Oda e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve në Prizren ka bërë një apel për nxënësit që kanë përfunduar shkollën fillore, që në zgjedhjen e shkollës së mesme të orientohen drejt arsimit profesional.
Sipas ‘Odës…’, këto shkolla ofrojnë përgatitje reale për tregun e punës dhe janë një rrugë e sigurt drejt punësimit të qëndrueshëm.
“Ftojmë nxënësit që kanë mbaruar shkollën fillore të orientohen e të regjistrohen në shkolla të mesme profesionale. Këto shkolla garantojnë cilësi, transparencë dhe përgatitje reale për tregun e punës”, thuhet në thirrjen e Odës së Ndërmarrësve dhe Zejtarëve.
Drejtimet profesionale që ofrojnë aftësi konkrete dhe praktike konsiderohen si më të përshtatshmet për të hyrë me sukses në tregun e punës.
Oda thekson se është e përkushtuar të mbështesë çdo lloj arsimi që lidhet drejtpërdrejt me ekonominë dhe nevojat e saj.
“Fuqizimi i arsimit profesional është thelbësor për krijimin e kuadrove të kualifikuara dhe një fuqie punëtore të përgatitur. Ne si Oda vazhdojmë të angazhohemi në edukimin dhe trajnimin e nxënësve në biznese reale”.
Bizneset, sipas Odës, kanë një rol të pazëvendësueshëm në sistemin e arsimit profesional, duke ndihmuar në formimin praktik të nxënësve në përputhje me kërkesat e tregut.
“Bizneset janë pjesë e procesit të arsimit profesional dhe kontributi i tyre në trajnimet praktike është i domosdoshëm për ndërtimin e një ekonomie funksionale dhe moderne”.
Me këtë apel, Oda e Ndërmarrësve Zejtarëve synon të ndërgjegjësojë opinionin publik për rëndësinë jetike që ka orientimi drejt shkollave profesionale. Sipas saj, për të pasur një ekonomi të qëndrueshme, duhet të investohet në arsim që është i lidhur ngushtë me kërkesat reale të tregut të punës.
“Zhvillimi ekonomik i vendit varet shumë nga shkollat profesionale”.
Marketing