menaxhohej nga të huajt. Pagesa ishte e mirë, 2500 lekë në ditë, e jetonim mirë deri sa ferma u mbyll dhe ksamiljotët e ne banorët e rinj mbetëm pa punë. Një pjesë e njerëzve ikën në emigracion, të tjerë punonin në ndërtim”, thotë Gëzimi duke sqaruar se ksamiljotët mbetën pa asnjë përfitim nga ligji 7501 për ndarjen e tokës. “Meqë deri në vitin 1994 funksionoi Ndërmarrja Bujqësore, me pretekstin e kooperativës, ksamiljotëve nuk u dhanë asnjë copë toke me ligjin e ri dhe të gjithë ata që kishin punuar prej 35 vjetësh aty, por dhe të ardhurit e rinj, mbetën pa asgjë. As ndërmarrje, punë pra dhe as tokë”, thotë Gëzimi, i cili i pyetur, na shpjegon që të gjitha tokat u ndanë vetë nga njerëzit e më pas nisën të ndërtonin shtëpitë e para, të cilat janë legalizuar.

Njerëzit
Është mesditë, e kohën që ikën shpejt mes bisedave na e kujton kënga e hoxhës. Në Ksamil ka myslimanë, ortodoksë e katolikë, siç ka dhe banorë me origjinë nga gjithë e Shqipëria dhe minoritarë. Janë të qetë e kanë respekt për njëri-tjetrin, kjo e reflektuar edhe në vitin e mbrapshtë, 1997, ku s’ndodhi asgjë e të gjithë ruajtën njëri-tjetrin. Është zheg e thuajse të gjithë janë shkëputur buzë detit. Ka shumë vende të bukura në Ksamil, por ne qëndrojmë te Mentori, sepse panorama që ofrohet në fakt është mahnitëse, me detin e kristaltë e 3 ishujt e pabanuar, por të pushtuar nga vizitorët. Familja e tij është ndër të parat në Ksamil. Prindërit i sollën nga Kukësi me punë në Ndërmarrjen Bujqësore në vitin 1978, kur kishin vetëm një fëmijë e në Ksamil lindën 5 fëmijët e tjerë. Sot ai ka një lokal e për shkak të vaktit të drekës nuk mund të rrijë gjatë me ne. Kur e pyesim pse Ksamili ka filluar të frekuentohet më shumë vit pas viti, ai na thotë: “Vendin tonë e preferojnë më shumë familjarët, sepse në bazë të investimeve që kemi bërë, kemi krijuar kushte të përshtatshme edhe për fëmijët e vegjël, të cilët lahen pa problem në det. Uji është i pastër e nuk janë shfaqur kurrë njerëz me probleme lëkure, plus që ushqimi është i garantuar, i freskët, sepse Laguna e Butrintit që ne e kemi shumë pranë na ofron peshk e midhje pafund. Ndërkaq, deti është edhe i sigurt sepse kemi vendosur shenjat kufizuese për mjetet motorike, duke shmangur aksidente”. Mentori shton se edhe çmimet i tërheqin njerëzit, çmime të cilat sipas tij janë 30 për qind më të ulëta se në Himarë e Dhërmi. Në plazhin e tij, afro gjysmën ai e ka lënë për përdorim publik duke u ofruar qytetarëve që nuk kanë mundësi të paguajnë shezlongët, vend për të vendosur çadrat.

Frika
Me projektet e reformës së re territoriale Ksamili i kalon Bashkisë së Sarandës, e kjo është një frikë që reflektohet kudo mes ksamiljotëve. Ndonjëherë të jesh pjesë e një qyteti të madh të del mirë, por ata tkurren teksa mendojnë se do mbeten pas dore, të harruar ose dhe më keq, të keqmenaxhuar. Reforma territoriale është padyshim e nevojshme, sepse komuna të tëra janë inaktive dhe jofunksionale, ndërsa i pyetur nga ne, kryetari i Komunës së Ksamilit, Besnik Abedini, rrëfen një situatë pozitive të vetëmenaxhimit. “Siç jua thashë, pjesën më të madhe të investimeve në Ksamil ne e kemi bërë me të ardhurat e komunës. Ksamiljotët gjithmonë kanë paguar jo vetëm taksat vendore, por edhe energjinë e ujin e pijshëm dhe kjo situatë ka sjellë që komuna të bëjë investime për të përmirësuar cilësinë e jetës. Ksamiljotët kanë kulturë në pagimin e taksave vendore dhe kjo është dhe një ndër treguesit kryesor dhe një nga pikat më të forta që kemi, kur i kërkuam qeverisë dhe Komisionit të Reformës Territoriale, që Ksamili meqë është eficient dhe di të jetojë vetë, të mbetet si njësi vendore më vete”, sqaron Abedini. Nuk dihet ende s’e çfarë do të ndodhë me reformën, ndërkaq që Ksamili është gati të presë fluksin e madh të pushuesve, të cilët po e shkelën një herë vendin e magjishëm, do të rikthehen sërish aty./ REZARTA DELISULA/

Më Shumë

Durrësi qyteti më i nxehtë deri në 2040-ën, në mesin e tyre edhe Prizreni

Zyra e Bankës Botërore në Kosovë bën të ditur se nxehtësia ekstreme në qytetet e Ballkanit Perëndimor është përkeqësuar ndjeshëm dhe valët e të...

Moti sot me diell dhe shumë i ngrohtë

Të dielën, më 14 prill parashikohet të mbajë mot me diell dhe shumë i ngrohtë. Era do fryjë drejtimesh të ndryshme me shpejtësi prej 6-25...

Lajmet e Fundit