Dy 21- vjeçarë, njëri nga Puka dhe tjetri nga Mirdita kanë ngritur në këmbë thuajse gjithë policinë e Veriut të vendit teksa i kanë zënë pritë një makine që vinte nga Kosova. ngjarja ka ndodhur në Rrugën e Kombit rreth orës 02.30 minuta të mëngjesit të djeshëm, ndërsa “viktima” të sipërmarrjes së të rinjve janë dy profesorë të Universitetit të Prishtinës. Grabitësit zunë pritën në Reps dhe nën kërcënimin e armës kanë mundur ti marrin një sasi të hollash drejtuesit të mjetit si dhe aparatin telefonik të “Nokia”, nga tipat e fundit.
Dy profesorët janë dorëzuar paratë rinjve ndërsa para se të ndalonin, grabitësit kanë shtirë një herë në ajër, shkrepje që ka “rezultuar fatale” për fatin e njërit prej grabitësve. Të rinjtë pasi kanë marrë materialet janë larguar në drejtim të fshatit ndërsa profesorët kanë denoncuar ngjarjen në patrullën e parë rrugore që kanë takuar. Efektivët e rrugores kanë lajmëruar komisariatin e Mirditës dhe rreth orës 04.00 është ndërmarrë edhe operacioni i parë, shkruan “Shekulli”.
Referuar të dhënave që vijnë nga policia e këtij komisariati bëhet e ditur se në të vërtet ekzistonte frika e ndërhyrjes në zonë pa nisur të zbardhte dita pasi dëshmia e dy profesorëve kishte faktuar armatosjen e të rinjve. Në vendin e ngjarjes është bërë gjetja e gëzhojës dhe është patrulluar pa drita dhe pa zhurmë në rrugën kryesore.
Rreth orës 05.30 autorët janë kthyer në afërsi të vendit të ngjarjes. Me sa duket me idenë për të lëvizur me ndonjë makinë rasti. Pak metra më larg është gjendur policia e komisariatit të Rrëshenit me në krye shefin e Rendit. Njëri nga grabitësit ka mbetur në rrugë i hutuar nga kapja në befasi, ndërsa tjetri me armën e krimit ka mundur të largohet me shpejtësi.
Në ecje e sipër grabitësi ka lëshuar edhe armën, duke lënë në duart e policisë provën që mund ti kryesore që mund të lërë në burg për të paktën 15 vite pasi nga ajo armë kanë dalë gëzhojat e dy ngjarjeve të tjera mjaft të rënda. Policia ka arrestuar pukjanin, ndërsa ka shpallur në kërkim mirditorin.
Pas prangosjes së të riut Ardit Magjuni, 21 vjeç, policia ka siguruar edhe dëshminë e parë të tij. Magjunit iu kanë gjetur në xhep shuma prej 405 euro-sh, shumë që e kishin denoncuar edhe dy profesorët e Prishtinës, Fehmi Ahmetaj dhe Osman Cakiqi si dhe aparati telefonik Nokia i drejtuesit të mjetit.
Nga dëshmia është mësuar se bashkëpunëtori i pukjanit në këtë grabitje ishte Anton Nikolli ndërsa policia kriminale në komisariat ka nisur punën menjëherë për të verifikuar gëzhojën që kishte dalë nga arma automatike. Sapo ka mbërritur edhe arma në komisariat blutë kanë fiksuar se në të vërtet, 21 vjeçari tjetër, nga Rrësheni është autor edhe i dy ngjarjeve të tjera të rënda në të cilat është përdorur armë në grabitje.
Policia saktëson se arma e sekuestruar e të rinjve është përdorur të paktën në katër grabitje, por dy prej të cilave rezultojnë krejtësisht të dokumentuara. Bëhet fjalë për grabitjen e dy personave ndërsa policia dyshon se me këtë armë janë kryer edhe dy krime të tjera të grabitjeve në atë aks rrugor.
Policia e Lezhës ka hartuar një plan operacional për të kërkuar Anton Nikollin ndërsa rreth orës 08.00 të mëngjesit në drejtim të Repsit është nisur reparti i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodrës. Në ndihmë të tyre rreth 2 orë më vonë ka shkuar edhe një helikopter por kërkimet për gjatë gjithë ditës së djeshme kanë dështuar në lidhje me Anton Nikollin, mbi të cilin tashmë bie akuza e të paktën tri grabitjeve me armë në aksin Reps-Milot
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se shtetasi Anton Nikolli është autor i disa ngjarjeve të tjera kriminale të ndodhura kohët e fundit në këtë aks rrugor, dhe konkretisht: Ngjarjen e datës 03.04.2013, në vendin e quajtur Reps- Mirditë, ku është vjedhur me armë shtetasi A. Kamberi.
Ngjarjen e datës 11.07.2013, në vendin e quajtur Reps- Mirditë, ku është vjedhur me armë shtetasi E. Nastradini. Materialet do t`i kalojnë Prokurorisë së Lezhës për veprën penale të “Vjedhjes me armë në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
Grabitja në rrugën e Kombit. Detajet e operacionit mbi 6 orësh të policisë së Mirditës, FNSH-së dhe një helikopteri. Një në pranga një në kërkim. I kërkuari autori i të paktën 4 akteve të tjera.