22.7 C
Prizren
E enjte, 17 Korrik, 2025

Politika e ndyrë lë në geto qytetarët

Premtimet pompoze të qeveritarëve të tanishëm të Kosovës, për heqjen e vizave para fundit të këtij viti, po mbeten mashtrimet më ordinere, të cilat për tri mandate rresht i kanë bërë partitë në pushtet. Përfaqësues të shoqërisë civile dhe analistët politikë konsiderojnë se me mosplotësimin e kritereve të kërkuara nga BE-ja për të pasur edhe kosovarët të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Schengen, qytetarët po dënohen pa të drejtë nga kjo klasë politike, madje edhe me paralajmërimin e vazhdimit të këtij dënimi edhe në vitin 2017.

Ulrike Lunaçek, nënkryetarja e Parlamentit Evropian, ditë më parë në Kosovë ka thënë se edhe po u miratua Demarkacioni, mosluftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar mund të jenë pengesa kryesore në këtë proces. Sidoqoftë, tanimë askush nuk mund të japë një përgjigje të besueshme se deri kur do te dënohet populli për shkak të kësaj klase politike të kriminalizuar.

Artan Canhasi, nga KDI-ja, fajëson drejtpërdrejt klasën politike në pushtet për neglizhimin e plotësimit të kritereve që po i kërkohen Kosovës, dhe për pasojë po e pësojnë qytetarët. E, kur kësaj vonese i shtohen edhe problemet më të reja, që dolën në BE me referendumin për daljen e Britanisë së Madhe, atëherë perspektiva për kosovarët vjen e bëhet akoma më e pashpresë.

“Komisioni Evropian publikoi Raportin për Kosovën më 10 nëntor. Nga analizimi i këtij raporti del se në shumicën e indikatorëve për matje të progresit të arritur, Kosova është “në fazë të hershme”, ashtu sikurse pozicionohej edhe në raportin e vitit që shkoi. Si rrjedhojë, Kosova nuk ka shënuar progres substancial as gjatë kësaj periudhe raportuese. Këta indikatorë janë të lidhur ngushtë edhe me liberalizimin e vizave. Sidomos lufta kundër korrupsionit dhe Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi”, theksoi Canhasi, shkruan gazeta Kosova Sot.

Klasa politike, e keqja e madhe

Korrupsionin e sheh si pengesën kryesore për liberalizimin e vizave dhe ndëshkim të pamerituar nga kjo klasë politike për qytetarët e Kosovës, mendon edhe Jeton Kelmendi.

“Me këtë kastë politike, Kosova as më 2200 nuk do të mund të ketë liberalizim të vizave, prandaj duhet kurajë, dhe nëse ne nxjerrim para gjyqit së paku disa nga kokat e krimi dhe të korrupsionit në vend pa dyshim se jo vetëm liberalizimi, por edhe procese e tjera si marrja e statusit të vendit kandidat do të ndodhin pa vonesë. Pra, po shihet se pa e larguar të keqen nga vetja nuk vijnë të mirat, dhe e keqja më e madhe e Kosovës janë këta liderë politikë që, përveç tyre, na sjellin një kastë të tërë njerëzish në shërbim të krimit dhe korrupsionit dhe asgjë më shumë”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Albinot Maloku konsideron se të gjitha këto probleme, me të cilat po përballen qytetarët e Kosovës, nuk mund të zgjidhen pa pastrimin e vetë kësaj skene politike, me një reformim të thellë, ose daljen e saj në pension dhe krijimin e një fryme dhe programi të ri politik me vizion pro evropian.

“Problemet me të cilat janë përballur e vazhdojnë përballen qytetarët dhe shteti i Kosovës, ku këtu me theks të veçantë duhet përmendur zhvillimin ekonomik, nepotizmin e korrupsionin lënë hapësirë për të menduar për alternativa politike. Humbjet për Kosovën dhe qytetarin e saj duhet të kenë një limit. Kasta aktuale politike ka dy rrugë zgjidhjeje, ose të bëjë reformat e thella brendapartiake e këto të hapin shpresë, ose të largohen nga skena politike duke i lënë hapësirë një kaste të re politike”, tha Albinot Maloku për “Kosova Sot”.

Krizën e shkaktoi Qeveria

Zona Schengen do të vazhdojë të mbetet zonë e ndaluar për kosovarët, edhe për shumë vjet, nëse politika kosovare nuk e merr seriozisht plotësimin e kushtit kryesor, që është lufta kundër krimit dhe korrupsionit në nivelin e lartë, edhe sipas analistit politik Arsim Haziri.

“Zona Schengen për shtetet pretenduese kërkon përmbushjen e disa kritereve qe janë edhe bazë, pasi ajo edhe vetë mbi këto kushte është krijuar,siç janë implementimi ì tërësishëm ì legjislacionit, si dhe qëndrueshmërinë e gjendjes së brendshme etj. Ndërsa, Kosova aktualisht është peng e një politike të papërgjegjshme dhe e cila jeton brenda interesave të veta, duke e bërë vendin që të jetë pjesë e të gjitha dukurive negative dhe kësisoj të bëhet e pajetueshme jeta brenda saj”, tha Haziri.

“Politika aktuale procesin e liberalizimit s’mund ta përmbushë, pasi kushtet që ajo ì deklaron bien ndesh me agjendën që politika e realizon, siç janë zhvillimi i kriminalitetit dhe fuqizimi dhe paprekshmëria në emër të saj. Pra, agjenda evropiane për politikën kosovare është luftimi ì pakompromis ì kriminalitetit dhe përfundimi ì çështjes së demarkimit, që momentalisht janë dy procese përpos që nuk kanë gjetur miratimin institucionale njëherësh kanë ndikuar edhe në masë të madhe edhe në përçarjen e këtij partneriteti politik. Pra, Qeveria e sotshme s’mund të ketë gatishmëri për t’i arritur edhe ato kërkesa të mbetura, pasi ajo konsiderohet shkaktari i vetëm ì prodhimit të kësaj situate”, u shpreh Haziri. /Kosova Sot/

Më Shumë

Joao Aguiar vazhdon misionin: “Braziliani i Prizrenit” gati për sezonin e tretë

FC Prizreni ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me mesfushorin brazilian Joao Aguiar edhe për sezonin e ri, duke hyrë kështu në vitin e tretë...

Vigan Rexhaj vazhdon me KF Drini i Bardhë edhe në Ligën e Dytë

Klubi futbollistik Drini i Bardhë i Hasit ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me mesfushorin e spikatur Vigan Rexhaj edhe për sezonin e ri 2025/2026...

Lajmet e Fundit