Të mërkurën ka vazhduar gjykimi në çështjen kontestimore në mes paditësit M. Xh. dhe të paditurit, djalit të tij, R. Xh., në të cilin rast, paditësi kërkon që i padituri të lirojë shtëpinë, në të cilën ka jetuar që nga fëmijëria.
Në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, kanë dëshmuar vëllezërit e paditësit, J. dhe M. Xh. Ata, në dëshminë e tyre, veç e veç, kanë thënë se shtëpia kontestuese është ndërtuar nga tre vëllezërit më 1980, por se më shumë kishte kontribuar paditësi, pasi që kishte qenë duke punuar në Gjermani. Sipas këtyre dëshmitarëve i padituri R.Xh. është martuar në vitin 1985 dhe është vendosur në shtëpinë kontestuese, në të cilën kishte pasur dy dhoma dhe një banjë, ndërsa tani shtëpia ka katër dhoma dhe një sallon.
Ata kanë thënë se që nga ajo kohë, R.Xh. ka jetuar në atë shtëpi i pa penguar nga askush pasi që dy vëllezërit dhe dy motrat e tij, po ashtu jetojnë në Gjermani. Ata kanë deklaruar se pas luftës, paditësi ka ndërtuar një shtëpi për vete dhe jeton në të kur vjen në pushime. Ndërsa, sa i përket trashëgimisë nuk kanë pasur njohuri nëse pasuria është ndarë në mes trashëgimtarëve, por dëshmitari J. Xh. ka thënë se ka dëgjuar nga fëmijët në Gjermani se M.Xh. ia ka lënë shtëpinë R. Xh.
Në fund, ata kanë thënë se vëllezërit e të paditurit, vijnë shumë rrallë në Kosovë, ndërsa motrat i ka të martuara.
Në këtë seancë është dëgjuar edhe i padituri R. Xh., i cili ka thënë se për më shumë se 30 vjet ka banuar në shtëpinë e tij dhe se në atë shtëpi ka investuar shumë.
Ai ka thënë se më parë shtëpia ka qenë me dy dhoma dhe një banjë, ndërsa me investimin e tij tani shtëpia ka një sallon, katër dhoma dhe një nën kulm. Ai ka mohuar që babai i tij, i cili e ka paditur, t’i ketë ndihmuar në rregullimin e shtëpisë dhe se ka investuar duke menduar se shtëpia është e tij, se nuk do t’i kërkohet ndonjëherë të largohet nga ajo.
Përfaqësuesi i autorizuar i palës paditëse, avokati Bestar Kolgeci, në fjalën përfundimtare ka thënë se nuk është kontestuese se klienti i tij është pronar i patundshmërisë dhe ligji ia njeh të drejtën që të disponojë me të sipas dëshirës. Ai ka thënë se klienti i tij, sipas ligjit, nuk ka obligim ndaj të paditurit pasi që i njëjti punon dhe ka të ardhura të veçanta. Ndërsa, sa i përket kërkesës së të paditurit për të fituar të drejtën e pronësisë, ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet, pasi që nuk është vërtetuar nga askush, as nga vetë i padituri, se babai i tij t’i ketë thënë se shtëpia është e tij. Andaj ka kërkuar që padia e klientit të tij të aprovohet, ndërsa kundërpadia e të paditurit të refuzohet si e pabazuar. Ai po ashtu ka kërkuar që gjykata ta obligojë të paditurin që të shpërngulet nga shtëpia e klientit të tij.
Ndërsa, përfaqësuesi i palës së paditur, avokati Ruzhdi Berisha, ka kërkuar nga gjykata që ta refuzojë padinë e paditësit M.Xh. dhe ta aprovojë kundërpadinë e klientit të tij, R. Xh.. Ai këtë kërkesë e ka bazuar duke thënë se nuk është kontestuese që klienti i tij ka qëndruar i pa penguar në shtëpinë e tij, që nga viti 1985 dhe se nga viti 1986 jeton në bashkësi të ndarë prej babait. Ai ka thënë se i padituri vazhdimisht ka jetuar në atë shtëpi dhe se ka investuar në të, duke e ditur se shtëpia është e tij dhe nuk është penguar asnjëherë në meremetimet që ka bërë dhe mënyrat se si e ka rregulluar shtëpinë me oborr.
Në gushtin e vitit 2016, M. Xh. ka iniciuar padi në Gjykatën Themelore në Prizren, me të cilën kërkon që djali i tij, R Xh., t’ia lirojë shtëpinë e cila gjendet në emrin e tij. Ai në padi ka sqaruar se bashkëshortja e parë, nëna e të paditurit, ka vdekur, ndërsa më pas ai është martuar sërish dhe ka dy fëmijë me gruan e dytë. Sipas padisë, i padituri vazhdimisht po u bën problem atyre dhe nuk po munden të jetojnë së bashku në një vend për shkak të problemeve të vazhdueshme.
Po ashtu edhe i padituri R. Xh.ka ushtruar një kundërpadi në këtë rast ku ka kërkuar që gjykata t’ia njeh të drejtën e pronësisë së shtëpisë mbi bazën e fitimit parashkrues me mirëbesim, pasi që në të njëjtën shtëpi jeton mbi 30 vite dhe nuk është penguar asnjëherë nga askush. Sipas kundërpadisë, ai edhe investimet i ka bërë në shtëpi duke e ditur se shtëpia është e tij./betimiperdrejtesi/