6.8 C
Prizren
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Një marrëdhënie skizofrenike Rusi – Serbi dhe Kosova (2)

Dr. Enver Hoxhaj

Gjatë vizitës në Beograd, presidenti rus, Putin, përveç takimeve me homologët serbë, përshëndetjes ushtarake nga artileria serbe dhe vizitës në Katedralen Shën Sava, pati pritje mirëseardhjeje nga rreth 100 000 qytetarë. Putini nuk pritet askund në Evropë. Vizita në Serbi do t’i shërbejë një lloj triumfi diplomatik, por nuk ishte ceremoniale në karakterin e saj. Më e rëndësishme është se çfarë ndodhi në margjina të vizitës që, në fakt, ishte edhe qëllim i saj.

Kur ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov vizitoi Beogradin në shkurt të vitit 2018, përveç temave të tjera, ai tha se BE-ja po synon ta vendosë Ballkanin në “një lojë” sikurse bëri me Ukrainën. Sipas tij, BE-ja po ofron një zgjedhje të vetme në tavolinë: ose të jesh me Perëndimin ose me Rusinë. Për Lavrovin, ky ishte burimi i konfliktit në Ukrainë, jo ndërhyrja direkte ushtarake ruse për katër vjet me radhë. Kjo tregon edhe se si Moska luan dhe operon me kartat që i ka në Evropën Lindore. Por edhe sa i takon Evropës Jug-lindore, në Moskë mendohet se si, varësisht nga rrethanat, të përdoren një apo disa shtete të Ballkanit si një “kalë Troje” për interesat e saj. Është në interesin rus që rajoni të mbetet në status quo, të bëhet një zonë periferike evropiane, duke degraduar zhvillimet pozitive drejt humnerës. Fragmentarizimi i rajonit dhe minimi i interesave perëndimore ndodh me qëllim të kultivimit të rivalitetit ndaj zgjerimit euroatlantik. Përderisa në lindje qasja ruse në pesë vjetët e fundit duket e suksesshme, dilema është se si mund të duket rajoni ynë në vitet që pasojnë.

Ndër qëllimet politike është edhe degradimi demokracisë liberale si model politik. Rusia preferon një forcim të autoritarizmit si sistem rus. Kjo do të shpinte edhe në një konkurrencë të sistemeve politike deri tek rivaliteti gjeopolitik me Perëndimin në plan të gjerë. Kjo do të ndryshonte parimet dhe vlerat e kulturës politike në Ballkan me ambicien drejt përafrimit të një modeli euro-aziatik politik. Kështu, përveç bashkëpunimit me qeveri të ndryshme, një vëmendje i është shtuar bashkëpunimit të veçantë me parti të ndryshme politike, sa në rrafshin programor, po aq edhe në atë ideologjik. Disa parti politike në Serbi, Bosnjë, Maqedoni dhe Mal të Zi kanë nënshkruar memorandume të bashkëpunimit me “Rusinë e Bashkuar” të Putinit. Këto parti politike filoruse në të ardhmen do të mund të përdoren brenda këtyre vendeve si faktorë politikë elektoral. Disa nga zyrtarët e tyre që shpesh e godasin publikisht Kosovën apo edhe përhapin pikëpamje antishqiptare flasin në emër të botëkuptimeve të errëta ruse. Këtu, listës i prin ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq dhe ai i mbrojtjes, Vulin, po ashtu Millorad Dodik në Banjallukë dhe Andrej Mandiq, por edhe disa të tjerë.

Rusia përmes bashkëpunimit bilateral, investimeve në tregti e energjetikë ka për qëllim të kontrollojë sigurinë dhe ekonomitë këtyre vendeve. Analizat e mirëfillta për instrumentet dhe mënyrën e ndikimit rus në aspektin ekonomik në rajon japin një pamje të frikshme të këtij penetrimi. Kjo ka të bëjë me fushat dhe institucionet e ndryshme në shtete të veçanta, për shembull, pjesëmarrja e gazit rus në tregun e rajonit është shumë e madhe në Hungari rreth 80 për qind të tregut, në Bullgari rreth 90 për qind, në Serbi rreth 70 për qind dhe në Greqi rreth 40 për qind, edhe pse të dhënat ndryshojnë nga vitit në vit. Prej këtyre të dhënave duhet kushtuar rëndësi nënshkrimit të marrëveshjes dhe pasojave për tregun rajonal.

Serbia së fundmi ka nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Ekonomik të Euroazisë. Kjo tregon se paralajmërimet evropiane nuk i bëjnë përshtypje askujt në Beograd.

Gjatë vizitës në Beograd, presidenti rus Putin përveç takimeve me homologët serb, përshëndetjes ushtarake nga artileria serbe dhe vizitës në Katedralen Shën Sava, pati pritje mirëseardhjeje nga rreth 100 000 qytetarë. Putini nuk pritet askund në Evropë. Vizita në Serbi do t’i shërbejë një lloj triumfi diplomatik, por nuk ishte ceremoniale në karakterin e saj. Më e rëndësishme është se çfarë ndodhi në margjina të vizitës, që në fakt ishte edhe qëllim i saj. U bë e ditur arritja e marrëveshjes me Serbinë për përfshirjen e kësaj të fundit në Turk Stream që synon sjelljen e gazit nëpërmjet Evropës Juglindore. Menjëherë pas vizitës Serbia u pajis edhe me katër MiG 29 nga Bjellorusia që shërben si një lloj shteti vasal i Rusisë. Disa aeroplanë ushtarakë Rusia ia kishte dhuruar pak kohë më parë Serbisë.

Në këto rrethana, janë të pakuptimta disa pretendime të politikanëve evropianë të cilët sapo e hapën kapitullin tetëmbëdhjetë për Serbinë dhe e bllokuan Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ata duhet ta kuptojnë që Rusia dëshiron ta shndërrojë Ballkanin në një fushëbetejë me Perëndimin, një lloj ‘vije të zjarrit’. Ajo synon ta sfidojë Perëndimin në çdo mënyrë, prej furnizimit ushtarak të shteteve të caktuara, përdorimit të instrumenteve ekonomike apo edhe fuqia e mprehtë (sharp power). Kjo e fundit ka të bëjë me luftën informative.

Media, institute kinse hulumtuese e shkencore, politikanë individualë e deri te shërbimet e inteligjencës janë të përhapura në disa vende të rajonit për të ndikuar drejtpërdrejt dhe për ta shtyrë përpara agjendën ruse. Nëse shtetet perëndimore, e mbi të gjitha BE-ja ka bërë përpjekje në dekadat e fundit që ta rrisë ndikimin e saj përmes fuqisë së butë, këtë po e bën Rusia përmes formave të ndryshme të saj. Qëllimet ruse pasqyrohen më së miri në numrin e artikujve dhe reportazheve në lidhje me Kosovën, gjatë viteve të fundit, në mediat e kontrolluara nga shteti si Russia Today dhe Sputnik. Aty shkruhen temat më negative për Ballkanin, ndërsa fokus i veçantë është Kosova. Sa herë ka tension politik, krizë qeveritare, apo zhvillime në raport me Serbinë ato i prezantojnë me diskurs të ashpër antishqiptar.

Nuk është ndonjë fshehtësi që disa vende ballkanike për arsye politike, kulturore dhe ekonomike janë një terren i përshtatshëm për të qenë platforma të ndikimit rus. Kjo nuk vlen për Kosovën dhe Shqipërinë. Por, do të ishte naivitet të mendohet se ato nuk përbëjnë caqe të luftës hibride. Përkundrazi, për Kosovën lufta hibride ruse zhvillohet jo vetëm në nivel rajonal, por edhe në atë global. Rusia është kundërshtari më i madh strategjik që ka sot Kosova globalisht. Kjo bëhet për ta goditur shtetin e ri, shqiptarët në Ballkan, por edhe partnerët e saj – amerikanët dhe evropianët. Në fillim të shekullit 20, Rusia është përpjekur me çdo kusht që ta pengojë krijimin e shtetit shqiptar kurse në fillim të shekullit 21 – Kosovën e pavarur. Forma e re e luftës informative ruse kundër Kosovës ka lindur paralelisht me procesin e pavarësimit të saj dhe vazhdon edhe sot.

Në kohën e pushtimit serb dhe aparteidit në Kosovë më 1990, zyrtarë diplomatikë rusë në Beograd, që vinin herë pas here këtu, raportonin në detaje, por qëllimisht falsifikonin faktet. Ato raporte janë përdorur ndërkombëtarisht kundër kauzës së një populli të shtypur. Rreth dhunës serbe, shkeljeve masive të të drejtave të njeriut e deri te masakrat mbi civilët e pafajshëm, diplomatet dhe mediat ruse qëllimisht keqinformuan dhe manipuluan opinionin publik në Afrikë, Azi, Amerikë Latine dhe më gjerë.

Meqë historikisht, Rusia ka qenë dhe vazhdon të jetë aleatja kryesore e Serbisë, pavarësimin e mundshëm të Kosovës e ka shikuar si faktorizim të shqiptarëve në Ballkan. Në çdo forum dhe organizatë ndërkombëtare ka ofruar pamje të rreme dhe ka falsifikuar faktet në raport me Kosovën në OSBE, Këshill të Evropës dhe deri te Këshill i Sigurimit të OKB-së duke përfshirë organizata të ndryshme rajonale në gjeografi të largëta. Politikanë dhe diplomatë të shumtë që kam takuar derisa isha në pozita të ndryshme në Qeverinë e Kosovës kanë treguar lloj-lloj situatash e trillime ruse për Kosovën. Nga Tunizia e deri në Botswana, nga Barbados në Gajanë dhe Pakistan, mund të shkruhet një libër i tërë me përrallat ruse për Kosovën. Mirëpo, të njëjtat ishin narrativa që treguan efekt në disa gjeografi.

Rusia ka kundërshtuar intervenimin humanitar të NATO-së në vitin 1999 në kohën e një krize të madhe humanitare, kur masakrat serbe mbi qytetarët e pafajshëm ishin lajmet më të tmerrshme në botë. Në qershor të vitit 1999, një formacion paraushtarak rus e mori në kontroll aeroportin e Prishtinës, me qëllim të krijimit të tensioneve të reja ndërmjet NATO-s dhe Rusisë, në një kohë kur krizës në Kosovë me vendosjen e trupave paqeruajtëse po i vinte fundi. Rusët kërkonin një sektor të veçantë në Kosovë jashtë komandës së NATO-s dhe qëllimi i lëvizjes së trupave paraushtarake do të ishte që të krijonin fakte në terren. Kështu, një bashkëpunim i deriatëhershëm NATO – Rusi ishte afër që të shndërrohej në një konfrontim mes tyre. Një skenar, ky, me formacione paraushtarake që do ta shohim disa vite më vonë të përsëritur në gjeografi të tjera të Evropës Lindore.

Më vonë, Rusia ka bllokuar miratimin e planit të Ahtisaarit në KS së bashku me pranimin e Kosovës në OKB edhe pse ka qenë e pjesë e pandashme e zgjidhjes së statusit final të Kosovës në kuadër të OKB-së. Ajo ka qenë pjesë e Grupit të Kontaktit për Kosovën që hartoi parimet drejt pavarësisë së Kosovës, dhe më pas ka qenë pjesë e Trojkës, amerikane, evropiane, dhe ruse. Mirëpo, bllokoi çdo marrëveshje në OKB nga vera e 2007 deri në fund të këtij viti. Ajo e ka penguar sepse ka dashur që me çdo kusht t’i ruajë zonat e influencës në Ballkan. Qasja ruse në raport me Kosovën në këtë kohë, nuk kishte të bënte as me parime dhe as me procesin sepse ajo ishte pjesë e tij. Thelbi i një qasjeje të tillë ishte kryekëput gjeopolitik. Një Kosovë e pavarur do të ishte, natyrisht, pro-perëndimore dhe jashtë çdo ndikimi rus. E ka bërë këtë se dëshiron ta ndryshojë botën e krijuar pas 1989 dhe ta frenojë zgjerimin e demokracisë kudo në Ballkan.

Deri më sot, pengesa kryesore e pranimit të Kosovës në OKB mbetet Rusia dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Do ta kundërshtojë Kosovën kudo dhe kurdo që mundet. Deri më tani e ka bllokuar dhe goditur politikisht. Ka qenë refuzuese e çdo lloj komunikimi të rregullt me shtetin e ri. Politika ruse në raport me Kosovën duhet të shihet përtej asaj se çfarë thuhet sot në Moskë. Ajo është pasqyrim më i thellë i pikëpamjes ruse mbi Ballkanin. Ajo kundërshton Kosovën e pavarur jo vetëm se është thjesht pro serbe apo kundër shqiptarëve. Qasja e saj bazohet në interesat e drejtpërdrejta për të pasur zona të influencës në mes të popujve sllavë ortodoksë në Ballkan dhe të tjerëve. Shqiptarët janë parë çdoherë në Ballkan, nga perspektiva ruse, si “trupa të huaj”.

Pas pavarësisë së Kosovës, Rusia është munduar që të ndikojë mbi zhvillimet në këtë vend përmes prezencës së reduktuar të UNMIK-ut. Në kuadër të këtij misioni shpesh janë kamufluar edhe agjentë të shërbimit rus, të cilët kanë qenë përcaktues në hartimin e raporteve sa më negative për Kosovën nga ky mision i OKB-së. Çfarë është shkruar shpesh në këto raporte ka qenë dhe është jashtë realitetit. Madje, raporti i dërguarit të Sekretarit te Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, i cili është munduar të jetë i balancuar është rishkruar në Nju-Jork nga diplomatë rusë para se ai ta prezantonte në formën finale për opinion publik dhe para shteteve anëtare të OKB-së. Në fakt, lajmi i parë i rremë ndërkombëtarisht është ky raport i rregullt kuartal dhe ka filluar ndër tjerash edhe me Kosovën.

Në planin global, Rusia ka kundërshtuar kudo njohjet e Kosovës me një imagjinatë morbide, duke prezantuar Kosovën si një shtet islamik dhe qytetarët e saj të prapambetur në aspektin ekonomik dhe kulturor. Ka bllokuar Kosovën në organizata të shumta ndërkombëtare me votën e saj kundër, duke kushtëzuar shtetet e tjera që të mos votonin pro Kosovës. Ka bërë përpjekje që ta suspendojë sovranitetin tonë sikurse rasti me Organizatën Botërore të Doganave duke bllokuar pagesën tonë të anëtarësisë apo të drejtën tonë për të votuar në organet e saj. Ka edhe organizata të tjera ku Rusia ka ndjekur një qasje shumëdimensionale agresive kundër Kosovës. Disa nga to madje janë shoqata profesionale nga fusha ekologjike e deri tek grupime të ndryshme.

Qëndrimi rus është dukur se po zbutej dhe ka qenë diçka më neutral pas nisjes së dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Është parë si një situatë shpresëdhënëse dhe është dukur sikur diçka ka ndryshuar. Rusia është munduar të paraqitet edhe si parimore, natyrisht në mënyrën e vet, dhe jo të parimeve apo të vlerave ndërkombëtare. Sidoqoftë, gjërat kanë marrë drejtim tjetër kur Rusia okupoi Krimenë dhe atëherë u pa qartë edhe fytyra e vërtetë e saj. Ajo përdori pavarësinë e Kosovës, padrejtësisht, si një rast krahasues për ta legjitimuar aneksimin ushtarak të Krimesë. Vet Putini e kishte udhëhequr luftën dezinformative kundër Kosovës duke bërë përpjekje qe ta manipulonte opinionin publik ndërkombëtar.

Në mars të vitit 2014, me rastin e nënshkrimit të aneksimit formal të Krimesë, Putini foli më gjatë se çdo herë tjetër për Kosovën, duke ngatërruar faktet me jo-faktet, dhe të vërtetat, me gënjeshtra. Qoftë shkatërrimi i Jugosllavisë, bërja e Kosovës së pavarur, vendimi i GjND-së, apo edhe njohja ndërkombëtare e saj, u interpretuan në shërbim të qëllimeve aneksuese ruse në raport me Krimenë. Asnjëherë në Rusi dhe nga mediat ruse nuk është folur më shumë për Kosovën sesa në kontekstin e këtyre ngjarjeve pas-Krime. Ky narracion dhe paralelet ruse janë larg çdo realiteti.

Kosova është shprehur qartazi kundër këtij akti, i cili është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, duke ngritur zërin se Rusia shkeli normat ndërkombëtare dhe rrezikoi sigurinë e përgjithshme në Evropë. Kosova ishte e qartë në qëndrimin e saj sa i takon kësaj situate duke bërë të ditur botërisht se kundërshton keqpërdorimin e rastit të saj si model krahasues për politikat ruse dhe ekspansioniste. Rusia, shpesh herë në argumentimet e saj për të përligjur aneksimin e Krimesë, në mënyrë implicite ka njohur të drejtën e Kosovës për shtetësi. Sidoqoftë, do të ishte naivitet të mendohej se Rusia do ta ndryshojë qëndrimin për shkak të ndërlidhjes së rasteve. Jo sot! Sido që të jetë, Krimea ka qenë episodi më interesant dhe më goditës i luftës informative ruse kundër Kosovës, por narracioni rus për Kosovën është një lloj filmi i gjatë serik. (Vijon)

Më Shumë

Bora mbulon vendin, temperaturat arrijnë deri në 6 gradë gjatë ditës

Mbrëmë në orët e para pas mesnate nisën reshje të dendura të shiut dhe borës në gjithë vendin tonë. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se...

Rruga e paasfaltuar, banorët e Krushës së Madhe kërkojnë zgjidhje

Banorët e Krushës së Madhe të Rahovecit janë ankuar në emisionin e mëngjesit “Adresa e Ankesave” se rruga në këtë vend është e paasfaltuar...

Lajmet e Fundit