Drejtoria Komunale e Arsimit në Suharekë ka përmbyllur të gjitha përgatitjet për organizimin e Provimit të Maturës Shtetërore 2025, i cili do të mbahet të shtunën, më 21 qershor, duke filluar nga ora 10:00.
Sipas të dhënave të siguruara nga shkollat, 564 maturantë nga komuna e Suharekës kanë aplikuar për provim përmes platformës e-Kosova dhe janë të regjistruar për të marrë pjesë në test, raporton PrizrenPress.
Provimi do të zhvillohet në katër objekte shkollore, ku janë ngritur gjashtë qendra testimi: Qendra 1 – Gjimnazi “Jeta e Re”, Qendra 2 – SHFMU “7 Marsi”, Qendra 3 dhe 4 – IAAP “Skënder Luarasi” dhe Qendra 5 dhe 6 – IAAP “Abdyl Ramaj”.
“Drejtoria e Arsimit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtje të procesit të Maturës shtetërore duke pergatitur Qendrat testuese , caktimin e komisioneve, mbikqyrësve dhe administruesve. Janë shpërndarë udhëzuesit për komisione, administrues dhe nxënës për obligimet dhe detyrat në ditën e testimit”, thuhet në njoftimin e komunës.
Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani, duke uruar që maturantët të përqëndrohen dhe të besojnë në njohuritë e tyre, u deshiron suksese në Provimin Shtetëror të Maturës./PrizrenPress.com
Marketing