18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Kush imiton milicinë, shkel në paragrafë!

Agim MuhaxheriShkruan: Agim Muhaxheri

E çon “te vendi” fotografin e gazetës, gazetarin, pse ka kryer punën e vet, e torturon fizikisht, të kapë Kodi Penal. Policët “burgosën” informatën! E drejta në informim është kategori kushtetuese. Privimi i kundërligjshëm i lirisë, keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike, tortura… janë të sanksionuara si vepra penale. Për këto veprime të kundërligjshme mund të dënohesh deri në 3 vjet burg

Kush janë ata persona zyrtarë që i dhanë dajak fotografit të gazetës “Express”, Kushtrim Tërnava? E dinë, apo s’e dinë, se ky veprim bie ndesh me legjislacionin e Kosovës, Kushtetutën, Ligjin e Policisë dhe Kodin Penal. Me fotografin, pse e kryente punën e vet, u tallën, e torturuan fizikisht edhe “te vendi”, stacioni policor! Ai kapet në vendin e ngjarjes pse kishte fotografuar policët gjatë kryerjes së një aksioni të tyre.
Askujt nuk i shkruan në ballë se është fotograf, apo gazetar i ndonjë medie. Policët kanë dyshuar se mos ai (fotografi) është i huaj, i përket ndonjë shërbimi sekret, apo është qytetar i rëndomtë që e ka në qejf të bëjë poza me policinë.. Pasi e kanë legjitimuar dhe kanë vërtetuar se kush është, e kanë rrahur. Policët “burgosën” edhe informatën, fotografitë e tij! E drejta në informim është kategori kushtetuese.
Kodi Penal i Kosovës (hyri në fuqi në janar të 2013-s) rreptësisht e ndalon përdorimin e dhunës në stacionin policor. I dyshuari, i gjendur brenda grilave, nuk ka pasur mundësi teorike t’u rezistojë atyre që patën punë me të.

Ky Kod, në kreun XVII, sanksionon veprat penale kundër lirive dhe të drejtave të njeriut. Në nenin 193 thuhet: “Kushdo që në mënyrë të kundërligjshme i mohon ose i kufizon liritë apo të drejtat e cilitdo person të Republikës së Kosovës… dënohet me burgim deri në tre vjet”. Ndërkaq, në nenin 196 saktësohet: “Kushdo që personin tjetër në mënyrë të kundërligjshme e burgos, e mban të mbyllur ose në ndonjë mënyrë tjetër e privon nga liria, dënohet me gjobë ose me burgim prej gjashtë muaj deri në 3 vjet”.

Po kështu, është paraparë edhe vepra penale – Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike. “Personi zyrtar , i cili duke keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij e keqtrajton, frikëson ose fyen rëndë dinjitetin e personit tjetër, dënohet me burgim deri në 3 vjet” ( paragrafi 1 i nenit 198). Nëse i dyshuari mbahet në stacionin policor më tepër se gjashtë orë, barra i bie prokurorit të çështjes. Nëse ndaj tij bëhet tortura fizike, prokurori mund të ndëshkohet për veprën penale të torturës dhe mund të dënohet deri në 15 vjet burg (neni 199).
Një mik imi, shkrimtari Gani Xhafolli para luftës më thoshte: E kam fqinjë një familje serbe. Burrë e grua çdo natë zihen, bëhen copa, zhurma e tyre dëgjohet edhe te shtëpia ime. Po frikësohem se do të më gjejë ndonjë e keqe… I pyetur: Pse po thua kështu ? – Qysh mos me u tutë, more. Këta të zinjtë, milicia, mund të shkojnë te familja grindavece. E këta ta drejtojnë gishtin kah unë, të thonë: Ky po na bën trysni. Milicia më rrahin mua, jo si Gani, po si komb…

Edhe unë si gazetar, disa herë jam përballur me milici, por edhe me prokurorë serbë. Më kanë torturuar fizikisht në stacionin policor në Ferizaj për shkak të një reportazhi. Shkrimin “Mrizojnë” doganierët e kam publikuar në gazetën “Bujku”, më 1996.. Meqë ishte vapë, inspektori i sigurimit të shtetit, të cilin e thërrisnin Gjorgjeviq, pasi më torturoi fizikisht, i ra të fikët. Këtë e spërkatën me ujë nga një bokall. Atij iu kthye vetëdija. U gëzova jo për të, po për vetën time…

Para shtatë vjetësh në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë e ndiqja procesin e Enver Sekiraqës, i akuzuar se ishte kacafytur me policinë. Një polic i njësisë speciale, në korridorin e gjykatës, mu afrua dhe më pëshpëriti: Pasi të kryhet seanca eja te ne, na ta japim një “deklaratë të fortë”. Këtij i thashë: Shikoje punën tënde, unë timen… Derisa e ndiqja procesin, kolegu i tij nga mbrapa, më pickoi në dorë. Atij i them: A je ti normal, ç’po bën kështu, eja në vete, mos e keqpërdor uniformën… Të nesërmen pasoi hakmarrja. Këta “specialcat” e kishin urdhëruar rojën e sigurimit të Gjykatës që të më “mbështes për muri”, por ky nuk arriti ta bëjë këtë, ngase unë nuk e lejova… Tërë këtë dramë ia rrëfeva kryetarit të Gjykatës. Pas vërejtjes që i bëra që të sillen më mirë ndaj gazetarëve, ai doli nga takti. Ngriti zërin dhe murmuriti: “Ti po sillesh këtu si komandant a?! “Po, po, unë jam komandant, a s’e ke ditur”, ia ktheva me të njëjtën monedhë. Këtë kryetar e “ndreqa” në gazetën “Epoka e re”. Atij ia nxora emrin në titull se gjykata nuk është e tij.

Gazetarët assesi, në asnjë mënyrë nuk bën të shtrijnë kurrizin, të dorëzohen, të shkruajnë siç u diktojë politikanët apo të tjerët. Por gjithnjë t’u përmbahen etikës së tyre. Ndryshe i lënë hije të keqe profesionit që kanë.
Çdo kund në botë, nëse sulmohet polici, ai e zmbraps sulmin në mënyrën proporcionale. Por kur polici e përdor dhunën fizike pa arsye ndaj ndonjë të dyshuari, kjo është e patolerueshme.
Zotërinj policë, kur nuk bëhet rezistencë ndaj jush, jo vetëm gazetarët, por askënd tjetër nuk guxoni t’i fyeni e t’i torturoni fizikisht.
Koha e milicisë ka perënduar.
Mos shkelni në paragrafë, ngase mund të ndëshkoheni.

(Autori është analist për çështje juridike. Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)

Më Shumë

Klubi i Çiklistëve “Pro Bike Prizren” apelon për kujdes të shtuar në trafikun rrugor

Klubi i Çiklistëve “Pro Bike Prizren” i ka bërë thirrje çiklistëve dhe ngasësve të automjeteve që të shtojnë kujdesin në rrugët e Prizrenit për...

Moti sot me temperatura në rënie, priten reshje shiu

Sot parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat gjatë pjesës së dytë të ditës parashihen të sjellin riga shiu dhe...

Lajmet e Fundit