Enver Sulaj
1.
Në kohën kur rrjetet sociale ia hapën rrugën secilit që ta shfytëzojë lirinë e shprehjes dhe paraqitjes publike, edhe mënyra e komunikimit ka ndryshuar rrënjësisht; ka ndryshuar edhe perceptimi publik gati për gjithçka. Duket se nuk ka më një kriter të pranueshëm apo një koncensus social se çka është e mirë e përgjithshme, e çka jo; çka është vlerë, e çka jo. Shpesh, edhe më të informuarit, që kanë një përgatitje shkollore solide dhe një përvojë jetësore e profesionale, mbeten pa gojë para realitetit të tillë. Përderisa në sistemet totalitare janë mekanizmat shtetërorë që kontrollojnë të gjitha poret e jetës, sot, në kohën e zhvillimit të rrufeshëm teknologjik, është edhe armata e rrjeteve sociale, e organizuar mbi baza të ndryshme, që, njëjtë, si diktatura, e ushtron njëfarë kontrolli ose në rastin më të mirë përpiqet ta kontrollojë e orientojë mendimin publik. Kjo intensifikohet në kohë zgjedhjesh e lobingu për çështje të caktuara, nga mekanizma shtetërorë, por edhe grupe të ndryshme interesi.
2.
Duke dëgjuar këto ditë një “këngë” që po qarkullon në rrjetet sociale, ku fyhet rëndë Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, ndërsa jo rrallë hasim edhe postime me fyerje e shpifje, për gjithçka që i bie ndërmend armatës së rrjeteve sociale, njeriu normal s´ka se si të mos tmerrohet e të pyes: Kah po shkojmë si shoqëri? Ku janë institucionet, shtetërore, OJQ-të, shoqatat e organizatat e ndryshme, institucionet kulturore, arsimore etj.? A është heshtja si zgjidhje? Absolutisht jo! Si të veprojmë, pra? Thjesht, të flasim e të shkruajmë me përgjegjësi e argumente, duke mos qëndruar në heshtje në zonën e komoditetit e të komformizmit, sepse dikur mund të bëhet vonë. Së paku, të ngrisim zërin kundër fyerjeve, shpifjeve, pohimeve të pargumentuara dhe kërcënimeve për mendimin ndryshe, si „kulturë“ komunikimi. Kjo po krijon një ambient të helmët social, që po na vret të gjithëve ngapak e përditë! E, më e keqja është, se ne kujtojmë se gjithçka është në rregull dhe nuk e konsiderojmë veten përgjegjës për të reaguar në situata të tilla, duke menduar se janë të tjerët që kanë përgjegjësi edhe për ne.
3.
Mentaliteti i konformizmit dhe heshtjes, sidomos të intelektualëve, nuk ka vend në shoqëritë që synojnë përqafimin e vlerave demokratike. Si i tillë, ky mentalitet, që buron nga logjika e të pushtuarit dhe të nënshtruarit, duhet të çrrënjoset një ditë e më parë, për të demaskuar konjukturat klienteliste të çdo krahu e ngjyre, nepotizmin dhe njëfarë organizimi patriarkal që synon privilegje pafund për vete e familjarët e vet, ndërsa qytetarët i sheh si pjesë të makinerisë së votimit. Shprehja e lirë e mendimit, pa fyerje, sharje e kërcënime është e drejtë e secilit, në të kundërtën, ne shkelim parimet bazë të demokracisë dhe sigurisht bartim edhe përgjegjësi.
Pra, nuk duhet të lejohet shpërdorimi i fjalës së lirë dhe instrumentalizimi i saj nga makineria e propagandës politike, që, në mungesë arsyetimesh e alternativave për zgjidhjen e drejtë të problemeve të vendit, nxisin fyerjen e shpifjen, duke shpërfaqur profile të papranueshme morale e politike. Vota buron nga mendimi i lirë e gjykimi i ftohtë, pa helm në shpirt e urrejtje për njëri-tjetrin.