15.8 C
Prizren
E shtunë, 5 Tetor, 2024

Nxënësi nga Kosova që aspiron të bëhet CEO i Google-it

Veton krasniqiVeton Krasniqi ishte vetëm 5 vjeç kur ai dhe familja e tij u detyruan të largohen nga Kosova në fund të viteve 90, në një kohë kur konflikti etnik aty kishte përfshirë gjithë rajonin.

Vetëm një ditë pas ikjes, për shkak të etnisë dhe besimit të familjes Krasniqi, shtëpia e tyre jashtë Prishtinës u bombardua dhe u dogj nga forcat militare serbe, nën komandën e Slobodan Millosheviç-it.

Krasniqi, dy vëllezërit e tij më të vegjël, prindërit dhe gjyshërit iu bashkuan radhëve të mijëra refugjatëve të tjerë që gjithashtu po largoheshin për t’i shpëtuar konfliktit. Ata i kishin detyruar me forcë të braktisnin qytetin e tyre dhe jetën që kishin pasur deri atëherë.

Ishte fillimi i një udhëtimi të gjatë që e solli Vetonin në Amerikë udhëtim që gjithashtu luajti një rol të madh në formimin e tij si njeriu që njohim sot.

Ai i shfrytëzoi deri në fund mundësitë që iu dhanë, shkruan Illyria. Sot, Vetoni 20 vjeçar do të marrë diplomën dyvjeçare pranë kolegjit Pasco-Hernando Community College (PHCC) – dhe është i pari në familjen e tij që diplomohet në një kolegj amerikan. Ai është zgjedhur gjithashtu si studenti që do të flasë në ceremoninë e hapjes në West Campus, të PHCC-së në New Port Richey.

Por ëndrrat e Krasniqit nuk mbarojnë aty.

Semestrin e ardhshëm ai do të ndjekë Universitetin e South Florida-s, ku do të studiojë për të marrë diplomën. Ai ka në plan të specializohet në administrim biznes si dhe të ndjekë kurse plotësuese në shkenca kompjuterike dhe psikologji.

Synimi i tij përfundimtar është të bëhet CEO i Google-it.

Krasniqi mbërriti në Tampa, Florida në vitin 1999 kur doktorët e zonës e bënë të mundur lëvizjen aty. Në atë kohë askush në familjen e tij nuk fliste anglisht.

“Më dukej vetja si në një planet tjetër,” thotë ai.

Krasniqi dhe familja e tij jetuan në Tampa për gati një vit përpara se të zhvendoseshin në Spring Hills për dy vjet. Më pas ata shkuan në Grandville, Mich., pasi dëgjuan se aty kishte shumë kosovarë, vend ku jetuan për 8 vjet.

“Prindërit kishin frikë se mund të humbisnim lidhjet me kulturën tonë,” tregon ai.

Familja u kthye 5 vjet më parë pasi jetoi për një kohë të shkurtër në Europë. Vetoni ndoqi për pak kohë shkollën e mesme, Anclote High School në Holiday përpara së të kryente studimet e shkollës së mesme në Central High në Brooksville.

Në shtator të 2011 ai erdhi në PHCC, ku u përfshi menjëherë në aktivitetet shkollore. Atij iu caktua administrimi i fondeve të shoqatës drejtuese studentore të kampusit të Spring Hill-it dhe degës së shoqatës së biznezit Phi Beta Lambda të kampusit, ku u bë dhe zëvendës president e më pas president.

“Koha që kalova aty më ka bërë me të vërtetë më të pjekur,” thotë ai. “Më ka bërë më të aftë për t’u dhënë drejtim çështjeve me shpejtësi.”

Ai shtoi se i ka pëlqyer shumë koha kur ishte në qeverinë studentore dhe kontrolli që kishin në dorë studentët. Ai thotë se [falë kësaj përvoje] ka fituar aftësi të reja si drejtues.

Krasniqi shpreh mirënjohjen e tij për arsimimin si dhe mundësinë që iu dha për të ardhur në Amerikë.

“Po të mos ishte për Amerikën, do të ishim të vdekur sot,” thotë ai. “Kjo nuk është një përshtypje, por një fakt.”

Nëna e tij, Kimete “Kim” Krasniqi, tha se është tepër krenare për djalin e madh dhe arsimimin që ka marrë. Ajo shtoi se ai ka studiuar vetë pa ndihmën e askujt.

“Kemi besim tek ai,” thotë nëna e tij. “Çfarëdo që vendosë, ai e bën”.

Më Shumë

Prizrenasit mposhtin kampionët për fitoren e tretë radhazi

Bashkimi është skuadra e vetme e pamposhtur në ProCredit Superligë. Në ndeshjen e mbetur të xhiros së parë, prizrenasit kanë mundur kampionët e Kosovës, Trepçën...

Mbahet Street Fest në 3×3

Nga dita e premte deri të dielën është mbajtur Street Fest 3x3 në organizim nga Streetball Kosova. Adhuruesit e basketbollit 3x3 për tri ditë kanë...

Lajmet e Fundit