15.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Ku është sot kritika e artit?

Kritika është ndër pjesët më të rëndësishme të artit. Madje, mund të themi se arti nuk ka vlerë pa kritikën. Kur e themi këtë, kjo vlen për të gjitha disiplinat e artit: film, letërsi, teatër, pikturë, skulpturë e kështu me radhë. Në një farë mënyre, kritika është aktualizimi i artit. Arti bëhet art vetëm përmes kritikës. Dikur Kosova shquhej për shumë kritikë të artit dhe kulturës. Por, cila është sot gjendja e kritikës së artit?

Qosja: Preferoj Hoxhën dhe Apollonin

Regjisori i njohur, Isa Qosja, tha: “Unë i kam lexuar vlerësimet e dy autorëve: Ballsor Hoxha dhe Ben Apolloni. Që të dy më kanë bindur se i kanë lexuar mirë filmat për të cilët kanë shkruar. Ballsori e ka një shkrim goxha të fuqishëm për filmin fitues të Oskarit ‘Birdman’”, të cilin Qosja e quajti një shkrim mjaft kompetitiv në nivel të shpalosjes artistike, ku simbolet e lexuara mirë, dimensioni estetik i vlerësuar, aktrimi, drama dhe të gjitha elementet domethënëse të këtij filmi janë të matura me prirje shumë kreative. “Ben Apolloni, po ashtu, tregohet si njohës i shkëlqyeshëm ideo-estetik i veprës kinematografike. Do të doja që këta dy autorë të mbeten në këtë rrafsh, sepse do të na tregojnë shpesh për vlerat reale të veprave kinematografike”, tha ndër të tjera profesor Qosja.

Lumi: Kritika teatrore, vetëm sipërfaqësisht

Regjisori i teatrit, Bekim Lumi, na përshkroi kësisoj gjendjen e sotme në kritikën teatrore: “kritika teatrore te ne ekziston vetëm sipërfaqësisht. Dy apo tre emra janë krejtësisht, të cilët edhe ashtu, më shumë se vazhdimisht, shkruajnë për shfaqje të veçanta vetëm herë pas here. Edhe aq sa shkruhet, për nivelin e këtyre shkrimeve mund të diskutohet. Të rralla janë rastet kur ato janë thellësisht profesionale dhe kur, me formën, përmbajtjen dhe nivelin e tyre, i përfillin kriteret dhe standardet e kritikës së mirëfilltë teatrore”. Sipas regjisorit Lumi, në të shumtën e herëve, ato, më tepër se shkrime kritike, janë kryesisht shkrime me karakter informativ apo përshkrues, ndërkohë që vlerësimet brenda tyre për aspekte të ndryshme të natyrës artistike janë shumë të përgjithshme dhe pa qasje analitike.

“Shpesh këto shkrime të ashtuquajtura kritike janë subjektive dhe, si të tilla, më shumë se me intonim kritik, janë të mbushura me vlerësime përlëvduese, klishetike dhe përgjithësuese. Janë të shpeshta, bie fjala, formulimet si: “Loja e aktorëve në përgjithësi ishte e mirë”, “Regjia e shfaqjes ishte një risi kreative”, apo “Kostumet dhe skenografia e plotësonin njëra-tjetrën”, ndërkohë që nuk jepet qoftë edhe një argument i vetëm për vlerësimet e këtilla përgjithësuese dhe pa asnjë analizë profesionale”, thotë Lumi, duke shtuar se e keqja më e madhe në krejt këtë histori të përçudshme është se, me gjendjen sporadike të shkrimeve kritike mbi teatrin dhe shumë më tepër me nivelin e saj të ulët dhe joprofesional, ne, në vitet e pasluftës e këndej, nuk e kemi ende, qoftë edhe në formën e një kronike të përmbledhur, amplitudën e zhvillimeve teatrore në Kosovë.

“Kjo gjendje e mjerë e shtron si të domosdoshme përcaktimin dhe kualifikimin profesional të njerëzve të rinj, të cilët, përmes shkollimit jashtë vendit apo përmes punëtorive të ndryshme, do të mund të profilizoheshin dhe të formësoheshin intelektualisht, artistikisht dhe profesionalisht për fushën e kritikës teatrore. Pa një kritikë të mirëfilltë teatrore nuk mund të ketë as krijim, as nivel, as qasje e as standardizim të kreacioneve tona teatrore. Në të vërtetë, mungesa e mendimit të mirëfilltë kritik tashmë e ka rrënuar pothuaj krejtësisht teatrin në Kosovë”, tha për fund Lumi, duke e përmbyllur me konstatimin se jorastësisht, para krijuesve dhe artistëve të mëdhenj, origjinalë e karizmatikë, në skenën tonë teatrore janë ambientuar dhe vegjetojnë diletantët, kopjuesit, shkëmbyesit, hileqarët, mercenarët, honorarxhinjtë dhe përfituesit.

Apolloni: Letërsia shqipe po kthehet në metatekstuale

Një lëmi e kritikës artistike për të cilën Kosova dikur krenohej është kritika letrare. Brezi i Rugovës, Hamitit, Qosjes, Fetiut, Ismajlit, Vincës etj., paraqesin epokën e artë të kritikës sonë. Shkrimtari Ag Apolloni për “Zërin” tha se në studimet letrare shqipe, që nuk datojnë para shekullit XX, nuk i hasim të gjitha shkollat kritike, madje mirëfilli nuk e hasim asnjë shkollë kritike. “Kritika shqiptare, ndikimin më të madh e ka nga pozitivizmi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, parimeve të të cilit u janë përmbajtur të gjithë kritikët shqiptarë.

Mirëpo, herë pas here ata janë ndikuar edhe nga shkolla të tjera, si: formalizmi, psikanaliza, strukturalizmi, kritika receptive, kritika e variantit dhe kritika pragmatike”, tha profesor Apolloni, duke shtuar se edhe pse në kritikën shqiptare nuk e kemi asnjë kritik të vetëm që lidhet vetëm me një shkollë kritike, “si themelues të kritikës mund të konsiderohen: Konica, Noli e Kuteli me shkrimet e tyre të shkapërderdhura nëpër periodikë, apo me parathënie librash; konsolidues: Qosja, Rugova e Hamiti, disa nga veprat e të cilëve janë kontribute kapitale të kritikës; atentatorë: Shuteriqi, Bihiku, Brahimi, Shapllo, Velça, të cilët, në vend se ta përcjellin, u përpoqën ta udhëheqin letërsinë; përfaqësues si Arshi Pipa, i cili me veprat e tij, shqip e anglisht, paraqet shembullin më të mirë të kritikut, aq sa pranë tij të gjithë kritikët shqiptarë duken si nxënës. Fatkeqësisht, për shkak se kritika e Pipës është shkruar kryesisht jashtë Shqipërisë dhe në gjuhën angleze, ai ende nuk është ulur në fronin që i takon. Kritika e tij është një gërshetim i kritikës evropiane me atë amerikane. Aty, pos tjerash, gjejmë për herë të parë edhe kritikën e variantit, nën ndikimin e Continit”.

Për fund, Apolloni tha: “Duke u nisur nga botimet e dekadës së fundit, mund të konstatohet se letrarët shqiptarë më shumë preferojnë ta studiojnë letërsinë sesa ta krijojnë atë. Këtë shembull e japin të gjithë ata që janë më aktivë në jetën kulturore, duke u imponuar në radhë të parë me ese, recensione e kritika letrare, qoftë me libra të veçantë, qoftë me tekste nëpër gazeta dhe revista letrare. Letërsia shqipe sot pothuajse është kthyer nga letërsi fiksionale (artistike) në letërsi metatekstuale (kritike), ndërsa dominimi i metatekstualitetit mund ta kthejë atë në metakritikë (kritikë mbi kritikën). Një “zhvillim” i tillë mund ta kthejë mbrapsht letërsinë, mund t’i injorojë krijuesit dhe mund t’i shtojë parazitët (kritikët)”. /Zëri/

Më Shumë

Lajmet e Fundit