23.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Maj, 2024

Në kujtimet e së shoqes

Stefan Cvajg

Shkrimet e tua janë vetëm një e treta e qenies tënde.” Friderike Cvajg i shkruante kështu të shoqit në korrik të vitit 1930. Që pas takimit të tyre të parë në vitin 1914, Friderike do të ishte jo vetëm gruaja e pasioneve për Cvajg, por edhe mikesha e tij më e mirë. Kur ai i shkruante rreshta të gjata dashurie, ajo e dinte se një ditë do të qante në vetmi ikjen e tij. “Nuk mund t’i besosh një burri që shkruan bukur”, do të shkruante më vonë ajo. Por gruaja me flokët e zezë të drejtë dhe vështrimin e thellë donte të shihte larg. Ajo dinte të strukte thellë brenda trupit gjithë dhembjet që i kishte shkaktuar ikja e tij dhe ta pranonte në heshtje ashtu siç ishte. Friderike e dinte se nëse do t’i hiqte një burri si ai lirinë, do t’i hiqte zemrën një letërsie. Me një jetë të trazuar për vetë kontekstin e kohës ku jetoi, me një depresion që e shoqëronte shpesh pas çdo botimi, Stefan Cvajg i besoi gjithmonë vetëm një gruaje. Është bashkëshortja e tij, Friderike, së cilës nuk ndali së shkruari dhe kur kalonte jetën me një grua tjetër.

“Martesa ime me Cvajg” quhet libri që vazhdon të botohet në shumë gjuhë, i shkruar nga Friderike pas vdekjes së tij. Një libër plot kujtime, letra që sjellin një dimension tjetër të jetës së një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë së shekullit XX. “Ti nuk mund ta imagjinosh se çfarë ngushëllimi të jep natyra, ku gjithçka është me ngjyra dhe njerëzit preken si fëmijë”, i shkruante në një tjetër letër. Vera e vitit 1934 do të ndryshonte shumë gjëra në marrëdhënien e tyre. Zhvendosja e tij në Londër, një qytet të cilin ai e deshi gjithnjë për ftohtësinë që mbart, pasi mund të lexonte i lirë nëpër biblioteka pa u bezdisur, e bënte atë të ndihej më e qetë. Prej kohësh ai i kishte kërkuar një sekretare, pasi s’mund t’i mbyllte vetë të gjitha punët e shkrimit. Friderike angazhoi një vajzë të re me emrin Lotte Altmann, të cilën e zgjodhi vetë në një organizatë çifute. Lotte, e bija e një tregtari hekuri nga Katovica, mbesa e një rabini, ishte një femër e shkolluar me takt, e heshtur dhe e shkathët. Ndryshe nga Friderike, ajo ishte e dhënë e tëra pas Cvajgut. Natyrisht që Friderike e kishte parë dhe studiuar me shumë vëmendje konkurrenten e saj të mëvonshme. Për të Lotte ishte një tip “jorinor” jashtëzakonisht e matur, melankolike dhe serioze. Madje ajo mendonte se Lotte kishte qenë modeli biografik për figurën e Edit fon Kakesfavas së paralizuar. Kjo vuajtje e një vajze të re padyshim që e kishte frymëzuar Cvajgun tre vjet më vonë për romanin “Padurimi i zemrës”, ku një dashnor i pavullnetshëm lëkundet mes keqardhjes e prapësimit dhe nëpërmjet pavendosmërisë së tij bëhet bashkëfajtor për vetëvrasjen e të sëmurës së re.

steNdoshta ishin ndjenja krejtësisht të tjera nga ato të keqardhjes dhe aq më pak të prapësimit që e frymëzuan Cvajgun t’i shkruante sekretares së tij një letër ku e kërkonte për grua, letër që e shkroi në bordin e tragetit Folkestone-Boulogne. “Nuk është aq e lehtë sa ç’e mendoni ju si vajzë e re, të gjeni dikë që me kaq shumë përkushtim i kupton, madje i zbulon dëshirat. Gjithnjë kam ndjesinë e frikës sikur jam shumë i madh, shumë jashtë kohës për të shpresuar nga një e re pranim të mirëfilltë ose ca më tepër për të kërkuar diçka …” Në Nisë ata jetuan një muaj të tre së bashku. Cvajg, Lotte, Friderike dhe shpejt doli që Lotte në të vërtetë mund të kuptonte dhe zbulonte dëshirat. Kur Friderike u kthye në hotelin e përbashkët në një kohë sa të papritur aq edhe të papërshtatshme, i gjeti të dy duke u përqafuar fort. “Kurrë nuk kam parë një qenie njerëzore kaq të hutuar, si kjo vajzë e re e hedhur përpjetë nga tronditja e thellë”, shkruante Friderike në kujtimet e saj. Cvajg i premtoi se do ta ndërpriste lidhjen me Lotte, por nuk mundi ta mbante këtë premtim.

Midis Londrës dhe Salcburgut u shkëmbyen letra plot zemërim dhe në fund Friderike e la të shkonte pas Lotte, e bindur se ai do të kthehej sërish tek ajo, por jo si dikur. Kohët e fundit para ndarjes nga jeta ishin të trishtueshme për shkrimtarin. Atë e trembte 60-vjetori. Ja si i shkruante Friderikes në një letër: “Si gjashtëdhjetëvjeçar, sido që të jetë, je i boshatisur dhe i marrë fund. Nuk dua të vazhdoj më dhe vetëm ngurroj ta realizoj këtë dëshirë … shoh se do të vijnë kohë aq të vështira sa të tjerët nuk mund ta përfytyrojnë”. Në tetor të vitit 1941 ai botoi poezinë e fundit, të mbushur plot trishtim. Më 14 shkurt të atij viti çifti udhëtoi për në Rio për të ndjekur nga afër karnavalet. Por gjithë entuziazmi i atij udhëtimi do të fashitej kur në gazeta do të lexonte rënien e Singaporit. Kjo e bëri Cvajgun të mendonte se nazizmi tashmë do të pushtonte botën. Ndaj mëngjesin e 24 shkurtit në Rua Gonçalves Dias 34 në Petropolis, dera e dhomës së gjumit qëndroi e mbyllur deri pak para mesditës. Brenda ndodhej një nga tablotë më të trishta të një vdekjeje. Me këmishë ngjyrë kafe, kravatë të zezë dhe me kilota ngjyrë të zezë, Cvajg qëndronte me sytë mbyllur përgjithmonë pranë Lotte.

E veshur me një këmishë me lule, krahu i saj ishte në gjoksin e tij. “Përpara se të ndahem nga jeta me vullnet të lirë dhe me mendje të kthjellët, detyrohem të përmbush një detyrë të fundit: të falënderoj nga zemra këtë vend të mrekullueshëm, Brazilin, që më dha mua dhe punës sime një pushim shumë të mirë e mirëpritës. Nga dita në ditë kam mësuar ta dashuroj më shumë këtë vend dhe askund nuk do ta kisha rindërtuar më me dëshirë jetën nga e para, pasi për mua bota e gjuhës sime ka perënduar dhe atdheu im shpirtëror Europa po shkatërron vetveten”, shkruhej në deklaratën e shkrimtarit lënë para vetëvrasjes. Vdekja e tij do të trondiste opinionin publik. “A duhet t’i jepte ai armikut të betuar kënaqësinë?”, shkruante Tomas Mann. Për Friderike ikja e tij ishte sikur jeta të ndalonte përgjithmonë. Për një vit gruaja tashmë e dërrmuar nga dhembja nuk doli nga shtëpia. Gjithë kujtimet dhe orët e kaluara me të, i solli në një libër, që është sot shenjë kujtese jo vetëm e një dashurie, por edhe një epoke.

Më Shumë

8 vjet nga pranimi i Kosovës në UEFA, Ademi: Aty filloi një epokë e re për FFK-në

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka kujtuar 8-vjetorin e anëtarësimit të Kosovës në UEFA. Ademi ka thënë se ky vendim i...

Moti sot: Diell, shi dhe shkarkime rrufesh

Të enjten, parashikohet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale me diell, ku pritet të ketë reshje shiu, lokalisht në formë të...

Ylli në finale

Lajmet e Fundit