10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Sigal Prishtina – Bashkimi luftojnë për playoff, interesante sfida në Prizren

Super dita e shtunë në Art Motion është mjaft e pasur me ndeshje nga basketbolli.

Xhiro e fundit në Five Star Superligën do t’i ketë dy ndeshje tejet interesante pasi që do të përcaktohet se cilat skuadra kualifikohen në playoff dhe cila skuadër përshëndetet nga elita e basketbollit kosovar.

Me fillim prej orës 17:00, Ponte Prizreni që ka siguruar vendin e parë në tabelë do të jetë nikoqir i Trepçës që do të kërkojë me patjetër fitoren dhe të sigurojë playoffin.

Nga ana tjetër, kryendeshja e javës së fundit do të zhvillohet në kryeqytet.

Sigal Prishtina dhe Bashkimi, skuadra që ndajnë pozitat 6 dhe 7, do të luftojnë për playoff dhe për mbijetesë duke e bërë këtë takim një finale të vërtetë të sezonit të rregullt.

Ndeshja fillon në orën 19:00 dhe këto ndeshje transmetohen në platformën Art Motion.

17:00    PONTE PRIZRENI – TREPÇA 

Në qytetin e Prizrenit, Ponte do t’i bëjë konak Trepçës që do të kërkojë me patjetër fitoren përballë liderëve të Superligës.

Ponte Prizreni, nën drejtimin e Arbnor Rifatit, këtë sezon ka arritur 29 fitore dhe 8 humbe duke blinduar vendin e parë dhe duke prerë biletën direkt për gjysmëfinale të Superligës së Basketbollit të Kosovës.

Nga ana tjetër, Trepça që ka seri të njëjtë me Bashkimin – nga 11 fitore dhe 16 humbje – do të luftojë deri në sekondën e fundit për kualifikim në fazën playoff.

Një humbje eventuale me shumë pikë mund të rrezikonte shumë që të luajë në playout dhe për këtë arsye do të synojë vetëm fitoren ndaj liderëve të tabelës.

Në tri ndeshjet e zhvilluara gjatë këtij sezoni, Ponte ka arritur të fitojë dy herë ndërsa Trepça ka fituar vetëm në një rast.

19:30               SIGAL PRISHTINA – BASHKIMI                

Super ndeshja apo finalja e sezonit të rregullt do të luhet në kryeqytet. Sigal Prishtina dhe Bashkimi do të luftojnë për fazën playoff.

Sigal Prishtinës, skuadra që asnjëherë nuk ka qenë më poshtë se këtë sezon, do t’i duhet një triumf me 7 pikë ose më shumë përballë Bashkimit nëse dëshirojnë playoffin. Një fitore me më pak pikë apo disfatë do t’i bënte kryeqytetasit ta shijojnë playoutin për herë të parë në histori të klubit.

Por, nëse Sigal Prishtina mposhtet dhe Vëllaznimi fiton, atëherë kryeqytetasit do të eliminohen nga Superliga.

Bashkimi nga ana tjetër do të ketë punë më të vështirë se kundërshtarët duke ditur se luajnë si mysafirë. Deri më tani kanë një fitore më shumë se bardhekaltrit, por një humbje do ta barazonte serinë me Sigal Prishtinën dhe me një humbje mbi 7 pikë do t’i linte jashtë playoffit.

Por, djelmoshat e Franko Sterles e dinë që edhe një humbje është e mirëseardhur, por vetëm nëse humbasin me më pak se 7 pikë.

Në tre ndeshje të zhvilluara mes vete këtë sezon, Bashkimi ka arritur të fitojë në dy ndeshjet e para ndërsa Sigal Prishtina ka triumfuar në ndeshjen e fundit.

Më Shumë

Mjekët shpjegojnë se çfarë ka ndodhur me Evan Ndicka

Deklarata e Roma-s ka bërë të qartë se Evan Ndicka nuk kishte ndonjë patologji kardiake, ndaj dhimbjet e gjoksit dhe vështirësitë në frymëmarrje i...

Moti sot me temperatura deri në 30 gradë Celsius

Instituti Hidrometerologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të ketë mot kryesisht me diell. Sipas njoftimit të këtij instituti,...

Lajmet e Fundit