17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Një ogur drejt Nobelit?

IsmailKadare6-30Shkrimtari Ismail Kadare është nderuar nga shteti izraelit me “Jerusalem Prize for Freedom and Individual in Society”, një çmim letrar që jepet çdo dy vjet nga Panairi Ndërkombëtar i Jerusalemit. Disa nga emrat e mëdhenj të letërsisë botërore si Octavio Paz, V. S. Naipaul, J. M. Coetzee dhe Mario Vargas Llosa e fituan këtë çmim përpara se të nderoheshin me “Nobel”…

Në Gadishullin e Sinait, romanet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Viti i mbrapshtë”, apo “Prilli i thyer”, nuk janë të panjohura për vendasit. Lexuesi izraelit ka pasur mundësi ta lexojë veprën e shkrimtarit të shquar shqiptar të përkthyer në hebraisht.

Për kritikën, ai është nga ata shkrimtarë që i ka dhënë shprehje lirisë njerëzore në shkrimet e tij.

Një tregimtar ironik dhe interesant, që rrëfen shkëlqyeshëm me nënkuptime të tërthorta rreth fajit kolektiv, ndërsa personazhet tipikë vendas që pena e tij ka gdhendur, me anë të kumtit që përçojnë për nga rëndësia bëhen universalë.

Është ky universalitet i stilit dhe krijimtarisë së Kadaresë që e ka bërë atë shkrimtar të dashur, të lexuar dhe të vlerësuar, të përkthyer në më shumë se 30 gjuhë të botës, i nderuar me një sërë çmimesh prestigjioze dhe kandidat për çmimin “Nobel” në Letërsi.

Një tjetër çmim u është bashkëngjitur së fundi trofeve të shkrimtarit; Çmimi i Jerusalemit për Lirinë e Individit në Shoqëri, që do i akordohet në ceremoninë e çeljes së edicionit të 27-të të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Jerusalem, i cili këtë herë do të mbahet nga data 8 deri më 12 shkurt 2015.

Ky çmim i përdyvitshëm është prestigjioz jo nga shuma simbolike prej 10 mijë dollarësh që i akordohet fituesit (për organizatorët, kjo shumë tregon se kurrë nuk ka pasur qëllim të jetë më tepër sesa simbolike), por nga emrat që e kanë fituar prej themelimit të tij, në vitin 1963. I pari që u nderua me të ishte filozofi dhe shkrimtari britanik, Bertrand Russell.

Lista deri më 2013-n mban emra shkrimtarësh të mëdhenj si Jorge Luis Borges, Simone de Beauvoir, Octavio Paz, Isaiah Berlin, V. S. Naipaul, Milan Kundera, J. M. Coetzee, Ernesto Sábato, Mario Vargas Llosa, Arthur Miller, Haruki Murakami e deri te i fundit, spanjolli Antonio Muñoz Molina.

Jo vetëm prestigj, por edhe një ogur, pasi disa prej shkrimtarëve e kanë marrë këtë çmim pak përpara se të nderoheshin me “Nobel” për Letërsi.

Për shkrimtarin tonë, ky çmim vjen pasi disa të tjerëve me peshë si “Man Booker International Prize” më 2005-n në Britaninë e Madhe, apo çmimi “Princi i Asturias” më 2009-n në Spanjë, ndërsa vazhdon të jetë kandidat për “Nobel”.

Çmimi “Jerusalem Prize of the Freedom of Individual in Society” do i akordohet Kadaresë nga kryebashkiaku i Jerusalemit, Nir Barkat. I pranishëm në ceremoni do të jetë edhe presidenti izraelit, Reuven Rivlin. Ngjarja më e rëndësishme e Panairit është padyshim akordimi i çmimit ndaj shkrimtarit, puna e të cilit shpreh më së miri dhe promovon idenë e lirisë së individit në shoqëri.

E përditshmja izraelite “Haaretz” shkruan se Kadareja ishte në gjendje të bëhej një shkrimtar vendas duke qenë gjithnjë e më shumë kritik në shkrimet e tij për Shqipërinë, e cila ishte një nga vendet më totalitare. Izraelitët e njohin krijimtarinë e Kadaresë përmes librave të tij përkthyer në hebraisht si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Viti i mbrapshtë”, “I ngrirë në akull”, “Pasardhësi”, “Prilli i thyer”, “Piramida”, “Dasma” etj.

Juria e këtij çmimi e ka quajtur Kadarenë një rrëfimtar ironik dhe magjepsës, duke vlerësuar stilin e tij brilant të të shkruarit të tërthortë dhe me nënkuptime. “Kadare shkruan rreth fajit kolektiv, veçanërisht në padepërtueshmërinë e së vërtetës. Ai dëshiron të zbulojë, ndërkohë që fsheh gjurmët e tij në shtresat e mitit dhe metaforës, pyetje pa përgjigje dhe krime të pandëshkuara. Megjithëse të shkruarit dhe karakteret janë më së shumti vendas, domethënia dhe rëndësia janë padyshim universale”.

Panairi Ndërkombëtar i Librit në Jerusalem është një nga panairet më prestigjiozë të librave në botë, që do të zgjasë pesë ditë dhe do të përfshijë qindra ngjarje letrare dhe kulturore në zonë. I mbajtur për herë të parë në Jerusalem në vitin 1963, prej asokohe zhvillohet çdo dy vjet, duke tërhequr rreth vetes qindra botues nga e gjithë bota.

Me pjesëmarrjen e më shumë se 600 botuesve nga 30 shtete, ai shfaq më shumë se 100 mijë libra në gjuhë të ndryshme të botës. Këtë vit, evenimenti do të mbahet në një shesh të ri, në Stacionin historik të trenit në Jerusalem, i rinovuar dhe i kthyer në një qendër kulturore.

S.Balliu

TweetLikePlusP

Më Shumë

Totaj e Lladrovci diskutojnë për një bashkëpunim ekonomik

Në një takim zyrtar sot, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj priti kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, në prani të miqve anglezë. Diskutimet u fokusuan...

Liria në shtëpi pret Dukagjinin

Në Prizren, Liria tashmë e dorëzuar e pret Dukagjinin e Klinës që synon fitore pas barazimit në xhiron e kaluar me Llapin. Vendasit nuk e...

Lajmet e Fundit