17.8 C
Prizren
E mërkurë, 5 Tetor, 2022

Prizren: Shtëpia shkollë e familjes Mustafa që është shndërruar në shpresë për komunitetet RAE

Rrugica e paasfaltuar që të çon në vendbanimin joformal e që nga banorët quhet lagjja “Transit”, në afërsi të rrugës që lidh Prizrenin me autostradën “ Ibrahim Rugova”, ndodhet një ndërtesë njëkatëshe, në të cilën hyjnë e dalin fëmijët e komuniteteve RAE, shkruan Koha Ditore.

Shtëpia e ndërtuar për nevojat e familjes Mustafa është përshtatur në shkollë të lagjes, që kryesisht banohet nga pjesëtarët e komuniteteve RAE, derisa ka edhe banorë të shumicës shqiptare.

Shkaku i reshjeve rruga lokale mbulohet nga balta, pavarësisht përpjekjeve që janë bërë për shtrimin e saj me zhavorr. Kjo bën që fëmijët dhe mësuesit t’i zbathin këpucët jashtë shtëpisë-shkollë dhe të hyjnë në objekt. Shkaku i varfërisë ekstreme ka fëmijë që janë pa çorape në këmbë. As rrobat e tyre nuk shquhen për pastërti. Megjithëkëtë buzëqeshja e tyre është e sinqertë, sikurse që është edhe jehona e këngës së tyre. Në shoqëri të këngës edhe shprehin dëshirat për ditën aktuale dhe shpresat për të ardhmen, bashkë me edukatoret dhe mësuesit. Jetesën e zhvillojnë në kufirin e kontrastit të realiteteve. Në njërën anë të lagjes qëndron një shkollë e dalluar nga rezultatet, derisa në anën tjetër të rrugës është komuniteti i paarsimuar.

Kjo shkollë e krijuar për nevojat e fëmijëve të komunitetit RAE që nuk janë regjistruar fare në shkolla të rregullta apo edhe që e kanë braktisur atë është themeluar pikërisht me nismën e punonjësve të gjimnazit “Loyola”, që është një prej shkollave lidere për nga cilësia në Prizren dhe Kosovë, e që ndodhet pak minuta larg nga kjo lagje. Është iniciuar si një projekt social në fillim, por tashti është shndërruar në një përpjekje për bashkëjetesë të komunitetit shkollor të “Loyolas” me njerëzit e kësaj lagjeje, ku këta të fundit mundësitë i kanë të kufizuara, por megjithatë kanë dashuri të pakufizuar.

Merita e nismëtarit Moritz Kuhlmann

Nismëtari i krijimit të urëlidhjes mes gjimnazit “Loyola” dhe lagjes “Transit” është Moritz Kuhlmann, i cili këtë meritë ia njeh një personi të moshuar nga komuniteti i lagjes. “Kur kam ardhur për të punuar në këtë shkollë, drejtori i shkollës më pati kërkuar një projekt social, ku nxënësit e “Loyolas” mund të përfitonin përvoja me angazhim social. Qëllimi i tij ka qenë që nxënësit të mos mësonin vetëm me kokë, por edhe me zemër. Kemi hulumtuar për të gjetur se ku është nevoja më e madhe në Prizren. Dhe një ditë, në verën e vitit të kaluar, kam takuar Saiden, plakë 75 vjeçe, e cila duke mbledhur skrap me karrocë siguron ekzistencën për familjen shumanëtarëshe. Ajo është ndalur në rrugë dhe e ka larë fytyrën me ujin e rrugës. Kjo pamje me ka prekur në zemër. Kam biseduar me Saiden, edhe pastaj ajo më ka sjellë këtu në lagje, më ka njohur me familjet dhe pastaj kam filluar që t’i vizitoj rregullisht këta njerëz. Pastaj vjet, kur pati filluar viti shkollor, i pata pyetur disa nxënës të “Loyolas” se a kanë dëshirë të vinë me mua në këtë lagje. Kur kemi ardhur me nxënësit e “Loyolas” e kemi kuptuar se asnjëri nga fëmijët nuk kanë qenë në shkollë. Shkollën e parë e kemi nisur me një qilim jashtë në lagje dhe nxënësit e ‘Loyolas’ kanë filluar që të jepnin mësim për fëmijët e lagjes”, ka thënë Kuhlmann. Sipas tij, për shkak të afrimit të sezonit të dimrit është dashur të merrej një lokal modest me qira. “Kështu ka filluar shkolla miqësore “Loyola-Transit” dhe është rritur shpejt. Kemi krijuar raporte të mira me nxënës, kemi iniciuar kopshtin, shkollën e muzikës, kemi angazhuar disa të rinj në punë, kemi filluar mësimin përshpejtues, etj.”, ka deklaruar Kuhlmann

Më Shumë

Malishevë/ Përkujtohet dr. Shpëtim Robaj në 24 vjetorin e rënies

Sot, në 24 vjetorin e rënies në altarin e lirisë, u përkujtua dëshmori dhe heroi i kombit, dr. Shpëtim Robaj. Në nderim të jetës dhe...

Kërcënoi me jetë vëllain, i dyshuari nga Kabashi i Hasit shkakton probleme në gjykatë

  Vendimi i Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit e ka mllefosur të dyshuarin nga Prizreni S.K., i cili para pak ditësh përfundoi në...

Bota sot

Lajmet e Fundit