10.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Qendra historike pa mjete të nevojshme finaciare

v.xhOrganizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe”  ka kërkuar  nga qeveria lokale e Prizrenit, që ta bëjë publike shumën e mjeteve financiare që Komuna i ka pranuar për kompetencat shtesë lidhur me mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare, sipas Ligjit për Qendrën Historike, sikurse edhe informatën në lidhje me sigurimin e fondeve sistematike për restaurim dhe mirëmbajtje të kësaj Qendre, duke përfshirë të gjitha elementet përbërëse të saj.

Valon Xhabali, Koordinator i Programit të Trashëgimisë Kulturore, tha se përgjigje e vetme që ka marrë ka qenë ajo nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, në të cilën shkresë figuron se Komuna e Prizrenit kryesisht i ka harxhuar mjetet nga buxheti i saj për projekte të ndryshme në këtë zonë, ndërkohë që nuk ka arritur që të siguroj fonde serioze nga burimet qeveritare dhe donatorët e jashtëm për intervenim në ruajtjen dhe zhvillimin e kësaj hapësire të veçantë, por as për funksionimin e Zyrës së Qendrës Historike dhe të Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit. Ndërsa
“Drejtoria e Ekonomisë dhe Financave fare nuk është përgjigjur brenda afatit ligjor, duke shkelur kështu dispozitat e Ligjit për Qasje në Dokumentet Publike”.
Në përgjigjen e DUPH-së, thuhet se Komuna ka ndarë 20 mijë euro për strategjinë e zbatimit të Planit të Konservimit, 30 mijë euro për trajtimin e objekteve me vlera dhe 50 mijë euro për restaurimin e shtëpisë së Ymer Prizrenit, si dhe participimin në tri projekte tjera.

DUPH ka bërë të ditur se nuk ka kompetenca e as njohuri në lidhje me shumat e ndara për Zyrën e Qendrës Historike të Prizrenit dhe Këshillin për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit.

Ndërsa përfaqësues të KTK-së kanë njoftuar se MMPH-ja për vitin 2013 ka ndarë rreth 4 mijë e 400 euro për nevojat administrative të këtij trupi, derisa kanë thënë se nuk kanë pranuar ende asnjë njoftim për vitin 2014.
“Bazuar në këto të gjetura “EC Ma Ndryshe” konstaton se institucionet e nivelit lokal dhe ato qendrore nuk i kanë përmbushur obligimet që kanë ndaj Qendrës Historike të Prizrenit të përshkruara në Ligjin përkatës, që ka hyrë në fuqi para afër një viti e gjysmë. Për më shumë institucionet nuk i janë përmbajtur as premtimeve e zotimeve të prezantuara para opinionit publik në periudhën para miratimit të ligjit”.
“Prandaj, ‘EC Ma Ndryshe’ vlerëson se institucionet kanë dështuar në përmbushjen e qëllimit të këtij ligji që “është përcaktimi i rregullave për mbrojtjen, administrimin dhe zhvillimin bashkëkohorë të qëndrueshëm të Qendrës Historike të Prizrenit si pronë e trashëgimisë kulturore dhe historike në mbrojtje të përhershme dhe të klasifikuar si Zonë e veçantë e mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar”.

Argumenti i shoqërisë civile të Prizrenit se nuk ka nevojë për ligje të reja para se të zbatohen ligjet në fuqi edhe një herë po vërtetohet si i saktë, ngase në gjendjen aktuale në Qendrën Historike të Prizrenit vetëm janë shtuar mekanizmat dhe nuk ka veprime konkrete për mbrojtjen e as për zhvillimin e duhur të kësaj zone, që do të mund të shfrytëzohej si një potencial për fuqizimin e ekonomisë lokale.

“Në mbështetje të kësaj, “EC Ma Ndryshe” përkujton se neni 21 i Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, parasheh që Komuna e Prizrenit, të themeloj një Zyrë për Qendrën Historike të Prizrenit, me qëllim të  “koordinimit të veprimeve që lidhen me mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e Qendrës Historike të Prizrenit, përfshirë asistencën ndërkombëtare” si dhe “promovimit dhe zhvillimit të Qendrës Historike të Prizrenit si destinim turistik me një trashëgimi kulturore të pasur”, që po ashtu mbeten vetëm në nivelin deklarativ, tash e një vit e gjysmë, ngase Komuna e as institucionet tjera nuk kanë prodhuar rezultate konkrete në këtë drejtim.”

Edhe neni 22 parasheh që Komuna të “pranon mjete të nevojshme financiare për kompetencat shtesë lidhur me mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare te kërkuara nga ky ligj”. Por në bazë të shkresës së DUPH-së dhe informatave të KTK-së del se nuk ka pas veprime përkatëse në këtë drejtim.
Bazuar në këto të gjetura “EC Ma Ndryshe” rekomandon institucionet lokale dhe qendrore që në vend të deklaratave të angazhohen për veprime konkrete dhe me zbatim të ligjeve të sigurojnë mbrojtjen e duhur të vlerave të Qendrës Historike dhe ta zhvillojnë atë si destinim turistik të mirëfilltë.

“Ne i bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të shqyrtojnë mundësinë për nisjen e procesit të rishikimit dhe ndryshimit të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, në mënyrë që mekanizmat e shumta që janë shtresuar mbi njëra-tjetrën të eliminohen dhe të përcaktohen masa më të rrepta ndëshkuese ndaj shkelësve privat dhe institucional”.

“EC Ma Ndryshe” në korrik ka nisur zbatimin e projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”, përkrahur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Nevoja për mbikëqyrjen e zhvillimeve në sektorin e urbanizimit ka rrjedhë si pasojë e zhvillimeve të shumta negative gjatë periudhës së pasluftës dhe tranzicionit që janë manifestuar me degradimin urban dhe planifikimin e pa-balancuar hapësinor. Projekti do të vazhdoj me monitorimin dhe publikimin e të gjeturave në sektorin e urbanizimit dhe planifikimit hapësinor, sikurse edhe me adresimin e përgjegjësisë institucionale.  /PrizrenPress.com/

Më Shumë

SBAShK paralajmëron protestë më 1 maj

  Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka bërë të ditur se me 1 maj do të ketë protestë të punëtorëve të arsimit. Në njoftimin...

50 vite karrierë! Shkurte Fejza ndan lajmin e bukur me ndjekësit e saj

Këngëtarja Shkurte Fejza ka dhënë një lajm të bukur për mbështetësit e muzikës së saj. Ajo ka njoftuar se do të mbajë dy koncerte, një...

Lajmet e Fundit