18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Ligjet nuk po e mbrojnë Qendrën Historike të Prizrenit

Prizreni9-18EC Ma Ndryshe në kuadër të projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm” ka analizuar kornizën legjislative dhe institucionale për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore brenda Qendrës Historike të Prizrenit. Një numër i konsiderueshëm ligjesh dhe dokumentesh në të dyja nivelet e qeverisjes janë miratuar viteve të fundit, të cilat duhet të sigurojnë mbrojtjen dhe zhvillimin e Qendrës Historike. Me gjithë këtë kornizë legjislative dhe institucionale mjaft të avansuar, Qendra Historike e Prizrenit vazhdon të degradohet në mënyrë sistematike. EC Ma Ndryshe beson dhe rekomandon se vetëm opsioni i ndëshkimit (me gjobë ose burgim) për veprën penale “dëmtim i trashëgimisë kulturore” mund të shpëtojë Qendrën Historike nga shkatërrimi i tërësishëm.

Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2013 i publikuar nga Komisioni Evropian ka konfirmuar shqetësimet e shoqërisë civile në Prizren dhe Kosovë për degradimin e trashëgimisë kulturore. Raporti në mënyrë eksplicite konstaton se “interesat biznesore shpesh herë mbizotërojnë kundruall interesave të trashëgimisë kulturore”, duke aluduar në ndërtimet pa leje. Njëherësh, Komisioni Evropian, në pjesën e raportit që flet për të drejtat kulturore ka bërë thirrje për “veprime të fuqishme për të ndaluar aktivitetet ilegale dhe degraduese si dhe korrigjimin e atyre ndërtimeve që kanë tejkalime”. Ky degradim është tregues i dështimit institucional për të mbrojtur Qendrën Historike të Prizrenit dhe konfirmim i konstatimit se ligjet janë të pamjaftueshme për të siguruar rend urbanistik dhe mbrojtje te trashëgimisë kulturore në këtë qendër.

Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit parasheh që personi fizik dhe juridik që bën ndërtimin, rrënimin, ndërhyrjet në infrastrukturë apo çfarëdo aktiviteti tjetër të ndaluar, paguan të gjitha shpenzimet e nevojshme për kthimin e objektit të dëmtuar të trashëgimisë kulturore dhe fetare në gjendjen para shkaktimit të dëmit. Sipas këtij ligji gjobat e parapara me Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe Ligjin për Ndërtim, dyfishohen në rast të shkeljeve brenda Qendrës Historike të Prizrenit, ndërsa zbatohen masat sanksionuese të parapara në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Edhe Kodi Penal i Kosovës është mjaft i qartë në raport me dëmtimin, shkatërrimin dhe nxjerrjen e paautorizuar të monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës. Sipas Kodit Penal kushdo që dëmton ose shkatërron monumentin ose objektin e mbrojtur kulturor, historik, fetar, shkencor apo natyror, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy (2) vjet. Për më tepër, nëse monumenti i mbrojtur ka vlerë të posaçme ose nëse vepra penale rezulton me dëm të rëndë, kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.

Me gjithë këtë kornizë ligjore dhe sistem institucional, Qendra Historike e Prizrenit po degradohet në vazhdimësi. Institucionet e shtetit kanë dështuar në zbatimin e ligjeve, e mbi të gjitha në ndëshkimin e keqbërësve. Dëmtimi dhe shkatërrimi i trashëgimisë kulturore, për shkak të praktikës së mosndëshkimit, po konsiderohet si shkelje e vogël (në rastin më të mirë). Mosndëshkimi po inkurajon veprime tjera degraduese ndaj trashëgimisë kulturore. Ndërtimi i hoteleve brenda Qendrës Historike në 3-4 vitet e fundit (pothuaj të gjithë me tejkalime) dëshmon më së miri përsëritjen e shkeljeve nëse të parët nuk ndëshkohen. Mosveprimi i institucioneve ka krijuar dhe zhvilluar kulturën e mosndëshkimit në Prizren. Qendra Historike është ndër zonat më të errëta të sundimit të ligjit në Prizren, me mungesë totale të transparencës dhe llogaridhënies.

Mbrojtja dhe zhvillimi i Qendrës Historike të Prizrenit është përgjegjësi e ndarë e dy niveleve të qeverisjes dhe e një numri të madh institucionesh. Për këtë arsye, EC Ma Ndryshe rekomandon koordinim mes institucioneve të shtetit për të vendosur rend urbanistik në këtë zonë. Ky koordinim duhet të zbatohet në disa nivele, përfshi atë brenda komunës së Prizrenit (drejtoritë), komuna në raport me QRTK dhe ministritë përkatëse (kulturë, planifikim hapësinor, qeverisjelokale), institucionet e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit dhe mbikëqyrja parlamentare në raport me qeverinë dhe komunën. Paralelisht, ne besojmë në nevojën e organizimit qytetar për të artikuluar presion ndaj institucioneve të shtetit për transparencë dhe llogaridhënie në raport me Qendrën Historike.

Rekomandimi kryesor është zbatimi i ligjeve përmes ndëshkimit, që do të shërbente si shembull parandalues. Dëmtimi ose shkatërrimi i trashëgimisë kulturore përbën vepër penale dhe mosndëshkimi nënkupton paaftësinë e institucioneve për të siguruar sundim të ligjit. EC Ma Ndryshe beson dhe rekomandon se vetëm opsioni i ndëshkimit (me gjobë ose burgim) për veprën penale “dëmtim i trashëgimisë kulturore” mund të shpëtojë Qendrën Historike nga shkatërrimi i tërësishëm.

Më Shumë

Moti me diell, temperaturat deri në 32 gradë celsius

Moti sot parashihet të jetë kryesisht me diell. Vranësirat më të fokusuara parashihen përreth relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-18 gradë Celsius, ndërsa...

Motoçiklisti lëndohet rëndë pasi u godit nga vetura

Një motoçiklist ka pësuar lëndime të rënda trupore pasi u godit nga një veturë. Aksidenti ka ndodhur sot në Prizren, në rrugën “Beteja e Kabashit”. Lajmin...

Moti sot me diell

Lajmet e Fundit