11.8 C
Prizren
E diel, 28 Prill, 2024

Projektligji për Specialen ende s’dërgohet në Kuvend

Trajtimi i Gjykatës Speciale vazhdon të mbetet peng i Projektligjit për këtë gjykatë, të cilin Qeveria e Kosovës ende nuk e ka proceduar në Kuvendin e Kosovës.

Këshilltari ligjor i kryeministrit Isa Mustafa, Besnik Berisha, ka deklaruar për “Epokën e re” se Qeveria ende nuk e ka përcjellë në Kuvend Projektligjin për Gjykatën Speciale për shkak të disa çështjeve të cilat, sipas tij, duhet të qartësohen në këtë dokument.

“Akoma janë disa gjëra, të cilat delegacioni i Kosovës që ka marrë pjesë në cilësi të ekspertëve, ka konsideruar se duhet të kristalizohen më tutje. Po ashtu, janë në pyetje edhe disa çështje teknike para se projektligji të procedohet në Kuvend”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka thënë se këto çështje ndërlidhen me të drejtën dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.

“Janë disa çështje të cilat kanë qenë të njohura për opinionin edhe më herët. Në mënyrë specifike nuk ka diçka që do të mund të ndaj tani, por janë çështje që ndërlidhen me të drejtën dhe parimet ndërkombëtare në raport me dhomat e specializuara”, është shprehur Berisha.

Në këtë kontekst, Berisha ka thënë se ende nuk kanë një datë se kur Qeveria do ta procedojë për në Kuvend Projektligjin për Gjykatën Speciale.

“Sigurisht në një të ardhme të afërt projektligji do të dërgohet në Kuvend, por datë ta caktuar nuk ka, sepse fillimisht duhet të kristalizohet kjo çështje teknike dhe duhet të ketë dakordim për draftin final”, ka theksuar Berisha.

Më tutje, Berisha ka thënë se ende nuk është definuar qartë nëse në Projektligjin për Gjykatën Speciale do të figurojë termi “gjenocid”.

“Siç e dini, termi gjenocid është në Kodin Penal, i cili është në fuqi deri në janar. Sigurisht është ngritur si çështje, por akoma nuk është definuar saktë nëse do të përdoren termat apo do t’u referohen dispozitave ligjore të Kosovës”, ka thënë Berisha.

Përkitazi me zvarritjen që është duke bërë Qeveria në raport me procedimin e Projektligjit për Gjykatën Speciale, “Epoka e re” ka kontaktuar edhe analistin politik Imer Mushkolaj. Ai ka vlerësuar se Qeveria do ta dërgojë projektligjin në Kuvend vetëm kur të sigurohet se i ka numrat për ta votuar.

“Të ashtuquajturat çështje teknike janë vetëm arsye për ta zvarritur formimin e gjykatës derisa të bëhen numrat”, është shprehur Mushkolaj.

Ai ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë zgjidhje tjetër, përpos të votojnë në favor të themelimit të kësaj gjykate.

“Gjykata Speciale duhet të themelohet nga Kuvendi i Kosovës dhe, pavarësisht deklarimeve kundër dhe hezitimeve, deputetët nuk kanë zgjidhje tjetër veç ta votojnë. Përndryshe, nuk do të kishim nevojë për një gjykatë të tillë, po qe se me kohë do të merreshim vetë me krimet e pretenduara të luftës dhe me përgjegjësinë tonë në luftën e viteve 1998-1999”, ka deklaruar Mushkolaj.

Më 29 maj të këtij viti Kuvendi i Kosovës pati thirrur seancë plenare për të diskutuar në lidhje me amendamentet kushtetuese për Gjykatën Speciale, por me kërkesë të grupit parlamentar të PDK-së seanca është shtyrë deri në kompletimin e materialeve për këtë gjykatë.

Më Shumë

Malishevë: Dy raste të dhunës në familje

Në 24 orët e fundit në Malishevë janë raportuar dy raste të dhunës në familje, ka njoftuar Policia e Kosovës, shkruan PrizrenPress. Një femër kosovare...

“Beteja 3” në fundjavë

Fundjava pritet të jetë edhe më e ‘zjarrtë’ në basketbollin e Kosovës. Në këtë fundjavë do të zhvillohen ndeshjet e treta gjysmëfinale të “Play-offit” në...

Lajmet e Fundit