7.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Phantasy vs pikëshikimi…te Kadareja

Nga Ballsor Hoxha

Që nga thyerja e së vërtetës, realitetit, qoftë edhe së dukshmes, që nga postmodernizmi, bota është shumëfishuar në po aq të vërteta dhe realitete sa ka edhe individë. Secili e ka një për vete. Në këtë konfuzion global, apo shikuar përmes fizikës si shkencë, në këtë qëmtim subatomik të së vërtetës, jemi grimca që tërhiqemi pa vullnetin tonë nga inercioni i të vërtetave të rënda, globale.

Ndër të tjera, ajo që ka bërë Kadare në veprën e tij është se ka lënë një histori të projeksioneve/personazheve që arrijnë të kapin momentet kritike të thyerjes së të vërtetave. Gjatë këtyre thyerjeve, karakteristika kryesore e kësaj vepre, pra bukuria, gjithnjë zbut mekanizmat tanë mbrojtës, penetron në zonat tepër të thella (ndoshta edhe të ndaluara) tona, dhe përmes po së njëjtës trondit artistikisht dhe rikrijon konstelacione të psikës sonë, dhe me ç’rast atashohemi me një të vërtete të re, të paharrueshme që bëhet pjesë e jona. Krijohet e vërteta jonë tri shtresëshe: autori, personazhet dhe ne lexuesit.

Prej këtu lind njëlloj ri-atashimi me botën, por në duar të autorit Kadare, duke përvijuar shtrirë këtë përvojë tëre– duke trasuar phantasy (jo fantasy, as fantazi)*. Atashimi është ajo që strukturon – phantasy – pra gjendjen tonë parake, përmes shkëmbimit fizik me të brendshmen dhe të jashtmen tonë. Në këtë moment, apo zonë, fillon atashimi me objektet. Psikanalistja e njohur britanike, Melanie Klein ka themeluar dhe teorinë Object Relations Thoery, bazuar në teorinë e Psikanalizës, duke iu referuar mu këtij momenti.

Më pas, duke qenë kënaqësia dhe frustrimi gjëra të zakonshme në shkëmbimin tonë me universin, arrijmë të ndajmë botën në gjëra/objekte të këqija dhe të mira. Këtu përforcohet lidhja, dhe përpjekja jonë për të ruajtur të mirat dhe për të shmangur të këqijat, dhe kjo është e ashtuquajtura faza paranoide-shizoide e fëmijës, gjë që vazhdon deri në vdekjen tonë. Por ka dhe një fazë të pashqitshme nga kjo, derisa faza paranoide–shizoide është kontakti direkt me botën (filluar që prej gjirit apo pjesëve të gjirit të nënës e deri tek fantazia e shkatërrimit të trupit të nënës), pas saj pason faza e depresionit – që është afirmimi, pranimi dhe krijimi ynë i paqes me universin.

Ka një peshë shumë të vështirë, dhe gati paradoksal,momenti i ndarjes së botës në të mirë dhe të keqe, kjo ndodh pa kurrfarë njohurie paraprake apo ndërmjetësim paraprak, ndodh në foshnjëri dhe fëmijëri kur ende nuk kemi qasje në arkivin e dijes njerëzore. Pranimi i së mirës dhe së keqes prezente në çdo gjë është njëlloj mençurie mbi botën në momentet e para të fëmijërisë. Kulturalisht, shqiptarët, në kohërat moderne të gjarpërimit të së mirës dhe së keqes në një fenomen, ende nuk kanë arritur thellimin/depresionin.

Prej këtu shoqëria jonë mund të merret si një Borderline Community, që ka problem me objektet brenda dhe jashtë, subjektive dhe objektive. Prej këtu, në këtë gjendje lidhja është anksioze dhe e ndarë në kufij të përhershëm, apo në përpjekje çnjerëzore për të mbajtur botën në të bardhë dhe të zezë derisa të gjitha ngjyrat e tjera mbesin të papara.

T’i kthehemi edhe njëherë – phantasy – që në një thjeshtësim është fusha e reaksioneve kimike nga përjetimet emocionale të papërpunuara në mendjen tonë. Është gjendja parake e njeriut ende pa pas shtruar rrugët e mendimit.

Kjo zonë trasohet me përbrendësimin dhe përjashtësimin e ndjenjave të menduara, kërkon thithjen e historisë, dhe përjashtësimin e phantasy, dhe të kundërtën. Është arti, letërsia ajo që ka shtruar në herësinë e njerëzimit dhe ende vazhdon të shtrojë phantasy në përjetimin e botës sonë. Është krijimi i strukturave duke zgjedhur pikëshikimin autorial për të shprehur phantasy apo për të mundur kulturalisht paraken në ne.

Në të vërtetë, phantasy është edhe përçartja e njeriut, shpërthimi tej strukturave të së mirës dhe së keqes konvencionale, mekanizmave mbrojtës paranoidë-shizoid, për t’u kthyer në gjendjen e pamendim. Dhe përçartja, është edhe një nivel tjetër i shprehjes së phantasy që ndodh duke shtjelluar masa të pabartshme nga struktura jonë e ngushtë psikike, dhe kështu projektuar në letërsi dhe shkencë, dhe besim, për të arritur një hap tutje në atë që e quajmë njerëzi, njerëzim, njerëzore.

Janë tri momente në letërsinë e Kadaresë të zgjedhura për krijimin e një sfondi të pikëshikimeve në këtë shkrim, të përbrendësimit dhe përjashtësimit të phantasy:

Pikëshikimi depresiv i personazhit Mark në “Lulet e ftohta të marsit” që është njëlloj vorbullzimi tij brenda phantasy. Është një përjashtësim i saj duke mos mundur ta strukturojë së brendshmi historinë dhe dezintegrimin e historisë. Është pikëshikim i përfshirë i tij nëpër përdredhjen e të mirës dhe të keqes, në pamundësi të kthimit në gjendjen e mëhershme kur, ndoshta, më shumë besimi se sa njohja,përkufizonte kufirin e zonave të bardha dhe të zeza të shoqërisë shqiptare. Moment i kalimit në skizofreni nga skizoidësia (ndarja) e pamundshme, në botën postmoderne.
Pikëshikimi aktual i personazhit Besnik në romanin “Dimri i vetmisë së madhe” derisa është i gjithëpërfshirë, brenda dhe jashtë, në përçartjen e historisë. Në të vërtetë, nga shkëputja e përhershmërisë së të mirës dhe së keqes nga qenia e tij. Moment i pikës zero të botës nën shpërthimin e phantasy (qoftë edhe si sirenë alarmi, që do të thotë, e veshur nga kultura)nga represioni çnjerëzor, dhe që është moment i rikrijimit të paranojës si pikënisje e botës moderne për shqiptarin.
Pikëshikimi i përbrendësimit të së jashtmes në të brendshme në fëmijërinë e romanit Kronikë në gur. Në të vërtetë është moment i pikëtakimit të së brendshmes dhe të jashtmes, apo shtresëzim të së jashtmes në të brendshmen kështu duke arritur botën. Është loja e hapërimit tutje pafajësisë në botën e “korruptuar” të të madhit, duke përdredhur dhe lakuar atë që shpreh bota e të madhit në dashurinë fëmijërore si pranim i tragjedisë së të qenit njeri. Është moment depresiv kur dashuria shtreson zonë për zonë të domosdoshmen, kur “skizofrenia” është shpjegimi më i mirë i mundshëm. Është pikëpamje e projektimit të së brendshmes në të jashtmen për t’i bërë vend brenda të jashtmes, njëlloj hapje ndaj të jashtmes.
Shpërthimi i phantasy nga zbrazëtia e paqëllimsisë

“Marku e vuri tejqyrën në sy dhe e drejtoi…nga bjeshkët. Ç’është ky faj i madh, i shpërndarë kudo, o perëndi, tha me vete. Njëherë iu duk se gjeti shkakun përse toka e gjithë i dukej fajtore. Ishin shkurret e shurdhra tek e çara, prej nga depërtohej në arkiv. Të ngjashme me të çarën e seksit, ato e shtynin ndjesinë e mëkatit larg. ….Ishte pothuajse i bindur se ai rrip toke i ngushtë ishte pika prej nga depërtohej nën tokë, në krejt lëkurën e njeriut ishin veç dy pika të vogla, sytë, prej nga hynin pamjet e botës brenda territ njerëzor…Ishte i bindur se e kishte ditur përherë atë që sapo i ishte ndriçuar së brendshmi: Edipi nuk e kishte vrarë të atin. Dhe as kishte fjetur kurrë me të ëmën. Ishin shëmbëllime krimesh të mundshme, që u shpallën si të kryera ndërkaq, ditën që ai ishte bërë tiran… Ditën që ai (tirani) e merrte kurorën, ato zhvendoseshin nga koha e pritme, ajo që ende s’ishte, drejt së shkuarës, për të mbërritur gjer në strehën më të sigurt, në zgrof të nënës…”-Lulet e ftohta të marsit

Ku është kufiri midis të jashtmes dhe të brendshmes? Subjektives dhe objektives? Ku fillon njeriu dhe ku goditë universi? Apo nëse universi godet brenda apo jashtë? Marku, personazhi i romanit “Lulet e ftohta të marsit” a është duke projektuar të brendshmen e tij, apo e jashtmja ka shpërthyer tej kufirit të të mundshmes empirike dhe vërshon arkeologjia e represionit nga jashtë, fizik, nga Hoxha deri tek Edipi, në brendësinë e Markut, dhe shpërbëhet kufiri në mes të dyjave.

Phantasy është lumi i shtrirjes së emocioneve, apo reaksioneve kimike në ne, dhe ajo arrin të – shndërrohet – në jetë, realitet në kufi me të jashtmen. Marku ka vetëm një lidhje me të jashtmen, me objektin: vajza (e dashura e tij), dhe kur ajo shndërrohet, përfshihet nga tradhtia, apo devijimi i realitetit, deri në situatë ku ajo bën seks me vëllaun, pra kthim në paraken, dhe me këtë kthim në phantasy. Marku harron kufijtë, apo ata shndërrohen dhe vërshojnë strukturat, objektet, e arkeologjisë së represionit.

Prej këtu shndërrohen e mira dhe e keqja dhe shizofrenia përfshin realitetin.

Kjo është një pikë depresioni, pra e tërheqjes për të vëzhguar (me tejqyrë) kufirin ndarës midis këtyre dyjave. Dhe si në lavaman kur uji që rrjedhë doemos ka vetëm një kahje – hyn në vorbull dhe përfundon në sifon – ashtu dhe të gjitha objektet, dhe kujtesat përfundojnë në dy objekte: sytë e njeriut dhe në shkurret e shurdhra. Apo ndoshta këto janë vetëm momenti i kalimit në zonën e phantasy ku harrohet çfarëdo strukture, raporti objektesh, dhe arrihet në të çarën e seksit pa mëkatin gjithashtu objekt strukture të psikës sonë, pra në fajin fundamental si kufi. Në të vërtetë tërë vëzhgimi depresiv i Markut është kthim në kërkimin e pikënisjes, por pikënisja është e pashqitshme nga e mira dhe e keqja, është e pandashme në të mirë dhe të keqe.

Ajo që e kurthon, apo shpërbën realitetin e Markut, është në të vërtetë burimi, konflikti i shtytjes incestuoze me atë kulturore. Derisa ai kërkon arkivin, apo hyrjen për në arkiv i shfaqet Edipi dhe tërë struktura e njerëzimit. Ka një vëzhgim prej lartë poshtë në gjendjen reale të romanit, por në të vërtetë nëse shihet prej kahjes tjetër del skizoidësia e realitetit të njeriut. Pamundësia për të ikur nga shtytja incestuoze që mbytet me mveshjen kulturore.

E tërë mveshja kulturore është një përdredhje e të mirës dhe të keqes nga njerëz si Marku, unë ti, dhe cilido shqiptar, apo njeri, dhe me këtë i luhatshëm deri në rrënim dhe përmbysje të kulturës, deri në momentin e vëzhgimit. Kjo (sipas të gjitha gjasave edhe në fjalitë e këtij paragrafi) krijon një vorbull të pambizotërueshme që shpërbën çfarëdo sigurie dhe pikëshikimi.

Postmoderniteti nuk është teoretizim intelektual për intelektualët, por nevojë sociologjike e njeriut të sotshëm, atij që jeton pa një fatkeqësi tejformësuese, apo të shqiptarit që jeton në liri të pakufishme paradoksalisht të krijuar nga kufijtë sipërfaqësor: social, kulturor, dhe shpirtëror, apo në të kundërtën nga të qenit i pambrojtur sociologjikisht, kulturalisht dhe shpirtërisht për së brendshmi. Postmoderniteti është skizofreni e nevojshme për të përballur thyerjen e realitetit, apo ndërhyrjen e të keqes në të mirën dhe të mirës në të keqen e historisë, përbrenda dhe jashtë në realitet. Është rrymë forcash të vërshuara nga shpërthimi i represionit të komunizmit (p.sh. në romanin “Lulet e ftohta të marsit”) apo strukturave të objekteve të ndërtuara nga ky represion.

Marku, personazh monumental në historinë postmoderne të shqiptarëve, është pika e depresionit gjithëpërfshirës shqiptar më të avancuar. Ai me tërë naivitetin e të jetuarit një jetë të tërë në realitetin artificial të komunizmit, ku realiteti kishte mohuar përvojën deri në injorancë pafajësie, është heroi dhe viktima më e avancuar. Megjithatë pika e depresionit të personazhit është e pamundshme sepse ajo vërshohet dhe shpërthen tej mekanizmit mbrojtës të kolektivit post komunist shqiptar – borderline community – të parit të gjërave bardh dhe zi në përhershmëri. Me këtë rast është përmbytje në phantasy të metafizikës së forcave globale. Në pandjeshmërinë e natyrës.

Pika zero e historisë – shkëputja nga historia

“…Besniku ndjeu se e kishte gojën të hidhur…Tani ai po ecte pothuajse me vrap drejt tabelës, ku ishte shkruar me shkronja dritash “TAKSI”, kur, në atë çast, diku nga e djathta, anash qytetit, sipër tij, tutje, ndoshta nga rrethinat, u ndie fillimi i një ulërime. Në fillim, mbyturazi, sikur të dilte prej një kafshe që e mbante ende turirin të ulur në tokë, pastaj gjithnjë e më mprehtë dhe më gjerë, thua se kafsha po e ngrinte dhe ngrinte turirin drejt kupës së qiellit, ulërima e sirenës u ngrit e gjithëpushtetshme mbi qytet. Besniku mbajti hapat. Ktheu kryet anash, e ngriti lart dhe eci prapë drejt tabelës me shkronja dritash “TAKSI”, por pikërisht në atë çast tabela, bashkë me gjithë dritat e rrugës, u shua. Disa zëra thirrën “Alarm!”…Me një shpejtësi të pabesueshme, copëra të tëra qyteti flaknin tutje ndriçimin, duke u kthyer brenda një grime kohenë errësirën parake. … Besniku pa aty-këtu fytyra njerëzish të ngjashme me spikama të përjetshme mishi dhe kocke. Drita e kuqe e makinës ra mbi dy – tri prej tyre dhe kjo përflakje e përgjakur ishte e vetmja shenjë jete mbi to. Të gjitha ballet njerëzore ishin me mundësira plagësh. Unë, gjithashtu, kam në ballë projektin e një plage, mendoi…Dhe midis këtij qielli, vetmitare, kulmore e ftohtë panteoni, kujë, shfryrje lehtësimi, rënkim, zhgënjim, ulërimë e fundit e ndarjes, rrinte sirena…atij iu duk se ishte krejt i vetëm nën aksin qiellor…në terr nuk pa veçse xixëllimën e qetë të një cigareje dhe po në këtë çast iu duk se brenda tij u ndriçua befasisht qartë, e përmbledhur, si me thjerrëz, diçka gjer atëherë e parrokshme, që ai kishte thithur gjithë jetës, pa e ndier as vetë, si një rrezatim të padukshëm nga faqe librash, gurë, emra, pamje, fytyra njerëzish, hartash. Ishte vetë historia. Trupi i saj, ende i ngrohtë, i pabalsamosur, ishte aty përreth, mish i gjallë, i çliruar nga guaskat, brumë i derdhur gjithandej, rrugëve dhe shesheve…”-Romani Dimri i vetmisë së madhe

Besoj që lexuesi mund të ndjejë atë që studiuesit letrar e kanë quajtur “zhurma estetike”, apo që ndoshta më mirë do të tingëllonte “zërimi estetik”, të ulërimës së sirenës në paragrafin e prezantuar të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, sigurisht përmes projektimit në personazhin e Besnikut, jo direkt. Dhe nëse kjo veçse është ndjerë, besoj që edhe është e arritshme gjendja parake e pafuqisë së njeriut ndaj “kafshës”.

Besniku, personazhi i “Dimri i vetmisë së madhe”, së pari përjeton paraken në fytyrat e kalimtarëve, dhe pastaj ndjenë të jashtmen në brendësinë e tij, atë që ai e quan “Historia”. Është moment shkëputjeje të së jashtmes, duke qenë nën presionin e ulërimës së kafshës, ndarje e së përbrendësuarës nga e brendshmja. Njëlloj sikur kasapi që ndanë lëkurën nga mishi, duke e lënë Besnikun në gjendjen parake dhe në pafuqinë njerëzore, dhe në rifillim të të ndjerit të botës.

Gjendja paranojake e arritur në këtë moment të letërsisë në këtë roman, arrin të shkëpusë përvojën (atë që e quajmë histori) e tërë njerëzore nga aktualja: pranë ulërimës së sirenës. Edhe kjo gjendje është një mekanizëm mbrojtës i njeriut për të ruajtur nën struktura aktuale phantasy, për ta mveshur me realitetin (apo nëse lexuesi dëshiron me: historinë). Gjendja paranojake shpërthen kur e mira dhe e keqja janë në skajshmëri të represionit, ato të natyrshme apo parake, dhe kur përvoja aktuale shthurë realitetin e kufizuar në mes të këtyre dyjave. Është çnjerëzore, dhe jo e natyrshme kufizimi qoftë edhe i të keqes, dhe doemos ajo do të shpërthejë në një ulërime “kafshe” mu në mes të qytetit, dhe ky i fundit duke u shuar përnjëherë.

Pozicioni i Besnikut, për dallim nga ai i Markut, është pozicion aktiv (pra jo depresiv) dhe është i mallkuar për përmbysje edhe me pakufishmërinë e paranojës e cila kishte kapluar shqiptarinë pas historisë së shkëputjes së shtetit të Shqipërisë nga pakti i Varshavës. Shpërthimi i asaj që e quajmë e keqe ishte veshur në pakufi represione vetëm për të ruajtur pozicionin – borderline community – për të ruajtur atë pak të mirë që kishte mbetur e pavërshuar: pavarësinë.

Përvoja e përbrendësuar shqiptare kishte krijuar disproporcion të të keqes dhe të mirës duke e skalitur pozicionin e shqiptarit, me Hoxhën në krye, në stoicizëm absurd, duke dashur të mbroj atë që kurrë më parë nuk e kishte pasur: pavarësinë, unitetin dhe lirinë. Në të vërtetë mu këto, siç ndodh në raste klasike paranoje nga përballja me të keqen e pabartëshme, ishin përmbysur dhe ishin shndërruar në varësi, depersonalizim dhe robëri.

Besniku është menduar si hero i kësaj periudhe të shtetit të Shqipërisë, tërë stoicizmi i tij është përpjekje e pakufishme për të mveshur shpërthimin e të keqes që sot e nxjerr atë në diçka absurde. Por shikuar si moment i shkëputjes së historisë (përvojës) së përbrendësuar nga momenti aktual ku ai gjendet, pra moment i pranimit të pafuqisë njerëzore, qoftë paradoksalisht ndaj politikës që buron nga vet ai, qoftë ndaj pandjeshmërisë së natyrës, ai është një nga mbijetuesit e asaj që do të pasoj dhe që e vuajmë apo festojmë, skizofrenisë së botës, thënë shkurt dezintegrimit të historisë, apo për të mos ndjellë tragjedinë: në copëzim/shumëfishim të historisë.

Momenti esencial i tërë mençurisë – fëmijëria

“E merrja me mend se si pikat e panumërta rrokulliseshin tani në pllakat e pjerrëta, duke shpejtuar të binin sa më parë në tokë, që pastaj të avulloheshin dhe të ngjiteshin prapë atje lart, në qiellin e bardhë. Ato nuk e dinin se në strehët e pullazit i priste një grackë e panjohur, lugu prej llamarine. Pikërisht në çastin kur bëheshin gati të kërcenin nga streha në tokë, pikat e shiut gjendeshin befas në lugun e ngushtë, bashkë me mijëra e mijëra shoqe të tjera, që pyesnin të frikësuara: “Ku po shkojmë kështu, ku po na çojnë?”” dhe, pa e mbledhur veten mirë nga ky vrap i çmendur, binin befas në një burg të thellë e të errët, në sternën e shtëpisë sonë.

Kështu merrte fund jeta e lirë dhe gazmore e pikave të shiut. Atje, në sternën e errët e të shurdhër, ato do të kujtonin pastaj me pikëllim hapësirat qiellore, që nuk do t’i shihnin më kurrë, qytetet e habitshme poshtë tyre dhe horizontet plot vetëtima. Vetëm unë ndonjëherë, duke luajtur, do t’u dërgoja me anë të pasqyrëzës një copë qiell të vogël sa një pëllëmbë, që do të lodronte mbi gjirin e ujit, si një kujtim i shkurtër i qiellit të madh.” -Romani “Kronikë në gur”

Është i pamohueshëm referimi ndaj burgut, izolimit kolektiv të popullit të shtetit shqiptar në komunizëm në këtë pjesë të romanit “Kronikë në gur”, është shndërrim i qartë dhe tërësisht i kapshëm. Por ta shmangim atë, gjë që shpesh e kufizon punën kadareane. Ta shmangim duke pikëtakuar atë që është jashtë –izolimin kolektiv në sternën e komunizmit të popullit të Shqipërisë që është kudo në Gjirokastrën e fëmijërisë së narratorit, mbylljen brenda komunizmit si e keqe e kudondodhshme, në pikëtakim me atë që ndjenë në rënien e shiut, metafiziken e qarkullimit natyror, në brendësinë e tij fëmija narrator.

Me kokën nën mbulesë, estetika e zërimit të shiut është shtresëzim i durimit dhe paqes që ndjellë lidhjen me botën. Është unisimi i të brendshmes me të jashtmen, moment prehje. Dhe, krejt padjallëzi, del tragjedia në këtë moment prehjeje, del robëria e përjetshme e “pikave të shiut”. Del këputja e lojës së tyre në një grumbull uji të papërdorshëm, ndoshta me pak imagjinatë kjo do të ishte fati i komunizmit nxënë në lojën krejtësisht të padjallëzuar të narratorit. Dhe krejt në fund të “përçartjes”, është fataliteti i jetës së njeriut në lojën e përhershme të ikjes nga nëntoka.

Në këtë roman, me paramendim autorial dhe në logjikën fëmijërore, e keqja dhe e mira janë të ndara në të dukshmen – botën, dhe të padukshmen – “nënbotën”. Është moment përballjeje të dashurisë së fëmijës, pa histori paraprake, por në aktuale, me shtytjen e shkatërrimit (prej objektit të gjirit të nënës, e deri tek bota). Kjo është ndarja skizoide e botës, në primordialitet të së mirës dhe së keqes. Dhe vetëm faza e depresionit që e pason këtë është “shërimi”, pranimi i shndërrimit të realitetit. Dhe vetëm përputhja e objektit në atë që është, pra në të gjitha pjesët e urryera (dhe ato të dashura), qoftë edhe të vetes, krijon momentin e këtij paragrafi të cituar: duke kanalizuar tragjedinë e “nënbotës” në kanal qarkullimi të fantazisë së frikshme, të errtë.

Paradoksi i përballjes, krijimit dhe pranimit të fatalitetit të botës në fëmijëri, gjë që nuk e mbizotërojmë deri në vdekjen tonë, është phantasy e pikës zero. Secili fëmijë krijon historinë prej pikës zero dhe e përjeton sipas strukturimit të objekteve, dhe ky është momenti i lindjes së botës, prapë, duke përkujtuar se bota asnjëherë nuk e ka komoditetin e komunizmit të harrimit të të keqes, por ajo është imanente.

Është ajo që e quajmë lojë, e që në të vërtetë është përdredhje e ndarjes së botës, lakim, që kalon fëmijën nëpër këtë njohje esenciale të botës. Është paraprirje dhe kanalizim i rrjedhës së metafizikes në ne për të arritur tutje në realitetin e babait, në rendin shoqëror, dhe në strukturën e objekteve që ruajnë me ankth nga vërshima e phantasy. Por për fëmijën, të – pakulturuar -, phantasy është rrjedhë e natyrshme e gjetjes së choras, trupit simbolik të nënës brenda fëmijës sipas Julia Kristeva. Në prehje, përputhje shtresash përvoje ku njeriu pranon mosndarjen, por e shtrinë atë me dashurinë e pahelmuar, e kanalizon në lojë fëmijërore.

Përfundim – revers në depresion

Mençuria e botës është në fëmijëri, loja, lakimi, dhe është tërë ajo që i mungon Besnikut në Dimri i vetmisë së madhe dhe Markut në Lulet e ftohta të marsit. Derisa i pari është në ndarje e sipër të përhershme të së mirës dhe së keqes, primordialisht, i dyti, pra Marku, është tërësisht i vërshuar nga dezintegrimi i këtyre dyjave në përçartje si mungesë e lojës. Megjithatë të dy këta arrijnë në momente të esencës së fatit/historisë: njëri në të parit të saj jashtë pra shkëputjes nga ajo që është “thithur”/përbrendësuar – tërë historinë e tij të ndjerë dhe të kondensuar në një gacë cigareje. Dhe tjetri arrin në zanafillën e botës për të mos mundur të kap brenda një strukture atë.

Janë dy fenomene: phantasy si lum i pandalshëm mase parake dhe pikëshikimi i bartësit të saj. Në çdo perspektivë/moment pikëshikimi, phantasy ka një shtrat rrjedhe: sa më lartë aq më e rrëmbimshme rrjedha; dhe sa më i qetë pikëshikimi aq më e kapshme rrjedha. Përçartja ndoshta është vërshim i këtyre masave në strukturën e ngushtë të asaj që kemi ndërtuar kolektivisht. Dhe ndoshta përshkimi i tyre nëpër momente metafizike në punën e Kadaresë është njëlloj ngritje e pendëve të represionit nga frika e akumuluar e përvojës tragjike të shqiptarit.

Duke pas kaluar nëpër këto momente pikëshikimi që do të thotë shtrirjeje të masave parake të njeriut do të kthehemi në revers në pikëshikimin autorial të Kadaresë. Si njeri që vuan të njëjtat frustrime dhe gëzime primordiale të njeriut,ai doemos duhet të jetë pre e gjendjes paranoide-shizoide të psikës sonë kolektive. Doemos duhet të jetë pre e strukturave dhe ulërimave të “kafshës” për të ndjerë pafuqinë njerëzore. Ku ndodhet ai në të vërtetë në këto tri pikëshikime të zgjedhura me intuitën e të shënjuarit nga puna e tij brenda këtij punimi?

Në një moment në librin Ftesë në studio ai thotë: shkrimtari është i pakapshëm: në momente lumturie dhe feste ai mund të jetë në ndonjë gjykim të rëndë, dhe në momente kur e dënojnë shkrimtarin ai mund të jetë në darkë gostie me faraonë të tmerrshëm, kështu disi thotë. Kjo është oja e ruajtur me ankth për të tejkaluar pandjeshmërinë e botës.

Apo, duke u ndërlidhur me teorinë Lacaniane, njeriu në fillet e tij nuk mund të dalloj veten nga trupi i nënës, është në atë që Julia Kristeva e quan Chora, është brenda trupit të nënës. Në fazën paranoide – shizoide e kemi shumë të vështirë të dallojmë brenda të brendshmes dhe të jashtmes, fëmija duke qenë pre e phantasy të dashurisë dhe urrejtjes brenda, dhe orientuar jashtë edhe drejt gjirit të nënës (për shkak të frustrimeve, p.sh. kur ai nuk është aty për neve), kalon një jetë e tërë duke përbrendësuar të mirën dhe duke projektuar të keqen, apo në raste të kundërta duke përbrendësuar të keqen dhe duke projektuar të mirën, por gjithnjë duke pasur mbështetjen.

Përçartja është përshkimi i phantasy tej strukturave, tej realitetit. Por kush e bënë realitetin? Kush vendos se personazhet e Kadaresë janë të lumtur, soc-realist apo tragjik. E tëra varet nga pikëshikimi ynë. Sigurisht strukturat, prej atyre primordiale, e deri tek ato më bashkëkohore – postomdernizmi, janë të përbrendësuara në ne, por edhe phantasy, si shpërthim emocionesh e reaksionesh kimike peshojnë brenda ne, sidomos në represionet e tragjedive të pandalshme. Ndoshta lexuesi kur arrin thellimin në “ tragjedi” të këtyre personazheve pëson një vërshimë të phantsy dhe bartet nga rrjedha e saj. Ndoshta tragjedia që shohim është projeksion i yni, apo më saktësisht tragjedi kolektive e ditur para njoftimit me këto personazhe. Tragjedia e të mirës dhe të keqes, është brenda në ne dhe këto personazhe e përmbysin strukturën represionuese në ne, për të ardhur në momente krejtësisht unike dhe të papërsëritshme të të bukurës. Si barkë lundrimi mbi tragjedinë tonë kolektive dhe rrymat nëpër kohëra, derisa nuk e gjejmë Itakën – choran.

*Phantasy (jo, fantasy siç shkruhet në anglisht) është nocion psikanalitik i krijuar nga psikanalistja e njohur angleze, Melani Kleine, për të denotuar reaksionin kimik brenda nesh para se të strukturohet në mendime. Në të vërtetë kjo është gjendja parake e njeriut, dhe ai është nën “vërshimin” e saj sidomos në foshnjëri dhe në gjendje përçartjeje.

Më Shumë

Lajmet e Fundit