7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Mbi 100 të dyshuar për manipulime në testin e maturës

Suhareke-testi maturesMinistria e Arsimit ka paralajmëruar se do të ngre kallëzime penale për të dyshuarit që janë përfshirë në manipulime gjatë mbajtjes së testit të maturës të mbajtur më 14 qershor.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë paralajmëron se do të bëjë kallëzim penal ndaj personave të cilët dyshohen se kanë dëmtuar procesin e testit të maturës duke manipuluar me të përmes rrjeteve sociale.

Kjo ministri është duke grumbulluar informata për afro 100 persona të cilët janë studentë të fakulteteve publike dhe private e që u kanë ndihmuar maturantëve.

Në tërë territorin e Kosovës kishin hyrë në test 46 mijë nxënës që kishin përfunduar shkollimin e mesëm. Testi i parë ishte mbajtur më 14 qershor, ndërsa pjesa e dytë pritet të mbahet më 28 qershor.

Po ashtu MAShT-i ka paralajmëruar se janë duke u hulumtuar edhe 30 nxënës që dyshohen se kanë përfituar nga manipulimet në testin e maturës përmes telefonave celularë.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë, zëvendësministri i MAShT-it, Nehat Mustafa, njëherësh kryetar i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës.

“Në momentin që do t’i kompletojmë këto lista ne po mendojmë që shumë shpejt do të bëjmë kallëzime penal dhe pastaj le të fillojë secili të japë llogarinë e vet”, tha ai.

Mustafa ka treguar se ministria është duke grumbulluar material nga rrjetet sociale ku persona të ndryshëm u kanë dhënë ndihmë maturantëve për testin e maturës.

Ai ka treguar për 12 veta që MAShT-i është duke i hulumtuar dhe që sipas tij kanë qenë më aktivët për manipulime.

Mirëpo nga hulumtimi i Gazetës Jeta në Kosovë, janë siguruar edhe emrat e mbi 80 personave të tjerë ndaj të cilëve MAShT-i është duke grumbulluar informacione për të bërë kallëzim penal.

Këta persona po verifikohen për shkak se dyshohen se u kishin ofruar përgjigje maturantëve në rrjetin social Facebook pikërisht në grupin “ Testi i Maturës”i cili është sekret dhe nuk mund të shihet nga çdokush. Emrat e këtyre personave janë të njohur për redaksinë.

E ekzistencën e këtij grupi në facebook të quajtur “ Testi i Maturës” e ka pranuar edhe zëvendësministri Mustafa.

Sipas tij manipulimet janë bërë nëpër disa komuna të vendit.

“..nga ajo që kemi grumbulluar janë kryesisht nga komuna e Gjilanit, pastaj pjesërisht nga Komuna e Prishtinës dhe pjesërisht me Komunën e Ferizajt, Komunën e Mitrovicës e Prizrenit”, tha Mustafa.

Zëvendësministri i MAShT-it tha se informatat që kanë qarkulluar nëpër rrjetin social Facebook kanë filluar të shpërndahen pas marrjes së testit dhe ai është fotografuar nga maturantët që e kanë shpërndarë përmes telefonave.

“Kjo ka ndodhur pas kohës që ka filluar procesi i maturës, sepse po të shikohet se kur është bërë komunikim i maturantëve me jashtë është dikur ka ora 11:00. Kjo nënkupton se testi nuk ka dalë nga askush, por është fotografuar nga maturantët”, pohoi Mustafa.

Mustafa tha se për maturantët të cilët vërtetohet se janë përfshirë në manipulime duke kërkuar përgjigje për testin e maturës përmes celularit do të ketë anulim të testit.

“ Na kemi vërtetuar një numër të madh të këtyre nxënësve nga dëshmitë e komunikimit të tyre ku ata kanë kërkuar t’u ndihmoj dikush përmes celularit që e kanë pasur me vete”, deklaroi zëvendësministri i MAShT-it.

I pari i Komisionit Qendror të Maturës nuk ka përjashtuar mundësinë që të ketë anulim të testit në disa qendra, por nuk ka përmendur se cilat komuna do të jenë të prekura.

“Gjithsesi ne jemi duke grumbulluar fakte që të shohim se ku do të ketë anulime kolektive në një qendër, apo ku do të ketë anulime individuale po në ndërkohë ne do t’i ashpërsojmë masat”, tha Mustafa.

Ndërkohë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka tha për Gazetën Jeta në Kosovë se kanë nisur hetimet ku edhe është kryer bastisje në konviktin numër 6 në ditën e mbajtjes së testit të maturës.

“Unë si kryeprokuror kam kërkuar të fillojnë hetimet dhe tash ky rast është duke u hetuar”, tha Beka.

Më Shumë

Dramë e madhe në Suharekë – super derbi me katër gola

Ballkani dhe Drita ka luajtur një ndeshje të madhe duke barazuar me rezultat 2-2 në kuadër të derbit të javës së 30-të të Superligës...

AKP-ja shpall për shitje 26 asete, 3 lokale në Prizren

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka mbajtur të mërkurën ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit nr. 65, e cila përmban 26...

Lajmet e Fundit