9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Nuk miratohet dhënia e pronave komunale në shfrytëzim për 3 OSHC-të e Prizrenit

Propozim-vendimi për dhënien e pronave komunale në shfrytëzim afatshkurtër për 3 organizata të shoqërisë civile nuk është miratuar nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit. Ky mosaprovim është bërë shkas për përplasjen e radhës në distancë ndërmjet kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka dhe kuvendarëve opozitarë. Përderisa Haskuka e ka vlerësuar si dëshpëruese veprimin e kuvendarëve, në anën tjetër opozitarët kanë theksuar se kuvendarët janë zgjedhur nga qytetarët dhe se nuk e kanë obligim me i dhënë llogari kryetarit të Komunës se si e çka votojnë.

Në seancën e fundit të organit më të lartë vendimmarrës lokal, kuvendarët kanë kërkuar më shumë sqarime lidhur me propozim-vendimin mbi dhënien e pronave komunale në shfrytëzim afatshkurtër për organizatat e shoqërisë civile si dhe themelimin e Komisionit Vlerësues.

Propozim-vendimi është prezantuar nga Gursel Skenderi i Sektorit të pronës në administratën komunale.

“Kuvendi i Komunës ka të drejtë me dhënë prona komunale në shfrytëzim të organizatave të shoqërisë civile vetëm në rastet kur ato organizata janë të regjistruara në Komunën e Prizrenit dhe kryejnë veprimtarinë në kuadër të Komunës së Prizrenit”, ka thënë ai, duke shtuar se në bazë të legjislacionit nëse votohet ky propozim-vendim atëherë duhet të votohet edhe komisioni vlerësues me 5 anëtarë. Ai ka dhënë hollësi edhe për lokacionet e këtyre pronave.

Kuvendari i AAK-së, Ilir Baldedaj ka kërkuar sqarime nëse këto prona i nënshtrohen ankandit publik, si dhe për kriteret që duhet të përmbushen nga OSHC-të. Ai ka pohuar se duhet kujdes në këtë drejtim në mënyrë që mos të dëmtohen organizatat që për ushtrimin e veprimtarisë kanë bërë investime brenda pronave komunale.

Skenderi ka pohuar se kriteret e dhënies përcaktohen nga Komisioni dhe se pronat duhet ti nënshtrohen ankandit publik, ngase legjislacioni nuk mundëson vazhdimin e kontratave. Por Baldedaj ka shprehur bindjen se rregullorja përkatëse mundëson dhënien e pronave komunale për OSHC-të me vendime të veçanta, pa iu nënshtruar ankandit, pasi që Komuna nuk ka interes për të hyra nga organizatat me veprimtari të caktuar. Ndërkaq Skenderi është përgjigjur se nga OSHC-të nuk kërkohet qiraja pasi ato zhvillojnë aktivitete që hyjnë në kuadër të kompetencave të Komunës. “Janë organizata jo fitimprurëse dhe nuk kërkohet qiraja”, ka thënë ai. Megjithëkëtë ka theksuar se procedurat e konkurrimit duhet të zhvillohen.

Ndërsa kuvendarja e LDK-së, Sadije Osaj-Jakupi ka theksuar se edhe Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës prej 3 vitesh kërkon një pronë komunale për realizimin e aktiviteteve të veta dhe se nuk ka marrë përgjigje.

Gjatë debatit kuvendari i LDK-së, Qemal Krasniqi ka adresuar vërejtje për sektorin e pronës, duke pohuar se te një numër pronash kanë mbetur çështje të pasqaruara, gjë që është kundërshtuar nga Skenderi.

Ndërsa drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Emilija Rexhepi ka vlerësuar se kjo pikë e rendit të ditës është diskutabile. “Kjo pikë e rendit të ditës duhet të rishqyrtohet edhe njëherë në Komitetin për Politikë e Financa”, ka thënë Rexhepi, duke kërkuar respektimin e përpiktë të dispozitave ligjore.

Pas diskutimeve, kryesuesi Sulltan Badallaj ka vënë në votim propozim-vendimin në fjalë, me c’rast 16 kuvendarë kanë votuar kundër, 5 për dhe 3 kanë abstenuar. “Konstatoj se kjo pikë nuk miratohet”, ka thënë Badallaj.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka këtë mos aprovim përmes rrjeteve sociale e ka cilësuar si “edhe një lajm dëshpërues nga asamblistët e Prizrenit”. “Këta nuk e paskan votuar edhe pikën e rendit të ditës lidhur me propozim-vendimin mbi dhënien e pronave komunale për organizatat e shoqërisë civile. Saktësisht kjo pikë ka qenë për organizatat si: Strehimorja e Grave dhe Fëmijëve, e cila përkujdeset për gratë dhe fëmijët që kanë përjetuar dhunë dhe nuk kanë ku të strehohen; organizatën “Down Syndrome” e cila përkujdeset për fëmijë dhe persona me sindromën Down dhe një organizatë tjetër, e cila së bashku me Bashkimin Evropian do të investonte në ndërtimin e një qendre rinore në vlerë prej 150,000 euro”, ka shkruar Haskuka, duke shtuar se të gjitha partitë politike nuk kanë kontrata dhe sipas tij, “zyrtarisht janë uzurpatorë të pronës komunale, ngase vendimet për lirimin e tyre i kanë marrë shumë moti”.

Në anën tjetër kuvendari opozitar, Ilir Baldedaj ka shprehur qëndrimin se kritikat e Haskukës janë të pavenda. “Ashtu siç është zgjedhur ai kryetar komune nga qytetarët, ashtu edhe ne jemi kuvendarë të zgjedhur nga qytetarët. Nuk e kemi obligim me i dhanë llogari Mytaher Haskukës se për çka votojmë”, ka thënë Baldedaj. Sipas tij, kuvendarët nuk e kanë prishur koalicionin qeverisës në nivel lokal. “Nuk ja kemi prishur na koalicionin, por e ka prish vet me kokëfortësinë dhe paaftësinë e tij për të qeverisur me Prizrenin”, është shprehur Baldedaj.

https://www.koha.net/kosove/260666/nuk-miratohet-dhenia-e-pronave-komunale-ne-shfrytezim-per-3-oshc-te-e-prizrenit/

Më Shumë

Reshjet e borës e bëjnë me “bardhësi” Prevallën (VIDEO)

Pas reshjeve të shpeshta të shiut që kanë rënë këto ditë, kanë nisur edhe ato të borës. Lexues të Klankosova.tv kanë dërguar video nga Prevalla...

Guardiola me çdo kusht e dëshiron transferimin e Musialas

Pep Guardiola raportohet se ka vendosur për objektivin kryesor të afatit kalimtar veror për Manchester Cityn. “The Guardian” raporton se City pritet që të bëjnë...

Lajmet e Fundit